KULTURË

Sherlok Holmes mbërrin në teatër

14:12 - 13.12.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Një histori e njohur, në Londrën e viteve 1890, ku flitet për Sherlock Holmes, një detektiv imagjinar i krijuar nga autori britanik Sir Arthur Conan Doyle, e përshtatur për skenë teatri nga dramaturgu Ken Ludving.




“Sherlok Holmes dhe Langoi i Baskervillëve” është një vepër që bashkon dy zhanre letrare popullore: përrallën gotike dhe trillin e letërsisë detektive. Kjo komedi, e cila do të vihet në skenë në datën 13 dhjetor mban të ngacmuar kureshtjen e publikut për të lidhur fijet e ngjarjeve dhe shijuar në maksimum procesin e zbulimit. Ndërsa trupa e përbërë nga shtatë aktorë do të sjellin në skenë një mori personazhet. Rozi Kostani interpreton në rolin e Doktorit Uatson, ndërsa Gentian Hazizaj në rolin e Sherlok Holmsit ndërkohë aktorët e tjerë Herjon Mustafaraj, Mirela Naska, Amri Hasanbelli, Ermir Hoxhaj, Klodjana Keco do të sjellin rreth dyzet karaktere mes situatash plot humor.

Shfaqja “Sherlok Holms dhe Langoi i Baskervillëve” nga Ken Ludvig dhe regji nga Shkëlzen Berisha është premiera e fundit për këtë sezon në Teatrin Metropol.
Regjisori Berisha ka punuar për një spektakël dinamik, me ngjyra, gjallëri, e energji që shpërthen nga ironia e situatave, në të cilat pritshmëria dhe realiteti janë në kundërshtim me njëri-tjetrin. Ritmi, ngjyrimi dialektor, puna me gjuhën dhe theksat, harmonia mes fjalës dhe gjestit tek individi dhe pastaj mes ansamblit kanë qenë sfidat e këtij procesi mjaft të pëlqyeshëm. “Çdo gjetje apo element duhet të bazohet në saktësi dhe harmoni”, thotë ai, ndaj procesi ka angazhuar potencialet edhe të njohura edhe të panjohura të aktorëve, për të bërë të pandjeshme ngarkesën dhe arritur një nivel profesional të pëlqyeshëm dhe mikpritës nga publiku”, vëren regjisori.

Romani përdor temat dhe simbolet tipike gotike: një mallkim familjar dhe një legjendë për një qen paranormal dhe djallëzor, një hero i bllokuar në një vend të çuditshëm, shkelja e tabuve morale, shqopishtet e zymta që mbajnë sekrete të këqija, hijet e errëta, dhe peizazhe të tmerrshme, të mbuluara nga mjegulla. Sherlock Holmes sulmon legjendën e mallkimit Baskerville me armën e arsyes dhe të metodave shkencore të vëzhgimit, analizës dhe përfundimit. Megjithatë, kur Sherlock Holmes nuk është në tregim dhe Dr.Uatsoni drejton komplotin, elementët gotikë e marrin përsipër rrjedhën e tij.

“Kam qenë i interesuar gjatë procesit”, thotë regjisori- që të punoj në disa nivele shprehimore, të cilat në bazë kanë drejtpeshimin. Për të, është parë me vend ngërthimi i formësimit të dialogut të personazheve me një gjuhë të sjell në një freski dhe larmishmëri që të kujton kohët e vjetra dhe i shkon për shtat situatave, me realizimin artistik. “Kombinimi i disa formave teatrore, të cilat e stërvitin aktorin që të evitojë emocionet përzierë me energji të tepërta, duke synuar përthyerje të shpejta dhe ngacmuese dhe i japin publikut një zinxhir situatash mjaft të gjalla që ndryshojnë dhe transformohen çdo çast”.

Skenografia transformohet aty për aty duke mbajtur aktive imagjinatën e publikut gjatë gjithë kohës dhe duke u shërbyer ngjarjeve njëkohësisht, por edhe tensionit të veprimit të personazheve. “Për ta përmbledhur, mund të them se zbulimet e Sherlokut dhe Uatsonit, na kanë nxitur një seri zbulimesh të tjera në mënyrën se si kjo shfaqje do të prezantohet para publikut dhe me gjithë lodhjen, jam mjaft i kënaqur për të gjitha eksplorimet e reja që kemi mundur të përfytyrojmë, takojmë dhe realizojmë. Tashmë mbetet shkëmbimi me publikun, që është edhe reflektuesi praktik i gjithë kësaj pune”, shton Berisha.
Shfaqja do të jetë në sallën “Shekspir” në Teatrin Metropol në datat 13,14,15,16 Dhjetor, në orën 19:00 dhe do të vazhdojë përsëri në janarin e vitit të ri. Shkëlzen Berisha është një aktor dhe regjisor shqiptar nga Kosova, i cili vjen nga një përvojë 7-vjeçare në Britani si aktor, drejtues dhe praktikues i programeve të Dramës dhe Teatrit. Më pas ka zhvilluar aktivitetin në Kosovë si Drejtor Artistik në Teatrin e Gjilanit dhe më pas në Tiranë, si Drejtor Ekzekutiv i Qendrës së Hulumtimit Progresiv. Aktiviteti i tij shtrihet edhe tek përkthimet dhe dramaturgjia. Rreth 40 vepra të përkthyera prej tij janë vënë në skenë në teatro në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Mal i Zi. Në role janë: Amri Hasanlliu, Ermir Hoxhaj, Gentian Hazizi, Herion Mustafaraj, Klodjana Keco, Mirela Naska dhe Rozi Kostani.
Kostumografe Jonida Beqo, kostumografe realizuese Suzana Bodinaku, as.regji Rexhina Mollaymeri, skenografia nga Arian Xhao e Griseld Kapllanaj, fragmentet e orkestruara nga Jusiald Xhani.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.