EKONOMI

Shpërblimet nga qeveria, ndarja e përfituesve sipas çdo kategorie

17:00 - 13.12.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Më shumë se 26 mijë persona që kanë punuar apo punojnë ende në miniera, industrinë e naftës, gazit dhe në metalurgji do të kenë mundësi të përfitojnë pension suplementar, përveç masës së përfitimit që marrin nga pensioni i pleqërisë. Ministria e Financave ka përgatitur projektligjin që u jep mundësi këtyre kategorive që kanë kryer apo kryejnë ende punë të vështira në këta tre sektorë të veçantë të ekonomisë për të pasur një trajtim financiar më të mirë se sa ai që kanë pasur deri më tani. Kështu, përveç pensionit të pleqërisë, masa e pensionit suplementar që do të marrin sipas këtij drafti varion nga 0.6 deri në 1 për qind shtesë për çdo vit pune në profesion të siguruar.




Përfituesit
Përfitues të trajtimit të veçantë që bën ky projektligj do të jenë të gjithë personat që kanë dalë në pension në bazë të ligjit të vitit 1966, atij të vitit 1993 dhe pensionistët që kanë përfituar sipas ligjit të vitit 2014 dhe të gjithë personat që kanë kryer procese pune në miniera në nëntokë, në industrinë e naftës e të gazit dhe personeli inxhiniero-teknik, që ka punuar në ndërmarrjet e sistemit të naftës, si shpim-kërkim, shpim-shfrytëzim, prodhimit, sizmikës, gjeofizikës kantieriale, përpunimit dhe transport me naftësjellës dhe gazsjellës, si dhe punonjësit që kanë punuar në metalurgji. Sa i përket vjetërsisë në punë dhe periudhat e sigurimit për ata që janë aktualisht në pension projektligji njeh përcaktimet që kanë bërë ligjet e mëparshme për këto kategori. Ndërsa për ata që kanë kryer proceset e punës në miniera në nëntokë, në industrinë e naftës dhe në metalurgji pas vitit 1993 do të njihen për efekt përfitimi sipas këtij ligji, kur ato janë kryer dhe janë dokumentuar, pavarësisht nëse të punësuarit kanë kryer aktivitet ekonomik, në subjekte me kapital plotësisht ose pjesërisht shtetëror si dhe në subjekte private. Periudhat e sigurimit të pambuluara me kontribute të paguara në fondin e sigurimeve shoqërore nuk njihen të vlefshme për këtë projektligj.

Masa e përfitimit
Personave të këtyre tri kategorive u sigurohen përfitime suplementare, mbi ato të përcaktuara në ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, në tri mënyra, si pension për shkak të profesionit (llojit të punës), shtesë mbi pensionin e pleqërisë dhe shtesë mbi pensionin e invaliditetit. Përcaktimi i vjetërsisë për ish-punonjësit që kanë kryer procese pune në miniera në nëntokë do të vazhdojë të bëhet sipas përcaktimeve në dispozitat e ligjit nr. 150/2014 “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë” dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tij. Ndërsa për ish-punonjësit që kanë punuar në industrinë e naftës e të gazit në profesione e punë që hyjnë në kategorinë e parë, mosha për burrat për të dalë në pension është 55 vjeç dhe për gratë 50 vjeç, ndërsa periudha e përgjithshme e sigurimit respektivisht do jetë 30 vjet dhe 25 vjet. Nga këto, vjetërsia në punë të kategorisë së parë do jetë 15 vjet për burrat dhe 12.5 vjet për gratë.

Ndërsa për ish-punonjësit që kanë punuar në industrinë e naftës e të gazit në profesione e punë të kategorisë së dytë, mosha e daljes në pension do jetë 60 vjeç për burrat dhe 55 vjeç për gratë. Ndërkohë që periudha e sigurimit të përgjithshëm do jetë 30 vjet për burrat dhe 25 vjet për gratë, ndërsa vjetërsia në punë do jetë respektivisht 20 dhe 15 vjet. Të njëjtat kritere dhe periudha përcaktohen edhe për ish-punonjësit që kanë punuar në metalurgji. Ish-punonjësit e nëntokës, sipas përcaktimeve në këtë ligj të cilët kanë përfituar, ose do të plotësojnë kushtet për të përfituar pension pleqërie sipas ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, përfitojnë shtesë pensioni për çdo vit periudhe sigurimi 1% e masës së pensionit të pleqërisë. Ndërsa punonjësit e industrinë së naftës e gazit dhe punonjësit e metalurgjisë 0,6% e masës së pensionit të pleqërisë për çdo vit pune në profesion të siguruar. Nisur nga dyshemeja e viteve në profesion që është 12.5 vite, rezulton se masa më e ulët e përfitimit do jetë 12.5 për qind e pensionit të pleqërisë, ndërsa masa maksimale mund të shkojë deri në mbi 20 për qind, kjo në varësi të viteve të punës në profesion.

Nisma ligjore, ndarja e përfituesve sipas çdo kategorie

Referuar kushteve për pension, bazuar në të dhënat që disponohen nga Instituti i Sigurimeve, si dhe në numrin aktual të punësuarve në industrinë e naftës, parashikohet që numri i personave që përfitojnë të arrijë në rreth 7000, nga 9900 që përllogaritej të ishte para ndryshimeve me një efekt financiar vjetor rreth 750 milionë lekë. Në projekt të ligjit fillestar, efektet financiare ishin parashikuar rreth 400 milionë lekë. Në reduktimin e këtij numri ka ndikuar përjashtimi i disa profesioneve të caktuara, që më parë konsideroheshin të rënda apo edhe të përjashtimit nga kjo skemë e personave që kanë bërë falsifikime dokumentacioni. Ndërkohë që numri i përfituesve minatorë parashikohet të jetë rreth 16 mijë persona dhe efekti përllogaritet rreth 530 milionë lekë në vit, ndërsa për metalurgjinë, numri i përfituesve parashikohet të jetë rreth 2500 me një efekt financiar rreth 250 milionë lekë. Procedura e aplikimit, dokumentacioni i kërkuar, si dhe procedura e llogaritjes së pensionit do të përcaktohen me Rregullore të Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe përfitimet do të jenë objekt auditimi nga strukturat audituese të Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Përfitimi nga ky ligj do të bëhet vetëm me aplikim të personave të interesuar.

Projektligji

Neni 2
Përfituesit
Përfitues sipas këtij ligji janë personat që kanë plotësuar kushtet e përcaktuara në këtë ligj, kur kanë punuar në punë dhe profesione, sipas përcaktimeve të nenit 3 të këtij ligji, si më poshtë:
a) Pensionistët, që kanë përfituar pension sipas ligjit nr. 4171, datë 13.9.1966, “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë” dhe në ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
b) Pensionistët që kanë përfituar pension sipas ligjit nr. 150/2014, “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”.
c) Punonjësit që kanë kryer procese pune në miniera në nëntokë.
ç) Punonjësit që kanë punuar në industrinë e naftës e të gazit dhe personeli inxhiniero-teknik, që ka punuar në ndërmarrjet e sistemit të naftës, si shpim-kërkim, shpim-shfrytëzim, prodhimit, sizmikës, gjeofizikës kantieriale, përpunimit dhe transport me naftësjellës dhe gazsjellës.
d) Punonjësit që kanë punuar në metalurgji në profesione, punë dhe ndërmarrje, sipas përcaktimeve në kreun III, VII dhe XIII të vendimit nr. 526, datë 20.12.1958, të Këshillit të Ministrave, “Për ndarjen e punëve në kategori për efekt pensioni”.

 

Neni 5
Ish-punonjësit e përcaktuar në nenin 2, të cilët kanë periudha sigurimi sipas përcaktimeve në nenin 3 të këtij ligji, kanë të drejtën e përfitimeve të pensionit për shkak të profesionit apo shtesës mbi pension, kur plotësojnë kushtet si më poshtë:
I. Periudha e sigurimit dhe vjetërsia e punës në profesion.
a) Për ish-punonjësit që kanë kryer procese pune në miniera në nëntokë, trajtimi me përfitime përpara moshës dhe kushteve të përcaktuara në dispozitat e ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, do të vazhdojë të bëhet sipas përcaktimeve në dispozitat e ligjit nr. 150/2014 “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë” dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tij.
b) Për ish-punonjësit që kanë punuar në industrinë e naftës e të gazit në profesione e punë të përcaktuara në pasqyrën nr. 1 “Punë, që hyjnë në kategorinë e parë”, kreu IV pika 2 dhe 3 të vendimin nr. 526, datë 20.12.1958, të Këshillit të Ministrave, “Për ndarjen e punëve në kategori për efekt pensioni” i ndryshuar, përcaktohet:
Mosha: për burrat 55 vjeç dhe për gratë 50 vjeç.
Periudha e përgjithshme e sigurimit: për burrat 30 vjet dhe për gratë 25 vjet.
Vjetërsia në punë të kategorisë së parë: për burrat 15 vjet dhe për gratë 12.5 vjet.
c) Për ish-punonjësit që kanë punuar në industrinë e naftës e të gazit në profesione e punë të përcaktuara në pasqyrën nr. 2, “punë që hyjnë në kategorinë e dytë” kreu IV, në vendimin nr. 526, datë 20.12.1958, të Këshillit të Ministrave, “Për ndarjen e punëve në kategori për efekt pensioni” i ndryshuar, dhe personeli inxhiniero-teknik, që ka punuar në ndërmarrjet e sistemit të naftës, sipas listës së miratuar me VKM.
Mosha: Për burrat 60 vjeç dhe për gratë 55 vjeç
Periudha e sigurimit: Për burrat 30 vjet dhe për gratë 25 vjet.
Vjetërsia në punë të kategorisë së parë: Për burrat 20 vjet dhe për gratë 15 vjet.
Kur nuk plotësohen kushtet e pikës “1” periudha e punës sipas asaj pike, i shtohet periudhës së punës sipas përcaktimeve në pikën “2”. Në këtë rast kushtet e përfitimit janë ato sipas pikës 2-të më sipër shënuar.
Ish-punonjësit që kanë punuar në metalurgji në profesione, punë dhe ndërmarrje sipas përcaktimeve në kreun III, VII dhe XIII në vendimin nr. 526, datë 20.12.1958, të Këshillit të Ministrave, “Për ndarjen e punëve në kategori për efekt pensioni”.
Mosha: Për burrat 60 vjeç dhe për gratë 55 vjeç.
Periudha e sigurimit: Për burrat 30 vjet dhe për gratë 25 vjet.
Vjetërsia në punë të kategorisë së parë: Për burrat 20 vjet dhe për gratë 15 vjet.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.