KULTURË

Duras: Jeta, një roman (dhe filmi i ndaluar në Shqipëri)

13:00 - 14.12.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Luan Rama  – – Ti nuk ke parë asgjë nga Hiroshima! Asgjë!… Ndërsa ajo i përgjigjej: – Unë kam parë gjithçka. Dhe spitalin e pashë. Si mund të mos e shikoja?…
– Në çfarë filmi interpretoni?
– Në një film për Paqen. Ç’mund të xhirohet tjetër në Hiroshima veçse një film për Paqen?… Ne fillim në takoheshim në hambarë dhe nëpër rrënoja, më pas nëpër dhoma e kudo. Pastaj ai u vra. Dashuria ime që u vra ishte një armik i Francës…”
Ishte një film që hapej me kërpudhën e bombës atomike të hedhur në Hiroshima, mbi të cilin fillonte dialogu i një gruaje franceze dhe i një burri japonez, shtrirë në krevatin e një hoteli. Ishte pikëtakimi im i parë me letërsinë e Marguerite Duras, (Dyras), përmes skenarit të filmit të njohur “Hiroshima dashuria ime”.
Atëherë, ky film ishte ndaluar të shfaqej në Shqipëri, por një numër i revistës L’Avant scène du cinema, që vinte atë kohë në Kinostudio bashkë me Cahiers du Cinéma dhe Anthologie du cinéma, e kishte botuar atë të ilustruar me një mori skenash nga filmi dhe aktorët e tij. Një histori pacifiste dhe kundër luftës, por që bashkonte fatet njerëzore në pika të ndryshme të globit. Një grua franceze që vinte të luante një film në Hiroshima dhe që në rininë e saj kishte dashuruar një ushtar gjerman në qytetin e saj të lindjes. Në të njëjtën kohë vendosej paralelizmi me tragjedinë e madhe të luftës që kishte ndodhur në Hiroshima. Një klithmë kundër luftës, kur Shqipëria jetonte si “në rrethim” nga mijëra bunkerë të paranojës totalitare.
Edhe pse me një frëngjishte të varfër unë e përktheva atë skenar në ca faqe të holla rozë, skenar që do të shëtiste në duart e kineastëve të rinj, të etur për të njohur filmat modernë e pacifistë dhe kundër luftës. Kundër luftës, në një vend që jetonte me luftën, alarmet, bunkerët, stërvitjet ushtarake, me idenë dhe paranojën e rrethimit… Të flisje për Hiroshimën ishte e ndaluar! Përse ti flet për Hiroshimën? Çdo të thotë Hiroshima për ty kur ne i kemi imperialistët e revizionistët në grykë të topit?… Por ne kishim rënë në magjinë e kinemasë dhe kishim filluar të zgjoheshim, të kuptonim, të ndjenim dhe të flaknim atë topitje të trurit që kishte pushtuar pothuaj të gjithë… Hiroshima ishte një tragjedi e madhe!





– “Atë ditë, – shkruante Dyras në skenarin e saj, – ne do të takoheshim në breg të lumit të Loire-s. Do të ikja me të. Kur mbërrita në mesditë, ai ishte atje. S’kishte vdekur akoma. Dikush e kishte qëlluar nga një kopsht. Gjithë ditën qëndrova mbi trupin e tij. Po kështu dhe natën. Të nesërmen erdhën dhe e morën me një kamion. Atë natë, Nevers u çlirua… Ishte dashuria ime e parë… Pastaj një tjetër ditë klitha. Më futën në një bodrum…”.
Ky skenar, për ne të rinjtë e asaj kohe ishte vërtet tronditës dhe krejt i kundërt nga ato që shikonim në kinematografinë e Lindjes. Madje bashkë me mikun tim skenarist Nexhati Tafa dukej se ajo mënyrë shkrimi influencoi drejtpërdrejt në shkrimet tona duke përdorur retiçencë, vazhdimisht tri pika, në fraza të shkurtra, apo thjesht “përplasje” imazhesh, por në fjalë. Më pas, një tjetër libër i ardhur nga një studente shqiptare në Francë më hapi një dritare të dytë mbi këtë shkrimtare: ishte romani Moderato cantabile, i cili dhe ai do të gjente ekranin e kinemasë. E megjithatë, Dyras më ishte ende një enigmë? Cila ishte kjo shkrimtare kaq e ndjeshme, e dhimbshme, lakonike, me një gjuhë që depërtonte thellë në humnerën e shpirtit njerëzor dhe shpesh të trondiste? Nga vinte dhe cila ishte bota e saj?… Shumë vite më vonë lexova librin e saj Dhimbja, La Douleur, dhe kuptova vërtetë shkatërrimin e madh që kishte lënë në psikikën e saj lufta, lufta ku ajo ishte një pjesëtare e Rezistencës franceze dhe që kishte përjetuar përndjekjen, Gestapon dhe dhimbjen e madhe kur nga kampi i përqendrimit do të kthehej më së fundi në Francën e lirë burri i saj, Robert Antelme: “Vallë ishte ai?” – do të shkruante ajo në librin e saj: “Dëgjova thirrje që vinin nga shkallët, këmbë që ngjiteshin, kërkëllitja e portave. Ishin ata që vinin nga Gjermania… E mbanin nga krahët. U ndalën në katin e parë. Ai kishte ngritur sytë… Nuk di se ç’ndodhi. Duhet të më ketë njohur dhe të më ketë buzëqeshur. Klitha se nuk mund ta shihja ashtu. Gjithë vitet e luftës më shfaqeshin përmes atyre klithjeve të mia. Gjashtë vjet pa klithur. U gjeta tek fqinjët. Ata më detyronin të pija rum, ma derdhnin në gojë. Përmes thirrjeve. Nuk e di se kur u gjeta përpara tij…”.

Një këngë deti e dashurie
…U ktheva sërish në Trouville. Përshëndes statujën e bronztë të Flobert që aq shumë e deshi këtë qytet. Bankinat ishin bosh. Qiejt plot re që endeshin tutje, hijerënda për tu puqur më së fundi me detin. Eci në rrugën buzë detit, vështroj zgalemët që vërtiten në valët e tyre të vazhdueshme me një harbim plot klithma, shkoj deri tutje fundit të plazhit, drejt asaj ndërtese të vjetër që quhet “Les roches noires” (“Shkëmbenjtë e zinj”) të ndërtuar që në vitin 1866 dhe mendoj për Marguerite Duras.
Më ngjan sikur e shoh përsëri atje, në cep të atij ballkoni të gjatë apo buzë dritares duke vështruar e përhumbur detin që e donte aq shumë veçanërisht në dimër, kur të gjithë janë larguar, të gjitha haretë, britmat fëminore, dashuritë dhe ku ka mbetur veç ajo, e vetmuar, përballë detit të pafund, çka e tërhiqte në një lloj mistike, duke e bërë të braktiste gjithçka të kësaj bote për t’u përhumbur në të. Marguerite Duras ishte si deti, me baticat dhe zbaticat e saj, me kapriçiot dhe zemërimet e tij, e dehur me ujin e kripës dhe të alkoolit, në vetminë dhe dashurinë e saj të fundit, në tryezën e vogël të shkrimit, mbi letrën, fjalën, gërmën, mbi atë që dinte aq bukur ta shkruante, pasi gjithçka e saj ishte e përjetuar, në të kaluarën dhe të tashmen, në çastin fluid që ajo s’donte t’i shpëtonte nga duart, nga shpirti, ishte personazhi real i dashurisë së mundur por dhe të pamundur, i dramës, i jetës dhe vdekjes, pasi aty, nga ajo dritare me kanate të mëdha e të larta, ajo herë shikonte ngazëllimin e jetës, e herë të zezën që mbulonte gjithçka, pafundësisht, në heshtjen e madhe ku vetëm deti dëgjohej. Duras dhe i dashuri i saj Yan Andrea. Dhe ajo shkruante në librin e saj: “Ecim. Ju mbaheni në krahun tim. Arrijmë të lodhur. Ju jap një gotë verë. Pak nga pak frymëmarrja tënde bëhet e rregullt. Më 16 gusht të vitit 1982 qëndrojmë brenda apartamentit në “Roches Noires”. Qepenët e bardhë lënë dritën të depërtojë. Ju më diktoni një faqe. Sot ke braktisur gjithçka dhe ti shkruan. Dhe kjo bëhet në mënyrë gjithnjë brutale. Ju flisni përballë meje me zë të lartë dhe unë shtyp. Disa sekonda i ndajnë fjalët mes tyre. U shkrua… Kam frikë të ndaloj, frikë që të përsërisni edhe njëherë e kështu të humbni ndonjë fjalë. Faqja mbaron dhe heshtja rivjen në dhomën e ndriçuar. Ju thoni: eja të shohim detin. Dhe ne dalim në ballkon. Që nga 30 gushti ne pimë. Dhe kjo ndodh që nga shikimi ynë i parë kur porta u hap, që nga buzëqeshja, që nga puthja e parë, që nga koha që ekzistojmë. Pimë gjer në natën e vonë të njëjtën verë “Bordeaux”. Verë e mirë, verë mediokre, verë të çdo lloji. Dozat shtohen gjithnjë e më shpejt dhe po kështu puthjet e pareshtura buzë detit ku ne nuk shkojmë…”
Po, deti jetonte përjetësisht. Në një nga fletoret e saj mbajtur në atë dhomë, ajo shkruante: “Nganjëherë ke frikë të vdesësh para se fleta që ke shkruar të jetë shkruar e gjitha… ndërkohë ne e njohim fundin tonë, e dimë, por teksti duhet çuar deri në fund, udhëtimi duhet mbaruar. Pikërisht kjo na bën të ndjej vdekjen çdo ditë…” Atë e shqetësonte ajo se çdo të ndodhte pas vdekjes, çka më kujton mikun e saj të luftës por dhe të kohës së lëvizjeve të mëdha, Mitterandt apo të kohës presidenciale, kur ky marksist iu kthye Saint-Agustinit që e mbante në kokën e krevatit.

Vitet e fundit Marguerite Duras i vizitonte shpesh varrezat, sigurisht jo të rejat, por ato të gjysmës së parë të shekullit XX apo ato të luftës. Aty dhe i lindi ideja për të shkruar “Vdekja e aviatorit anglez”, të cilin e shkroi aty, në “Les Roches noires”, pasi një ditë kishte bredhur në varret e ushtarëve që zbarkuan dhe u vranë në brigjet e Normandisë, aty iu kujtua gjithashtu dhe vdekja e të vëllait që i nderej para sysh, si një lloj pengu, si në një ngushëllim të pafund.
Dy vdekje në një, por jo vetëm, pasi në këto vdekje ajo shikonte dhe vdekjen e saj, prandaj dhe nxitonte. Duhej shkruar, natën, ditën, përmes alkoolit dhe dashurisë me të dashurin e saj Yan Andrea. “Ishte një libër si një lloj vaji, – thoshte biografja e saj Laure Adler në biografinë e saj “Marguerite Duras”, – një përpjekje për të dialoguar me vdekjen”. Vitin e fundit, një ditë, i dashuri i saj Yan i solli tek dera e shtëpisë Dionisos, ish burrin e saj të dytë. Ajo doli tek dera, zgjati krahët e pështolli fort dhe i pëshpëriti: “Sa shumë jemi dashur ne të dy”!…

Sa shumë. Po, është bukur t’i thuash një ditë të fundme asaj që ke dashur dikur, në rini apo në kohë gjimnazi: “Sa shumë jemi dashur!”… Pikërisht këtu ajo kishte shkruar dhe librin “Yan Andrea Steiner” apo dhe “Sëmundja e vdekjes”. Ajo gjithnjë pyeste veten se ç’është kjo dashuri, tani, në këtë moshë, kur trupi ashtu i vagët, i lodhur nga vitet, nuk i ka më dehjet e veta, ekstazat e veta, kur gjinjtë janë lëshuar dhe nuk i kanë më dihatjet e tyre, klithjet dhe përdëllimet. Vallë është një botë ku dashuria po tretet, po humb formën e saj të qenësishme?…

Ai, ajo, moskuptimi. Yan ishte homoseksual e megjithatë përhumbte në krahët e saj, pastaj ikte e nervozuar nga agresiviteti i saj, humbte në grinë e plazhit bashkë me erën, dhimbjen, pastaj rivinte në këtë botë ku gjenet janë ç’rregulluara. Në fund të librit “Sëmundja e vdekjes”, Duras shkruante: “Mbrëmjen e largimit të saj, në një bar, ju tregoni historinë tuaj. Në fillim ju e tregoni sikur të ishte e mundur ta përjetonit, por pastaj ju e lini. Më tej ju tregoni duke qeshur si të ishte e pamundur që kjo ka ndodhur apo se ndoshta dhe mund ta keni sajuar.

Të nesërmen, papritmas, ndoshta në dhomë, ju vini re mungesën e saj. Të nesërmen, papritmas, ndoshta do të provoni një dëshirë për ta parë atje, në vetminë tuaj të çuditshme dhe gjendjen e saj të panjohur nga ju. Ndoshta ju do ta kërkoni përtej dhomës tuaj, në plazhet, në tarracat e kafeneve, në rrugë. Por ju s’mund ta gjeni, sepse në dritën e ditës ju nuk njihni askënd. Ju nuk do ta njihni.
Ju nuk njihni nga ajo veç trupin e saj të përgjumur me sytë e hapët apo të mbyllur. Penetrimin e trupave ju nuk mund ta njihni, kurrë nuk mund ta njihni. Ju s’do të mundni asnjëherë. Kur ju keni qarë, ju keni qarë për veten tuaj dhe jo për pamundësinë e admirueshme për tu bashkuar me të përmes atij dallimi që ju ndan nga njëri-tjetri.
Nga gjithë kjo histori ju mbani mend veçse disa fjalë që ajo ka thënë në gjumë, fjalë që tregojnë se nga çfarë vuani: sëmundjen e vdekjes. Shumë shpejt ju braktisni gjithçka, ju nuk e kërkoni më as në qytet, as nëpër natë, as gjatë ditës. Kështu, ju keni mundur ndërkohë ta përjetoni në të vetmen mënyrë që mund të bëhej nga ju, duke e humbur, para se kjo dashuri të ndodhte…”

Shtatorin e kaluar kur shkova të vizitoja “Les Roches Noires” tabela në hyrje të oborrit shkruante për Marcel Proust, banorin e dikurshëm të këtij hoteli kur vinte në dhjetvjeçarin e parë të shekullit XX. Ai e pëlqente shumë Trouville, madje ky dekor n’a shfaqet në disa fragmente të romaneve të tij, buzëdeti, plazhi dhe grija pafund.

Kjo Dashuri!…
Kjo Dashuri…! Cet Amour-là…
Vallë ishte dashuri apo çfarë?
Ky është titulli i librit që shkrimtari Yan Andrea, i dashuri i ri i Marguerite Duras shkroi pas vdekjes së shkrimtares së famshme, autores së romanit Dashnori me të cilin mori dhe çmimin “Goncourt” në Francë. Yan Andrea tashmë ka vdekur. Ende nuk është mbushur viti. 10 korrik… Sy të mbyllur plotësisht, ndërsa sytë e saj kanë mbetur hapur, përjetësisht. Sy që flasin, që kanë folur e do flasin. Vështrime kthyer në vargje, tregime, romane, drama. Një jetë shkruar brenda tyre. Jeta e saj. Dhe një gojë e hapët që nuk rresht së klithuri, “Puthmë”!: Dashnori, Moderato Cantabile, Ora dhjetë e gjysmë e mbrëmjes në verë, Ditë të tëra nëpër pemë apo Sy blu dhe flokë të zinj, kushtuar të dashurit të saj të fundit, Yan Andrea. Një botë që s’ka rreshtuar së pulsuari. Ajo ka dëshirë të dehet, të çmendet në dashuri, në një dashuri të mundur dhe të pamundur. Dëshirë të vdesë, të zgjohet. Në dritën e tmerrshme të ditës që verbon me aromë karafilash.
Kur bota publike në Francë njohu të dashurin e saj Yan Andrea, të gjithë u habitën, pasi ajo ishte pothuaj 40 vjet më e madhe se ai. Por kjo sidoqoftë nuk ishte e rrallë në botën e artit, të artistëve dhe shkrimtarëve, kur një Picasso dashurohej me një modelen e tij të njomë, kur skulptori Cezar martohej me sekretaren e tij të re ndërkohë që afronte të 75 vjetët, kur Chaplin, Sabato, e të tjerë të dashuruar me vajza të reja po ashtu. Të njëjtat mistere dashurish. Ç’ndodh vallë? A është dashuri? Mos vallë Yan Andrea Steiner u dashurua me imazhin e saj dhe jo me gruan Marguerite Duras?
Duke lexuar librin Kjo Dashuri, lexuesi mund të kuptojë më në fund se ç’ndodh me dy qenie kur njëri është anonim dhe tjetri një emër mediatik, Krijuesi, i adhuruar nga publiku dhe i duartrokitur nga turma, në skenë, në rrugë, kudo. Ja çfarë shkruan Andrea në librin e tij: “… U lidha me këtë histori, me të, me këtë grua që shkruan, me këtë femër të pamundur që nuk e zotëron veten dhe tërë botën e saj, nga padrejtësia, nga bukuria, dhimbja, dashuria, nga gjithë rrangullat e saj dhe të miat, dhe kjo histori që ndodh midis saj dhe meje dhe jo vetëm mes nesh, jo, ajo e di këtë, si dhe unë, e megjithatë nuk duhet ditur shumë dhe duhet bërë si gjithë bota, të bësh skena, sharje, të bëhesh e keqe, të bësh kuzhinën, të bësh mirë gjithashtu dashuri në shtrat, dhe gjithë rrëmujën e botës, sepse ne nuk jemi të ndarë nga njerëzimi, sepse ndërkohë që ajo shkruan, ajo këtë e bën gjithashtu për gjithë botën si dhe për mua, pasi unë jam këtu… Ajo thotë: – Yan, mos kujto se je caktuar për diçka, nuk duhet ta pandehësh veten si hero. Thjesht, të mos kujtosh. Unë e di se cili je ti. Nuk duhet…”

Yan Andrea e kishte vuajtur shumë vdekjen e saj. Fill pas varrimit në varrezat e Montparnasse, jo larg varreve të përbashkëta të Jean-Paul Sartre dhe Simone Beauvoir, ai ishte mbyllur në apartamentin që i kishte lenë ajo në rrugën Rue Saint-Benoît, atje ku kishte jetuar më parë dhe shumë herë kishte tentuar të vriste veten, gjersa më në fund një ditë dhe do ta bënte, por pasi të botonte rrëfimin e tij me të dashurën e dikurshme Kjo Dashuri… Asgjë nuk dihej se ç’ishte bërë me të, ndërkohë që ngado e kërkonin botuesit e shumtë, pasi Duras i kishte lenë dhe të drejtat e botimeve letrare, të gjithçka që kishte shkruar si dhe të letrave e skicave që kishin mbetur pas. Yan e vuante shumë vdekjen e saj, jetonte gjithnjë me imazhin e saj, në errësirë, duke pirë, si atëherë me të, kur ajo i afronte një ëhisky, një verë të kuqe, të bardhë, të gjitha llojet e pijeve, që të deheshin, të dashuroheshin, të flinin, të zgjoheshin në zgjandër dhe të dashuroheshin sërrish, atje, buzë detit, në Trouville, nën klithmën e pulëbardhave të endura mbi det. Të bënte dashuri, me atë trup që kishte humbur çdo freski, ku anatomia ishte shpërbërë por që digjej flakë, krahët e bardhë, gjinjtë që drithëronin, buzët, gjithçka pulsonte e etur, çdo gjë kishte sensualitet, hijeshi, ankth, ekstazë. Gjithçka. E megjithatë, ishte diçka e fshehur brenda atij trupi që atë e tërhiqte dhe kështu, dhe gjinjtë varur bëheshin të bukur, njerëzorë. Kë dashuronte vallë? Tashmë ajo kishte shkuar, e kishte lënë pas, të vetëm, në errësirë, atje në 6, Rue Saint Benoît, fshehur pas atyre perdeve të rënda gjithë pluhur. Po, nuk ishin më në Trouville, në qytezën normande rrahur nga era e detit të La Manche, me një qiell gri mbi sytë e tyre dhe një dashuri…një! Qiej të humbur në vetmi. Dhe ai shkruante ndërkohë fletët e atij libri që do të mbante titullin Kjo Dashuri… Kujtonte gjithçka, fytyrën e dashurës së madhe Marguerite Duras dhe shkruante: “… Jeni aty, e shtrirë. Fytyra juaj është bërë lehtë me makiazh. Dhe buzët janë me të kuq. Jo si të ishit në spital. Ulem pranë jush. Pres. Nuk mendoj asgjë. Jam aty. Pres si një budalla. S’di ç’të bëj. S’ka asgjë për të bërë. Gjithçka ka mbaruar. Të enjten, më 7 mars, në orën 15.00, në kishën e Saint-Germain-dès-Près, për ty do të ketë një “benediction”. Dhe pastaj do të shkosh në varrezat e Montparnasse. Punonjësit e funeraleve thonë se ka një vend të mirë për varr, në cep të një korridori, një vend afër hyrjes kryesore, kur hyn në të majtë, në anën e kundërt të portës. Aty është Sartre e Beauvoir. Mendoni që është një vend i mirë. Jam aty, para jush. Pres. Ju s’thoni asgjë. Sytë nuk vështrojnë më. Shoh fytyrën tuaj. Nuk guxoj ta prek. Nuk dua të ndjej ftohtësinë e lëkurës. Nuk mundem. E vetmja herë. Nuk mund ta prek. Ky trup i vdekur. Ky trup i ftohtë. Ky trup i ngrirë, i veshur me një pallto jeshil në të zezë, mbathur me këpucë lëkure ngjyrë të çelët blerë në “Soulier d’Or”, në bulevardin Malsherbes. Atë ditë ju bletë dy palë këpucë. Ishtë verë. Do niseshim në Trouville dhe ju thatë: S’kam asgjë çfarë të mbath, duhet të shkojmë. Shkojmë në “Soulier d’Or”. Dhe ju më ofroni një pale sandale. Të mrekullueshme. He, në Trouville nuk kanë parë të tilla. Shitësja ju kërkon t’i hidhni firmën në Librin e Artë të dyqanit. Jemi të kënaqur, të dy.
Unë ju shoh. Para meje shikoj një fytyrë me sy të mbyllur. Një fytyrë sikur s’është e një të vdekuri, e megjithatë po, e vdekur. Nuk mund t’ju puth. Dhe kështu, ti vërtetë ke vdekur…”.

Po. Marguerite Duras kishte vdekur në atë fillim marsi të vitit 1996. Dhe ai donte të shkruante për dashurinë e tyre, atë dashuri çuditërisht mbijetuar mes epshesh, bisedash, grindjesh, zënkash, klithjesh, ku secili kishte frikë se do të humbte tjetrin dhe kjo e trondiste psiqikën e tyre. Vallë ishte dashuri? Jeta e tyre adaptuar në filmin e Josée Dayan… Marguete-Jeanne Moreau… jeta në film dhe pastaj ekrani i zi, sterë, vrima e zezë e universit që e thithte atë ngadalë pa mundur t’i shpëtonte humbjes finale. Atë ditë funerali unë isha aty, në kalldrëmin e sheshit, Saint-Germain-dès-Près. Një turmë e madhe njerëzish, artistësh, aktorësh, letrarësh… nën kambanat e rënda të asaj kishe të vjetër, më e vjetra në Paris. Ditë morti e dashurie.
Duke shkruar këto radhë mu kujtua dhe Georges Brassens, këngëtari mitik me kitarë, më popullori nga francezët dhe më i thellë në artin e tij, këngën. Po të ishte gjallë, unë do të isha fqinji i tij, pasi pak e ndajnë shtëpinë time me atë ku ai kishte banuar dikur, në “Impasse Florimont”, atje ku në pranverën e vitit 1944 ai kishte ardhur nga Sete, ai port i vogël i jugut francez, për të hyrë në jetën e vërtetë, në aventurën e madhe të artit. Por kur ishte në rrugë, një grua e mori në shtëpinë e saj. Dhe jetën e tij ai e bëri atje, bashkë me Jeanne dhe burrin e saj Marcel, një treshe e habitshme… atje i shkroi këngët e tij, atje u dashurua me Jeanne, tridhjetë vjet më e madhe se ai… dhe bashkë të tre pinin verë, shijonin artin dhe jetën. L’AMOUR ! Një lumturi e përbashkët. Dhe Brassens që këndonte historinë e tij me të: “Jeanne, la Jeanne/ që e duam dhe e mbrojmë/ kundër gjithë erërave/ Jeanne, një nënë universale…”.
Dëgjoj në vetvete Brassens dhe mendoj pastaj për Yan Andrean dhe gjashtëmbëdhjetë vjetët e dashurisë së tij “margarite”. Lexoj rreshtat e tij që ka shkruar në librin Kjo Dashuri…
“Ajo thotë: a më doni? Unë nuk përgjigjem. Nuk mundem. Ajo thotë: po të mos isha Duras, ti as që do të më kishe hedhur sytë kurrë. Nuk përgjigjem. Nuk mundem. Ajo thotë: Ju nuk më doni mua, është Duras, ajo çka unë shkruaj.
Ajo thotë: shkruaj tani që nuk e dua Marguerite-n. Ajo më jep një stilokalem, një letër dhe thotë: He, shkruaj. Pra, ta dimë më së fundi. Nuk mundem. Nuk shkruaj atë çka ajo më kërkon, atë çka ajo do të lexojë. Ajo thotë: Yan, nëse s’do të kisha shkruar asnjë libër, a do më doje? Ul sytë. Nuk përgjigjem. Nuk mundem. Ajo thotë: – Po ju cili jeni? Unë nuk u njoh, nuk e di cili jeni, ç’bëni këtu me mua? Ndoshta për para. Po ju lajmëroj, s’do të keni asgjë nga unë. S’kam asgjë për tu dhënë. I njoh batakçinjtë dhe ata s’ma hedhin dot.
Heshtje. Ajo thotë: ja, duhej të më ndodhte dhe kjo, një tip i tillë që hesht, që s’thotë asgjë, një tip që s’njeh kurrfarë gjëje, asgjë! Duhej të më ndodhte dhe kjo, s’kam shans, por ju s’do të rrini këtu.. S’keni çfarë bëni, asgjë. Nuk u njoh, nuk e di cili jeni.
Dhe kjo skenë ndodh vazhdimisht. Ajo nuk më duron. Më nxjerr jashtë. Më kërcënon, s’ke asgjë më këtu. Gjithçka është e imja, gjithçka, a e dëgjoni, paraja është e imja dhe s’do tu jap asgjë, as dhe një qindarkë, ju jeni një zero i dyfishtë, një hiç i klasit të parë. Ajo nuk kupton përse unë këmbëngul, përse qëndroj me të, vetëm me të dhe ajo vetëm me mua. Nganjëherë është e padurueshme, do të shkatërrojë gjithçka tonën, të më thyejë, të më shajë, të më shohë të vdekur, të më vrasë. Ajo thotë: Kam dëshirë të të vras. Ajo nuk thotë “tu vras, por dëshirë të vras”?…”
Shfletoj librin Kjo Dashuri… dhe ndaloj një çast. Mbyll sytë dhe zhytem në atë botë imagjinare që dy qenie të ndjeshme kanë lenë pas. Kisha lexuar më parë një libër të Duras, një nga të fundit, të titulluar Kjo është e gjitha, C’est tout, botuar më 1995, një vit para se të vdiste, ku në faqet e tij ajo shkruante: “Nuk di ku po shkoj. Kam frikë. Le të ecim së bashku në udhë. Eja shpejt. Do të të shkruaj letra. Kjo është e gjitha. Ke frikë të shkruash. Ka disa gjera që nuk më bëjnë të kem frikë. Ndërkohë jam bosh për shumë kohë. Jam pa identitet. Në fillim kjo të frikëson. Pastaj kalon me një valë lumturie. Pastaj ndalon. Lumturia, d.m.th. të vdesësh pak. Jam disi bosh, këndej nga ku po shkruaj. Një jetë të tërë kam shkruar…

Y.A: Po në Parajsë, a do shkoni ?
M.D.: Jo, kjo që thoni më bën të qesh…
Y.A.: Po pas vdekjes çfarë mbetet?
M.A.: Asgjë. Ajo që të gjallët veç qeshin, kujtohen.
Marguerite Duras kishte nevojë të shkruante mbi dashurinë e saj, mbi jetën e saj. A nuk kishte shkruar gjithnjë kështu, jetën e saj, adoleshencën, si i dashuri i parë në Indokinë (Dashnori), për luftën e nënës së saj që e rrihte, në një barrazh për Paqsorin, për dhimbjen e saj të madhe për historinë e burrit të saj Robert Antelme dhe kthimin e tij nga kampet e internimit, ndërkohë që ajo kishte nisur një jetë të re me një të dashur tjetër (Dhimbja)? Jeta saj, gjithnjë jeta, jeta e abstraguar në romane, tregime, drama e skenarë filmash, jeta e interpretuar nga aktorë të njohur e të panjohur. Dhe çuditërisht, duke lexuar librin e Yan Andreas, të ngjan tashmë se është dora e saj që shkruan, një ngjashmëri e çuditshme, por jo gjer në fund. Po ajo kadencë, mënyrë e shkurtër të shprehuri, por ai intensitet mendimi brenda fjalës. Fjala… ashtu si shkruante ajo dhe në librin e saj Të shkruash… (Ecrire 1993) se “të shkruash është gjithashtu të mos flasësh. Është të heshtësh. Është të klithësh pa zhurmë. Të shkruash. Çfarë dëshpërimi…”!
Dhe shpesh Yan detyrohej të ikte, të linte atë strehë të dashur, të mallkuar. Por s’kalonte pak dhe Marguerite i shkruante: “Yan, gjithçka ka mbaruar. Të dua ende. Por do bëj gjithçka që të të harroj. Shpresoj se do mund ta bëj këtë… Të kam dashur tmerrësisht. Kam besuar se ti më doje. Kam besuar…”
Dhe Yan rivinte, vraponte, kapërcente fusha, brigje, në net të pagjuma. Linte pas gjithçka: familjen e tij, miqtë, botën, për të humbur pastaj në magjinë e saj, pasi Marguerite ishte një magji më vete, gjaku e mishi jo si ato të lashtat, të kohës antike, jo si Çirçe e Odiseut… Marguerite jetonte veç për dashuri. Por deri kur?…
Dhe Yan vazhdon të shkruaj ose më mirë të bisedojë me të, duke i folur gjithnjë me “Ju”:
“Është e diel në mëngjes, rreth orës tetë e mëngjesit. 3 mars 1996. Zemra pushon së rrahuri. Ju jeni në shtratin tuaj. Rue Saint Benoît. Ju jeni e vdekur.
Gjithë natën jam pranë jush, ju më mbani krahun, fërkoni krahun tim, mbani krahun tim, unë jam shtrirë pranë jush, nuk lëviz, bëni si të doni, ju le të më shtrëngoni krahun dhe e di se kjo është gjithçka mund të bëj, pasi kjo është gjithçka që ju mund të bëni. Ju nuk flisni. Ju keni mbyllur sytë.
Natën erdhi profesori Hervé Sors. Përfundimisht ai thotë se ju do të vdisni pas disa orësh, shumë, shumë pas një dite… Kësaj radhe s’do të ketë mrekulli. E di që tashmë ju keni vdekur e megjithatë zemra rreh ende. Duhet pritur që të pushojë së rrahuri. Në orën gjashtë vendos të shtrihem në shtratin tim. Ju le në shtratin tuaj. Llambat janë të ndezura, portat janë të hapura, nuk i dihet, një thirrje, një klithmë. Fle. Nga ora tetë dëgjoj Jasminën që vjen. Nuk dua të çohem, them se ajo do më lajmërojë, e lë, kam besim të plotë te ajo, kjo grua që u mësua tu dojë. Përpiqem të fle sërish. Do doja të flija gjatë, të dremisja, por dëgjoj hapa dhe pastaj zërin e Jasminës në portën e hapur të dhomës: “Eja”. E kuptova. Zemra ka pushuar së rrahuri. Ju keni vdekur vërtetë. Përgjithnjë…”

Marguerite Duras nuk është më. Yan Andrea nuk është më. Pas tyre janë këto fragmente librash, letrash, pëshpërimash, thirrjesh të dashura dhe klithjesh në zemëratë. Frymë dashurie Thirrje që ta shpojnë zemrën kur i dëgjon. Vallë ishte dashuri? Vallë është dashuri? Një dashuri njeriu… prej klithme e gjaku… fryma vetë!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.