OPINION

Pakti i Migracionit dhe përçar(t)jet nacionaliste

07:30 - 15.12.18 Jorgji Kote
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Më 10 dhjetor, liderët dhe përfaqësuesit e lartë të 164 vendeve të mbledhura në Marrakesh, Marok dhanë pëlqimin e tyre për “Kompaktin Global për një Migracion të Sigurt, të Organizuar  dhe të Rregullt” (GCM) Ai vjen në vijim të Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në korrik 2016, si reagim ndaj megakrizës së azilit që shpërtheu tre vite më parë. Për këtë qëllim, në prill 2017 filluan negociatat nën kujdesin e OKB-së dhe në Korrik 2018 të gjitha vendet anëtare miratuan projekt-tekstin e këtij Kompakti që u paraqit në Marrakesh këtë javë. Rëndësia e tij për të gjithë, përfshirë dhe vendin tonë, për shkak të ritmeve të larta të azilit dhe migracionit qëndron në faktin se për herë të parë, OKB-ja tenton të rregullojë dhe menaxhojë azilin dhe migracionin në një plan global si tri sifdat më të mëdha të kohës bashkë me ndryshimet klimatike. Ai kompaktëson qasjen dhe ligjet lokale, rajonale, kombëtare dhe botërore; me 23 objektivat e tij për rregullimin dhe menaxhimin e azilit/migracionit të ligjshëm, garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të azilkërkuesve, goditjen e rrjeteve kriminale dhe të trafikimit, përshpejtimin e  procedurave të integrimit të tyre në vendet pritëse, etj.




Kompakti nuk është ligjërisht i detyrueshëm, çka e lehtëson mjaft pozitën e shumë vendeve ku forcat populiste, ekstremiste dhe anti-migratore janë në pushtet ose ushtrojnë trysni të madhe mbi qeveritë dhe organizatat ndërkombëtare. Ai është një arritje e shënuar e OKB-së, sidomos po të  kihet parasysh përshkallëzimi i kësaj krize gjatë 20 viteve të fundit, kur numri i azilkërkuesve është rritur 50 për qind; ndonëse 258 milionë emigrantët e huaj përfaqësojnë vetëm 3,4 për qind të popullsisë së botës, numri i tyre pritet të rritet me shpejtësi për shkak të faktorëve të njohur politikë, ekonomikë, demografikë, konflikteve dhe luftërave të përgjakshme, krimit e korrupsionit, etj. Veç kësaj, si pasojë e moszbatimit të konventave ndërkombëtare, nga viti 2000 kanë humbur jetën 60.000 emigrantë dhe vetëm këtë vit janë mbytur/zhdukur 3300 azilkërkues. Nisur nga paqartësitë juridike, hezitimet dhe kundërshtimet në disa vende, sidomos pas përshkallëzimit të prirjeve/përçarjeve nacionaliste, populiste dhe anti-migracion, miratimi i këtij Kompakti që do të votohet në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së më 19 Dhjetor ishte rasti më i mirë për të treguar mirëkuptim, solidaritet dhe bashkëpunimin më të madh ndërkombëtar, për të sheshuar diferencat dhe dallimet dhe për të patur një udhërrëfyes universal për trajtimin dhe zgjidhjen e qëndrueshme të krizës së azilit.

Me të drejtë u vlerësua si arritje fakti që në Samitin e Marrakeshit dhanë pëlqimin e tyre solemn përfaqësuesit e lartë të 164 vendeve,  ku spikatin Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Spanja, Kanadaja, Belgjika, etj. Gjithsesi, suksesin e lartpërmendur ndjeshëm kundërshtimi nga 30 vende të  mëdha dhe me peshë,  sidomos SHBA-të, Brazili, Kili, Australia, etj. Madje, Presidenti amerikan Trump një vit më parë akuzoi OKB-në se “po përpiqej  të avancojë qeverisjen globale në dëm të të drejtës sovrane të shteteve”. Në fakt, siç u përmend dhe më parë, kur lexon përmbajtjen e Kompaktit, sheh se kritikat dhe përçartjet populiste ndaj tij nuk i përgjigjen realitetit, sidomos lidhur me cenimin e sovranitetit të vendeve dhe të drejtën e tyre. Por, paralelisht me to, duke njohur vështirësitë dhe specifikat e azilit dhe emigracionit, Kompakti përcakton dispozitat e duhura globale për trajtimin dhe bashkëpunimin shumëpalësh në këtë fushë me ndjeshmëri të lartë. Gjithashtu, ky Kompakt shmang “ futjen në një thes” të azilkërkuesve viktima të gjendjes në vendet e tyre me elementë kriminelë dhe terroristë.

Kancelarja gjermane Angela Merkel në fjalën e saj të pritur me entuziazëm pohoi se migracioni i rregullt është gjë e mirë. Ajo theksoi se “Ky kompakt është përgjigja më e mirë ndaj nacionalizmit puro dhe tregon se rregullimi i azilit dhe emigracionit në kuadrin e OKB-së nuk është asgjë më pak se themeli i bashkëpunimit tonë ndërkombëtar”. Rëndësinë e  multilaterizmit ajo e ilustroi bindshëm kur tha se mbi tetë dekada më parë, Gjermania ra preh e populizmit dhe ekstremizmit nacionalist, duke i hapur rrugën nazizmit që e çoi botën në kasaphanën e dytë botërore.

Për fat të keq, plasaritjet në këto tri vitet e fundit ndërmjet disa vendeve anëtare të BE-së, në Marrakesh u kthyen në përçarje të hapura.  Themi kështu se shtatë vende anëtare të BE-së janë kundër Kompaktit Global: Austria që mban dhe presidencën e BE-së, Çekia, Sllovakia, Letonia, Hungaria, Polonia dhe Sllovenia; ndërkohë, Italia, Bullgaria, Estonia, por dhe Zvicra me Izraelin nuk kanë vendosur ende,  por më tepër duken kundërshtare. Ndërkohë, dhe ndonjë vend që ka dhënë pëlqimin, po has në kundërshtime dhe presion të madh nga forca të brendshme nacionaliste. Tipik është rasti i Belgjikës, ku ditën që u miratua Kompakti nga qeveria e Kryeministrit belg Charles Michel, aleatja e tij më e madhe partia me prirje nacionaliste N-VA u largua nga koalicioni qeveritar, duke e lënë vendin me qeveri pakice e duke rrezikuar zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme. Gjithashtu, forcat ultranacionaliste kanë paralajmëruar këtë të diel një marshim të madh proteste kundër Kompaktit të Marakeshit dhe emigrantëve, por që nuk është lejuar nga Bashkia e Brukselit. Ja pse, prania dhe fjala e Charles Michel në Samitin e Marrakeshit u prit me ovacione, ashtu si e Kryeministrit spanjoll Petro Sanches, etj.

Përçarjet brenda BE-së për këtë çështje që mund të zgjidhet vetëm me bashkëpunim shumëpalësh janë shumë shqetësuese kur mendon  se fillimisht vendet kundërshtare ishin aktive dhe mendimet e tyre u muarën parasysh në hartimin e tekstit të Kompaktit; për më tepër, ky i fundit nuk është i detyrueshëm, ai merr parasysh rregullat dhe interesat e vendeve kombëtare dhe plot elementë të tjerë. Po pse atëherë ky refuzim prej tyre? Thjesht për shkak të qëndrimeve të tyre refraktare anti-azil, por dhe në kuadrin më të gjerë të rezistencës ndaj multilaterizmit, d.m.th. zgjidhjes së këtij problemi madhor në forume shumëpalëshe, duke ia lënë në mënyrë të njëanshme në dorë azilin dhe aspekte të tjera vetëm vendeve të prekura që, siç dihet e kanë atë shumë më tepër se « halë në sy» dhe “kalë beteje në fushatat zgjedhore”. Është shqetësuese, sepse 30 vjet më parë e deri tani vonë, kundërshtarët e tij ish-lindorë u ndodhën në ballë të luftës kundër komunizmit për të drejtat e njeriut dhe të reformave demokratike; madje, disa prej tyre, sidomos Austria, Hungaria, Polonia dhe Çekia çelën me guxim kufijtë për vërshimin e mijëra shtetasve drejt perëndimit. Shqetësimi tjetër i madh është se kur këto vende dhe të tjera vende nuk japin pëlqimin për një Pakt të tillë jo të detyrueshëm, që, në fakt, është më tepër mesazh moral dhe politik solidariteti dhe bashkëpunim shumëpalësh,  atëherë, ç’mund të pritet prej tyre për akte dhe traktate të tjera shumëpalëshe të detyrueshme në të ardhmen? Ca më pak në rast se forcat populiste, ekstremiste dhe anti-migracion  do të dilnin fituese në zgjedhjet e reja për Parlamentin Evropian në maj 2019? Kur për pasojë do të ndryshonin dhe drejtuesit e institucioneve kryesore të BE-së dhe marrëdhëniet e saj me organizata të tjera ndërkombëtare, në dëm të multilaterizmit? Ja përse ky Kompakt Gobal  tregon se ka një arsye madhore më shumë që në ato zgjedhje ku do të vendoset për fatin e projektit evropian është me rëndësi kapitale të votohet në masë për forcat e moderuara evropiane të qendrës së majtë dhe të djathtë dhe aleancat e tyre me forca të tjera progresive.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.