AKTUALITET

Bashki virtuale? Raport mbi bilancin e konsultimeve publike në 5 bashki

16:13 - 16.12.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në funksion të konsultimit publik, (neni 16/139) “organet e vetëqeverisjes vendore janë të detyruara të garantojnë pjesëmarrjen publike në procesin e vendimmarrjes”. Procesi i këshillit me publikun (neni 18/139) bëhet në çdo rast “sipas mënyrës së përcaktuar në rregulloren e këshillit, duke përdorur një nga format e nevojshme, si takimet e hapura me banorët e grupet  e interesit, takime me specialistë, me institucione të interesuara dhe organizata jofitimprurëse ose nëpërmjet marrjes së nismës për organizimin e referendumeve vendore”. Ligji detyron gjithashtu që aktet e këshillit të publikohen në faqen zyrtare të internetit dhe afishohen në vende publike, të caktuara nga këshilli me akses të lirë publik, brenda territorit të njësisë vendore, etj.




Këto detyrime ligjore dhe standarde të reja të legjislacionit mbi konsultimin publik dhe qeverisjen vendore, janë objekt monitorimi i Institutit të Studimeve Politike për rastet e pesë bashkive të qarkut Tiranë. Instituti i Studimeve Politike (ISP) me mbështetjen e Lëviz Albania (LA) po kryen hulumtime në nivele të ndryshme të aktivitetit të këshillave bashkiakë dhe të bashkive të qarkut Tiranë (Tiranë, Kavajë, Kamëz, Vorë e Rrogozhinë). Projekti “Bashkitë e qarkut Tiranë: transparenca, qeverisja qytetare dhe llogaridhënia” kanë në fokus edhe matjen e treguesve të pjesëmarrjes qytetare, llogaridhënies, transparencës dhe të konsultimit publik në pesë bashkitë.

ISP ka publikuar më parë një raport vlerësimi për nivelin e angazhimit publik të këshilltarëve bashkiakë në pesë bashkitë, si dhe problematika që lidhen me këtë angazhim dhe me rolin e këshillave bashkiakë. Raporti iu përcoll të gjithë këshilltarëve dhe në tërësi pati reagime pozitive. Gjatë muajve tetor – nëntor ISP organizoi tryeza pune në secilën bashki, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga bashkia, këshilli bashkiak, administratorët, institucionet e varësisë së bashkisë, media lokale, komuniteti lokal dhe grupet e tjera të interesit. Në këto takime u evidentuan probleme të shumta specifike lokale, por në tërësi u konstatua edhe distanca ende e madhe midis qytetarëve e vendimmarrësve lokalë në emër të tyre. Raportet e ISP nuk synojnë krijimin e një imazhi kritik për strukturat lokale qeverisëse, por matjen e treguesve të përfaqësimit dhe të transparencës, analizimin e problematikave dhe sugjerimin e rrugëzgjidhjeve sa më optimale për të ardhmen. Në këtë synim ISP e sheh veten partner të vetë bashkive dhe vetë bashkitë si institucione shumë të rëndësishme dhe të pazëvendësueshme për jetën dhe aktivitetin qytetar në territorin e tyre.

Gjetjet dhe rekomandimet kryesore të monitorimit mbi zbatimin e standardeve të konsultimit publik në 5 bashki të qarkut Tiranë (dhjetor 2018)

Bashkitë e qarkut Tiranë kanë nivel të pakënaqshëm në bilancin e tyre në lidhje me zbatimin konkret të detyrimeve dhe përgjegjësive që burojnë nga ligjet 146/2014 dhe 139/2015 lidhur me standardet e konsultimeve publike, pjesëmarrjes qytetare dhe transparencës. Të gjitha bashkitë janë deficite në zbatimin e ligjit dhe një tregues tjetër simbolik i diferencës midis parimeve të larta ligjore dhe nivelit kritik të zbatimit të tyre në Shqipëri.

Pesë Bashkitë nuk kanë faqe interneti me elementët e nëvojshëm që kërkohen nga ligjislacioni, me mundësi ndërveprimi dhe me informacion në kohë e me cilësi në funksion të qytetarëve, të konsultimit publik, transparencës dhe vendimmarrjes përmes qytetarëve.

Bashkitë e qarkut Tiranë i kanë dhënë prioritet thelbësor komunikimit me qytetarët në rrugë virtual, përmes faqeve të tyre në rrjetet sociale (sidomos në facebook), si formë më atraktive dhe më e shpejtë, por edhe më e njëanshme komunikimi. Adresimi përmes internetit është më i lehtë, por nuk shkon tek të gjitha grupet e qytetarëve në bashki, dhe se nuk mund të zëvendësojë format tradicionale të komunikimit dhe të informimit, të përcaktuara edhe nga legjislacioni dhe vetë rregulloret e bashkive.

Bashkia Tiranë ka një bilanc pozitiv në numrin e dëgjesave publike, por natyra e këtyre dëgjesave është më shumë në funksion të agjendës politike të partisë që drejton bashkinë sesa në funksion të standardeve ligjore për qeverisjen vendore. Folës kryesorë janë figura partiake, slogani është i njëjtë me partinë dhe pjesëmarrësit janë kryesisht rrjete të organizimit brenda-partiak.

Bashkia Vorë është bashkia e vetme, ku në aktivitetet e bashkisë nuk ka deklarime dhe as pjesëmarrje me natyrë politike, ku dominon lajmi “i bashkisë për bashkinë” mbi çdo lajm politik dhe ku raporti midis bashkisë e qytetarëve ka nivel më të lartë besimi.

Bashkia Kamëz dhe Bashkia Vorë botojnë gazeta lokale periodike, të cilat tentojnë të zëvendësojnë mungesën e medieve të tjera lokale, por që në tërësi janë në funksion të informimit të njëanshëm nga bashkia për qytetarët dhe jo të qytetarëve për bashkinë.

Komunikimi virtual në rrjetet sociale i bashkive shoqërohet me tendencën e kontrollit të komenteve dhe censurimit të mendimit kritik nga qytetarët, nga përpjekja për të nxjerrë në pah cilësi pozitive individuale të kryetarit të bashkisë dhe se janë të pakta rastet e ndërveprimit, – komenteve qytetare dhe përgjigjeve sqaruese nga ana e bashkisë.

Bashkitë duhet ti japin prioritet promovimit të kapaciteteve dhe potencialeve të tyre humane, historike, kulturore, shoqërore, etj, duke zëvendësuar praktikën e investimit personal te imazhi i kryetarëve të zgjedhur periodikë, tek investimi tek institucioni i bashkisë dhe rrjeti i komuniteteve lokale në bashki.

Bilanci i monitorimit nxjerr në pah nevojën emergjente që bashkitë: kryetarët, njësitë administrative dhe këshillat bashkiakë të reflektojnë për të vendosur në axhendë prioritare zbatimin rigoroz dhe cilësor të ligjit mbi konsultimin publik dhe mbi vetëqeverisjen vendore në kapitujt për transparencën, pjesëmarrjen, konsultimin dhe llogaridhënien.

Këshillat Bashkiakë duhet të rrisin ndjeshëm performancën e tyre, për të luajtur rolin kushtetues e ligjor të “parlamentit lokal”, kontrollues të bashkisë dhe përfaqësues të qytetarëve. Raportet shpeshherë kritike midis Këshillave dhe Kryetarit të Bashkisë nuk mund të jenë alibi për të mos përmbushur detyrimin ligjor për konsultime dhe pjesëmarrje qytetare në vendimmarrje nga vetë këshillat dhe këshilltarët.

Bashkitë duhet të krijojnë mekanizma efikasë informimi dhe ndërveprimi me qytetarët, brenda kuadrit ligjor dhe brenda praktikave e standardeve më të mira qeverisëse, për të përmbushur detyrimin ligjor por edhe për të qenë shembull për bashkitë e tjera në nivel kombëtar.

Bashkitë dhe këshillat bashkiakë duhet të marrin një herë në vit në analizë gjendjen dhe problematikat e bashkive në raport me ligjin 146/2014 dhe 139/2015 për të bërë bilancin dhe për të krijuar mekanizma efikasë që mundësojnë zbatimin integral të ligjit dhe standardeve të tij.

Bashkitë dhe këshillat bashkiakë duhet të mundësojnë buxhete specifike lidhur me konsultimet publike dhe llogaridhënien, të kenë kalendar publik mbi masat dhe aktivitetet në këtë drejtim, të kenë një sistem të dyanshëm informimi me grupet qytetare dhe organizatat e shoqërisë civile e medien lokale.

Bashkitë duhet të krijojnë produkte të matshme që provojnë nivelin e transparencës dhe llogaridhënies (vlerësime periodike për stafet drejtuese në bashki dhe në njësi, informacion publik për përdorimin e buxhetit dhe projektet afatgjata e afatshkurtra, nivelin e marrjes së opinioneve nga grupet e interesit dhe reflektimin e tyre, nivelin e perceptimit qytetar ndaj problematikave më të rëndësishme lokale, etj).

Bashkitë dhe organi tjetër përfaqësues, – deputetët e Kuvendit, duhet të kenë një sistem komunikimi të përhershëm dhe konstruktiv, pavarësisht përkatësive të partive politike, për të trajtuar në rrugë ligjore dhe me efikasitet problematikat e konstatuara në periudhën e implementimit të reformës së re territoriale, sidomos lidhur me kompetencat e pushtetit vendor, buxhetin, përfaqësimin më të mirë të qytetarëve dhe mbrojtjen e interesave të vetë banorëve të njësive bashkiake. ISP

Raportin e plotë e gjeni KËTU


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.