OPINION

Fjala që s’ mu dha në kuvendin e Partisë Demokratike

07:20 - 16.12.18 Bislim Ahmetaj
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Të nderuar demokratë, zonja dhe zotërinj, zoti Berisha, zoti Basha deputetë, ju përshëndes në emrin tim dhe të Grupimit “Dhjetor 90”!
Kam shumë për të thënë, por do të mundohem të jem i kursyer, sepse më dhimbset koha juaj, koha ime, për ta harxhuar brenda mureve të kësaj salle që bart histori sa të mira aq edhe të këqija. Sepse vendi im, vendi juaj, vendi i çdo intelektuali dhe veprimtari politik që nuk i ka futur duart në xhepat e qytetarëve të vendit të tij është në sheshin e protestave që kanë shpërthyer në të gjithë Shqipërinë. Prej kohësh jam etiketuar si kritik i Bashës, bile edhe mbrëmë nëpër rrjetet sociale emri im këtë etiketë kishte. Nganjëherë më humor, por edhe me sarkazëm më quajnë “armik”, me këtë termin e dytë jam rritur, term që më ka burrëruar para kohe dhe më ka pajisur me guxim e kurajë që të përballoj çdo sfidë në jetë.
Unë s’jam, as kam qenë ndonjëherë kritik i personit Lulzim Basha, por i veprimeve dhe mosveprimeve të tij si kryetar i Partisë Demokratike dhe opozitës, veprime që kanë sjellë një apati dhe çoroditje, një mjedis dëshpërues, një realitet të errët, ku shpresa dhe besimi janë vrarë, një gjendje dramatike në mjedisin politik shqiptarë dhe veçmas atë opozitar.
Shqipëria nga qeverisja kriminale e Edi Ramës dhe çetës së tij, nga mungesa e besimit dhe shpresës tek lidershipi i opozitës po shndërrohet me shpejtësinë e dritës në një azil gjigand pleqsh.
Po vazhdoj kjo gjendje s’do jetë e largët dita që polici i rrugës do jetë edhe infermier, edhe mësues, edhe kujdestar social i moshës së tretë.
Unë thjesht kam artikuluar ato që ndjejnë dhe perceptojnë shumica juaj në këtë sallë dhe në këtë vend.
Unë jam thjesht interpret i atyre që dëgjoj ditë për ditë në kafen e PD-s, nga bashkëpunëtorët e tij të selisë qendrore dhe atyre lokalë, nga demokratët e thjeshtë, nga qytetarët e zakonshëm që janë të irrituar nga varfërimi dhe mungesa e dritës në fund të tunelit.
Unë kam qenë, jam dhe do të jem kritik i çdo mendimi dhe veprimi, i kujtdo qoftë, i cili cenon lirinë, pengon zhvillimin e demokracisë, që mbyt mendimin ndryshe dhe flirton me Edi Ramën dhe bandën e tij në kurriz të demokracisë dhe lirisë, në kurriz të shqiptarëve të ndershëm në kurriz të pengimit të Shqipërisë për t’u bashkuar me ëndrrën e bashkëkohësve të mi të viteve 90 “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”.
Zonja dhe zotërinj.
Themelet dhe muret e shtëpisë së demokratëve janë të shëndetshme, të forta dhe të sigurta. Ato u ngjizën në DHJETOR të 90-ës, në ato themele është kontributi i jashtëzakonshëm Azem Hajdarit, Arben Brocit, Abdyl Matoshit. ËSHTË kontributi i Sali Berishës, Gramoz Pashkos, Leka Meksit, e Pjetër Arbnorit.
Është kontributi im dhe i dhjetëra studentëve, intelektualëve, qytetarëve të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë që ishin pjesa e moralshme dhe e pastër e lëvizjes studentore në dhjetor të 90-ës.
Muret e kështjellës së demokratëve janë po aq të forta dhe të sigurta. Mijëra anëtarë të saj në të katër anët e vendit me ndershmërinë dhe përkushtimin e tyre lanë kontribuar në vite që këto mure të jenë vlerë e çmuar kombëtarë, ata janë të gatshëm siç e kanë treguar kur kanë mbushur sheshet me 300 e 400 mijë vetë ta flakin në errësirë këtë qeverisje kriminale që ka pushtuar vendin tonë, që e ka diskredituar Shqipërinë dhe shqiptarin në vendin e vet dhe jashtë saj.
Çatia e shtëpisë së demokratëve apo lidershipi që e ka drejtuar deri sot për mua, por besoj edhe për shumicën tuaj që jeni në këtë sallë është e kalbur, pikon, s’ngjall shpresë, s’afron siguri.
Marrëveshja e 17 majit dhe produktet e saj që ishin zgjedhjet e qershorit 2017 e ka mbuluar me dyshime dhe pikëpyetje dëshpëruese lidershipin apo çatinë e Partisë Demokratike.
Sot çatia e demokratëve i ngjet një pllake zdrukthi të ngopur me ujë.
Një miku im, por edhe i shumëve prej demokratëve që ne e thërrasim Xhaxhka me humor këtë që thashë unë me lart e ka përmbledhur me urti në një fjali: Teqeja është e mirë, besimtarët flori, Babai i teqesë nuk ma mbush syrin.
Zonja dhe zotërinj, demokrat të çmuar, ju që ju dhimbset Partia Demokratike, ju që ju dhimbset më shumë se gjithçka Shqipëria është koha të bëhemi serioz dhe t’i fshijmë të gjitha mëritë, meskinitetet dhe cic-micet që na ndajnë,
sot është dita të zgjedhim lisat prej të cilëve do të nxjerrim dërrasat me të cilat do të mbulojmë çatinë e kalbur të Shtëpisë së Demokratëve.
Sot,dje këto dhjetë ditë të shkuara vendi i çdo demokrati, vendi i çdo shqiptari të ndershëm është aty ka po lind një shpresë e re, në sheshet e protestave. Jo për të sjellë Partinë Demokratikë dhe një grusht njerëzish në pushtet, por për të sjellë një ndryshim të madh.
Ka qenë e natyrshme kjo lëkundje besimi nga Berisha tek BASHA, unë e kam thënë këtë në një shkrim në gazetën ‘Panorama’ sapo ka ndodhur zëvendësimi i tyre, ai shkrim mbante për titull “Anija e PD-s ka nevojë për rremtarë dhe jo për kapiten” pasi Berisha kishte stil tjetër udhëheqës dhe Luli tjetër. Unë kam shpresuar dhe besuar që Basha do të drejtojë PD-në dhe opozitën me ekip, këtë shpresë e kam pas bazuar tek edukimi i tij perëndimor. Kjo shpresë dhe ky besim m’u ka ndryshkur, sepse akoma s’është shfaqur.
Unë jam idealist dhe njëkohësisht poet, për pasoj shpresën se humb kurrë, e iluzionoj atë, i jap afate të reja, unë e projektoj dritën edhe në ërrësirë. Le të shpresojmë që të mos jetë vonë për atë vet, për Partinë Demokratike dhe për Shqipërinë.
Për mbyllje…
Këto 10 ditë unë kam qenë çdo ditë pranë studentëve.
Së pari, si prind i dy djemve studentë, së dyti, si pedagog në njërin prej universiteteve publike të vendit, së treti, si njeri i angazhuar politikisht, si qytetar i revoltuar.
Askush s’më ka refuzuar, përkundrazi më kanë mirëpritur dhe më kanë kurajuar t’iu jap mbështetje, t’iu jap besimin tim dhe të brezit që solli ndryshimin.
Liri dhe Demokracia që solli DHJETORI i 90-ës është konsumuar plotësisht. Jemi në kufijtë e një demokrature. Është koha dhe momenti historik të rrëzojmë nomeklaturën apo oligarkinë politike që ka prodhuar ky tranzicion që zgjati gjatë, plotë 28 vite. Në këtë sallë ka fajtorë për këtë gjendje. ËSHTË koha për ndryshimin e madh. Këtë ndryshim le ta nisim që sot në këtë kuvend në mënyrë që me votën tonë t’i vëmë Shtëpisë së Demokratëve çatinë që meritojnë themelet dhe muret e saj.
Ju faleminderit!




 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.