MILOSAO

LAHUTA DHE LAHUTARI, SI INSTITUCION

13:25 - 16.12.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Luljeta Dano – Në mendësinë shqiptare konvencionohet si Institucion i Lahutës dhe i Lahutarit, ajo çfarë rapsodi me instrumentin muzikor përfaqësojnë. Lahutarët shqiptarë këndojnë para gjindjes së vet farefisnore, pasi kjo është pjesë e rëndësishme e mënyrës së tyre të jetesës dhe jo, si këngëtarë me pagesë para një auditori të huaj, siç këndojnë guslarët sllavë. Lahutari di deri edhe dhjetë – pesëmbëdhjetëmijë vargje përmendësh.
Sipas Ramadan Sokolit, emri Lahutë vjen nga arabishtja Al Ud (druri i aloes). Në frëngjisht është: leut, në italisht: liuto, prej së cilës u mor nga shqipja dhe gjuhë të tjera emri i lahutës. Por ndoshta mund të jetë dhe një emër onomatopeik përbërë nga dy lëvizjet e harkut: llah dhe hutë.
Më i vjetër në moshë, rreth pesëmijë vjeçar instrumenti më popullor i Indisë: Ravanstron – i (Ravanahatha). Ravanastron – i bëhet si dhe lahuta nga druri i arrës së kokosit, me lëkurë dhie dhe qime kali. Mendohet se Ravanstron është nëna e tërë instrumentave koordofonë: violinës, violës, violonçelit, stringës, kitarës, kontrabasit.
Vetë lahuta është vegla kordofone më e vjetër arketipale evropiane.




Mjeshtrit e rapsodive dallojnë disa mënyra interpretimi me lahutë: Në Malësinë e Madhe teli i vetëm akordohej fort, tingulli i saj mbizotëronte zërin e këngëtarit, i cili togun zanor të fundrreshtit e zgjat. Kurse në Dukagjin, rapsodia është e shtruar, e butë në të kënduar, zëri i këngëtarit që del mbi lahutën dhe formula e hapjes është karakteristike e Dukagjinit: Lum për Ty, o Zot, i lumi Zotynë/Që s’jem kanë, e Zoti na ka dhanë!
Një mënyrë të kënduari është kur shtohet gjatësia e fjalës së fundit të vargut duke zgjatur rrokjet dhe lihet një rrokje për rreshtin pasardhës. Kjo sjell dhe bashkimin e rreshtit të fundit të strofës së parë me vargun e parë të strofës së dytë.

Rapsod është term i studimeve të letërsisë orale, në të folmen popullore rapsodi quhet Lahutar.
Çdo kullë detyrimisht duhet të kishte lahutarin e vet, sepse “Shtëpia pa lahutë, asht shtëpi e lanun”, dhe çdo lahutë e vjetruar nuk duhej të hidhej o digjej, por ngjitej në trarët e çatisë së kullës që të rrinte bashkë me shpirtrat e të parëve të fisit për të bekuar e mbrojtur pasardhësit, shkruan hulumtuesi i etnografisë, Jaho Brahaj. Lahutari çohej më shpesh dasmor – krushk se burrat e tjerë, respektohej më fort në bankete e në udhë, preferohej më shumë të zgjidhej kumbar për fëmijët e porsalindur.
Mjeshtërbërësit shqiptarë të lahutave në ndërtimin e instrumentit muzikor zgjedhin drurin e arrës ose të panjës për kupën e drunjtë në formë vezake me bisht të gjatë.
Druri pritej në dimër, kur në kapilarët e drurit nuk qarkullonte lëndë ushqyese, pritej me hënë të vjetër, në mot të kthjellët pa asnjë re, ku nuk frynte pikë ere, sepse këto papastërti do t’i prishnin kthjelltësinë e këngës. Pastaj druri lihej të thahej mbi trarë pranë oxhakut për një apo dy vjet. Nga cungu i arrës së vjetër dyngjyrëshe të bardhë dhe të errët merrej vetëm zemra e errët që nënkuptonte një kohë edhe më të hershme, gdhendej me majë të briskut (biçakut) duke i dhënë formë me një tel të skuqur në zjarr. Kupa vishet me lëkurë nga barku i dhisë ose i kecit. Maniakë të rrallë pas tingullit absolut të pastër kanë përdorur lëkurë maceje. Harku i lahutës bëhet me degë thane e tërhequr nga të dy krahët nga një “tel” i bërë nga disa qime nga bishti i kalit (mëzit) të pashaluar në vitin e parë të jetës, jo të pelës. Mbrapa në krye të kupës së drunjtë ngjitet një masë rrëshire pishe, të cilës para nisjes së këngës i vihet flaka për të temperuar “telin”. Gjithashtu lahuta ngrohej pranë zjarrit për të hequr lagështirën.
Gjatësia e përgjithshme e modelit autentik të lahutës shkon përgjithësisht cm. Pesha rreth kg. Lahutës i konsumohej lëkura, ose e hanin minjtë, kështuqë i ndërrohej shpesh lëkura gjatë jetës së saj si lahutë e gjallë që shkonte edhe me qindra vjet.

Gdhendjet dekorative tek lahuta kanë një larmi të pabesueshme, mbetje e një sistemi simbolik pagan, figura mitologjike e legjendare. Një nga kryeveprat është lahuta e vizatuar nga H. Schtackelberg, më 1917, me një begati të jashtëzakonshme figurash, ndoshta tërë mitologjinë që lidhet me perëndeshën Athina.
Në kokën e guslës malazeze, boshnjake, serbe, kroate gdhendet vetëm dhia dhe shqiponja e ikonografisë bizantine, ndërsa në lahutën shqiptare elementët shoqërues të epikës legjendare, si gjarpëri shërues, ora – gjarpër që paraqitet me fytyrë njeriu, ora e maleve me tiparet misterioze të një fytyre elipsoide, vesh dhe sy jonjerëzorë, shqarthi, kafshë tepër e rrallë në Alpet shqiptare që mbron territorin e vet dhe e siguron atë veç për vete, pasi ndeshet me kafshët e tjera të malit dhe i mbyt, karakter i ngjashëm me vetë kreshnikët, që kujtohen në kreun e lahutës, siç thotë studiuesi Jaho Brahaj: Edhe në përjetësinë e shpellës o varrit nuk është një i vdekur i shtrirë, por gjallon i ulur këmbëkryq.
Simbole të tjera gjeometrike që janë primatë të sistemeve simbolike, si palma, rrathët bashkëqendrorë në fronin e lahutarit, spathija, të bashkërenditura në qafën e një lahute dalin një grumbull trekëndorësh të gdhendur si shkrimi kuneiform, merimanga, ogursjellëse e mirë për shëndet e pasuri, zogu që duhet të nënkuptojë shqiponjën me gjarprin shoqërizues, janë mbyllur në një varg rombesh ku duan të na shfaqin një tërësi kuptimi dhe fuqi mbrojtëse për njerëzit dhe shpirtrat rreth lahutës.
Shënime
Falenderoj, z. Zef Bari nga Dukagjini për konsulencën personale në lidhje me ritin e zgjedhjes së drurit, bërjen e lahutës dhe mënyrat e interpretimit të lahutarit.

Lahuta dhe Lahutari si Institucion është pjesë e essesë mbi Eposin legjendar të Veriut: ZGJEDHJA E DUHUR E GJETO BASHO MUJIT, nga Luljeta Dano, Tiranë, 2012.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.