Kosova

BE letër Haradinajt: Pezulloni deri të hënën tarifën ndaj Serbisë

15:14 - 16.12.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, Komisionerja për tregti Cecilia Malmstrom dhe Komisioneri Johannes Hahn në një letër të përbashkët drejtuar Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, ofrojnë opsion për zgjidhjen e problemit të tarifave ndaj Serbisë.




Ofrojnë mes tjerash që emërtimi “UNMIK” në CEFTA të zëvendësohet me “Kosova*”. Por kërkojnë që, si shenjë e vullnetit të mirë, para të hënës 17 dhjetor, kur në Bruksel zhvillohet takimi i Këshillit të MSA-së, Kosova përkohësisht të suspendojë zbatimin e vendimit për tarifën ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Tre këta pjesëtarë të Komisionit Evropian letrën Kryeministrit të Kosovës e kanë shkruar edhe duke adresuar disa shqetësime që Haradinaj ua ka shprehur në letrën që ai e kishte dërguar më parë kur kishte sqaruar arsyet pse Kosova kishte vendosur këto masa.

“Ne kemi marrë në dijeni po ashtu edhe listën e rasteve të praktikës tregtare nga ana e Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës që, sipas këndvështrimit të Kosovës, paraqesin barriera në zbatimin korrekt të aranzhimeve të CEFTA-s dhe krijojnë probleme domethënëse në terren për veprimet ekonomike dhe për qytetarët”, thuhet në letër.

Duke rikujtuar se si përvoja e Bashkimit Evropian përmes krijimit të tregut unik mes 28 shteteve anëtare dëshmon se si heqja e tarifave dhe barrierave jo-tarifore rezulton në rritjen e konkurrencës dhe ofertës për konsumatorët, nënshkruesit e letrës shprehen se vendimi i Qeverisë së Kosovës për të rritur tarifat ka qenë hap në drejtim të gabuar, që shkon në kundërshtim me progresin arritur në integrimin ekonomik rajonal, raporton KOHA.

“Vendosja e tarifave të reja në një afat të mesëm do të dëmtojnë interesat ekonomike të Kosovës dhe njerëzve të saj, duke zvogëluar shkëmbimin tregtar dhe dëmtuar atraktivitetin e Kosovës si vend për investime dhe biznes. Në dritë të kësaj ne duam të ritheksojmë se qëndrimi unik i BE-së është se ky vendim duhet të tërhiqet në rastin më të hershëm të mundshëm”, thuhet në këtë letër.

“Në të njëjtën kohë, Komisioni Evropian i merr shumë seriozisht shqetësimet e ndryshme që ju i keni ngritur në letrën tuaj. Në frymën e zonës së lirë tregtare, të gjithë aktorët duhet të respektojnë rregullat të cilat i kanë miratuar bashkërisht. Në mënyrë që të adresohen këto shqetësime, siç ju ka propozuar Komisioneri Hahn gjatë vizitës së tij me 3 dhjetor, Komisioni Evropian është i gatshëm që të vendosë një format të veçantë për ju dhe Serbinë për të gjetur urgjentisht zgjidhje konkrete dhe praktike për çështjet e ndryshme tregtare që ju keni përmendur”, thuhet në letrën e këtyre tre anëtarëve të Komisionit Evropian drejtuar Haradinajt.

Në vazhdim të letrës thuhet se “kjo do të mund, po ashtu, të përfshijë edhe çështjen e gjatë të zëvendësimit të UNMIK-ut me Kosovo* dhe çështjen më të gjerë të modernizimit dhe rivitalizimit të CEFTA-s”, ofrojnë nënshkruesit e kësaj letre.

Ata kërkojnë që Qeveria e Kosovës, si shenjë e vullnetit të mirë, para takimit të Këshillit MSA-së, pra para të hënës me 17 dhjetor, të suspendojë përkohësisht zbatimin e vendimit për tarifat, përderisa të zgjasin përpjekjet për zgjidhjen e përhershme të problemit.

Nesër në Bruksel zhvillohet takimi mes Kosovës dhe BE-së në kuadër të Këshillit të Stabilizim Asocimit. Një ditë më vonë, i njëjti takim zhvillohet edhe me Serbinë. Të mërkurën në Bruksel Federica Mogherini mbledh liderët e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor. /Koha.net

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.