MILOSAO

“Negative space” e Lleshanakut

16:40 - 16.12.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

John Bradley – “Mësuesja ime e parë/ e shqiptoi dy herë gabim mbiemrin tim./ Ishte therëse si një gjilpërë./ Një gjilpërë në llapën e vogël të veshit. Dhe krejt papritur/ pashë qartë/ pashë poezinë,/ fshehjen e përkryer pas anonimatit.” shkruan Luljeta Lleshanaku, në përfundim të poezisë së saj “Akupunkturë”. Poezia si “maskim”, padyshim ofron një mjet mbijetese për cilindo që kishte fatin të rritej në Shqipëri gjatë regjimit tiranik të Enver Hoxhës, sikurse edhe autorja. Po ama, vëreni dhuntinë tjetër që na blaton “pickimi” i gjilpërës: është kthjelltësia. Ky tipar e bën të rëndësishëm librin “Negative Space”, vëllimin e tretë poetik në anglisht të publikuar nga “New Directions” të Luljeta Lleshanakut. “Negative Space” lindi nga dy vëllime të papublikuara në anglisht më parë, dhe pikërisht nga “Pothuajse dje” dhe “Homo Antarcticus”, dhe i ofron lexuesit dyzet e shtatë poezi.




Kthjelltësia mund të ketë shumë trajta. Një syresh, të paktën në poezinë e Lleshanakut, është prania e vargjeve aforistikë, që dëshmon një mënçuri të përfituar nga përvoja të vështira. Ja, disa shëmbuj: “Asgjë nuk ekziston deri në momentin e mungesës”, “Njerëzit tregojnë për çfarë kanë/ por jo se çfarë janë”, “Të keqes nuk i dilet me gjoks/ E keqja mori fund vetë.” Një trajtë tjetër e kthjelltësisë në këto poezi, janë vërshimet e krahasimeve, gjithmonë unike dhe të paharrueshme. Edhe kur nxirren jashtë kontekstit, ato ndriçojnë, si psh ky nga poezia “Duhani”, ku bishtat e cigareve përshkruhen si “gëzhoja/ dëshmi të një lufte pa lavdi/ të një luftë civile.” Ja dhe një krahasim tjetër mahnitës nga poezia “Muzikë live”, që përshkruan dy frekuentues pub-esh: “Ata ndodhen këtu pikërisht për vrimat,/ vrimat e mëdha në një klub amatoresk/ si brenda një buke artizanale me kore të lëmuar/ që ta bëjnë të lehtë qenien.”

Krahasimet e kthjellojnë dhe njëkohësisht i japin thellësi vargut. Ky element, mund të krijojë përshtypjen e një poezie abstrakte. Përkundrazi, në fakt këto poezi bazohen pothuajse gjithmonë në një ngjarje apo në një objekt krejtësisht konkret, si psh: një libër i përdorur i mbushur me shënime, një klasë mësimi historie, fqinjë që ndërtojnë shtëpi, ose edhe diçka po aq e rëndomtë sa shkallët. Në poezinë e saj të titulluar “Shkallët”, gjejmë një formë artistike që Lleshanaku e përdor shpesh në këtë liber, ku poezia nis me një konstatim të drejtpërdrejtë: “Im atë ishte i fiksuar pas shkallëve,” dhe pastaj menjëherë ndryshon perspektivë: “Dhe ai trau i hekurudhës, me shiritat verdhë e zi,/ nuk është më nepërka që të ngjeth mishin.” Pastaj poezia zhvendoset në një lloj tjetër shkallësh, tek eskalatorët, duke kryer një kërcim metaforik: “Poezia gjithashtu ishte një mënyrë për t’u ngjitur,/ joshje përmes mohimit,/ via negativa.” Kjo zhvendosje nga e zakonshmja tek e thella, ky hop i sigurt intuitiv, bëhet pa sforcim, pa pretendim, dhe na kujton vepra të poetëve të tillë si p.sh. autoren nobeliste polake Wislawa Szymborska.

Përkthimet e Ani Gjikës në këtë vëllim krijojnë iluzionin më të rrallë, atë që këto poezi duken si të krijuara origjinalisht në anglisht. E tillë është natyrshmëria e vargjeve, siç mund të konstatohet në këtë ekstrakt nga poezia “Një ditë e përkryer”: “Po pastaj çfarë ?/ Çfarë ndodh pastaj?/ As vetë nuk e di./ Dhe për dreq,/ në maj dita është e gjatë.”
Ama një të metë e ka “Negative Space”: i mungon një parathënie me disa të dhëna biografike për autoren, që do të ndihnin në shtimin e lexuesve të saj këtu në Shtetet e Bashkuara. Po kjo është e parëndësishme për një liber, që është si “një re e ngjeshur baruti/ në një zonë të përkohshme armëpushimi.”
*Përktheu artikullin: Lluka Qafoku


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.