AKTUALITET

Pensionistët, të hënën ndahen shpërblimet

14:31 - 16.12.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Duke filluar nga dita e hënë, të gjithë pensionistët mund të tërheqin shpërblimet prej 5 mijë lekësh të reja që qeveria vendosi të japë në prag të festave të fundvitit. Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado u shpreh për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se shpërndarja e shpërblimeve do të bëhet sipas një kalendari të përcaktuar dhe Posta do të punojë me orar të zgjatur. “Ditën e hënë në mëngjes nis procesi i shpërndarjes së shpërblimeve dhe të gjithë ata që kanë datën në këtë grafik, pavarësisht nga llojet e pensioneve, do ta marrin shpërblimin bashkë me pensionin. Dhe të gjithë ata, po themi ata që e kanë marrë pensionin ditën e hënë, 3 dhjetor do të lihet që të hënën pasdite të marrin shpërblimet, në varësi të grafikut të cilin do ta publikojmë”, – tha Hado për ATSH. Ai argumentoi se në rastet kur pensionistë nuk do të duan ta tërheqin shpërblimin për arsye të ndryshme, nuk do të ketë asnjë penalitet, pasi mund ta tërheqin edhe në 2019. “Për ata që për arsye të ndryshme nuk e tërheqin shpërblimin, ose nuk paraqiten, shpërblimi do të vazhdojë t’i paguhet edhe gjatë 2019-ës”.




Drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore sqaroi, gjithashtu, se të gjitha pikat e Postës do të punojnë më orar të zgjatur. “Duke filluar nga ora 8 e mëngjesit deri rreth mesditës, punonjësit e Postës do t’u shpërndajnë pensionin atyre që kanë ditën dhe pasdite do të shpërndajnë shpërblimin vetëm për ata persona që u ka kaluar data e marrjes së pensionit. Sigurisht, që do të punojmë me orar të zgjatur. Numri total i përfituesve është 650 mijë e 600 përfitues”, – përfundoi Hado.

KUSH E PËRFITON?

Përkatësisht 50 mijë lekëshin do e marrin të gjithë personat që marrin pension pleqërie, pension invaliditeti, pension familjar dhe pension social. Të drejtën për të përfituar shpërblimin në masën e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, e kanë edhe ata persona që kanë datë të fillimit të pensionit deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
“Shpërblimin e fundvitit e marrin edhe individët që marrin pension, sipas ligjit nr.4976, datë 29.6.1972, “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, dhe sipas paragrafit të katërt, të nenit 96, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.”,-theksohet në vendimin e Këshillit të Ministrave. Edhe personat që marrin pension, sipas ligjit nr.150/2014, “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”, personat qe marrin trajtim të veçantë financiar, sipas ligjit nr.8685, datë 22.6.2000, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve, që kanë punuar në miniera, në nëntokë”, të ndryshuar, dhe personat që përfitojnë trajtim të veçantë financiar, sipas ligjit nr.9179, datë 29.1.2004, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve, që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake”, të ndryshuar kanë të drejtë të marrin shpërblimin e fundvitit. Ndërkohë këtë të fundit mund ta tërheqin edhe personat që marrin pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, sipas ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Kategoria e fundit e individëve që mund të marrë shpërblimin prej 50 mijë lekësh të vjetra është ajo e personave që nuk përfitojnë pension, por që trajtohen vetëm me shpërblimin financiar si veteranë të LANÇ-it, sipas vendimit nr.190, datë 3.5.1995, të Këshillit të Ministrave, “Për zbatimin e ligjit nr.7874, datë 17.11.1994, “Për statusin e veteranit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar””, si dhe personat, të cilët marrin vetëm pension të posaçëm për merita të veçanta, sipas dispozitave të ligjit nr.4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.