MILOSAO

Poezi/ Krijimtari nga vitet 1982 – 1990

14:20 - 16.12.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Xhevahir Spahiu




MONOTONI

Shushurijnë shelgjet në fushë, shushurijnë;
mërmërijnë mizat në mriz, mërmërijnë.

O zot,
lësho një bubullimë.

1986

ZEZONA
Ç’mënxyrë ia ul kokën
asaj pishe që s’tundet?

Çdo ditë mbi të një sorrë shkon e ulet.

1982

HISTORIA JONË
Tehut të shpatës kemi ecur rrufè.

Pastaj shpata ka ecur mbi ne.

1988

KOKA IME,
ÇUDITEM ME TY
Koka ime,
çuditem me ty.

S’t’u shurdhuan ata veshë?
S’t’u verbuan ata sy?

Si të mban qafë e hollë?
je mbi shpatulla ende?
S’u mërzite aty?

Koka ime,
çuditem me ty.

Të të merrja në duar
të t’i prekja pak okët,
ballin bërë për plumba;

Të të rrokja nën sqetull,
gurë e drurë të këndonin:
shkon njeriu kokëprerë.

Në një këngë të moçme
kjo ka ndodhur njëherë.

Po ti prapë si mushka
mizorisht rri aty.

Koka ime,
çuditem me ty.

1986

ZEZONA
Ka muaj që duart e ngrata s’më punojnë
dhe koka më bën dimër tej e tej;
s’e di se nga më vijnë dhe ku shkojnë
ca akuj kallur tinëz nëpër dej.

Çdo ditë gishtërinjtë i asin nikotinës
ca fjalë uloke … dhe … sot… ashtu si dje;
aq sa je gati me grusht t’i biesh pasqyrës,
fytyrën tënde ta rrëzosh përdhe.

Mungesa e vetmisë më ka munduar,
tani i vetëm ndihem, si në morg;
në se përshesh me kocka më kanë shtruar
as korbit vetë unë nuk i ndolla kob.

Ngre kurthe ditënata; dimër vera
shtrigon, mpreh thikat; ç’besëlidhje e zezë!
Pas çdo rrënoje iluzionesh, era
fryn, o njeri, mbi ty si mbi varrezë …

dhjetor 1984

PËRKTHIMI I LUMIT
Rri dhe përkthej lumin.
Përkthim i vështirë
ky i ujërave.
Fjalë të rralla,
shprehje të ngurosura,
ritëm i tejkohëve.
Njëqind burime njëzëri
mitin e moçëm kallzonin.
Gjithë natën përktheva lumin.
Në mëngjes
përkthimi ishte zhdukur.

Skrapar, 1983

KOHË MODERNE
M’i morën shokët zyrat, aeroportet,
simpoziumet ndërkombëtare,
në skaj të kujtesës së tyre
të tjera fytyra e kanë zënë vendin tim;
a thua të ketë mbetur ndonjë humbëtirë për mua
në këtë marramendje harrimi?
M’i morën shokët pa mëshirë,
shihemi rrallë,
rrallë e më rrallë piqemi;
më buzëqeshin maturisht prej tribunave,
më përshëndesin uturimthi pas xhamave të
makinave,
për Vit të Ri postojnë emrat në kartolina standarte,
asin ndryshe,
ndryshe hanë,
pas drekave, darkave u kuqojnë faqet.
Kanë lidhur krushqi,
i tundon horoskopi;
kolltuku altar
ku rri vetë Zoti.
M’i morën shokët e më lanë cung.
Mbi kohët arkaike një qiell i zbrazët dimri.
E bukur kujtesa,
po më i bukur harrimi.

1989

PYETJE E RREZIKSHME
Përtej dritares një qiell i heshtur.

Akuariumi i hënës
pa peshkun.

Pa tringëllima guaskash
që bishti pas qelqit i përplas
e ëndrrën ta lë pezull
nëpër natën e nartë.

Dy sy fëmije lodronin rreth tij
dhe në bebëz të syve një pyetje:

– Peshqit pse s’asin?

Pyetje e rrezikshme. Përgjigje
enciklopeditë nuk japin.

1990

NJERIU I PESTË
Macja hyri në shtëpi ditën e shtunë. Në fllim
një hutesë. Fërgëllonte. I tërhuzej bishtit të saj sikur
të ishte koka e një tjetri. Luante me ne a me veten?
Gruaja i pakësoi përkujdesjet për burrin. Përkëdhelte
shpinën e maces dhe thoshte ca fjalë, ca ninulla të
hershme që dikur ia thoshte djalit në djep. Mua ma
fkën cigaren: macja e do ajrin të pastër.
Në shtëpinë tonë erdhi njeriu i pestë. Djali fIe
dhe macja i rri si një zanë mbrojtëse te koka. Macja u
bë libër. Natyrë. Liri-demokraci për vete kërkon. A do
të na japë nga një shpirt të ri prej shtatë shpirtrave të
saj?
Rrotull shtëpisë sonë janë shtuar qentë.

1990

SONTE
Jetoj brenda syve të tu,
në sytë e mi ti ke shtëpinë.
S’jemi vetvete,
secili është tjetri.
Vera ime ka dy skaje:
njëri në pranverë, tjetri në vjeshtën tënde.
Ti hyn në të djeshmen time,
humb rrugën që ka humbur kujtesën.
Unë hyj në të ardhmen tënde,
humb rrugën si ai që në pyll s’ka kaluar asnjëherë.
Sa do të doje të kishe në duar të djeshmen time!
Sa do të doja të kisha në duar të ardhmen tënde!
Kë të pyes? Cilin yll? Cilën kohë?

Për të djeshmen time ti mund të pyesësh një lumë,
dy lisa, një dem,
edhe varrin,
varrin e nënës.

Krejt e kotë.
T’i lëmë pyetjet. Pyetjet le të marrin një sy gjumë.
Sonte jemi vetëm e sotme.
1989

NATYRË E QETË
U ulëm të dy në tavolinën e zbrazët,
si dy të panjohur të ardhur prej skajeve;
unë nxora laps dhe letër,
ai laps dhe paketën e cigareve.
Unë shkruaja dhe fshija vargje,
braktisur nga mendimi dhe fjala;
ai tundte kokën, diku kish gabuar,
nisi llogarinë nga e para.
Kështu kaluan minuta të akullta,
lapsat zukatnin përmbi tavolinë;
tringëllimë rimash, qindarkash;
unë në ndeshje me fjalët,
ai me llogarinë.
U ngritëm njëherësh, u pamë sy në sy;
kush isha unë,
kush ish ai?
Dy të panjohur
secili në rrugën e tij.

28 maj 1989

VERBIMI
Mos më fol për Zakinon

Tak-tak trokiste mbi gurë
shkopi i syve të verbër.
Bota varrosur në bebëzat boshe,
pa ngjyra,
pa volume,
si nata e përmbytjes së përbotshme.

Tak-tak. As dashuri. As urrejtje.
Zjarr i fkur. Tak-tak. Kohë e palexueshme.
Tak-tak. E përjetshme.

Zakino, ç’kërkon atje lart?
Ti po shkel hijen tënde?
Po për mua, ç’thonë për mua në botën e përtejme?

Me Zakinon apo natën et zëri njëherësh?

Ndërroja rrugë sa e shihja,
nga verbëria e tij edhe eshtrat më dridhen.

Prej teje jam sulur si i verbri drejt dritës,
faleminderit, Zakino.

1989

NATA MBETI PËRJASHTA
Nata mbeti përjashta
e tëra: me yjet, hënën, me terrin rreth tyre,
lumi me zërin e ngrirë,
drurët e veshur me heshtje.
Nata mbeti përjashta
tok me lakuriqët që shohin me veshë.
Nata mbeti përjashta,
kuis, shqyen ëndrra me nofullat e ashpra,
në supe hijenash hedh mantelin e saj.
Le të trokasë,
çaponjtë t’i përgjaken,
derën nuk ia hap.

HAPPY END
S’është e vërtetë:
Uliksi s’mbërriti kurrë në Itakë.
Homeri me dorën e tij s’e ka shkruar;
e shtuan redaktorët më pas.

1984

BUKA jONË E PËRDITSHME
Ti erdhe pranë dhe më the:
ta hëngra zemrën!
Unë mbylla sytë
dhe shpleksa ëndrrën.
Shoh si përgjaket zemra ime
në buzët e tua prej mishi dhe drite.
Të bëftë mirë, e dashur.
Po tani, tani, a s’më thua
pa zemër, si mund të dua?
Ti the dy fjalë,
hodhe një gur:
ta hëngra zemrën.
Dhe unë i përgjakur numëroj
rrathët e ëndrrës.
E di: zemra ime
zemrën tënde e ka bërë copë e çikë,
kullon gjaku prej saj
si kokrrat e shegës, pikë-pikë.
Ti the: Ta hëngra zemrën,
kur unë fatziu e kisha sosur tënden.
Ish koha e zisë
dhe zemrat na u bënë buka jonë e përditshme.

17 gusht 1986

 

NISJE PA KTHIM
Do të vijë nata, do të hyjë brenda meje
në ca shtigje të verbër ku askush nuk ka shkelur,
do të ecë pa u ndjerë, në majë të gishtërinjve,
si të shkelë mbi një ngrehinë prej qelqi,
dita do tkurret pak nga pak si një mjegull,
nata më në fund do të ketë emrin tim.

Do të nisem për udhë. E vetmja nisje pa kthim.

Vlorë, 2 gusht, 1989

KALOJE URËN, JETA IME
Mbete, jeta ime, mbete
përtej Urës së Qabesë,
shkoqur në rërën e zezë.
Mbete, dita ime, mbete
matanë lumit s’u hodhe dot kurrë.
Andej ëndrra,
këtej trupi,
s’u hodhe dot kurrë kënga ime, s’u hodhe dot
kurrë.
Më thuaj, nata ime, më thuaj,
kaun e zi a e shitën,
djalin, moj, djalin a e rritën?
Po ajo gëzimzeza e ruan a s’e ruan kujtimin e burrit;
eh, le të martohet, çojani lajmin me zogjtë e katundit.
Po martohem dhe unë, jeta ime, po martohem
dhe unë,
për dasmën time asnjë fjalë më shumë,
asnjë fjalë mos u thuaj, asnjë fjalë më shumë.
Nusja ime ka pamjen e plumbit,
plumbit në kraharor, ëndrra ime e gjakosur,
kënga ime, jeta ime brinjë më brinjë e plagosur.
Nuse prej plumbi, kalë prej meiti,
kalë potkonjrënë,
bobo, ec e gjeji potkonjtë nëpër rërë,
nëpër rërë, fatkobi im, nëpër rërë.
Ec, o kalë, kali im, kalë pa fre e pa shalë,
kërkove kaprollin me brirë oriri,
tani nëpër jele të vërtiten ca korba
e ca hije bojëhiri,
qyqja ti, zemra ime, korba,
dil e prit krushq të zinj, dil e priti te porta,
priti korbat shaluar mbi dhoga,
po vijnë, mishi im, të t’i hanë sytë e zinj,
sytë e zinj, zemra ime, sytë e zinj
e ti të mos e shohësh atë nënë që qan në lëmë,
jeta ime,
e ti të mos e shohësh atë motër që qan në kodër,
jeta ime,
e ti të mos e shohësh atë grua që qan në krua,
jeta ime,

Kaloje atë urë,
kaloje atë urë të mallkuar, shpresa ime,
siç dridhesh ti, trupi t’i dridhet,
po qe se gremiset, nga ti të gremiset,
e ty të të marrë lumi, varka ime,
lumi të të marrë,
të të shpjerë larg, udha ime, të të shpjerë larg,
e ti t’i lësh pas
terr e tmerr në ferr, koha ime,
masakrime në dhè e në fe, t’i lësh pas
siç lënë pluhurin karvanet.
Brigjet ja tek janë;
drejt teje aviten.
Kaloje atë urë, vdekja ime e pabërë,
jeta ime.

29 maj 1989


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.