MILOSAO

Sa kriminelë lufte pati Shqipëria sipas procesit të Nyrembergut?

11:01 - 16.12.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Armand PLAKA – Sjellja e eshtrave të Mit’had Frashërit pak kohë më pare, risolli edhe një herë në vëmendje çështjen e kolaboracionizmit gjatë Luftës së Dytë, të vlerave dhe antivlerave, të ballistëve e partizanëve, çka e fokusoi për pak kohë vëmendjen nga temat e ditës në realitetin ku jetojmë.
Në mënyrë më të tërthortë, doli në sipërfaqe edhe çështja e kriminelëve të luftës dhe e gjykimit të tyre. Si rezultat u sollën këto ditë edhe lista të njohura e të panjohura me emra që ishin gjykuar nga “drejtësia popullore” si kriminelë lufte, e u ishin dërguar aleatëve të bashkëngjitura kërkesave për t’i sjellë për gjykim në vendin e origjinës, qysh në ditët e para të Pasluftës.




Në fakt, edhe Shqipëria ishte tashmë pjesë e një procesi e fenomeni që do të zinte faqet e para të gazetave të kohës, pas një lufte shkatërrimtare me shumë pasoja e viktima të pafajshme, ku terrori dhe tmerret e krimeve të luftës, ishin pjesë e pandashme e kohës që sapo ishte lënë pas.

Kësisoj, më shumë se një vit më parë, ish- drejtuesi i arkivës në Ministrinë e Brendshme, Kastriot Dervishi publikoi një listë prej 118 emrash, të cilët ishin shpallur si kriminelë nga regjimi komunist i kohës. Lista në fjalë u ringjall në vitin 1991, pas formulimit të saj në vitin 59’, kohë në të cilën regjimi i kohës kishte shenjuar emrat e “armiqve të popullit” që ishin larguar gjatë kohës së luftës. Me dekretin nr.3005, datë 23.11.1959 të Presidiumit të Kuvendit Popullor, regjimi komunist pat shpallur një amnisti për të arratisurit politike, prej së cilës u amnistuan 7.003 persona dhe u cilësuan “kriminelë lufte” 208 të tjerë.

Proces unanim i fituesve
Por përtej kërkesave të dërguara nga Tirana zyrtare në shtabet aleate në Itali, Londër e Uashington, 15 vjet para dekreteve të sipërpërmendura, në kryeqytetin britanik akoma diskutohej se çfarë duhej të bënin me kriminelët e luftës dhe nëse ata duhej të procedoheshin në mënyrë individuale apo jo?
E gjitha kjo ndodhte vetëm një muaj para se të vendosej unanimisht nga ish-BRSS, SHBA, Britania e Madhe dhe Franca, nisja e një operacioni gjyqësor ndërkombëtar e të unifikuar, të cilin bota s’e kish parë kurrë më parë. Rrugëtimi i tij nisi në nëntor 1945 e u përmbyll në tetor 1946, sikurse dihet tashmë, me marrjen e shumë vendimeve e kryerjen e shumë ekzekutimeve.

Iniciativat aleate për ndëshkimin e kriminelëve të Luftës kishin nisur qysh në prill 1942 me hartimin e një rezolute përkatëse nënshkruar nga përfaqësuesit e nëntë shteteve të pushtuara ndërkaq nga Gjermania naziste. Por baza legale reale për nisjen e procesit të Nyrembergut ishte vendosur nëpërmjet hartimit e nënshkrimit të së ashtuquajturës “Karta e Londrës” më 8 gusht 1945 nga ana e katër fuqive fituese të Luftës, e cila e reduktoi konceptin paraprak deri “ndëshkimin e kriminelëve kryesorë të luftës të vendeve të Boshtit nazist”.

Si pasojë në fund të procesit u gjykuan rreth 200 kriminelë të dyshuar të luftës me nacionalitet gjerman dhe 1,600 të tjerë u lanë për gjykim nga kanalet e tjera të drejtësisë, përkatësisht gjykatat ushtarake. Ekzekutimet sidoqoftë ishin më të vogla në numër dhe përfshinë ekskluzivisht gjermanët, ndërsa bashkëpunëtorët e tyre u lanë të ndëshkoheshin nga sistemet nacionale të drejtësisë në vendet e tjera europiane, nga Norvegjia në ish-Jugosllavi, Shqipëri e Greqi.

Sidoqoftë, shumë e rëndësishme është të dihet fundja se cila ishte lista paraprake që kishin në dorë tashmë vetë aleatët me ata që mund të quheshin “peshqit e mëdhenj”, të cilët s’duhej t’i shpëtonin drejtësisë ndërkombëtare e të gjykoheshin kësisoj me konsensus të të gjitha palëve si kriminelë lufte pavarësisht nacionalitetit? Akoma më e rëndësishme bëhet për ne si shqiptarë të mësojmë nëse në këtë listë ekzistonin shqiptarë dhe sa ishte numri i tyre, e mundësisht pse jo, edhe emrat e tyre.

Dëshmia nga shtypi gjerman i kohës
Fare rastësisht, duke shfletuar një arkivë të pasur gazetash nga koha e ish-RDGJ-së, vura re një syresh të vitit 1945, pra akoma pa u zhvilluar Gjyqi i famshëm i Nyrembergut, një raport me titull: “Parime themelore të procesit kundër kriminelëve të Luftës”, botuar në “Neue Zeit” më 18.10.1945, fq. 2, ku më konkretisht në një pasazh shkruhej:
“Vetëm pak kohë pas botimit të përmbledhjes së të ashtuquajturit “Libri i Bardhë” nga ana e britanikëve, u vendos në Londër ngritja e një Komisioni të Aleatëve “Për Hetimin e Krimeve të Luftës”. U shpalosën natyrisht mendime në formë teorike dhe konstatime , të cilat mund të konsideroheshin të mundura në çdo kohë. Por këto përgatitje shtruan rrugën që vetëm pak kohë pas përfundimit të Luftës, në ditët e para të qershorit të këtij viti, komisioni të mund të bënte të ditura një sërë konstatimesh. Shifrat që lidhen me ata persona, të cilët mund të konsiderohen tashmë si “Kriminelë Lufte”, janë këto: 2524 gjermanë në pozicione drejtuese, 561 gjermanë për shkak të pjesëmarrjes në operacione terrori. Përveç tyre, 110 italianë, 2 shqiptarë, 17 bullgarë, 2 hungarezë, 2 rumunë. Në këtë fazë bisedimet paraprake shërbyen që një propozim amerikan të dilte në pah vetvetiu: Ai që kriminelët e luftës të gjykoheshin sëbashku dhe jo me procese individuale nga një Gjykatë Ndërkombëtare”.

Për aleatët, shqiptarët kriminelë lufte ishin vetëm dy “Neue Zeit”, një gazetë e sapo dalë në qarkullim me lejen e sovjetikëve në atë që quhej “Zona sovjetike e pushtimit” në Berlinin Lindor, pikërisht në muajt e parë të Pasluftës, pohon se nga pala shqiptare në këtë “listë të zezë”, nuk rezultonin më shumë se dy emra, edhe pse emrat e tyre nuk bëhen të ditur e mund të përbëjnë kësisoj jo vetëm për mua, një shkak për të gërmuar më thellë në këtë çështje.
Tashmë një gjë është më se e qartë: Në mendjen e aleatëve, numri i atyre që mund të konsideroheshin “kriminelë lufte” me kombësi e nënshtetësi shqiptare, nisur nga gjykimi i së drejtës ndërkombëtare dhe fakteve e provave juridike të mbledhura e pranuara paraprakisht, si bazë për nisjen e një procesi gjyqësor, s’ishin pra veçse dy emra.

Vlerësim paraprak i Komisionit “për Krimete Luftës”
Sigurisht se bëhej fjalë për një fazë paraprake përgatitore, që do ta çonte botën ( siç del edhe nga ky raport) drejt një procesi historik e të unifikuar të palëve fituese në luftë, të ndëshkimit të kriminelëve e përgjegjësve të luftës. Edhe pse për shumëkënd drejtësia s’u vu kurrë në vend dhe selektiviteti e interesat momentale bënë që shpesh kriminelë të faktuar, t’i rrëshqisnin drejtësisë, apo se nuk pati të gjykuar nga pala fituese, “Procesi i Nyrembergut” ia doli që gjithsesi të ngadhënjente e të shërbente si një ngushëllim për viktimat e shumta e tmerret që lufta la pas e pasojat e tij juridike u shtrinë edhe më tej në kohë e hapësirë duke ndëshkuar kriminelë lufte edhe shumë dekada më vonë, kudo dhe kurdo që ata kapeshin.

Gjyqet “Popullore” në Lindje

Në territoret nacionale pas Lufte u vunë re sigurisht edhe plot ekzekutime e gjykime ekstreme, të mbarsura me histeri e shpesh padrejtësi, të cilat në raste te veçanta sipas shumë ekspertëve, duhet t’i nënshtrohen rigjykimit. Proceset nacionale – sidomos në lindje të kontinentit – ishin të bazuara në urrejtje e triumfin e palës që po vinte në pushtet, e nisur nga kjo, “Procesi i Nyrembergut” vijon të mbetet një proces model i drejtësisë përballë padrejtësisë, përballë krimeve e kriminelëve, një shembull i bashkëpunimit juridik e shumëplanësh mes palëve fituese të luftës, por edhe i trajtimit të drejtë të humbësve, i dënimit të përgjegjësve realë dhe jo popullit gjerman, çka e bën atë proces edhe sot e kësaj dite të besueshëm e të shumëstudiuar.
Nisur nga kjo, rezulton thjesht një fiasco edhe në aspektin e trajtimit juridik, pretendimi i Tiranës zyrtare të kohës për të gjykuar e si pasojë ekzekutuar një listë shumë të fryrë “bashkëpunëtorësh të fashizmit” e “kriminelësh lufte” nga Shqipëria, vendimi për të cilët tashmë ishte marrë me kohë dhe e bën edhe më të justifikuar frikën e vendimin e shumë eksponentëve të kohës për t’u larguar nga Shqipëria, duke parandjerë atë që i priste, edhe pse kjo me shumë kosto për vendin, një ndër të cilat ishte dhe mosangazhimi si dhe sa duhet, duke munguar fizikisht për të mundësuar kësisoj një opozitë mëse jetike për fatet e vendit për periudhën në vijim.

Frika e aleatëve, e justifikuar
Nga ana tjetër, me këtë justifikohet edhe këmbëngulja e aleatëve për të mos dorëzuar tek Tirana zyrtare asnjë eksponent “kolaboracionist”, i cili do mund të cilësohej si “kriminel lufte” nga regjimi komunist i sapoardhur në pushtet i Tiranës.

Sigurisht se numri dy, mund të mos përkojë vërtetë me realitetin, pasi njerëz me zell shtazarak për të kryer krime e terror për llogari të këmishave të zeza e kryqit nazist, mund të ketë pasur shumë më tepër, por Tirana zyrtare në listat që dërgonte duket qartazi se ishte shumë larg realitetit dhe çdo vendim e kishte të motivuar politikisht, duke i vënë damkën e “kriminelit të luftës” kujtdo që ajo e llogariste si pengesë për planet e saj të afërta e të largëta për çimentimin e pushtetit të saj despotik.

“Lufta e Ftohtë” dhe rehabilitimi i heshtur i ish-nazistëve
Sigurisht se ngritja shumë e shpejtë mbi Europë e asaj që do njihej si “Perdja e Hekurt” dhe ravijëzimi i plotë i kontureve të një Lufte të Ftohtë, do të bënte që shumë eksponentë nazistë, bashkëpunëtorë të tyre dhe madje edhe kriminelë lufte, të viheshin në shërbim të CIA-s, KGB-së, STASI-t etj, sikurse edhe të bënin karrierë në hierarkinë komuniste të Tiranës e atë të Sigurimit, ish-këmishëzinj, për të cilët deri para pak viteve s’kemi ditur gjë se kishin qenë të tillë.

Uashingtoni e Londra tashmë do të stepeshin gjithnjë e më shumë përballë kërkesave të Tiranës e do t’i hidhnin ato në kosh, në një kohë që madje me kalimin e viteve lista sa vinte e shtohej, duke mos parapëlqyer t’i trajtonte me seriozitet ato, përsa kohë që regjimi i Hoxhës do të zhytej tashmë gjithnjë e më shumë në zullume që do t’a largonin atë gjithnjë e më fort nga Perëndimi.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.