AKTUALITET

Kreu i ISSH: Nga sot mund të tërhiqni shpërblimet e fundvitit

11:00 - 17.12.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Duke filluar nga dita e sotme, pensionistët mund të tërheqin shpërblimet e fundvitit në masën prej 50 mijë lekësh të vjetra. “Gazeta Shqiptare” publikon sot kalendarin përkatës, bazuar në datat kur të moshuarit tërheqin pensionet. Ditën e djeshme, kreu i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado nëpërmjet një njoftimi zyrtar ka bërë me dije se ky grafik është krijuar për të dhënë në kohë shpërblimin. “Mbështetur në VKM nr. 732, datë 12.12.2018 ‘Për shpërblimin e pensionistëve për festat e fundvitit, 2018’, Instituti i Sigurimeve Shoqërore në bashkëpunim me Postën Shqiptare sha., duke filluar nga dita e hënë, datë 17 dhjetor 2018, do të fillojë pagesën e shpërblimit të festave të fundvitit për pensionistët, në masën 5,000 lekë. Për të realizuar në kohë dhe me korrektësi dhënien e këtij shpërblimi është realizuar një grafik në të gjitha qendrat paguese të postës.




Sipas këtij grafiku, të miratuar për këtë qëllim, do të punohet me orar veprimi nga ora 7.30 deri në orën 20.00, çdo ditë, duke filluar nga data 17.12.2018”, – thekson Hado. Më tej ky i fundit shton se tashmë fondet janë transferuar në Postën shqiptare sha. “Çdo ditë, deri në orën 14:00 do të realizohet pagimi i pensionit dhe shpërblimi për ata pensionistë që kanë datën e tërheqjes së pensionit dhe pas kësaj ore do të paguhet shpërblimi për pensionistët që e kanë tërhequr pensionin para kësaj date, sipas grafikut të mëposhtëm. Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka gjeneruar shpërblimin në sistemin informatik dhe gjithçka është gati në portalin e pagesave për t’u paguar, për të gjithë përfituesit. Njëkohësisht janë garantuar dhe transferuar fondet te Posta Shqiptare sha., si agjent pagues”, – thuhet në njoftim. Sipas grafikut, pensionistët mund ta tërheqin shpërblimin e fundvitit deri në 29 dhjetor, ndërsa ata që s’mundën ta merrnin brenda kësaj date, do e tërheqin së bashku me pensionin e muajit janar 2019-të. “Pensionistët që e tërheqin pensionin pranë bankave të nivelit të dytë, në datën e pagesës së pensionit 20.12.2018, do t’iu transferohet edhe masa e shpërblimit. Për pensionistët që e tërheqin pensionin në zyrat postare në fshatra, shpërblimi do të paguhet sipas datave të pagesës së pensioneve, duke filluar nga data 18 dhjetor e në vazhdim. Grafiku i shpërndarjes së pagesave është dakordësuar midis ISSH-së dhe Postës Shqiptare sha. Të gjithë ata që nuk do të mund ta tërheqin këtë shpërblim deri më 29 dhjetor, do të mund ta marrin atë bashkë me tërheqjen e pensionit në muajin janar 2019 e në vazhdim, pasi faturat janë të gjeneruara”, – nënvizon kreu i Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

Kategoritë përfituese
Përkatësisht 50 mijë lekëshin do e marrin të gjithë personat që marrin pension pleqërie, pension invaliditeti, pension familjar dhe pension social. Të drejtën për të përfituar shpërblimin në masën e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi e kanë edhe ata persona që kanë datë të fillimit të pensionit deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

“Shpërblimin e fundvitit e marrin edhe individët që marrin pension, sipas ligjit nr.4976, datë 29.6.1972, ‘Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë’ dhe sipas paragrafit të katërt, të nenit 96, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, ‘Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”, – theksohet në vendimin e Këshillit të Ministrave. Edhe personat që marrin pension, sipas ligjit nr.150/2014, “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”, personat që marrin trajtim të veçantë financiar, sipas ligjit nr.8685, datë 22.6.2000, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve, që kanë punuar në miniera, në nëntokë”, të ndryshuar dhe personat që përfitojnë trajtim të veçantë financiar, sipas ligjit nr.9179, datë 29.1.2004, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve, që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake”, të ndryshuar kanë të drejtë të marrin shpërblimin e fundvitit. Ndërkohë këtë të fundit mund ta tërheqin edhe personat që marrin pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, sipas ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Kategoria e fundit e individëve që mund të marrë shpërblimin prej 50 mijë lekësh të vjetra është ajo e personave që nuk përfitojnë pension, por që trajtohen vetëm me shpërblimin financiar si veteranë të LANÇ-it, sipas vendimit nr.190, datë 3.5.1995, të Këshillit të Ministrave, “Për zbatimin e ligjit nr.7874, datë 17.11.1994, ‘Për statusin e veteranit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar'”, si dhe personat, të cilët marrin vetëm pension të posaçëm për merita të veçanta, sipas dispozitave të ligjit nr.4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.