SHËNDET

Megina Laçka: Mënyrat e mbrojtjes së lëkurës gjatë dimrit

16:45 - 17.12.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Në stinën e dimrit, ulja e temperaturave ndikon në prishjen e strukturës së lëkurës. Për të evituar problemet me lëkurën duhet të ndryshojë edhe mënyra e përkujdesjes për të, veçanërisht për fytyrën. Në një intervistë për suplementin “Life Pages” në “Gazeta Shqiptare”, mjekja dermatologe, njëkohësisht edhe kimiste, Megina Laçka, tregon se cilat janë mënyrat më të mira për mbrojtjen e lëkurës gjatë dimrit. Ajo thekson se gjithmonë duhet përdorur një krem hidratant dhe këshillon që duhet të nisë edhe përdorimi i tonikëve apo lateve të ndryshme, serumit, kremi për zonën e syve dhe kremi për fytyrën ditë dhe natë. Ajo këshillon që të konsumohet sa më shumë ujë dhe lëngje, si edhe ushqime të lehta me përmbajtje të lartë hidrike si frutat dhe perimet.




Si ndikon ulja e temperaturave në lëkurën tonë?
Lëkura është organi ynë më i madh, i cili duke qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me agjentët atmosferikë, është shumë delikat. Ndryshimi i temperaturave apo i stinëve sjell probleme të ndryshme për të. Stina e dimrit sjell uljen e temperaturave dhe kjo ndikon në prishjen e strukturës së lëkurës. Kjo të do të thotë se dhe regjimi ynë i të kujdesurit për të duhet të ndryshojë.

Çfarë ndodh specifikisht me të?
Gjatë dimrit lëkura dehidratohet, ashpërsohet dhe për rrjedhojë merr një pamje të lodhur dhe jo vitale. Ne mund të përdorim shumë produkte kozmetike, por është e rëndësishme të zgjedhim produkte që do i krijojnë lëkurës butësi dhe shkëlqim.

Si këshillohet larja e fytyrës në stinën e ftohtë të dimrit?
Një nga këshillat kryesore që unë do të jepja është kujdesi gjatë larjes së fytyrës. Asnjëherë lëkura nuk duhet të lahet me ujë të nxehtë ose të ftohtë, por gjithmonë me ujë të ngrohtë, për arsye se nuk duhet të largojmë shumë molekula yndyre ose sebumi prej lëkurës, për shkak të funksioneve të tyre.

A duhet të përdoret kremi hidratant dhe si duhet zgjedhur?
Gjithmonë duhet të përdorim një hidratant për lëkurën dhe duhet të kemi një kujdes ose regjim të plotë të saj duke nisur me serumin dhe kremin. Duhet të tregojmë shumë kujdes kur zgjedhim produktet, pasi duhet të përdorim ato që i përshtaten më mirë fototipit dhe profilit të lëkurës sonë. Duhet ta eksfoliojmë lëkurën vazhdimisht dhe ky është një hap shumë i rëndësishëm, pasi shërben për të larguar qelizat e vdekura nga sipërfaqja e lëkurës dhe kështu i krijon asaj butësi. E rëndësishme është gjithashtu që kujdesi i lëkurës të jetë i plotë, duke i siguruar asaj një mbrojtje sa më të plotë si gjatë ditës, ashtu edhe gjatë natës.

Woman applying moisturizer cream on face

A është i mjaftueshëm vetëm përdorimi i kremit hidratant?
Kur them duhet një regjim i plotë e kam fjalën jo vetëm për përdorimin e një kremi në mëngjes ose në darkë. Gjatë kësaj periudhe, ashtu siç u shpreha edhe më lart, lëkura është e dehidratuar prandaj regjimi duhet të nisë me përdorimin e tonikëve apo lateve të ndryshme, serumit, me kremin për zonën e syve dhe kremin për fytyrën ditë dhe natë. Dua të theksoj që duhet të tregoni kujdes kur zgjidhni kremin e fytyrës, pasi përpos përbërësve që duhet t’i verifikoni, sigurohuni që ai përmban filtër mbrojtës ndaj rrezatimeve UVA-UVB, pasi dhe në stinën e dimrit rrezet janë të depërtueshme në lëkurë. 1 ose 2 herë në javë duhet ta eksofilojmë me maska me argjila të ndryshme, në varësi të tipit të lëkurës ose me skrabe të ndryshme.

Cilat klasifikohen si lëkurat më delikate dhe si duhet vepruar për trajtimin e tyre gjatë dimrit?
Të ndalem pak te problemet e lëkurës. Gjatë stinës së dimrit, të gjitha lëkurat kanë nevojë për mbrojtje dhe ushqyerje. Por lëkurat më delikate, që janë më të prekshme nga këto ndryshime janë ato që kanë problem si dermatitis apo rosacea. Këto lëkura me këto probleme kërkojnë një kujdes të veçantë dhe duke qenë se janë problem autoimmune, kërkojnë dhe një kujdes në mënyrën e të ushqyerit dhe në stilin e jetesës.

Çfarë rekomandoni lidhur me dietën ushqimore?
Gjatë kësaj periudhe organizmi ynë ka nevojë të konsumojë sa më shumë ujë dhe lëngje, si edhe ushqime të lehta me përmbajtje të lartë hidrike si frutat dhe perimet.

Cilat janë disa nga këshillat tuaja për mbrojtjen e lëkurës së duarve dhe trupit?
Jo vetëm fytyra ka nevojë për mbrojtje dhe rigjenerim, por edhe buzët apo duart si dhe trupi apo flokët. 1 ose 2 herë në javë mund të realizoni maska të ndryshme në kushte shtëpie për fytyrën, trupin apo flokët të cilat shërbejnë për të ushqyer, pastruar dhe rigjeneruar në thellësi lëkurën. Ajo që unë u këshilloj gjithmonë pacientëve të mi është kujdesi në mënyrë natyrale si në ushqyerje, ashtu edhe në mirëqenien e lëkurës për të qenë sa më të shëndetshëm brenda dhe jashtë, sepse një organizëm i shëndetshëm pasqyrohet në një lëkurë të shëndetshme.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.