AKTUALITET

Studentët i vënë drynin fakulteteve, paralajmërojnë grevë urie

10:01 - 17.12.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

E ndërsa ka nisur marshimi i studentëve drejt kryeministrisë, nëpër fakultete janë vendosur shirita, në mënyrë që të ndalohet hyrja e studentëve, pedagogëve, por edhe administratës. Kanë qenë studentët e Politeknikut dhe të Ekonomikut që kanë bërë një veprim të tillë, duke mos lejuar në këtë mënyrë futjen në këto ambiente.




Protestës së sotme do t’i bashkohen edhe studentë të rretheve si dhe të gjithë qytetarët, pasi një ditë më parë studentët kanë bërë thirrje për mbështetje dhe për protestë kombëtare. Ndërkaq, studentët që kanë hyrë në ditën e 14-të të protestës janë shprehur se nëse nuk realizohen kërkesat e tyre, ata do të ngujohen tek Korpusi, ndërsa më pas kanë do të hyjnë në grevë urie, deri në plotësimin e 8 pikave të parashtruar që në nisje të kësaj proteste.

Nga ana tjetër edhe pedagogët e Fakultetit të Filologjisë kanë zhvilluar një mbledhje në orët e para të mëngjesit dhe kanë marrë vendim që të bojkotojnë mësimin bashkë me studentët.

Pedagogët kanë rënë dakord të mbështesin të rinjtë në çdo pikë të kerkesave të tyre drejtuar qeverisë.

Studentët kërkojnë plotësimin e 8 kërkesave të tyre. Ndonëse numri një i Qeverisë u ka bërë disa herë thirrje që të dialogojnë, ata nuk kanë pranuar.

Ndërkaq, mësohet se nga Korça janë nisur rreth 200 studentë, të cilët do t’i bashkangjiten protestës që të zhvillohet në Tiranë.

Kujtojmë këtu se një ditë më parë, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi i bëri thirrje të gjithë të rinjve të LRI, që t’i bashkohen protestës së sotme.

Njoftimi i studentëve për planin e protestës

“Nesër, (sot) 17 dhjetor protesta vazhdon në Fakultete (9-11) dhe më pas para Kryeministrisë. Në orën 9-11 organizohemi përpara fakulteteve për të ndërgjegjësuar çdonjërin nga ne  mbi kauzën tonë të drejtë. Studentët të pajisur me foni do të shpalosin në detaje kërkesat e tyre specifike për arsim cilësor. Folës të ndryshëm nga të gjitha programet e studimit dalin dhe denoncojnë me forcë problemet tona, padrejtësinë që na bëhen përditë, të cilat duhet të marrin fund. Studentët artikulojne kërkesa specifike për autoritetet drejtuese të Fakulteteve/Universiteteve. Përfaqësues nga fakultete/Universitete të tjera përshëndesin protestën dhe prezantojnë problemet e përbashkëta. Në orën 11:30 para kryeministrisë protesta vazhdon me bashkim të studentëve. Në orën 14:30 shpërndahemi qetësisht e në mënyrë qytetare”,  shkruhet në njoftimin për protestën e sotme.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.