SPORT

Teuta është për titull, Luftëtari thyen Skënderbeun

10:30 - 17.12.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Jeton Selimi – Gola, spektakël dhe Luftëtari triumfues në Korçë. Skënderbeu-Luftëtari ishte pa dyshim një nga sfidat më të bukura të këtij sezoni, që nxori ndoshta edhe me shumë fat fituese skuadrën gjirokastrite, me rezultatin përfundimtar 2-3. Në përballje që doli jashtë skemave taktike, me sulme e kundërsulme të shpejta nga të dyja skuadrat, ku portierët Teqja dhe Ruçi, sidomos “gardiani” bluzi u bënë protagonistë me disa ndërhyrje vendimtare. 25 minutat e para ishin vërtet të çmendura. E hapi serinë e golave Bregu, në minutën e 10-të, i ndihmuar edhe nga devijimi i mbrojtjes, por vetëm një minutë më pas barazoi Demo, në zhvillimet e një goditjeje të lirë për miqtë. Luftëtari shtangu tifozët korçarë në minutën e 18-të, moment kur Radas në tentativë për të larguar rrezikun devijoi në portën e Teqjes. Gjithsesi, në të 25′-tën Bregu ekzekutoi mjeshtërisht një goditje të lirë, duke e lënë të palëvizur Ruçin.




Skënderbeu iu afrua shumë herë golit në pjesën e dytë, por pas një rasti të shpëtuar në limit nga portieri dhe mbrojtja korçare, Luftëtari fiton një 11-metërsh, që u shndërrua në gol nga Shkurtaj. Kontestuan me forcë futbollistët vendës, por arbitri nuk kishte asnjë dyshim për penalltinë e dhënë. Të kota tentativat e Skënderbeut në minutat e fundit, ndërsa Luftëtari iu gëzua një fitoreje të madhe, që e largon nga zona e ftohtë. Kjo disfatë i kushton shumë Skënderbeut, që sheh ta parakalojnë në renditje si Kukësi dhe Teuta, ndërsa Partizani kryesues shkon +6 pikë. Teuta është shumë e fortë për Kastriotin. Vazhdon momenti i artë për “djemtë e detit”. Skuadra e Bledi Shkëmbit triumfoi lehtësisht me shifrat e thella 0-4 në stadiumin “Redi Maloku” të Fushë-Krujës ndaj Kastriotit vendës, duke regjistruar fitoren e 7-të në 10 takimet e fundit, në të cilat Teuta nuk njeh humbje. Një fitore me peshë kjo e ngjiti përkohësisht skuadrën durrsake në vendin e 2-të, vetëm 4 pikë larg Partizanit kryesues. Ai që i hapi rrugën fitores së “djemve të detit” ishte talenti Sherif Kallaku, ndërkohë që në pjesën e dytë fillimisht shënoi Gerhard Progni me kokë, i cili qetësoi trajnerin Shkëmbi në stol, ndërsa në fund kishte vend edhe për finalizimin e Amadu Latif dhe supergolin e talentit shkodran Uendi Vecaj. 24 pikë të grumbulluara në 10 javët e fundit janë sinjalet se kjo Teutë është vërtetë frikshme dhe mund të jetë një kandidate e fortë për titullin kampion. Ndërkohë te Kastrioti tashmë nuk jep më efekt as kura ‘Nica’, me skuadrën krutane, që pësoi humbjen e dytë radhazi me shifrat e thella 4-0 këtë herë në shtëpi, duke treguar dhe njëherë se Kastrioti është skuadra më e kuotuar për t’u rrëzuar një kategori më poshtë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.