KULTURË

Xhimi Lazri sjell sot koncertin-antologji, perlat që do të dëgjoni

18:00 - 17.12.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Sot, më 17 dhjetor 2018 në sallën “arTurbina” në Tiranë, Xhimi Lazri vjen ndryshe me Koncertin-Antologji. Me mënyrën spontane e informuese të prezantimit, kjo shfaqe do i ngjajë më shumë një “Cabare-show”, e cila mund të quhet një risi në Shqipëri. Xhimi Lazri, para çdo kënge do e fusë publikun në brendinë e saj, duke e lidhur emocionin muzikor me atë konceptual. Në koncert do të interpretohen këngë nga fondi i artë i muzikës shqiptare, këngë të reja, si edhe këngë nga repertori më i zgjedhur ndërkombëtar. Pirro Çako, kantautori i dashur për të gjithë është i ftuari i nderit në Antologjinë e Muzikës, së organizuar nga Xhimi Lazri. “Falënderoj Bashkinë e Tiranës për mbështetjen e kësaj veprimtarie dhe dua të theksoj edhe qasjen bashkëkohore të marrëdhënieve të Bashkisë Tiranës me artistët në realizimin e projekteve të ndryshme, në stimulimin që kjo mbështetje nga ana e bashkisë i ka dhënë jetës muzikore e kulturore në kryeqytet”, thotë për “Gazeta Shqiptare” organizatori.




Xhimi Lazri është kompozitor me kontribute në fushën e muzikës serioze dhe prej 20 vjetësh i pranishëm në jetën muzikore ‘live’ në Shqipëri, me vepra të ekzekutuara në Itali, por në këtë koncert ai do të intepretojë këngë të riaktulizuara të kompozitorëve si Tish Daija, Simon Gjoni, por edhe Edith Piaf, Charles Aznavour, Adriano Çelentano, Rikardo Koçante. Koncerti do të shoqërohet nga “All in band”: një formacion muzikore orkestral krijuar në vitin 2015, por me një CM tashmë solide: Rajkad Bardhi (Trumpet), Eneo Gjoka (saxophone tenor), Ridvan Shaqia, Ronald Gjuri, Mateos Gjipi, Besina Herri, Kejdi Barbullushi. Ky formacion muzikor ka qenë 2 herë konkurrues në festivalin “Kënga Magjike”, ka dhënë suport muzikor në koncertet e “Dua Lipa”, si edhe “John Newman”, ka konkurruar në “Jazz live-festival”, Tiranë, Festival jazz “Maratona Swing”… Gjatë koncertit do të bëhet edhe promovimi i një këngëtareje të re. Kjo shfaqje padyshim do të plotësojë hapësirën boshe në jetën kulturore të Tiranës dhe të Shqipërisë, me repertorin e mrekullueshëm që do të sjellë Xhimi Lazri me bandën e të ftuarit e tij.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.