KULTURË

Lek Gjeloshi: Imazhe të veshura në mister dhe procesi i rikrijimit

13:05 - 18.12.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli  – Murgesha të errëta që ecin në borë, njerëz që i sillen një krateri apokaliptik, procesione, fëmijë e trupa që amplifikojnë gjeste mistike. Fillova t’i fotografoj me celular – mjetin e vetëm që kisha në dispozicion në atë moment. Mirëpo nevoja për t’i poseduar disi këto imazhe, filloi ta shtonte kuriozitetin për t’i parë si fotografi”. Lek Gjeloshi ka çelur të premten e shkuar në Galerinë “Zeta” ekspozitën “N’jerm”. Për të titulli erdhi shumë thjesht. Kur pyetet se ç’është ‘jermi’ i tij, përgjumje, përhumbje, mjegull a amulli, ai përgjigjet: “Të gjitha janë sfumatura të fjalës. Si titull i ekspozitës, kontributi është i nënës sime, e cila sapo pa imazhet e para të serisë, i sigloi kështu: n’jerm”.




Ndonëse nuk dihet autori i fotove apo vendi ku janë shkrepur, ato kanë një finesë inskenimi e kompozimi. Referencat që mund të gjejmë në to kalojnë nga piktura dhe afresku, deri në skena kinematografike horrori. E gjitha në një atmosferë mesjetare, pra edhe të errët, për të cilën kultivoj një interes të thellë.
Ajo paraqet një cikël me fotografi të shkëputura nga një grumbull negativësh me të cilët autori ndeshet rastësisht, nisur si pretekst për të testuar me to një makineri të vjetër për zmadhimin e filmave 35mm. Imazhet e seleksionuara përmes saj janë fragmente të organizuara pa një rend të paracaktuar narrativ. I tërhequr nga dimensioni fantazmagorik i subjekteve mbi sipërfaqen e ekranit, ai fillon t’i rifotografojë duke aktivizuar gradualisht një jetë të dyfishtë të imazheve, ku pjesë e tyre është tashmë edhe drita e ekranit të projektorit, gjurmët e vjetërsisë dhe reflekset që ndodhen në sipërfaqen e tij. Këto fotografi i inverton më pas në negativ dixhital, duke përdorur opsionin e zakonshëm që ofron aplikacioni i celularit. Nga kjo mbivendosje negativësh, procesi algoritmik i thjeshtë prej ku ai përfton imazhe, “pozitivët” hibrid, të cilat ngarkohen me një atmosferë të re që nuk referon më informacionin e fotografisë e as dëshminë e saj, por devijimin konstant, një soj kllapie ose përçartjeje të asaj që mbetet mbi sipërfaqen e mbështjellë nga tisi i blucianit.

– Çfarë janë këto fotografi, që kanë shërbyer si bazë e ekspozitës “N’jerm”?
Gjithçka fillon nga takimi me një makineri të vjetër, që dikur shërbente për zmadhimin e negativëve 35mm. Një shok më ofroi një grumbull me filma fotografik, me të cilët fillova ta testoj. Materialet që po merrja në dorë ishin të mveshura me një soj misteri, për sa kohë nuk kisha të dhëna e as informacione për to. Unë kam studiuar pikturë që i vogël. Ndoshta ishte kjo arsyeja e joshjes që provoja, ndërkohë që subjekte e peizazhe më shfaqeshin para ekranit në trajta të paqarta e fantazmagorike. Murgesha të errëta që ecin në borë, njerëz që i sillen një krateri apokaliptik, procesione, fëmijë e trupa që amplifikojnë gjeste mistike. Fillova t’i fotografoj me celular – mjetin e vetëm që kisha në dispozicion në atë moment. Mirëpo nevoja për t’i poseduar disi këto imazhe, filloi ta shtonte kuriozitetin për t’i parë si fotografi. Pa e stërholluar procesin dhe duke djegur shumë etapa teknike të zhvillimit të fotografive, nisa t’i invertoj me aplikacionin e zakonshëm të telefonit, duke aplikuar mbi to një filtër negativ. Mbivendosja e negativit mbi imazhe që kishin dokumentuar gjithsesi negativë, solli në dritë një seri me pozitiva hibrid, krejtësisht të mveshur nga kromatika e blucianit. Nga njëra anë ky proces i devijoi prej informacioneve konkrete që ato fotografi do të kishin nëse të zhvilluara në një rrugë konvencionale. Nga ana tjetër i ngarkoi me një atmosferë të re, duke e bërë edhe më ekstreme gjendjen dhe natyrën eterike të subjekteve. Këtu hibridizohet edhe çështja e autorësisë…

– A keni zhbërë të kaluarën e fotove për t’iu dhënë një jetë të re, një identitet të ri?
Materialet e një arkivi kanë tendencën t’i nënshtrohen një horizonti, ku gradualisht zvogëlohet freskia e të papërcaktueshmes – mbasi kanë nevojë të sistemohen e të datohen. Ajo që më intereson në këtë rast, në raport me idenë e ndërhyrjes mbi një arkiv si ky, është dalja prej tij. Një soj çlirimi e çrregullimi i imazheve, që përbën aventurën e tyre sot. Kjo aventurë është mënyra se si ia dorëzoj teknologjisë. Ndërsa tjetërsimi, duke na vënë përballë kualitetit të perceptimit më shumë se sa të krijimit, nuk është më shprehi e vullnetit arbitrar, por epifania para të cilës unë vetë asistoj.

– Çfarë është “jermi” juaj? Përgjumje, përhumbje, mjegull, amulli?
Të gjitha janë sfumatura të fjalës. Si titull i ekspozitës, kontributi është i nënës sime e cila sapo pa imazhet e para të serisë, i sigloi kështu: n’jerm.

– A jemi ne, qenia njerëzore, një mbivendosje negativësh e pozitivësh në unin tonë?
Nuk e di. Por edhe në qoftë se do të ishte kështu, mbivendosja si diçka e “efektshme” nuk mund të garantojë gjithmonë rezultate të konsiderueshme. Kjo vlen për çdo sipërfaqe të brishtë: qoftë uni, imazhi apo deliri mbi njërin ose tjetrin.

– Në të na shfaqen trupa, rite liturgjike e peizazhe të vagullta, ekzistenca herë të magjepsura, herë të mbetura pezull në një fshat të mistershëm diku në Shqipërinë veriore; si rikrijohen të gjitha këto?
Me siguri imazhet janë dokumentime momentesh të veçanta, siç duhet të kenë qenë ritet fetare pas viteve ’90. Në to dallohet devocioni i njerëzve për të qenë pjesë e ngjarjes. E shohim te veshjet, te rigoroziteti me të cilin ekzaltojnë gjestet. Rikrijimi, përveç asaj që thashë më lart, ka të bëjë edhe me seleksionimin dhe dramaturgjinë që ofrojnë si pjesë e një serie fotografike. Secila ka potencialitetin për t’i shkëputur marrëdhëniet konkrete me realitetin që i ka krijuar. Pikërisht tek ky sfazim gjej edhe hapësirën për të provokuar distancën mes tyre dhe publikut, në momentin që marr përsipër t’i ekspozoj.

– Pse rite liturgjike?
Të tilla janë ngjarjet që ato paraqesin. Në pjesën më të madhe perceptohet koha e Rrshajëve, e krezmimeve. Procesionet e Krezhmëve, si ditë pendese e lutjeje që i paraprijnë Pashkëve. Jo pa interes, në këtë rast, më duket reflektimi që bën mbi liturgjinë Giorgio Agamben në “Opus Dei”, duke e parë etimologjinë e saj si “leitourgia” (nga “laos”, popull, dhe “ergon”, vepër), pra në kuptimin e një “vepre publike”.

– Cili është fshati i mistershëm?
Nuk është shumë e qartë. Ajo që di është se ndodhet diku mes Shkodrës dhe Lezhës.

– Pse arkiv i panjohur e pa autorësi?
I panjohur sepse flet për ekzistencën e një komuniteti për të cilin nuk dimë diçka. Pa autorësi, sepse nuk dimë nëse këto fotografi janë frut i vetë komunitetit apo i një autori. Fakt është që imazhet, përtej tendencës së dokumentimit, kanë një finesë inskenimi e kompozimi. Referencat që mund të gjejmë në to kalojnë nga piktura dhe afresku deri në skena kinematografike horrori. E gjitha në një atmosferë mesjetare, pra edhe të errët, për të cilën kultivoj një interes të thellë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.