KULTURË

“NALTËSIMI I ISKANDERIT”/ Kur ish-kryeministri i Britanisë shkruante për Gjergj Kastriotin

17:00 - 18.12.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Libri “Naltësimi i Iskanderit” shkruar prej ish-kryeministrit të njohur Britanik Benjamin Disrali dhe sjellë në gjuhën shqipe nga Mal Berisha u promovua dje në Tiranë, mes studiuesish, diplomatësh dhe dashamirës. Mendohet se Disraeli mund të jetë njohur me emrin e Skënderbeut dhe veprën e tij kur ishte i ri dhe bënte një tur në Mesdhe në vitin 1830. Duhet të ketë qenë ky tur që la kujtime të pashlyera në tërë jetën e tij të mëvonshme, pasi ai nga Korfuzi ai udhëtoi në Artë dhe në Janinë e prej aty i shkroi letra familjes dhe të atit, të cilat janë studiuar dhe botuar me vëmendje të posaçme nga dr. Robert Elsie.




Libri është përkthyer nga gjuha angleze dhe shoqërohet me një analizë kritike, historike dhe letrare nga studiuesi dhe ish- diplomati, Mal Berisha. Për këtë botim, ai mori çmimin e përkthyesit më të mirë në Panairin e 20-të librit në Prishtinë këtë vit. Novela, ka trille letrare e mbështetur mbi fakte dhe figura historike që ka si personazh kryesor Heroin tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Benjamin Disraeli cilësohet shkrimtar dhe politikan i rrallë, dy herë Kryeministër i Britanisë së Madhe. Përveç karrierës së tij politike renditet midis njerëzve më të shquar për faktin se nga një njeri i elitës intelektuale u bë një drejtues i jashtëzakonshëm shteti. Midis afro 20 veprave tjera letrare, “Naltësimi i Iskanderit” e vendos atë në radhën e shkrimtarëve më të shquar të periudhës së romantizmit viktorian në botën e letrave angleze.

LIBRI
Për të folur mbi librin ishte një panel i zgjedhur, i përbërë nga Dr. Dorian Koçi, Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, Profesor Bardhyl Musai-Botues, Mal Berisha-Përkthyes i veprës “Naltësimi i Iskanderit” studiues, ish-ambasador.

Të pranishmit shprehën vlerësimet, mbresat dhe përshtypjet e tyre mbi librin “The Rise of Iskander” botuar në vitin 1833 nga Benjamin Disraeli, i cili përveç karrierës së tij në politikë renditet ndër njerëzit e shquar, edhe për faktin se nga një njeri i elitës intelektuale u kthye në drejtues shteti. Novela “Naltësimi i Iskanderit” është shkruar në një kontekst historik kur shqiptarët po fillonin zgjimin e tyre kombëtar dhe figura e Iskanderit ishte pishtari ndriçues në udhën e nisur.

Më herët, Mal Berisha ka thënë se vlerësimi për veprën “Naltësimi i Iskanderit” nuk do të ishte i plotë pa njohjen e autorit të saj, pasi këtu qëndron edhe rëndësia me e madhe e saj. Benjamin Disraeli, Earli i Beaconsfield-it, (1804 -1881) ka qenë shkrimtar i njohur anglez, autor i më shumë librave dhe shumë traktateve e letrave politike, si dhe një politikan konservator britanik. Ai ka qenë dy herë Kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe (shkurt – dhjetor 1868 dhe 1874-1880), i vetmi pasardhës i një familje hebraike, ndonëse i konvertuar në të krishterë, i ngjitur deri në atë post të lartë, në tërë historinë e atij vendi.
“Novela “Naltësimi i Iskanderit” është pikësëpari një vepër letrare. Natyra e saj është thellësisht romantike dhe nuk kishte sesi të ishte ndryshe pasi në kohën e botimit, Europa ishte në kulmin e lulëzimit të romantizmit si rrymë letrare si edhe në muzikë, pikturë dhe në jetën intelektuale, ndjenjat e njeriut, imagjinatën dhe mjeshtërinë artistike të autorëve”,- shprehej Berisha. Sipas tij, një tjetër arsye që ka ndikuar tek Disraeli që të shkruajë këtë vepër ishte fakti që në kulturën viktoriane, helenizmi ose klasicizmi grek ka të bëjë me mitizimin e një fenomeni apo të një figure historike, apo edhe vetë shndërrimin e tyre nga plani i të vërtetës historike në një plan të përjetësisë universale mitologjike. “Ky është pra naltësimi, naltësimi nga realiteti, nga historia deri në mit. Naltësimi që vjen nga helenizimi viktorian i kulturës angleze prej nga del edhe Heroi ynë Kombëtar, Skënderbeu, i kthyer në një personazh, të cilin autori, e quan Iskander”, vërente Berisha.

“I shtrenjti im baba! I shkrova Ralfit nga Malta ndërsa juve nga Korfuzi…Të përmenda në letër se kishte një mundësi që t’i bëja vizitë Vezirit të Madh në vend-ndodhjen e tij në Janinë, kryeqyteti i Shqipërisë… Mëngjesin tjetër bëmë një vizitë tek guvernatori Kalo Bej, i cili njëherë e një kohë kishte qenë më i pasuri i vendit ndërsa tani njëri prej fisnikëve më të fuqishëm shqiptar… Kostumet shqiptare, janë pambarimisht të larmishme në kombinacionet e tyre” i shkruante Disraeli të atit.

Në fjalën e tij dje, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr.Dorian Koçi, u shpreh se: “Autori përshkruan takimin e Skënderbeut me Huniadin dhe marrëveshjen që ata bënë për të mbrojtur krishtërimin; marrja e fermanit nga mëkëmbësi i sulltanit dhe përdorimi si dokument para guvernatorit turk të Krujës për lëshimin e qytetit pa luftë etj. Të gjitha këto elemente e bëjnë novelën e Benjamin Disraelit shumë aktuale për lexuesin shqiptar, duke menduar se vepra është shkruar në vitin 1833 dhe shkrimtari e dinte aq mirë historinë e lavdishme të Skënderbeut”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.