BOTA

SHBA, shtyhet dënimi për ish-gjeneralin Flynn

21:58 - 18.12.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në SHBA, gjykata e shtyu dhënien e dënimit për ish këshilltarin e sigurimit kombëtar Michael Flynn, i cili pranoi fajësinë se kishte gënjyer Byronë Federale të Hetimeve për kontaktet e tij me Rusinë.




Gjyqtari Emmet Sullivan tha se do të priste për informacione shtesë nga të dyja palët deri në muajin mars para se të shpallte dënimin. Zoti Flynn doli nga gjykata nën britmat e protetsuesve.

Prokurori i posaçëm Robert Mueller ka thënë se dënimi për zotin Flynn nuk duhet të përfshijë burgimin, duke marrë parasysh bashkëpunimin e personit në fjalë me prokurorët.

Por gjyqtari Sullivan tha se nuk mund të garantojë nëse do t’ia kursejë burgun ish gjeneralit.

Vendimi i së martës nënkupton se dënimi do të shpallet më vonë, kur Flynn të jetë në gjendje të bindë më mirë gjyqtarin se bashkëpunimi i tij ka ndihmuar hetimet e institucionet e zbatimit të ligjit.

Presidenti Donald Trump shkroi në Twitter: “I uroj fat në gjykatë Gjeneralit Flynn. Do të ishte interesante të shohim se çfarë ka për të thënë, megjithë presionin e jashtëzakonshëm që po i bëhet lidhur me Bashkëpunimin me Rusinë në fushatën tonë të shkëlqyer dhe natyrisht mjaft të suksesshme politike. Nuk ka patur Bashkëpunim të Fshehtë”.

Zoti Mueller po heton rreth ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane dhe një marrëveshjeje të mundshme të fshehtë midis Rusisë dhe fushatës së Presidentit Donald Trump.

Flynn, ish gjeneral dhe ish kreu i Agjencisë së Zbulimit për Mbrojtjen ka qenë këshilltar i sigurisë kombëtare të presidentit Trump. Por ai dha dorëheqjen pas një muaji kur u mësua se kishte gënjyer zyrtarët e administratës për bisedimet e tij me ambasadorin e atëhershëm rus në Uashington, Sergej Kislyak, gjatë periudhës midis ditës së zgjedhjeve dhe inaugurimit të presidentit Trump.

Flynn kishte tërhequr vemendjen e hetuesve para se ai të gënjente FBI-në në janar 2017. Në vitin 2016, kur ishte këshilltar i fushatës së zotit Trump, ai loboi për një kompani holandeze të lidhur me qeverinë turke, pa u regjistruar si agjent i huaj.

Disa nga akuzat ndaj ish-gjeneralit lidhen me punën e tij për të avancuar interesat e Turqisë në SHBA gjatë fushatës presidenciale amerikane të vitit 2016.

Në seancën e së martës, gjyqtari Sullivan tregoi me gisht një flamur amerikan prapa tij dhe tha: “Kjo (që keni bërë) duket se minon gjithçka që përfaqëson ai flamur. Ka mundësi që ju të keni shitur vendin tuaj”.

Michael Flynn filloi bashkëpunimin me prokurorin e posaçëm Mueller pasi u deklarua fajtor se kishte gënjyer agjentët federalë për bisedat e tij me ambasadorin rus Kislyak. Ai u bë i pari ndër pesë ish-bashkëpunëtorët e zotit Trump që kanë pranuar fajësinë në hetimin e zyrës së prokurorit Mueller. /VOA/


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.