Show-Bizz

Jemi ngado! Viti 2018, shqiptarët ‘pushtojnë’ botën!

12:29 - 19.12.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pamela Aliaj – Për pak ditë përmbyllet edhe ky vit e nëse kthejmë për një çast kokën pas e shohim gjithë ndodhitë e këtij viti, mund të themi me plot gojë se ky vit ka qenë mjaftueshëm i mbarë për shqiptarët. Kur flasim për suksesin e artistëve shqiptarë nëpër botë, mund të themi se 2018-ta është një ndër vitet që na ka bërë më shumë krenarë se kurdoherë. Emra të njohur si Rita Ora, Dua Lipa, Bebe Rexha, Albert Stanaj apo Era Istrefi, kanë spikatur këtë vit nëpër botë me zërat e tyre të veçantë dhe origjinën që identifikohet me një fjalë “shqiptar”. Por duket se kësaj liste po i shtohen të tjerë artistë që po ngjitin shkallët e suksesit jashtë kufijve tanë. Këtë e themi duke u bazuar në disa nga lajmet e ndryshme të nxjerra nëpër botë ku kanë qenë vetë shqiptarët që kanë kryesuar me talentin e tyre në fusha të ndryshme. Sado të mundohemi, jemi të sigurtë se nuk do mund t’i nxjerrim të gjithë që janë shpërndarë nëpër cepat me orare të ndryshme të lindjes apo perëndimit të diellit. Ndërkaq në këto muajt e fundit mund të përmendim disa prej tyre të cilët e kanë ngritur më lart emrin shqiptar nëpër mediat e huaja.




Klepto:
Ndër to përmendim reperin shqiptar, i cili jeton në Amerikë e është pjesë e TBA-së së Unnikatilit Klepto. Ai do të jetë figurant në klipin e ri të një emri shumë të famshëm. Bëhet fjalë për klipin e ri të reperes së njohur amerikane Cardi B, latinia më e famshme që po bën zhurmë në gjithë botën me këngët e saj. Është Klepto ai që i ka publikuar në profilin e tij në ‘Instagram’ disa fotografi nga seti i xhirimeve me reperen, ndërsa ai ka një rol shumë interesant me një armë në dorë. Se për çfarë bëhet fjalë saktësisht e shohim sapo të publikohet klipi i saj!

Leo Krkuti:
Një tjetër talent shqiptaro-amerikan është Leo Krkuti. Një djalë 22-vjeçar i lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka spikatur për talentin e tij në muzikën Pop si dhe tekst-shkrues. Në vitet e fundit ai ka bashkëpunuar me studiot muzikore më në zë të Nju-Jorkut dhe ka arritur të jetë në Billboard-et e magjishme të Times Square-it. I rritur me kulturën, historinë dhe vlerat shqiptare në familje ku flitet shqip ai këtë verë vendosi t’ia dedikojë Shqipërisë këngën më të re “What i like”. Leo ka publikuar një album, dy debutime, disa single-a, muzika, e të cilave është pëlqyer jashtëzakonisht shumë duke kaluar mbi 100,000 pëlqime në platformat e mëdha si I-tunes dhe Spotify.

Arben Bajraktaraj:
Arben Bajraktaraj është një aktor i përmasave ndërkombëtare që ka realizuar disa role mjaft të rëndësishme. Shqiptari me origjinë nga Kosova është i njohur për rolin e tij në filmin amerikan “Taken”, krahas aktorit të shquar Liam Neeson. Një tjetër rol që ka vulosur karrierën e tij është ai në filmin “Harry Potter”. I frymëzuar nga heronjtë e romaneve gjatë kohës që shkonte me bagëti në bjeshkët e bukura të Isniqit, ai u lidh shumë edhe me letërsinë dhe më vonë do të zbulonte pasionin për kinematografinë. Vite më vonë ai do të shkonte drejt ëndrrës për magjinë e tetarit dhe filmit. Fillimisht drejt Sllovenisë në vitet e luftës dhe më pas në Francë, në vendin ku filloi karrierën e tij dhe ku jeton edhe sot. Arben Bajraktaraj, i cili ka patur fatin të luajë me aktorë dhe regjisorë të rëndësishëm të kinematografisë botërore ishte i ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan për të folur për rrugëtimin e tij. “Nuk e kisha menduar që do të gjenit gjithë këto materiale, por kjo është në fakt jeta e aktorit, nga një cep në tjetrin dhe nga një jetë në tjetrën. Kjo është bukuria e mjeshtërisë tonë, por edhe fatkeqësia jonë, sepse përfundimisht ngelim me copëza jete. E kemi shumë të vështirë të kemi një jetë në dendësi. Kjo është bukuria dhe mallkimi ynë. Por është kënaqësi të kalosh në të gjithë këto përvoja. Ajo që është shumë interesante për ne është pjesa para xhirimeve dhe gjatë xhirimeve, pjesa tjetër nuk na përket më ne. Në filmin “Taken” unë kam qenë në rolin e Markos nga Tropoja. Kur kam bërë audicionet për këtë film, kur lexova skenarin e kam hedhur. Më ka bezdisur. Por e rimora dhe mendova, ata do ta bëjnë filmin, me ose pa mua. Mua më ka ndodhur t’iu them jo disa filmave për arsye etike, por për këtë film pranova sepse doja t’i jepja një ndjesi tjetër. Personazhi është negativ, por për imazhin nuk e di. Por si aktor unë do ta mbroj personazhin tim, sepse ka një qenie. Ndërsa në tek “Harry Potter”, kam luajtur në dy seri. Ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme. Pas serisë së parë regjisori më tha se donte të punonte sërish me mua. Aty ishte ajka e aktorëve dhe kam mësuar shumë nga të gjithë”,-tha Arben Bajraktaraj. Projekti i tij më i fundit që e ka sjellë atë në Shqipëri është edhe filmi “Streha mes reve”, film në të cilin ai është protagonist.

Ava Max:
Shqiptarja Ava Max është këngëtarja e radhës që po merr vëmendjen e botës. Nëse nuk e keni dëgjuar akoma këngën ‘Sweet but Psycho’, atëherë duhet t’i kushtoni vëmendje, pasi bota është duke e bërë këtë. Kënga është e shkruar dhe këndohet nga artistja Ava Max, emri i vërtetë i të cilës është Amanda Koçi. Amanda është një 24-vjeçare e lindur në Wisconsin të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga prindërit emigrantë shqiptarë. Ava ka lansuar këngën debutuese ‘My way’ në prill të këtij viti, pasi ka nënshkruar me shtëpinë e madhe muzikore, Atlantic Records. Më pas ajo ka sjellë një këngë me reperin shqiptar në Amerikë, Gashin në maj të 2018. Por, hiti më i madh është padyshim ‘Sweet but Psycho’, kënga e tretë e artistes, me të cilën ka arritur madje të thyejë kufijtë. ‘Sweet but Psycho’ është ndër këngët më të dëgjuara në Britani, duke arritur që për dy javë rresht të jetë kënga e dytë më e dëgjuar e më e shitur, ndërsa pretendon t’ia marrë vendin Ariana Grandes, duke e marrë vendin e parë pikërisht për klasifikimet e Krishtlindjeve. Përveç kësaj, po flitet se Ava do të sjellë shumë shpejt një këngë me artisten tjetër shqiptare me famë ndërkombëtare, Rita Orën.

Marko Caka:
Aktori shqiptar, Marko Caka, është bërë shumë i njohur kohët e fundit me pjesëmarrjen e tij në shumë filma të njohur hollivudian. Ai ka qenë pjesë e projekteve të mëdha të prodhimit të Hollivudit, duke luajtur pranë yjeve të njohur si: Tom Hanks “Bridge of Spies “(2015), Jim Belushi “Shoë Me a Hero” (2015) , Ben Affleck “Batman vs Superman”(2016), Megan Fox “Turtles Teenage Mutant Ninja” (2016). Caka ka marrë pjesë, gjithashtu, dhe tek “Fast end Furious “(2017) duke portretizuar policin operativ gjatë trazirave të burgjeve duke luajtur së bashku me Dwayne Johnson dhe Jason Statham. Së fundmi aktori me origjinë nga Shkodra ka pranuar që do të jetë sërish pjesë e një prodhimi të njohur kinematografik. Në një prononcim për “Telegraf,com”, Caka ka treguar se është përzgjedhur të jetë pjesë e kastës së aktorëve të filmit, “Bad boys in life”, ku rolin kryesor e ka aktori i njohur Will Smith. “Ishte ëndërr për mua të luaj pranë Will Smith, të cilit ja kam shprehur në takimin tim të parë dy vjet më parë, dhe që e ka pritur shumë mirë, aq më tepër kur mësoi se jam shqiptar”- ka treguar Marko. Episodi i tretë i këtij filmi ka një pritshmëri të madhe pasi bashkon edhe një herë pas 23 vjetësh dy protagonistet kryesore Smith dhe Martin Laërence. Sipas “Sony Pictures”, në këtë film kanë shprehur dëshirën t’i bashkohen kastit edhe yje të tjerë, por emrat e tyre akoma nuk janë bërë publike nga ana e produksionit. Premiera e filmit pritet të shfaqet në ekranet e mëdha të kinemave botërore në fillim të vitit 2020.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.