AKTUALITET

Zbardhet projektvendimi, fituesit që do të marrin shtëpi me kredi të butë

13:53 - 19.12.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Në datën 21 dhjetor të këtij viti, do të mbahet mbledhja e radhës së Këshillit Bashkiak të Tiranës ku pritet miratimi i listës fituese të 500 familjeve që do të përfitojnë shtëpi me kredi të butë. ‘Gazeta Shqiptare’ zbardh sot projektvendimin për miratimin e familjeve që përfitojnë nga programi social “Subvencionimi i interesave të kredisë”, për vitin 2018. Pas shqyrtimit të dokumentacionit, rezulton se nga 1082 aplikime, plot 1005 të tilla janë të rregullta dhe plotësojnë kriteret për përfitimin e kredisë së butë për shtëpi. “77 aplikime janë skualifikuar, nga të cilat 59 kanë rezultuar të parregullta dhe/ose me mangësi në dokumentacion, 6 aplikime për shkak se të ardhurat familjare rezultojnë mbi limitin e përcaktuar në udhëzuesin operacional, dhe 12 aplikime kanë rezultuar nën limitin e përcaktuar në udhëzuesin operacional”,-theksohet në projektvendim.




Fituesit dhe lista e pritjes
‘Gazeta Shqiptare’ zbardh sot tabelën me fituesit ( bazuar në strukturat korresponduese të shtëpive); të skualifikuarit dhe ata që kanë kaluar në listën e pritjes. Përkatësisht 36 persona kanë fituar garsonierë; 337 kanë fituar shtëpi 1+1 me kredi të butë; 81 të tjerë do të marrin shtëpi 2+1 dhe vetëm dy familje do të paguajnë një shtëpi 3+1 me kredi të butë. Familjet përfituese do të kenë një afat prej 4 muajsh, i cili fillon nga momenti i njoftimit që do të kryejë Bashkia Tiranë, që të paraqiten pranë bankës për lidhjen e kontratës. Në rast se familjet përfituese nuk respektojnë këtë afat, atëherë kjo përbën shkak që banka të vijojë me familjet e vendosura në listën e pritjes, e cila do t’i vendoset në dispozicion nga struktura përkatëse e Bashkisë Tiranë. “Komisioni vendosi se pjesa prej 549 familjeve të vendosen në listën e pritjes, e cila do të jetë e zbatueshme për rastet kur familjet e shpallura fituese nuk paraqiten, heqin dorë, nuk pranojnë dhe/ose refuzojnë që të lidhin kontratën përkatëse me institucionin financiar bankar të përzgjedhur nga Bashkia Tiranë”-thuhet në relacion. Programi social i strehimit për “Subvencionimin e interesave të kredisë” synon të mbështesë në blerjen e shtëpive të para, me qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës, nëpërmjet kredive hipotekore me kushte lehtësuese, e cila jepet për strehim dhe kur një pjesë e interesave të kredisë subvencionohet nga Bashkia Tiranë. Ky program shërben për strehimin e familjeve dhe individëve që nuk janë në gjendje ekonomike e sociale të përballojnë ofertën e tregut të lirë të banesave ose atë të kredive hipotekore.

Shqyrtimi dhe skualifikimet
Në total, në fazën e parë, pranë Njësive Administrative kanë plotësuar Formularët e Strehimit 2514 aplikues. Në përfundim të seleksionimit dhe regjistrimit të formularëve të vlefshëm, Drejtoria e Strehimit Social ka shpallur fitues të fazës së parë, 2256 aplikues, si dhe ka skualifikuar 258 aplikime. Pas njoftimit të aplikantëve fitues, si dhe pas përfundimit të shqyrtimit të ankimimeve, është vijuar me zbatimin e fazës së dytë të këtij programi, i cili ka filluar me shpalljen e njoftimit publik drejtuar familjeve/aplikantëve përfitues të fazës së parë, për dorëzimin e dokumentacionit të përcaktuar në udhëzuesin operacional. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve Sociale, me anë të shkresës me nr. 27385 prot., datë 13.07.2018, ka njoftuar aplikantët në lidhje me dorëzimin e dokumentacionit të kërkuar dhe afatin e depozitimit të tyre pranë Bashkisë Tiranë.

“Në përfundim të afateve përkatëse, struktura përgjegjëse e Bashkisë Tiranë (Drejtoria e Strehimit Social) ka administruar dhe shqyrtuar në total një numër prej 1877 aplikime, nga të cilët ka skualifikuar për mungesë dhe/ose problematikë dokumentacioni 795 aplikime, 3 aplikime të depozituara nëpërmjet postës së thjeshtë, të cilat janë depozituar përtej afatit të përcaktuar për depozitimin e aplikimeve, si dhe 14 aplikime janë përcjellë nga Këshilli Bashkiak, të cilat nuk janë shqyrtuar nga Drejtoria e Strehimit”,-thuhet në relacionin e Këshillit Bashkiak. Ky i fundit i ka paraqitur për kompetencë Drejtorisë së Strehimit Social, gjithsej 14 aplikime, të cilët nuk janë marrë për shqyrtim për vendimmarrje paraprake.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.