KULTURË

MBYLLJA E ‘ONUFRIT’/ Eleni Laperi: E vendosi ministria, në 2019 do ketë ekspozitë tjetër

16:35 - 27.12.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Mbyllja e konkursit “Onufri” që mbahej prej 20 vitesh në Galerinë Kombëtare të Arteve u njoftua zyrtarisht vetëm drekën e 24 dhjetorit, kohë kur ekspozita duhej të ishte në një nga sallat e G.K.A. Prej një muaji, debati për të në rrethet artistike kishte nisur, por kishte rënë në veshin e shurdhër të Ministrisë së Kulturës dhe Galerisë Kombëtare të Arteve. Ndërsa artistët kundërshtonin mbylljen e tij, institucionet zyrtare heshtnin. Njoftimi i shpërndarë mediave më 24 dhjetor, shprehej se vendimi ishte marrë në mesin e nëntorit nga mbledhja e bordit të GKA. Megjithëkëtë, rregullorja e “Onufrit”, që ende gjendet në faqen zyrtare të Galerisë, parashikon që për konkursin, puna nis në prill, kur hapet thirrja për kurator i cili pasi zgjidhet përcakton konceptin e tij, temën dhe nis përzgjedhjen e artistëve. Paçka se njoftimi shkruan se vendimi u mor nga bordi në nëntor, de facto, “Onufri” është mbyllur që në prill – dhe nëse në këtë vendim është i përfshirë bordi, është e paqartë.




Eleni Laperi, studiuese e artit pamor, ish-punonjëse e GKA-së dhe kryetare e Bordit aktual, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” tregon se si lindi “Onufri”, çfarë synohej me të, dhe çfarë nuk e arrit dot, si ishte Galeria në atë kohë, pse “është zhbërë” tani, kush e mori vendimin për mbylljen e ekspozitës – konkurs ndërkombëtar, si e sheh ajo drejtorin Erzen Shkololli dhe çfarë do të ndodhë në vitin 2019.
“Me ndërrimin e drejtorëve, revista nuk u botua më, ‘Marubi’ dhe Bienalja nuk u organizuan më, dyqani dhe bar-kafeja u mbyllën, programi i edukimit u kthye më shumë në kurs vizatimi për fëmijë. Në përgjithësi drejtorët e G.K.A. kanë qenë zgjedhur vetëm se militonin në partinë, që merrte pushtetin”, thotë Eleni Laperi, që prej kohësh ka një blog të sajin ku publikon studime a komente mbi çështje të artit pamor.
Më poshtë, intervista e saj.

-“Onufri” u mbyll. A është e përkohshme kjo mbyllje?
Mbyllja përfundimisht e konkursit ‘Onufri’ u vendos nga Ministria e Kulturës, e cila kërkoi edhe mendimin e Galerisë Kombëtare të Arteve, si institucioni i ngarkuar për ta zhvilluar këtë aktivitet.
-Znj.Laperi, si një prej atyre njerëzve që e kanë ndjekur G.K.A-në nga afër e larg prej vitesh, çfarë ishte ‘Onufri’ për ju dhe për skenën e artit?
Unë kam punuar disa vite në sektorin e studimit të Galerisë Kombëtare të Arteve. Ishin vite kur të gjithë punonin duke imituar idhuj, që i kishin adhuruar fshehurazi për një kohë të gjatë; kur të gjithë nisën të ekspozonin çdo gjë pa kurrfarë përzgjedhjeje, duke shprehur çlirimin nga kontrolli i ashpër i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe komiteteve të partisë. Ishte koha kur nisën të krijohen shoqatat e pavarura të artistëve, koha kur nëse nuk e pranoje dikë në shoqatën e krijuar prej teje, dëgjoje komente nga më denigrueset. Ishte koha kur të gjithë krahasonin krijimtarinë me vetveten, duke mos e kuptuar se kishte ardhur koha kur krahasimi do bëhej me krijimtarinë botërore. Ishte koha kur vetëm lavdëronim njeri-tjetrin, pasi kritika shihej si mbeturinë e së kaluarës, e kohës kur të kritikonin vetëm nëse devijoje nga direktivat e partisë.

Në vitin 1997 u vendos të organizohej konkursi kombëtar ‘Onufri’, i cili mendoj se u pa më shumë si një ekspozitë, që duhej të zëvendësonte vendin e lënë bosh nga ekspozita e madhe, që diktatura organizonte çdo nëntor, për të pasqyruar nëpërmjet artit sukseset në ekonomi e politikë. Ishte, pra, e konceptuar pak a shumë si ekspozitat e mëparshme, përveç emrit – emri i një ikonografi mesjetar i cili nuk kishte të bënte aspak me llojin e artit që ajo do prezantonte. Por edhe emri shprehte çlirimin nga tabuja e dikurshme e vlerësimit të artit kishtar. Më pas konkursi ‘Onufri’ u kthye në ekspozitë ndërkombëtare.

-Deklarata e GKA-së thotë se disa edicione të “Onufrit” nuk kanë pasur nivelin e duhur të organizimit për t’i prezantuar denjësisht artistët. Më konkretisht, për se flitet?

Ky mendim ka qenë edhe i disa artistëve apo personazheve të artit pamor shqiptar në vite. Një tjetër fakt është se asnjëherë nuk u respektua statusi i konkursit ‘Onufri’ për të prezantuar arritjet e një viti në artin tonë pamor. Konkursi herë u organizua si ekspozitë lokale, herë si ekspozitë ndërkombëtare, herë si aktivitet miks, sipas dëshirës së drejtorëve të G.K.A. Edhe pse vijoi të organizohet për dy dhjetëvjeçarë, konkursi ‘Onufri’ nuk arriti të tërheqë vëmendjen e skenës artistike botërore, nuk arriti të promovojë në botë artistë shqiptarë, nuk i justifikoi fondet dhe rolin e tij si një aktivitet i integrimit dhe promovimit të artit pamor shqiptar në skenën botërore.

– Bashkëveprimi midis artistëve shqiptarë dhe të huaj në kuadër të këtyre edicioneve ka qenë pothuajse fiktiv, pasi shumë nga artistët e huaj pjesëmarrës të “Onufrit” nuk kanë ardhur. Sa e rëndësishme është kjo për të mbajtur në këmbë Onufrin”?
Nuk ka qenë gjithnjë ashtu. Artistë të huaj kanë ardhur madje ndonjëherë të gjithë. A ka pasur bashkëveprim me artistët shqiptarë? Nuk mbaj mend të ketë pasur bashkëbisedime të organizuara në kuadrin e ‘Onufrit’, po mendoj se askush nuk i ka ndaluar artistët shqiptarë të bashkëbisedojnë me artistët e huaj. Veç ne kemi ende një problem, që ndoshta lidhet me tiparin të cilin e mburrim shumë, me krenarinë: e kemi të vështirë të ulemi të dëgjojmë tjetrin të na flasë për krijimtarinë e tij. Edhe kur galeria ka organizuar biseda me autorët, ka pasur nga ata që kanë ardhur më shumë për të zbrazur ndonjë pakënaqësi se sa të dëgjojnë, të pyesin e të mësojnë diçka nga autori.

– Artistët shqiptarë kalonin fazën e përzgjedhjes të huaj ftoheshin nga kuratori. A ka ndodhur shpesh kjo znj.Laperi?
Ka pasur raste kur kuratorët ishin të detyruar t’i ftonin artistët e huaj. Nuk mund të pretendoje që Marina Abramoviç, etj. të vinin të konkurronin me artistë, që ende ishin të panjohur për skenën botërore. Një prej arsyeve që çoi në kthimin e konkursit “Onufri” në ekspozitë ndërkombëtare ishte sjellja në Shqipëri e tendencave më të mira bashkëkohore ndërkombëtare, krijimi i kontakteve me kuratorë e institucionet e huaja të artit pamor, që do ndihmonin integrimin e artit shqiptar në artin botëror.

-Kur thuhet se GKA ka nevojë për një formatim dhe një qasje të re pune, çfarë nënkuptohet?
Nënkuptohet vijimi i punës nisur vite më parë. Unë jam larguar nga G.K.A. në mesin e vitit 2000. Në atë kohë galeria organizonte tri aktivitete ndërkombëtare, që ndihmonin njeri-tjetrin: konkursin ‘Onufri’, Bienalen e Tiranës dhe konkursin ‘Marubi’. Galeria botonte një revistë, revistën ‘PamorArt’; zhvillonte një program edukimi nëpërmjet artit, aq i domosdoshëm për edukimin demokratik të shqiptarëve, sidomos të brezit të ri. U ngrit një bibliotekë dhe u sigurua një koleksion me vepra të artistëve bashkëkohorë, falë Jan Dibets, një personalitet i arteve pamore botërore; veprat e koleksionit nisën t’i prezantohen publikut si në gjithë muzetë evropianë në bazë të një koncepti kuratorial, duke i dhënë mundësi galerisë të ekspozonte një pjesë të madhe të koleksionit të saj; u hap një dyqan suveniresh dhe një bar-kafe si në gjithë galeritë e muzetë e botës. Stafi që shërbente në recepsion dhe në salla ishte i trajnuar të mirëpriste vizitorët shqiptarë dhe të huaj. Madje kishte edhe një rrap qindravjeçar, që zbukuronte oborrin e galerisë, si një simbol i Tiranës së vjetër. Pra ishte një galeri kombëtare në udhën e shndërrimit në një institucion evropian.

Me ndërrimin e drejtorëve, revista nuk u botua më, ‘Marubi’ dhe Bienalja nuk u organizuan më, dyqani dhe bar-kafeja u mbyllën, programi i edukimit u kthye më shumë në kurs vizatimi për fëmijë. Në përgjithësi drejtorët e G.K.A. kanë qenë zgjedhur vetëm se militonin në partinë, që merrte pushtetin. Ata ose nuk kishin ide dhe fantazi të drejtonin një institucion të tillë, ose nuk kishin lidhjet e duhura me personazhe dhe institucione ndërkombëtarë të artit që të vijonin punën e nisur, ose nuk donin të punonin dhe punonin për vete. Drejtorë të galerisë kanë lejuar të piqen qofte pas ikonostasit në katin e dytë, mbanin në zyrë thes me arra, pula e gjela, që i thernin në oborrin e pasëm të galerisë, botonin katalogë ku promovonin bashkë me punët e koleksionit të galerisë edhe koleksionin e tyre personal dhe drejtorit pasardhës i linin zyrën vetëm me katër muret. Kur punon në galeri arti, mëson se sa ndryshe është të shohësh galerinë me sytë e vizitorit dhe sa ndryshe është pasi të njohësh mënyrën si funksionon ajo, sepse mëson se interesat e artistëve janë të ndryshme nga interesat e administratorëve të institucionit. Ndërsa të parët janë të interesuar të ekspozojnë kur duan dhe si duan, apo që galeria të blejë sa më shtrenjtë punët e tyre, administratorët janë të interesuar të përzgjedhin ekspozitat dhe të shpenzojnë sa më pak për pasurimin e fondit- gjë që është praktikë ndërkombëtare. Ndoshta artistët shqiptarë duhej të ishin të parët të interesuar që G.K.A. të jetë një institucion elitar, me kritere të rrepta përzgjedhjeje, ku të ekspozohen arritjet më të mira, ku artisti ta ketë për nder të pranohet të ekspozojë, ku t’i ofrohen mundësi të njihet në skenën botërore të artit.

Një mundësi për një qasje të re pune mendoj se do ta sjellë drejtori i tanishëm i GKA, Erzen Shkololli. Për herë të parë në këta 28 vjet galeria drejtohet nga një profesionist me eksperiencë në drejtimin e një institucioni si G.K.A., pasi ka drejtuar për disa vjet Galerinë Kombëtare të Kosovës. Shkololli ka një përgatitje të mirë në fushën e arteve pamore, ka eksperiencë ndërkombëtare si kurator dhe synon ta vërë këtë eksperiencë në shërbim të barazimit të aktivitetit të G.K.A. me aktivitetet e institucioneve më të mira të artit pamor jashtë vendit.

-Ka pasur shumë reagime pas këtij vendimi, qoftë edhe frikë se një konkurs/ekspozitë ndërkombëtare u mbyll. Çfarë na bën të mendojmë se ‘Onufri’ nuk do ketë fatin e çmimit për fotografinë që jepte dikur GKA?
Në vend të konkursit ‘Onufri’ G.K.A. do të organizojë në vitin 2019 një ekspozitë ndërkombëtare, e cila do të jetë e përvitshme. Ndryshe nga ‘Onufri’, nuk do të jetë konkurs dhe kuratori/kuratorët, shqiptarë apo të huaj, do të përzgjidhen nga hulumtimet e vetë galerisë, punë e cila ka filluar. Do jenë ata që do të zgjedhin artistët pjesëmarrës në ekspozitë, duke bërë të mundur edhe njohjen e mirë të arritjeve të artistëve shqiptarë në një proces ballafaqimi me prirjet bashkëkohore ndërkombëtare. Shpesh harrojmë se pluralizmi nuk është vetëm politik, pluralizmi është edhe kulturor. Pranuam me kënaqësi t’i drejtohemi të tjerëve me titujt: shkëlqesi, zonjë, zotni, po nuk po pranojmë ende se Galeria Kombëtare e Arteve është e duhet respektuar si ‘Zonja e parë’ e galerive shqiptare. Nuk mund të vijojmë të pretendojmë se të gjithë mund të ekspozojnë atje si dikur. Ndonëse me ritëm të ngadaltë, ky mentalitet po ndryshon. Po krijohen grupime, të cilët përfaqësojnë shijet e ndryshme të publikut, interesat, nivelin dhe prirje të përbashkëta të krijuesve, si: grupimi Nëntori, grupi i peizazhistëve, grupi i akuarelistëve, grupimi i Pranverës, etj. Janë krijuar institucione si galeria e Universitetit të Arteve, galeria ‘Zeta’, ‘Zenit’, ‘Bazament’, ‘Kalo’, etj., apo qendra si Tirana ‘ArtLab’, ‘Harabel’, ‘Tulla’. Secili ka të drejtë të përzgjedhë artistë që i përshtaten grupit dhe të refuzojë ata që nuk i përshtaten. A janë të gjitha të një niveli të mirë, profesional? Edhe në Nju Jork ka mbi 6000 galeri, po kuratorët e Muzeut të Artit Modern të sugjerojnë të vizitosh vetëm një numër të vogël prej tyre. Aktivitetet ndërkombëtare duhet të jenë synim edhe i nismave private. Shembujt nuk mungojnë: është ‘Art House’ në Shkodër, nismë e Adrian Pacit, ku vijnë artistë e teoricienë të artit shqiptar e të huaj dhe po e kthejnë qytetin në një destinacion kulturor; janë gjithashtu F.A.B., Andi Tepelena, Driant Zeneli, Adela Demetja, Helidon Haliti, Rubin Beqo, Genti Korini, etj. në Tiranë, që organizojnë aktivitete me prurje vendase e të huaja. A është e vështirë? Është shumë e vështirë. Po askund, askush nuk të jep gjë po nuk u lodhe, po nuk u përpoqe, po nuk dite e po nuk pate prirjen e duhur. Megjithatë, unë mendoj se pluralizmi kulturor te ne duhet mbështetur edhe me ligj, duhen nxitur e financuar nga shteti aktivitete, që i rezistojnë kohës dhe kanë pretendime serioze nga ana e organizatorëve.

– Pse patët bindjen se duhej mbyllur për të pritur rikonceptimin?
Kjo nuk ishte bindja ime, pasi nuk e mora unë këtë vendim.

-Sa mund të zgjasë faza e formatimit?
Ndoshta formatimi duhet të nisë nga një tjetër plan, nga një tjetër këndvështrim: drejtorët e Galerisë Kombëtare të Arteve nuk duhet të jenë zgjedhje politike, pasi GKA nuk është as e të majtëve, as e të djathtëve. Galeria Kombëtare e Arteve është institucion në shërbim të kulturës pamore shqiptare dhe jo të partive politike. Ndërsa drejtorët ndërrohen kur ndërrohen pushtetet, shpesh pa arritur të kuptojnë cila ishte detyra e tyre, ndërkohë që në Francë p.sh. ka drejtues galerish e muzesh që janë në atë post prej më se 20 vitesh. Dua të shtoj edhe diçka. Kur dëgjova për herë të parë se u hap C.O.D. në Kryeministri, mendova se ishte zgjidhje e zgjuar, e cila do shërbente për edukimin nëpërmjet artit të politikanëve tanë; ata do merrnin atje një kulturë, që u mungon, një kulturë që do t’i ndihmonte në mënyrën e të menduarit, të sjelljes dhe të vendimmarrjes. Jo më kot në kolegjet, ku studiojnë politikanë dhe diplomatë të vendeve të përparuara, arti është pjesë e programit.

Fatkeqësisht C.O.D. u kthye në një konkurrent të G.K.A., duke i marrë asaj fonde, publikun, aktivitetet. Mendimi im modest është se Galeria Kombëtare e Arteve meriton më shumë respekt, më shumë vëmendje, më shumë fonde, që të luajë rolin që i takon si institucioni i promovimit dhe zhvillimit të kulturës demokratike dhe artit pamor shqiptar.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Turp Laper, Turp!!!

    Bordi artistik i Galerise Kombetare perbehet nga: Nje Dinosaur, Zoteria Gjithperfshirse (me aspak) kredibilitet, Botoksi delirant, Tapa e Shishes, Askushi, Perfaqsuesi i Kurvaros dhe Perfaqsuesja e Tigrit me epsh.

    Përgjigju ↓