Homo Albanicus

A ka një paralele historike të vitit 2018 me vitin 1921

19:05 - 28.12.18 Ben Andoni
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Viti 1921 ka qenë viti më i çuditshëm për ndryshimet e politikës shqiptare, para Sistemit Socialist. Asokohe, politika shqiptare ishte në hapat e para të institucionalizimit të saj. Shqipëria ishte pothuajse e drobitur dhe si i gjithë kontinenti rënkonte nën peshën e madhe të pasojave të Luftës së Parë Botërore. Ajo që u quajt Lufta e Madhe besohej se do të ishte e fundit për kontinentin. Koha do të provonte të kundërtën. Shqipëria e kthyer në një fushë luftërash të forcave evropiane thjesht ishte soditëse dhe pësonjëse.




Dy vjet pas fundit të kasaphanës, Kongresi i Lushnjës, i organizuar në janar të vitit 1920, me vendimet hodhi bazat për një shtet të vërtetë shqiptar. Deri më atëherë, shqiptarët kishin qenë të hallakatur dhe të ngatërruar e në fund gjithnjë të pësuar. Që të kalonte atë ngërç të madh identiteti, Shqipëria duhej të piqej. Dhe, viti 1921, solli sfidat më të mëdha shqiptare. Borgjezia e vockël shqiptare kërkonte pasjen e një fizionomie t’i përshtatej kërkesave të vendit për industrinë dhe tregtinë. Sidomos kjo e fundit për të cilën shqiptarët, që nuk kishin ende një monedhë dhe asnjë lloj industrie, duhet të punonin. Shqiptarët e parë të shtetit, paçka se nga largësia me të cilën i kundrojmë sot, morën masa simpatike: ndaluan eksportin e drithit, arit, argjendit, kurse një grup specialistësh , që vinin nga administrata e huaja dhe po shërbenin për vendin e tyre përgatitën draftin e Ligjit doganor që një vit më vonë do të përcillte dhe dokumentin për tarifën e parë doganore. Por, kush ishin njerëzit që i kundërshtonin këto masa të teknicienëve të rinj të vendit. Problemi më i madh i teknokratëve mbetën politikanët. Dhe, sikur të mos mjaftonin edhe fqinjët sllavë, që kishin dhe do u mbeste dora e gjatë deri te qeveritë shqiptare të para Luftës, pas Luftës e Demokracisë.

Plot gjashtë qeveri u ndryshuan në atë kohë, por në të gjitha rastet me kryeministra të rinj. Iliaz Vrioni ia la vendin Pandeli Evangjelit, ky u dorëhoq dhe në vend të tij erdhi Qazim Koculi, që pa bërë ende 24 orë “ia dhuroi” karrigen armikut të tij më të madh Hasan Prishtinës. Por, edhe Prishtina nuk do e kishte të gjatë sepse pas pesë ditësh ia lëshoi  qeverinë Idhomeno Kosturit, që njësoj si paraardhësit nuk do gjente dot rehat dhe do e dorëzonte përfundimisht qeverinë te Xhafer Ypi.

Ndryshimet e qeverisë Rama të orëve të fundit të vitit 2018 thjesht kanë treguar se ajo që u besua si make-up ishte një meremetim i pushtetit ekzekutiv, që çuditërisht po nis me këshilltarë dhe zv/ministra për të synuar ndryshimin, pikërisht ata që këshilluan paraardhësit për të bërë ndryshime! Ndërkohë që performanca e qeverisë Rama nuk lë vend shumë për të hamendësuar. Ajo ka dështuar në aspektin social, në atë që lidhet me arsimin, shëndetësinë e kështu me radhë. Protesta e studentëve nxori më pak se të gjitha problemin arsimor, sepse ajo vërejti se e gjithë ajo propagandë shkëlqimi ishte fallco dhe e stisur. Shqiptarët janë të etur për një ndryshim, por kanë mbetur  njësoj të varfër, si atëherë kur për të gjitha tregohej me gishtin e fajtorit, jo pa faj Sali Berisha.

Po pse vallë na u kujtua viti 1921?! Njësoj si atëherë, Qeveria ish-jugosllave ishte në një nga kulmet e saj të politikës antishqiptare. Kurse në këto ditë arriti deri aty sa t’i kërkoj Shqipërisë që të heqë dorë prej njohjes së Kosovës. E më shumë se kaq ndikon për çdo gjë që mundin të bëjnë për ndryshimin Shqipëria dhe Kosova, qysh me faktin që ato të mos lidhen me Interkonjeksionin dhe marrëveshjet bilaterale, paçka se Serbia e sotme aspiron për anëtarësimin në familjen e madhe të BE-së.

Shqipëria është e mbërthyer në një ngërç të madh politik dhe ndryshimet e fundit po përpiqen të rregullojnë minuset e qeverisë Rama, anipse edhe pse me ndryshimet janë të pamundura për t’u mbuluar vështirësitë në ekonomi, korrupsionin galopant dhe politikën e padrejtë ndaj prodhimit vendas dhe jo vetëm. Më shumë akoma, anijes që e drejtojnë socialistët i futet uji ngado dhe madje është duke përmbytur bashkë me të edhe vendin, duke e drejtuar në ujëra aspak të mira.

Vendi ynë po merr masa në dukje që të ç’tensionojë politikën sociale, por kjo po rezulton e pamundur ngaqë ka qenë e pastudiuar ashtu si po përpiqet të ndihë prodhimin vendas, por ndërkohë gjithnjë e më shumë, po pengon ngado industrinë dhe bujqësinë vendase të gjejnë veten. Kudo mbizotërojnë monopolet dhe klientët e qeverisë. Dhe, arroganca e pushtetit.

Duket sikur Shqipëria, me qeverinë e re, është duke nisur një udhë nga një stad, kur nuk ka qenë shtet, sepse e tillë është edhe mënyra sesi po e drejton kryeministri vendin tonë. Ka pak erë të vitit 1921, kur Shqipëria sapo filloi të jetojë si shtet. Ndoshta, ndaj na u kujtua koha, kur liderat shqiptarë, njësoj si kolegët e  tyre të atyre viteve, e shikonin vendin tonë si një hapësirë nga ku mund të eksperimentonin gjithçka që mundeshin, thjesht për të mbajtur karrigen. /Homos Albanicus – Gazeta Shqiptare/


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.