KULTURË

IDEATORI I ÇMIMIT/ Edi Muka: Paqëndrueshmëria e skenës së artit dhe pse mbyllëm “Onufrin”

15:20 - 05.01.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Ajo që ka rëndësi jetike është të mos humbet pasioni, i cili në kushtet e paqëndrueshmërisë së mbështetjes institucionale mbetet motori i vetëm që mund të mbajë gjallë përpjekjet për të vazhduar… Ajo që i ka munguar skenës dhe që po fillon të ravijëzohet është ndjesia e intimitetit dhe qashtërsisë…
Viti 1998. Kuratori Edi Muka dhe Gëzim Qendro (atëkohë drejtor i GKA) ideojnë dhe propozojnë çmimin ndërkombëtar dhe ekspozitën “Onufri”. Ministër Kulture ishte Edi Rama. Synimi ishte hapja e skenës artistike shqiptare ndaj botës. 20 vite më vonë, në 24 dhjetorin e 2018-ës, Galeria Kombëtare e Arteve, ditën kur ekspozita duhej të ishte e çelur, përmes një deklarate për mediat njofton se “Onufri” është mbyllur. Debati në Tiranë zhvillohej prej më shumë se një muaji, por GKA nuk kishte reaguar deri më 24 dhjetor. Njoftimi rendiste ‘dështimet’ vit pas viti dhe faktin që e kishte humbur qëllimin fillestar.




“Gazeta Shqiptare” është përpjekur të intervistojë të gjithë anëtarët e bordit të GKA-së për të sqaruar vendimin e marrë dhe arsyet që çuan deri aty. E para që pranoi të fliste ishte Eleni Laperi, kryetare e bordit. Ndërsa sot, vjen në “GSH”, Edi Muka, një prej atyre njerëzve që e kanë shndërruar skenën e artit pamor në vend ndër vite; një prej ideatorëve të “Onufrit” dhe një prej anëtarëve të bordit që e mbyllën “Onufrin”. Intervista është realizuar me e-mail dhe në të, Muka ndalet gjatë, pyetje pas pyetjeje, për të shpjeguar Tiranën e artit sot, paqëndrueshmërinë e saj, GKA-në e Onufrin në sytë e tij. “Shoqëria jonë ende lëngon në një gjendje të ndërmjetme pa arritur të ndërtojë ndërgjegjen qytetare dhe ndjesinë e kolektivitetit pozitiv, ku njerëzit të ndërgjegjësohen se kemi më shumë gjëra që na bashkojnë si komunitet sesa na ndajnë si individë”,- thotë Muka, duke shtuar se “interesante kohët e fundit, është lindja dhe zhvillimi i iniciativave idealiste”. Përtej faktit që nuk është një “inter- view” e gazetarit me kuratorin, ballë për ballë, Muka, vjen me një vështrim të thellë- përftuar në distancë për Tiranën e artit sot.

– Ndër vite në Tiranë keni organizuar aktivitete artistike që kanë tërhequr emra dhe publik. Mbyllja e ‘Onufrit’ ka shkaktuar pakënaqësi mes artistëve. Çfarë e bëri Mukën të mendojë se ‘Onufri’ duhet mbyllur?
Pak a shumë mendimet tona janë shprehur në njoftimin e shpërndarë nga Galeria. Por për të kuptuar këtë vendim është e nevojshme të rikujtojmë e të njohim pak historinë e Onufrit. Unë dhe Gëzim Qendro, drejtor i GKA në 1998, ishim ata që ideuan dhe propozuan kthimin e Onufrit në një çmim ndërkombëtar dhe ekspozitë të kuruar gjatë kohës kur kryeministri i sotëm ishte ministër kulture. Për mua personalisht Onufri është një ngjarje me tepër peshë, sepse shënon hapjen e skenës shqiptare ndaj botës, por dhe hapjen e horizontit të punës time si kurator. Natyrisht që propozimi nuk u prit mirë dhe hasi shumë kundërshti, ashtu siç ndodh me çdo risi që sjell ndryshime rrënjësore. Por për mua ky propozim vinte si një kërkesë urgjente e kohës që korrespondonte me lindjen skenës së artit bashkëkohor në Shqipëri dhe nevojën për të ndërtuar urat e munguara të komunikimit me botën.

Natyrisht që me kalimin e viteve dhe përvojën e fituar, duke reflektuar mbi luhatjet dhe paqëndrueshmërinë e nivelit të edicioneve të Onufrit unë kuptova se problemi i kësaj paqëndrueshmërie ka lidhje me dy aspekte. Aspekti kryesor ka të bëjë me formatin e organizimit të veprimtarisë. Onufri organizohet me një format hibrid që përmban disa elemente të cilat nuk përputhen me njëri-tjetrin. Kjo vjen si pasojë e trashëgimit të disa prej tyre nga koha kur Onufri ishte veç një çmim kombëtar për pikturë, skulpturë e grafikë, një veprimtari që u krijua me nxitim për të zëvendësuar ekspozitën kombëtare të përvjetorit të çlirimit (kjo është dhe arsyeja pse ‘Onufri’ mbahet në fund të vitit). Ndryshimi i statutit të ‘Onufrit’ në ekspozitë ndërkombëtare e të kuruar u bë nën trysninë e domosdoshmërisë, të mungesës së kohës së nevojshme për ristrukturim si dhe në kushte jo-normale socio-politike (mjaft të përmend se ‘Onufri’ i parë u mbajt vetëm 2 muaj pas përpjekjes dy-ditore për grusht shteti në vitin 1998). Por më duhet, gjithashtu, të them se ai edicion i parë u realizua me një proces të plotë kërkimi kuratorial. Unë nuk u takova apo pranova propozime vetëm nga artistë shqiptarë, por si pjesë e kërkimit unë udhëtova në të gjitha vendet e Ballkanit dhe në Turqi, ku pata vizita në studio e takime me artistë, nga të cilët më pas përzgjodha pjesëmarrësit e atij edicioni. Por për t’u rikthyer tek problemet, siç po shpjegoja, në konstituimin e Onufrit ndërkombëtar u trashëgua struktura e çmimit e ndërthur me formën e ekspozitës së kuruar. Një nga arsyet e ruajtjes së çmimit ishte strategjia për të ftuar juri profesioniste ndërkombëtare, si një formë takimi mes skenës shqiptare dhe kuratorëve ndërkombëtarë. Por natyrisht që ky format ishte problematik, sepse nuk mund të punosh me një ekspozitë të kuruar dhe të japësh çmim për artisten më të mirë brenda saj, e për këtë ne nuk reflektuam sa e si duhet që në fillim.

Fakti që Onufri u ruajt në vite dhe u zhvillua edhe nga ata që ishin disa nga kritikët më të egër të kthimit të tij në ekspozitë ndërkombëtare e të kuruar, por edhe reagimet e artistëve që përmendni ju, janë dëshmia më e mirë që krijimi i ‘Onufrit’ si platformë shkëmbimi ishte vendimi i duhur që solli ndërkombëtarizimin dhe madje dhe zhvillimin e skenës shqiptare në atë që është sot. Por ajo që kam vërejtur gjatë viteve është vazhdimi i mungesës së reflektimit ndaj problemeve strukturore të veprimtarisë, e cila vazhdoi të zhvillohej mbi të njëjtat baza, pa asnjë qasje apo analizë kritike që ndoshta do të kish mundësuar ndryshime që më herët. Ai proces kërkimi që përmenda më lart dalëngadalë u harrua dhe u braktis fare në edicionet në vazhdim. Kjo solli pabarazi në marrëdhënien mes artistëve shqiptarë dhe të huaj, si dhe paqëndrueshmërinë e nivelit të Onufrit, ku herë çmimi e herë kurimi bëheshin kurban vetëm për hir të realizimit të edicionit të radhës. (Paradoksalisht titulli i edicionit të parë të Onufrit që unë kurova ishte “Paqëndrueshmëri e Përhershme”). Natyrisht që niveli i ekspozitës ndikohet edhe nga niveli i organizimit, kurimit, kujdesit e seriozitetit. Por për mua problemi kryesor dhe deformimet që erdhën mbarten nga formati i ‘Onufrit’. Mospërputhja mes çmimit dhe ekspozitës së kuruar krijon një marrëdhënie e panatyrshme që i hap rrugë deformimeve që kemi parë në vite. Pra, ose do të ruhet çmimi dhe do të sakrifikohet ekspozita e kuruar ose anasjelltas. Mes këtyre të dyjave unë mendoj se roli i GKA është të punojë me programe e platforma kërkimore që rezultojnë në ekspozita të kuruara me përfshirjen e artistëve vendas e të huaj, ç’ka e përjashton bashkekzistencën me një çmim. E në këtë zgjedhje nuk ka vend për formatin ekzistues e për rrjedhojë as për emrin e veprimtarisë, i cili shkon bashkë me çmimin.

Tregu i artit e kulturës në Shqipëri është i tejmbushur me çmime dhe aktivitete të të njëjtës natyrë. Nëse GKA ka nevojë gjithashtu të ketë çmimin e saj (dhe nëse ky çmim do quhet sërish ‘Onufri’ apo jo) është një çështje që kërkon diskutim. Por domosdoshmëria e rikonceptimit për mua duhet të prekë edhe qëllimin dhe formën e organizimit të një çmimi (gjithmonë nëse do të ketë një të tillë). Çmimet zakonisht jepen si shenjë njohje për krijimtarinë dhe kontributin e një artisteje/i në vite, dhe jo për një punë të shfaqur në ekspozitë – siç ishte tek ‘Onufri’. Gjithashtu procesi i përzgjedhjes duhet të jetë i gjatë e i thelluar dhe juria duhet të jetë ndërkombëtare edhe nëse çmimi do të jetë kombëtar. Këto janë mendime të përcjella edhe nga drejtori i GKA, por për të mos larguar vëmendjen nga pyetja juaj, unë dua të ripërsëris se misioni i GKA është të realizojë shkëmbimin kulturor përmes ekspozitave të kuruara.
Aspekti i dytë problematik ka të bëjë me faktin se sot gjendemi 20 vjet pas krijimit të ‘Onufrit’ si ekspozitë ndërkombëtare. Skena artistike shqiptare, sado e brishtë dhe e paqëndrueshme, nuk është aspak e njëjta me atë të 1998. Sot kemi një numër iniciativash të pavarura (për të cilat as që bëhej fjalë të ekzistonin atëherë), të cilat janë dinamike dhe punojnë në nivel ndërkombëtar. Ndër to mund të përmend Qendrën Zeta, Tirana Art Lab, Miza (që tashmë është mbyllur), Art House, qendra e publikimit e nisur nga Simon Battisti dhe Leah Whitman, Bazament, Harabel, ish-Tirana Express apo Qendra Tulla, T.I.C.A. e të tjera të cilat mund të mos i kem hasur. Jo vetëm numri, por dhe niveli i veprimtarive të këtyre iniciativave është serioz dhe i pakrahasueshëm me një pjesë të mirë të edicioneve të ‘Onufrit’, të cilat ishin katandisur në një lloj formaliteti pa vizitorë, pa publik e pa asnjë program edukimi apo ndërmjetësimi. Pjesa më e madhe e këtyre iniciativave drejtohet nga artistë e kuratorë të cilët kanë kaluar nga përvoja e Onufrit. Ky është një tjetër tregues se misioni për të cilin Onufri u krijua është përmbushur tashmë dhe vazhdimi i aktivitetit në të njëjtën formë është jo vetëm pa fryt por edhe mungesë respekti ndaj skenës vendase dhe punës që ata kryejnë.

– A ka pasur diskutime në bord për të arritur në këtë vendim?
Absolutisht po, dhe jo pak. Për hir të së vërtetës unë e kam ngritur këtë shqetësim që në mbledhjen e parë të bordit, duke këmbëngulur në domosdoshmërinë e krijimit të formave të reja të shkëmbimit. Por duke qenë se Erzeni(Shkololli) sapo kish marrë detyrën, ju desh kohë të kuptonte kontekstin dhe problematikat që unë parashtrova. Përveç kësaj, ai erdhi në detyrë në një kohë kur GKA po ndërron statusin dhe formën e organizimit, kur ai po përpiqet të prezantojë një organigramë dhe etikë të re pune dhe marrëdhënieje me stafin e GKA, etj. Kështu u deshën disa muaj që shqetësimi i ngritur në atë mbledhje të parë të bordit të merrte një formë konkrete, dhe në bashkëbisedim me të gjithë kolegët e tjerë ne mbërritëm në përfundimin se është vërtet koha që GKA duhet të ndërpresë punën me formatin problematik të çmim/ekspozitës dhe të krijojë veprimtaritë e saj të linjës që do të mundësojnë shkëmbimin kulturor.

– Ju e dini që mbyllja e tij u synua nga Ministria e Kulturës tri vite më parë. Tri vite më pas, konkursi u mbyll por sa ka ndryshuar qasja ndaj artit bashkëkohor në vend? Vëmendja dhe financimi nga buxheti publik për artin pamor?
E di, dhe kam qenë pro mbylljes dhe në atë kohë, me të njëjtat argumente që po ju jap dhe juve. Qasja apo vëmendja ndaj artit bashkëkohor për mendimin tim ka ndryshuar në disa nivele, por nuk ka pësuar asnjë ndryshim strukturor, gjë që është për të ardhur keq. Nga një anë kemi parë një vëmendje të madhe ndaj Bienales së Venecias, si vitrina më e madhe e artit të sotëm. Tani Shqipëria merr pjesë rregullisht në të dyja bienalet, të artit dhe arkitekturës. Madje për herë të parë në katër vitet e fundit kemi parë edhe ngritjen e një strukture të re për përzgjedhjen e përfaqësuesve përmes një jurie ndërkombëtare që shqyrton propozimet (nuk e di nëse aplikohet ende apo jo).

Gjithashtu, ka një përpjekje për të mbështetur nga pak të gjithë ato iniciativa që punojnë me ngulm e vetëmohim përmes buxhetit të projekteve. Unë e kuptoj se për çdo qeveri në pushtet është një sfidë e madhe të menaxhojë e mbështesë kulturën, madje jo vetëm në Shqipëri. Por problemi për mua qëndron gjetkë, dhe unë këtë ia kam bërë me dije edhe institucioneve përkatëse. Për mua është urgjente nevoja për të ndërruar mënyrën e shpërndarjes së mbështetjes dhe jo domosdoshmërisht shumat në dispozicion. Ne kemi nevojë të dalim nga format e paqëndrueshme të mbështetjes së projekteve, çmimeve apo aktiviteteve të ngjashme, si dhe trajtimit të institucioneve të kulturës me të njëjtën kornizë ligjore si kompanitë apo entet e tjera shtetërore. Nëse ka një tipar që ka karakterizuar skenën shqiptare, ai është paqëndrueshmëria. Por kjo është e lidhur me format e financimit, dhe e përsëris, jo thjesht me sasinë që vihet në dispozicion (kjo padyshim duhet rishikuar, gjithashtu), por me mënyrën e shpërndarjes së financimit. Institucionet dhe iniciativat duhet të dalin nga gracka e projekteve dhe e çmimeve e duhet të punojnë me vizion e programe afatgjata. Dhe mbështetja që ofrohet duhet të shkojë për strukturat e iniciativave (d.m.th. për ata që punojnë) dhe për artistët madje në formë pagese sado modeste qoftë, jo thjesht për ekspozitë, apo katalog, apo projekt. Është për të ardhur keq që forma e mbështetjes është e njëjta që nga ndërrimi i regjimeve dhe madje në rang bashkish është akoma më keq, pasi projektet marrin mbështetjen vetëm pasi të jenë realizuar – kulmi i absurdit. Vetëm kur të krijohet ndërgjegjja institucionale për të adresuar këto probleme do të mund të krijojmë vazhdimësi dhe të ndërtojmë si në rang institucionesh ashtu dhe në nivelin e skenës së pavarur. Me sa mbaj mend Ministria e Kulturës filloi një proces dialogu me skenën e pavarur të artit, por nuk e kam ndjekur më tej se ç’ndodhi më pas, a ka reflektim, përmbledhje, ndryshime të kuadrit ligjor etj.

– Çfarë do ta zëvendësojë një aktivitet si Onufri në Tiranë?
Kjo është detyrë e stafit dhe drejtuesit të GKA dhe besoj se së shpejti do të njoftohemi për këtë. Për mua është me rëndësi t’i jepet kohë kësaj here procesit të reflektimit që nga një anë të shmangen probleme si ato të hasura në strukturën e ‘Onufrit’, e nga ana tjetër të krijohen struktura të bazuara mbi kërkimet kuratoriale, por që janë të hapura ndaj ndryshimit në kohë. Sepse siç e tregoi dhe përvoja e ‘Onufrit’, strukturat e ngurta e të pandryshueshme janë të destinuara të kockëzohen e më pas të zëvendësohen.

– Çfarë keni propozuar ju për formatimin dhe qasjen e re të GKA që ajo të kthehet në një platformë për shkëmbimin kulturor ndërkombëtar?
Nuk është detyra ime të propozoj format konkrete sepse unë nuk punoj në GKA. Për mua është me rëndësi të diskutojmë për vizionin e institucionit, i cili mendoj se duhet të zhvillojë një punë e proces kërkimor me stafin e tij por edhe me kuratorë të jashtëm, në mënyrë që të mund të reflektojë ndryshimet e mëdha që karakterizojnë kohën në të cilën jetojmë por edhe praktikat e reja artistike që janë zhvilluar. Shumë artistë sot si në rajon ashtu dhe në botë punojnë me çështje të rëndësishme dhe të ndërlidhura që trajtojnë tema të gjëra, që nga impakti dhe shkatërrimi që ne njerëzit i kemi shkaktuar planetit dhe qenieve të tjera, tek valët e emigrantëve që ikin nga lufta, thatësira apo uria, tek ngritja e populizmit, nacionalizmit dhe formave të reja të fashizmit në nivel global, apo dhe daljen e liderëve reaksionarë si Donald Trump në SHBA, Bolsonaro në Brazil e deri tek Viktor Orban dhe Erdogan në rajonin tonë. Artistët, si në Shqipëri ashtu dhe në botë, hulumtojnë e angazhohen vazhdimisht me këto realitete përmes formave të reja të shprehjes dhe për më tepër ofrojnë shkëndija realitetesh të tjera të mundshme duke i hapur udhë imagjinatës.

Shkëmbimi kulturor i realizuar nga GKA duhet të reflektojë këto dinamika globale por edhe lokale, si dhe praktikat artistike përkatëse duke bashkëpunuar dhe ftuar kuratorë aktivë, vendas dhe të huaj, që punojnë dhe artikulojnë të tilla problematika. Përpos këtyre, GKA duhet të krijojë edhe mekanizmat dhe strukturat e duhura kërkimore dhe ekspozuese për të gjurmuar, mbledhur e mbajtur pulsin e skenës vendase, e cila mund të themi se tashmë shtrihet përtej kufijve fizikë të Shqipërisë. Një punë e madhe mbetet për të bërë edhe me koleksionin e saj, si për rindërtimin e kurimin e tij përmes spektrit e kontekstit historik, ashtu dhe përmes huadhënies e nxjerrjes së veprave në muze të tjerë në rajon e botë. Dhe së fundi, por jo për nga rëndësia, një theks i veçantë duhet vënë në programet e edukimit dhe ndërmjetësimit përmes të cilave të mund të krijohen marrëdhënie aktive me publikun duke synuar gjallërimin e institucionit përmes pjesëmarrjes. Të gjitha këto janë çështje të përbashkëta diskutimi, të sjella në vëmendje dhe nga drejtuesi i institucionit. Por është e domosdoshme që tani këto përpjekje të formulohen dhe të komunikohen publikisht, të shpalosura në vizionin e institucionit, dhe me sa di unë ky është një prioritet i GKA.

– Kaq vite disi i shkëputur nga skena artistike e Shqipërisë – si i sheh Muka zhvillimet në skenat e vogla të Tiranës?
Duke qenë se deri tani folëm për probleme dhe për t’iu shmangur tundimit për të parë vetëm probleme do përpiqem të përgjigjem në lidhje me aspektet pozitive që kam vënë re. Kështu, me kënaqësi vërej se ka shumë të rinj që prej disa vitesh tani punojnë me ngulm dhe realizojnë programe të mira aktivitetesh që nuk mbeten në cakun e thjeshtë të ekspozitave. Sfidat vazhdojnë të jenë të shumta, sidomos për faktin se realiteti socio-politik shqiptar është i vrullshëm dhe i dhunshëm. Shoqëria jonë ende lëngon në një gjendje të ndërmjetme pa arritur të ndërtojë ndërgjegjen qytetare dhe ndjesinë e kolektivitetit pozitiv, ku njerëzit të ndërgjegjësohen se kemi më shumë gjëra që na bashkojnë si komunitet sesa na ndajnë si individë. Politika dhe shoqëria vazhdojnë të dominohen nga dhuna, verbale dhe fizike, dhe modeli i vetëm i pranuar si mishërimi i suksesit është njëshi, i forti, mashkulli. Për këto arsye dhe shumë të tjera, nuk është e lehtë që këto situata të mund t’i artikulosh estetikisht. Për më tepër, ky fragmentizim i shoqërisë pasqyrohet dhe në skenën artistike, e cila gjithashtu është e polarizuar, e ndikuar politikisht dhe për më tepër mosbesuese në raport me institucionet.

Megjithatë, paçka se në formë të paqëndrueshme dhe në shkallë të vogël, në skenën shqiptare gjen pothuajse të gjithat tiparet e zhvillimit që has në skena të tjera në botë. Ajo ç’ka është interesante kohët e fundit, është lindja dhe zhvillimi i iniciativave idealiste – me fjalë të tjera, që nuk kanë ambicien të shndërrohen në evente spektakolare apo super institucione, por të krijojnë një ndjesi komuniteti artistik e t’i shërbejnë atij me përkushtim. E tillë është për shembull përpjekja e Adrian Pacit, i cili hapi shtëpinë e tij për komunitetin e qytetit të Shkodrës e dalëngadalë po zhvillon programe me tepër vlerë për artistët e rinj, pa u formalizuar si një qendër arti apo galeri por duke mbetur siç u nis, një shtëpi arti. Po ashtu, një funksion të rëndësishëm po luan dhe iniciativa e Simon Batistit dhe Leah Whitman në Tiranë, që për herë të parë po plotësojnë vakumin teorik që ka ekzistuar historikisht në Shqipëri, duke sjellë këndvështrime të reja analitike. E kështu me radhë edhe shumë iniciativa të tjera që i përmenda më lart. Natyrisht që është e vështirë, dhe, siç e vura në dukje, kërkohet një vëmendje shumë më e madhe institucionale dhe ndërrim i kuadrit ligjor, sidomos ndaj këtyre nismave që nuk janë bienale, ekspozita apo çmime, por punë e mirëfilltë me komunitetin, jo-spektakolare, por ndërtuese. Por ajo që ka rëndësi jetike është të mos humbet pasioni, i cili në kushtet e paqëndrueshmërisë së mbështetjes institucionale mbetet motori i vetëm që mund të mbajë gjallë përpjekjet për të vazhduar. Natyrisht unë jam i ndërgjegjshëm që sot flas nga një pozicion jashtë atij realiteti. Por unë përpiqem gjithë kohën të mbaj kontaktet dhe të kontribuoj si dhe kur mundem, sidomos me mbështetje për artistët e rinj. Gjithashtu, nuk mund të harroj se pjesa më e madhe e punës time është zhvilluar në Shqipëri, në kushte të njëjta në mos më të vështira, dhe e vetmja gjë që bëri të mundur vazhdimësinë ishte pasioni. Një shprehje angleze thotë se “ku ka vullnet gjendet dhe mënyra për ta vënë në jetë atë”. Ajo që i ka munguar skenës dhe që po fillon të ravijëzohet në përpjekjet e lartpërmendura është ndjesia e intimitetit dhe qashtërsisë, dy elementë kyç në formimin e komuniteteve. Dhe nëse këto zhvillime do të vazhdojnë dhe do të konsolidohen, nuk do të duhet shumë kohë deri kur të shohim konture më të qarta të komunitetit artistik, të paktën në artet pamore.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.