Intervista

Psikologia: Vrasja e grave, strehë në patriarkalitetin shqiptar

11:30 - 05.01.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Gratë e vajzat shqiptare, jo pak herë bien pre e dhunës nga bashkëshortët, partnerët apo baballarët e tyre, dhunë e cila në disa raste ka degjeneruar deri në vrasje. Në një intervistë për ‘Gazeta Shqiptare’, psikologia klinike, msc. Almeida Xhaferi thekson se ky problem ka rrënjë të thella kulturore e gjen strehë më së miri në Shqipëri brenda një shoqërie patriarkale. Sipas psikologes gjithmonë flitet për faktorë risku ku mund të përmendet një e kaluar me precedent penal, përdorimi i substancave narkotike dhe alkoolit, mbajtja e armëve, probleme sociale, të rriturit në një ambient të dhunshëm apo neglizhues etj. Xhaferi shton se ka shumë burra në Shqipëri që kanë bindjen se gruaja ju përket si pronë, të cilën nëse nuk e gëzojnë ata, askush tjetër nuk mund ta ketë. Më tej, gratë përshkruhen si provokatore të situatave të dhunës nga ana e partnerëve të tyre. Sipas psikologes modeli i marrëdhënies burrë-grua është ndërtuar i deformuar në konceptet e tyre e shihet si një raport varësie, ku burri vendos dhe gruaja bindet, në rastet kur kjo pritshmëri nuk përmbushet burrat ndjehen të pafuqishëm dhe konsiderojnë aktin e dhunës si një instrument që do detyrojë partneren, të përmbushë dëshirat e burrit.




Ky vit i ri është përgjakur nga vrasja e dy motrave në Ballsh si dhe nga një tjetër vrasje në Greqi ku babai ka vrarë dhe varrosur në oborr të bijën 28 vjeçare. Cili është komenti juaj si psikologe mbi këto ngjarje që tronditën opinionin publik ditët e para të 2019-ës?
Dhuna ndaj grave dhe vajzave është një problem me rrënjë të thella kulturore, i cili gjen strehë në një shoqëri seksiste si kjo e jona. 2019 na gjeti duke përjetuar hidhërim të thellë, për shkak se një 17 vjeçare u vra nga dora e një 19 vjeçari, ende pa na lënë kohë për të përpunuar këtë zi shpirtëror, një tjetër tragjedi ndodh këtë herë në Ballsh, ku një 31 vjeçare dhe një 18 vjeçare vriten. Tre gra të vrara nga dora e burrit apo shokut të tyre në një cikël të shkurtër kohor, më pak se 10 ditë. Ngjarje të rënda që mbushën kronikat e lajmeve dhe tronditën opinionin publik.

Psikologia klinike, msc. Almeida Xhaferi

Çfarë portreti psikologjik kanë burrat e dhunshëm, të cilët në prani të konflikteve banale, arrijnë deri në ekzekutimin e partnereve?
Në fushën e psikologjisë janë bërë hulumtime të shumta për të parashikuar se cilat karakteristika psikologjike nxisin kryerjen e krimeve kundër grave, por ende sot nuk kemi një profil psikologjik të qartë të vrasësve. Gjithmonë flitet për faktorë risku. Këtu mund të përmendim një të kaluar me precedent penal, përdorimi i substancave narkotike dhe alkoolit, mbajtja e armëve, probleme sociale, të rriturit në një ambient të dhunshëm apo neglizhues etj. Ne duhet të kemi parasysh se dhuna është një problem kulturor që në disa raste shoqërohet me edhe nga probleme të natyrës psikologjike, si dhe me simptomatologji ankthi, depresioni apo probleme organizative të strukturës së personalitetit.

Bazuar në këto sjellje, a mund të pohojmë se burrat shqiptarë kanë tendencën të jenë dominantë ndaj grave?
Për fat të keq jetojmë ende në një shoqëri patriarkale ku burrat pretendojnë se kanë privilegje që gratë nuk duhet t`i kenë. Dhuna strehohet pikërisht në shoqëri si kjo, që karakterizohet nga dominimi mashkullor. Në gjykimin tim ne duhet të fillojmë të edukojmë fëmijët tanë të shprehin dhe përballojnë ndjenjën e vetmisë, zemërimit dhe humbjes, pasi vetëm kështu ne investojmë në formësimin e shëndetshëm të afektit, duke rritur një brez me aftësitë e nevojshme për të përballuar shëndetshëm këto ndjenja për të cilat në flasim shumë pak, pasi dëshirojmë të mos përballemi kurrë me to. Rruga e shëndetshme është të formësojmë skema të shëndetshme mendore për t`i kapërcyer ato.

A ndikojnë modelet brenda familjes në zhvillimin e sjelljeve të dhunshme të burrave në të ardhmen?
Nga ana tjetër dëgjojmë shumë të flitet për burra që kryejnë papritur vrasje brenda familjes, por nuk ndalemi asnjëherë te faktorët e disfavorshëm socio-kulturorë, për shembull, djem që rriten në familje të dhunshme, ku gratë janë trajtuar gjithmonë, si objekte pronësore të burrave, ku këta të fundit ndjehen të pavlerë, të pa përgatitur dhe të pafuqishëm, përballë argumenteve, fakteve, apo dëshirës së grave për të qenë të lira dhe të realizuara në jetën e tyre. Në mungesë të modeleve të shëndetshme prosociale burrat e shohin ekzekutimin e partnereve si zgjidhje për të mos tu ndjerë të braktisur. Janë burra që kanë bindjen se gruaja ju përket si pronë, të cilën nëse nuk e gëzojnë ata, askush tjetër nuk mund ta ketë. Ne duhet ta shohim çdo akt dhune si një dhimbje të madhe, ku mungon aftësia për ta shprehur atë, përveçse me dhunë, qoftë kjo dhunë fizike, verbale apo psikologjike. Gratë përshkruhen si provokatore të situatave të dhunës nga ana e partnerëve të tyre. Shpesh ata shprehen se ndjehen të parespektuar, dhe të pa vlerësuar, pasi modeli i marrëdhënies burrë-grua është ndërtuar i deformuar në konceptet e tyre. Shihet si një raport varësie, ku burri vendos dhe gruaja bindet, në rastet kur kjo pritshmëri nuk përmbushet burrat ndjehen të pafuqishëm dhe konsiderojnë aktin e dhunës si një instrument që do detyroj partneren, të përmbushë dëshirat e burrit.

Cilat janë disa prej faktorëve kryesorë që i çojnë burrat deri në vrasjen e bashkëshorteve, partnereve apo vajzave të tyre?
Ne habitemi kur dëgjojmë tragjedinë që ndodh, të njohurit shprehen se ishin familje e qetë, pasi gruaja nuk e merr guximin ta denoncoj dhunën, që në momentin e parë, kjo për disa arsye së pari mungon suporti i familjarëve, ata nuk ja hapin dyert grave që kërkojnë të ndahen, pasi opinion i vret. Së dyti, për shkak të modeleve të papërshtatshme këto gra dhe vajza rriten me idenë se burri duhet të vendosë për to, madje pas zyrtarizimit të marrëdhënies ato i përkasin tërësisht burrit. Së treti, pavarësia ekonomike e vështirëson të gjithë procesin e zgjidhjes së martesës. Kur vrasja ndodh ka dhënë patjetër sinjale, të cilave nuk i është kushtuar rëndësia e duhur.

Përpara se të ushtrojë dhunë fizike çfarë sinjalesh jep burri?
Ekziston një cikël dhune, që parashikon një fazë tensionesh psikologjike mes çiftit të përbërë nga humori i keq, momentet e heshtjes, konfliktet e njëpasnjëshme, zhvlerësimi i gruas, përbuzje, kërcënime, pastaj ndodh dhuna fizike.

Sipas jush si mund të frenohet ky fenomen?
Së pari të gjithë ata prindër dhe familjarë që kanë dijeni se vajza apo motra e tyre është pjesë e një cikli dhune, nuk duhet të heshtin, por të konsiderojnë sinjalet e alarmit që shfaqen; të reagojnë përpara se krimi të ndodhë dhe të ofrojnë mbështetje morale dhe sociale për gruan që gjendet në situatë kritike. Së dyti, të referohen dhunuesit për tu trajtuar psikologjikisht, në qendra që ofrojnë shërbime këshillimi për burrat që dhunojnë gratë. Trajtimi psikologjik duhet parë si një mjet shumë efikas për të parandaluar vrasjet e grave.

Çfarë do sillnin ndryshe konsultat me psikologët?
Konsultat me psikologun në thelbin e tyre janë procese dëgjimi pa gjykuar, por ftojnë burrat të pranojnë se janë përgjegjës kryesor për aktet e tyre dhe nxiten të angazhohen të mos reagojnë më në mënyrë të dhunshme. Bëhen seanca ku flitet për dhunën dhe punohet që burrat të njohin sinjalet që po fillojnë të humbin kontrollin te vetja, si pasojë e zemërimit. Në fokus të punës është rindërtimi i skemave mendore prosociale, të cilat ndihmojnë individin të përballet me problemet e përditshme pa përdorur dhunën për të kapërcyer ndjenjat e të ndjerit të pafuqishëm, apo të pa vlerë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.