Rajoni

Zaev kërkon mbështetjen e shqiptarëve për ndryshimet kushetetuese

20:21 - 05.01.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev po përpiqet t’i bindë drejtuesit e partive opozitare shqiptare që t’i mbështesin ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me emrin e ri të Maqedonisë, e që brenda pak ditësh pritet të votohen në parlament. Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa, të cilat kanë nga dy deputetë në parlamentin e Maqedonisë kanë një rol kyç në këtë periudhë, kur shumica parlamentare synon të arrijë numrin e nevojshëm prej dy të tretave për miratimin e ndryshimeve kushtetuese.




Dy partitë shqiptare ngulin këmbë që në pasaportat e shtetasve të asaj që së shpejti do të quhet Maqedonia e Veriut, tek paragrafi i nënshtetësisë të hiqet fjala ‘maqedonase’ dhe në vend të saj të qëndrojë ‘qytetar i Republikës së Maqedonisë Veriore. Po ashtu, kërkojnë barazi në Preambulën e Kushtetutës.

Kryeministri Zaev thotë se dy partitë shsqiptare të opozitës kanë vepruar në mënyrë pozitive dhe se deri më tash kanë qenë faktor konstruktiv në marrjen e vendimeve rreth amendamenteve kushtetuese dhe se ai dëshiron të dëgjojë se cilat janë shqetësimet e këtyre dy partive, votuesve dhe përkrahësve të tyre.

Shumica parlamentare së bashku me tetë deputetët e përjashtuar nga VMRO_DPMNE-ja nuk arrinë shifrën e duhur prej 80 votash dhe pa katër ligjvënësit shqiptarë të Aleancës dhe Besës nuk mund t’i kalojë ndryshimet kushtetuese që do të vihen në seancë plenare me datë 9 janar.

VMRO-ja ka parajamëruar se nuk do të marrë pjesë në seancë. Nëse zoti Zaev arrin t’i bind dy drejtuesit opozitarë shqiptarë që t’i mbështesin ndryshimet kushtetuese, atëherë brenda pak ditësh Maqedonia do ta zyrtarizojë emrin e ri në bazë të Marrëveshjes së Prespës si Republika e Maqedonisë së Veriut dhe kjo do t’ia hapte rrugën këtij vendi ballkanik për integrim të shpejtë në radhë të parë në NATO. Megjithatë, marrëveshja e Prespës që të gjejë zbatim tek dy vendet fqinje duhet të ratifikohet edhe nga parlamenti grek. Në Athinë duket se ka mjaft rezistencë, por partia Syriza e kryeministrit Tsipras lë të kuptohet se ka siguruar numrin e nevojshëm për miratimin e saj në parlament./Marrë nga Zëri i Amerikës/


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.