KULTURË

Gabimi fatal i Shqipërisë/ Pas një meshe për të vërtetën

14:26 - 06.01.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Visar Zhiti – FJALË PËR NJË FILLIM: Një nga porositë për këtë Vit të ri ç’mund të ishte? Se çdo fillimi, jo vetëm i vitit, por dhe i një takimi, i një rruge apo epoke, i një jete, i një libri, i një elegjie a kënge, etj., etj., i duhet një shenjëz, një ndjellje, se, siç ka një pikturë firmën në fund, ka dhe njollën e parë nistore apo filmi, kur mbaron e lexohet “The end”, ka një titull në fillim.
Dhe s’ka pse të jetë një fillim i ngjashëm me fundin, nga nisi, pavarësisht vazhdimësisë. Gjithsesi do që të thuash diçka pararendëse, që të mos jetë vetëm për ty, por për sa më shumë… për njerëz e kohën. Drithmërisht e sinqertë, që të shërbejë si një e vërtetë, si një përvojë. Le të jetë qortuese për të gjithë dhe askënd, t’i ngjajë hapjes së një testamenti nga viti i shkuar, për një zbatim të ri, në mos, një denoncimi për atë që s’duhet më, që e bën ende më lodhës atë që vazhdojmë ta quajmë “tranzicion”, duhet një porosi për vazhdimin tjetër, le të jetë klithmë e vetmuar, rënkim plage, ngazëllim dhe qëndresë jona, shpresë, dorë që na tregon drejtimin.




Unë e zgjodha atë që do të doja të thosha, jo për vete, është si një dashuri, – e dëshpëruar e pa dëshpëruar – dashuria është dashuri. Thjesht po sjell një zbulesë për atë që s’ka qenë e mbuluar, që dihet, por nuk është përmbledhur as si një përfundim e as si një prirje udhe, s’është në ligj, mbase në përbetimet e fshehta, ngjan me kodet kafkiane, por gjendet thellë e më thellë. Më ndihmoi një meshë ta gjej. Po ua them, është si një hakmarrje biblike ndaj vetveteve tona, për të gjithë ata “që nuk e bëjnë historinë, por e pësojmë atë”, jo, jo, shërben për të dy palët, për të gjithë si vetë mesha.
Heshtet për të ashtu siç heshtet për më të rëndësishmet, por dhe ishte folur siç flitet për rrezikun, nën zë, mbytur, por që befas shpërthen si me protestat, nën thirrje të tjera, por është po ajo.
Duket sikur do të nisë prapë siç nisi dikur, për dritat elektrike që ndërpriteshin në konviktet e studentëve, por fjala ishte për dritën e madhe, që sjell liria, manifestuan në fund të vitit që shkoi për përgjysmimin e tarifave të studimit, për kushtet etj., sa edhe Kryeministri i Vendit u dha të drejtë, ndërkaq ajo duhet kuptuar si protestë kundër përgjysmimit të dëshirave, ëndrrave, lumturisë, të së vërtetës. E vërteta përgjysmë nuk është më e vërtetë… Kjo do njohjen e zanafillës, ‘pse-në?’ e saj..
Për këtë qëllim, në këtë fillimviti unë zgjodha një meshë, që e kam rrëfyer në një libër timin, “Si na erdhi ai, i ndaluari”, që, sipas meje dëshmon atë që na ishte ndaluar, shpirtëroren, hapur apo fshehurazi. Duket se flitet për një poet të njohur, “zyrtar”, duke dashur të them se në një farë mënyre gjithkush është poet i jetës së vet. Është dhe një student, e ardhmja që kërkon prej nesh dhe na gjykon duke na dashur.
Por gjendja mund të ashpërsohet. Dhe shkaqet nuk janë të gjitha të tanishme. Çfarë u bë keq qysh në krye?

TË PREKËSH PLAGËT
…Të gjithë jemi poetët e një perandorie të rënë, me poezi, pa poezi, mërmërita sërish. Na ka zënë nën vete dhe dalim nga gërmadhat të copërluar. Ca i nxjerrin të vdekur. Ndokush ka qenë i mbrojtur brenda ndonjë bunkeri a nën ndonjë kupolë. Në fund të fundit gjithkush ka ringjalljen e vet.
Edhe poezia është ringjallje…
E në Shqipëri?- pyes unë, një poet është më pak se një poet? Dhe shtova në heshtje: “Ai” është poeti i madh i një perandorie që ra, që natyrisht poezia nuk bie bashkë me perandoritë.
Mezi po prisnim të shkonim në kishën tonë… Donim të luteshim së bashku. Për djalin. Për ëndrrat e tij… edhe për të dashurit tanë, për miqtë e përbashkët… për vendin. Të ndizja dhe një qiri… Gjatë homelisë meshtari po na fliste për ringjalljen e Krishtit e për dyshimin e Tomës, nga që s’kishte qenë i pranishëm në atë ringjallje dhe donte të sigurohej në ishte i njëjtë ai që ishte kthyer nga vdekja me atë që kishin kryqëzuar… pa vënë gishtin tim në vendin e gozhdëve, pa e shtirë dorën time në kraharorin e tij, kurrë nuk besoj… shkruhet në Ungjillin sipas Gjonit.

Pa këtë vazhdimësi s’do të kishte kuptim… po thoshte meshtari.
Ngrita kryet i tronditur si ai që zbulon një gjë me rëndësi. Tek ne kishte ndodhur ndryshe, nuk i kishin prekur dhe aq plagët tona, s’na kishin vënë dorë në kraharor, nuk na besonin duke qenë dhe vetë të mosbesuar dhe më e rënda, të tjerë ishin ata që u kryqëzuan dhe të tjerë ishin ata që u ringjallën.
Gabimi fatal që kishte bërë Shqipëria…
Ia thashë sime shoqeje. Më pa dëshpërueshëm… Dhe shkuam shumë larg, në Uashington. Mora me vete tragjedinë time, dhembjen, mëkatet që i dija dhe s’i dija. Atdheun. Dhe dëshirën e thellë për ringjallje. Jo timen, por dhe timen… Si është ajo dhe si ndodh?… është për të gjithë? Pasvdekja është një nga shqetësimet e përjetshme të njeriut, besoj, edhe për jo besimtarët. Përjetësia është dashuri, them, prandaj dhe dashuria mbetet e përjetshme.
Që në ditët e para në Uashington kërkuam kishë. E gjetëm afër shtëpisë. Mesha në anglisht. The Lord be with you, tha meshtari dhe ne, të gjithë, u përgjigjëm: And with your spirit. Gjatë lutjeve, nën zërat që na mbulonin, unë mërmërisja në shqip, Ati ynë që je në qiell… At’joni im… Ndodhte dhe që shkruaja.
Ishim të ulur nga fundi… Kur mesha mbaroi, në anë të ndenjësjes pashë një targëz metalike, e lexova, aty rrinte Presidenti John F. Kennedy, shih, shih, sa interesante dhe nuk shkonte në rreshtin e parë…
Ah, po, ai vinte këtu para se ta vrisnin, shtova këtë varg dhe po mendoja ringjalljen e tij, aq sa ia dilja, presidenciale, trashendentale, e mistershme, qiellore pa tjetër, ndërsa unë kisha ardhur këtu pas vrasjes time, ia shtova dhe këtë poezisë, por s’e dija ç’ringjallje kisha pësuar apo thjeshtë atë tokësoren, të plagës time, të bërë tashmë më të madhe se sa unë.

T’I RIKTHEHEMI POROSISË.
E patë Presidentin e vendit më të pasur në botë, më të fuqishëm e më demokratik? Në tempull dhe ai si të gjithë, për të dëgjuar lutjet e njerëzve?
Librat e Shenjtë, mes të tjerash kanë dhe porosinë, që të lutemi dhe për armiqtë tanë, t’i kthejmë ata në vëllezër, t’i duam, edhe pse jetojmë në kohën e çvëllazërimit, të zhgënjimeve. Po humbjet duhet të bëjmë që të kthehen në përvojë për mirë, korrupsioni të mos jetë motori që do të lëvizë dhe këtë vit, të rikthehen puna, të mirat e saj dhe ngazëllimi i tyre, gjithë arritjet të japin lumturinë e brendshme, begatinë e gjithanshme, paqen, nderin dhe moralin që duhet të jenë me të parat fare.
Pas gabimit fatal të Shqipërisë, si ai që ka arritur fundit, të ngjallim shpresat e ringritjes. Bashkëpunim, së pari mes nesh, pastaj me të tjerët, aty ku aspirojmë, me botën e përparuar EuraAtlantike. S’ka pse të pritet nga ndokush, të mos i besohet verbërisht disave, që nuk besojnë në ne, sidomos atyre që udhëhoqën “Gabimin fatal” dhe atyre që e vazhdojnë si një mashtrim të madh, por ta kërkojmë nga vetvetet, që s’janë pak, është nuklea e të gjithës, e pafund, është popull, duke dashur të hapim edhe më Qiellin tonë, “për më shumë dritë”, për më shumë dashuri. Të thirret e ardhmja që të bëhet e tashme, por kujdes se përgjigja mund të jetë ashtu siç je(mi) sot…
Të bëhemi ashtu siç duam të jemi nesër. Me punë e mund e dashuri!


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Miq te mire,para ca dite,u dergova nje kumt per,Atjonin,driten tuaj qiellore.
    Brezi I tij duket e po kerkon qiririn e Diogjenit,,kur ne memedhe toka po lekundet.Perendia i ndihmofte!
    Edhe JU te gjeni paqe,nga rremuja e rremeti,qe u rrethon .
    Bekim,plot mall,Eglantina

    Përgjigju ↓