MILOSAO

Përkrah harresës si kujtesë e zhvarrosur

13:11 - 06.01.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Alush Avduli – Kraharorët e gufuar nga deliret idiote të krenarisë nacionaliste, më tmerrojnë. Harresa e përgjithshme e tyre do të ndryshonte vlerat e botës njerëzore. Ky vendim ka një energji që tjetërson, por totalisht nuk është kuptues, ngaqë kuptimi shpërndan kënaqësinë estetike, rrëzon paragjykime dhe mendime tradicionale në mpakje e shterim. Në botën e brendshme mirëkuptimi jo vetëm e zbulon të vërtetën, por në një mënyrë tjetër edhe e krijon. Mundësinë e kësaj çka thashë e përftova nga mesazhet që gjenerojnë në fletët e romanit “Gjoni i Madh” të shkrimtarit Erjon Papagjoni. Dhe më tutje: Në se duhet të njohim realisht mëvetësinë tonë duhet t’i hapim kufijtë e ndjeshmërisë së mendimit, në mendjen tonë duhet të mësyjnë të qasje e të dhëna, të cilat i dëshirojmë dhe që shpesh, habitshëm, nuk i presim (sepse duam të rrimë mbyllur në kasollet tona provinciale). Mjaft më! Hipokrizia, rituali teatral i shoqërisë së mbyllur ka përsipër nënshkrimin e injorancës, që gjithë jetën na rri mbi kokë si shpata e Demokleut…




Për mundësinë e përparimit le të shpallim falimentimin e gënjeshtrës, që të vërtetat të gremisen drejt ardhmërisë si ngritje shpirtrash të lirë. Ky është një apel i romanit dhe autorit. Duke harxhuar edhe mospranimin e fundit e ndjej të dobishme të pohoj: Libër i skajshëm me aromë ardhmërie, që vuan vetminë e vet të kërcënuar nga narcizmi letraresk i përkohshmërisë, nga tam-tamet dhe zhurmat pa thelb; një krijim si agullim i kaltër mbi vrenjtësirat. Portë e mbyllur për gënjeshtrat, lajkatimet dhe idiotizmin e pastër që ka përmbytur hamendësimet si kukuvajkat. Nuk e dimë pse ligjërimi romanor ka përzgjedhur ditën për vajtimin tonë, të djeshmen dhe të sotmen. Ditën e zezë, për fat të keq, kur kopeja humb udhë. Por që terri të kuptohet ka nevojë për dritën… Mbase ngaqë “mizerja” e dritës lulëzon në mungesën e kulturës, edhe pse laringje të ngjirur bëjnë gargarë me fjalë për të pohuar ndryshe.

“GJONI I MADH” si realitet artistik i shpëtuar nga magjia e imagjinatës me riskun e guximit krijues, përzien qartësitë me të fshehtat e saj, po kështu harresën me kujtesën. Çfarë do të ishte ky trans-realitet pa këtë (dinamitin e guximit qytetar)?!.. Një realitet i harruar, i zhdukur, i masakruar nga zhgarravitjet rrëfyese deri në mosnjohje, nga panegjerika nacionaliste të frikshme e të dala boje; më tej ky trans-realitet vjen edhe si ardhmëri kujtese e hedhur gati si mbeturina e një kufome në të shkuarën… Pse kujtojmë se u biem bukur flauteve, kur xamaret si të padukshme ligjërojnë ende në buzët tona?!.. Përgjigjia e kësaj pyetje është akoma një çast i largët, peng tek “mençuria” budallaqe e turmës sh(krim)suese që infekton të tërën. Sepse kemi qejf të mburremi! Thua misteri i saj të jetë “shkëlqimi” dhe jo terri?!… Nuk e dimë, por gënjeshtra kur u nis ishte tani, kur u kthye ishte mbrëmje e mëparshme me mugëtirën që rend më shumë se drita… Tek “GJONI I MADH”, lexoj atë që ka munguar, dhe më shumë atë që mungon akoma, dritaren e çelët për ajrosjen e historisë. Kuptimin e antropologjisë sonë. Cilët jemi përnjëmend? Në këtë krijesë kaq të pazakontë të prozatorit Erjon Papagjoni e vërteta e zhvarrosur krejt ndryshe, jo drejt mos të qenit, por të bëhet si ajo që nuk është, zi e lakuriqsuar në sipëroren e dëborës, ngaqë e zeza i përshtatet shenjës së bardhë, jo për dukjen, por për sensibilitetin. Në libër mes zanafillës dhe fundit, si sakrifikim për zhvillimin e subjektit, shpërfaqet panoramike “një Luginë e gjerë dhe mbi të një fshat i madh”, që sundohej prej shqiponjave… ‘“Çdo krijesë, që nga mamuthët leshatorë e deri te ketrat lozonjarë, ndjehej fatlume të rronte aty. Shqiponjat i kishin përzënë të gjitha bishat gjakësore… Pra e begatë, e paqtë, rridhte jeta në luginë, me një farë monotonie të ëmbël, gjer ditën kur për fatin e atyre që e gjithë kjo rehati iu dukej e mërzitshme për vdekje, Luginës iu shtua një banor i ri. Dhe atëherë u hap një epokë e re përplot emocione të forta. Së largu, ende s’dihet saktësisht prej nga dhe se kur, majë kreshtave, u dukën ata, një lloj majmuni komik dhe i lezetshëm, domethënë njerëzit…. Ja kishte vlejtur t’i pranoje këta palaço në luginë’’…

Kështu mendonin shqiponjat për shfaqjen e specjes tjetër, njeriut. Por… “e vërteta ishte se njerëzit ata që dikur u pranuan si “palaçot” e Luginës, tashmë kërkonin të bëheshin zotër të saj. Si edhe në ditët tona, lufta për njerëzit kishte ende karakter fetar, shqiponjat me atë spektaklin e tyre të përvitshëm përdhosnin madhështinë e diellit – perëndia e njerëzve asokohe. Të paktën kështu thoshin njerëzit, se diellin se pyeti kush në fakt… Lufta zgjati plot një shekull, por në fund njerëzit fituan… Në këngët që dëgjohen deri sot, njerëzit i këndonin heroizmit të tyre, por do të mjaftonte qoftë edhe syri i një studenti arkeologjie për të interpretuar historinë e asaj kohe, e gjitha e pikturuar në shpellat e Luginës…”

Gjithsesi, do të doja që për riprodhimin e librit në fjalë të ndiqja logjikën e Pierre Menardin, por vështirësia është e pafitueshme, kështu që për mua, lexuesin ende amator, kjo dëshirë si e cunguar ka për të mbetur një pamundësi (e zezë)… Sa për vijimin… me logjikën, viktimën time, në vajtje-ardhje do ta përcaktoja romanin “GJONI I MADH” si fantazi të një mendjeje të shpenguar dhe si i këtillë, edhe si liri e shprehjes së një realitetit që “është dhe s’është”, një sendërgjim estetik, diçka poetike në thelb, me një kohë bredharake e të paditur për lindjen e saj. Historia e tij si e tërë na ka sjellë atje ku gjendemi sot. Në këtë vepër atipike gëlon dhe gëlonte si amalgamë jeta e fshatit të madh hapërdarë mbi Luginë sa një komb-projekt akoma i papërfunduar. “…Vendi kishte dhe kodet e tij me të cilat rregullonte jetën, ujdiste bukur mirë botën që qerthullonte mes tyre, marrëdhëniet brenda e jashtë mureve të kullave të ngurta. S’ishin kode prej kalorësish e dukësh të rafinuar, me doreza të flakura fytyrash, me shpata, duele, dëshimtarë e gjykatës, por kode prej njerëzish të ashpër e kokëshkretë, që se njihnin fjalën e spërdredhur.

Në to ishte gjaku, marrja apo ndalimi i tij; aty ishte dasma dhe e drejta e trashgimisë, rrëmbimi i nuses dhe dashuria e pranuar; aty ishte vdekja, vajet, ritualet e mortit, nderi dhe turpi. Aty ishin të gjitha… Kulturë asaj Lugine kishte pak. Atyre u dhembnin sytë kur lexonin. Sytë e tyre nuk qenë mësuar me imtësitë, por me gjerësitë e lartësitë. Kryesisht libraritë ishin të mbushura me ca libra për udhëheqësit e fshatit ose histori të shkuara e të kota, të shkruara nga tipa që kishin zbuluar talentin letrar pasi nuk kishin ndritur ndonjë gjë kushedi çfarë në fushat e tjera, bile as në muzikë, që ishte sektori më i lulëzuar asaj kohe. Qysh në mëngjez, sheshi i fshatit mbushej nga pleq të currufjepsur e agresivë që ndjekja e lavdisë a frika nga vdekja i shtynte të kërkonin përjetësinë në botën e letrave dhe gati të gjithë fshihnin nën këmishë të njëjtat libra mbi bëmat e jetës a të familjes së tyre dhe që rrekeshin t’i shpërndanin ku të mundnin si trakte revolucionare’’…
Për të zbukuruar sarkazmën e autorit edhe me një lavdërim tjetër për të, duke tjetërsuar thënie të Viktor Zmegag do të shtoja për pleqtë e Luginës: “Në shtëpitë publike të përfytyruara, të cilat nuk u duhen më, luajnë domino dhe i konsiderojnë intelektualë të ndershëm, Mjeshtra të Mëdhenj në stanin e artit e të letërsisë, pse jo edhe më shumë, disa të nderuar edhe me çmimin SNOBËL.” Në fshatin-Komb habi e çartje të lemerishme: Progresi në rritjen e atavizmave dhe kopeja dashnore e internetit… Atje, këtu apo më tej… asnjë ndryshim nuk lind i ditur!… Bilanci: Populli i Luginës mbetet po aq hajvan si më parë…

Në këtë vepër të E. Papagjonit, në një këndvështrim dhe vokacion të ri, pothuaj gjithë epokat si trazirë në asgjesimin e distancës kohore, në secilën syresh mungesa e kulturës është e njëjtë, te secila mungesa e kulturës është e ndryshme… Sa do të dëshiroja që këto meditime të jenë një ditë kufomëza për arkivolin shtatzënë të një arkeologjie sociale tejet munduese për të rinjtë dhe ardhmerinë, ngaqë edhe unë jam një qenie efemere e kësaj pike planeti të etiketikuar “Luginë e shqipeve”, ku sasia apo thënë ndryshe “kopeja sociale etnologjike” ushtron me ngulm “patriotizmin” si profesion për shpalosjen e kufizimeve, që ushqejnë vetëm anën e pasme të perspektivës. Fshati-Komb i populluar nga tre fise përherë me ekuilibër të rrezikuar: “E si mund të bëheshin bashkë një lok, një lal dhe një lab? Nga pikpamja simbologjike, numizmatike dhe heraldike, ata përfaqësoheshin në stemën dhe flamurin e tyre nga dy koka shqiponjash, njëra e kthyer në të kundër të tjetrës, si në një kundërshti e refuzim të përhershëm e të pakthyeshëm kurrë më qysh nga ndarja e madhe Njerëz-Shqiponja. Pra atje mund të rrinin bashkë veçse dy koka, jo tre. I treti sillte pikërisht sherrin, përçarjen. Po kush qe i treti: loku, labi apo lali? Të tre ngulmonin se qenë njëra prej kokave të shqiponjës… Mosprania e një koke në flamur, a ndoshta prania e një koke më tepër, sillte e përsillte vazhdimisht sherrin, hakmarrjen, gjakun…”

Në gjithë strukturën e romanit satira dhe ironia e imët borërojnë vertikale. Me dinamikën e gjuhës artistike të zhveshur nga lulkat e padobishme dhe me erudicionin që zotëron, autori sjell jo vetëm ngjyrimet, por edhe aftësitë e vështrimit e zhbirilimit për autopsinë, si një konstatim i hidhur mbi fshatin-Komb. Tanimë vetëm një shkak për realen mbetet: Ajo është. Por befasi kulmore në këtë vepër të prozatorit Erjon Papagjonit është figura e heroit kryesor, Gjoni i Madh(Mamuthi, siç e thërrisnin qysh në fëmininë e tij fshatarët ), njeri me karakter të virgjër e të fortë, një relikte e pacenueshme etnologjike. Portret si bruleskë kundërthënëse i bërë prej një karikaturisti të talentuar. Në shpërfaqjen e tij lodrojnë përçudnimi dhe groteskja, si shëmti Guinpleni e Kuazimodoje. Edhe pse jashtë kontureve të konvencionalizmit, struktura psikike e këtij njeriu-prototip shkon drejt bukurisë, kahershëm e shoqëruar nga talljet dhe nënqeshjet. Si brendësi: sa shpirt i butë, po kaq bujar, fisnik e human, edhe pse zotëron forcë të jashtëzakonshme herkuliane i përçmon luftërat, ngaqë dashuria për kombin është kredua e tij. Vendosja e tij e merituar gjendet atje ku ai pushon së qeni një produkt “objektiv historik”. Kësisoj pamja e Mamuthit si e dallueshme asimilohet nga përmbajtja, si ndryshim nga mospërputhja, që rrit ndikimin magjik të asaj që autonomia e artit gjakon të çlirojë.

Në qendër të romanit është jeta në kalvar e Mamuthit në filtra metamorfikë, e pikturuar me tërësinë e nuancave dhe ngjyrave ndezulluese të ndodhive e situatave përplot intensitet e dramacitet, të ngjizura me intrigën, llomotitjen, dhunën, vjedhjen, krimin, me “rendimentet e larta”, tradhtitë, dasmën si mort, me ekstazën e popullatës së Luginës së Shqipeve që dëfrehet me raki e këngë idiote… Dhe përmbi këto mençuria që bëzan në heshtje. Autori me mjeshtri artistike shtjellon martesën e Mamuthit me Fionën (kurvën e Fshatit, sa e paginjur po aq e qytetëruar), si një dramë torturuese përplot çaste të skajshme ngjarjesh tragjiko-komike, me fatfundësi kurorëzimin e saj. Tanimë Gjoni i Madh si plotëri, në Luginën e Shqipeve, pa e ditur i kishte rënë kambanës së ndryshimit… Dashuria sillte ndryshimin. Dashuria si kod i ri, si diç e harruar por e risjellë, si instinkt qëndrese, përtëritjeje dhe qytetërimi. Së fundi, dua të theksoj se me këtë roman përplot ndjeshmëri të hatashme dashurie dhe me pamundësi për fanitje shpjegimi, talenti që mbart emrin Erjon Papagjoni mbase nuk ka për të marrë atë që i është ruajtur për nesër, ngaqë tanishmëria duket se i fal atë që nuk ka për t’i dhënë…


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.