MILOSAO

Punët e Krisikos tregojnë se skulptura shqiptare ka fizionominë e vet

15:32 - 06.01.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ben Andoni – Prej ditësh vepra të dimensioneve të ndryshme skulpturore rrethojnë Akademinë e Arteve në Tiranë. E gjithë krijimtaria e një skulptori të njohur vjen më e koncentruar në sallën e ekspozitave të Galerisë FAB, kuruar nga dy pedagogë të Akademisë, Ardian Isufi dhe Sadik Spahia. Në forma që të sjellin shumë në përfytyrim veprën e Henry Moore, punët e Kristo Krisikos përcjellin emocione të ndjera por edhe parametra shumë të lartë artistikë. Punimet, e realizuara para dhe pas viteve ’90, tregojnë nivelin e lartë të kësaj gjinie, por edhe emrin e një autori që prej 25 vitesh nuk është më aq familjar për shqiptarët…prej largësisë.
Në fakt, të mjaftonte të shikoje pjesëmarrjen e publikut në të dhe vlerësimin e personazheve të ndryshëm të artit për të kuptuar se kjo ekspozitë i takonte kryeqytetit kohë më parë për të sjellë një artist që ka dhënë aq shumë për artin shqiptar.




Koleksioni i pasur, i cili prezantohet në këtë ekspozitë, përshfaq talentin e autorit por edhe frymën e jashtëzakonshme të lirisë, që ai e abstragon me format e larmishme, duke nisur me projektin skulpturor realizuar në qeramikë të Bankës së Shqipërisë prej fundviteve ’80 dhe punët e ndryshme realizuar në kohët tona.
Është e vërtetë se një njeri, i cili nuk e pëlqen skulpturën stepet pak nga punët e Krisikos. Kjo sepse format e shumta në dukje të çrregullta që e grishin kureshtjen të duhet pak drejtim për të kuptuar se ku synon dhe çfarë realizon arti i tij. Në esencë është qendërsia femërore e thelbit kulturologjik të shikimit të botës. Por, forma e materies gjenitale, që ai ndërton, shpesh abstragohet dhe përcjell emocionin shqisor të qenies artistike. Në këtë kërleshje koncepti, që jepet me forma të zhdërvjellta një sy i kujdesshëm kupton perceptimin e lartë të autorit por edhe talentin për ta zbritur te publiku emocionin e tij artistik. Kjo lloj sinteze përfshin në vetvete ato që qenia mund të kap më shumë përmes logjikës sesa vështrimeve apo njohurive të ndryshme estetike.
Ekspozita e Krisikos, e titulluar “PROLOG”, na sjell në një farë mënyre dhe evoluimin e artistit përgjatë një eksperience të gjatë artistike në gjini të ndryshme por edhe perceptimeve artistike përballë realiteteve artistike të Shqipërisë dhe Greqisë. Autori e përshkruan në mënyrë të qartë por edhe me një domethënie të madhe në kohë dhe hapësirë të gjithë idenë e vet përmes punëve të formave të ndryshme.

Për specialistët, vepra e tij, është një domethënie metamorfozash formash të abstraguara, apo thënë ndryshe “forma në zhvillim”, që na përshfaqin një afrim dhe konceptim të ri artistik të autorit në perceptimin e tij artistik të viteve të fundit. Skulptura, sipas kuratorëve Isufi dhe Spahia, na tregon një dimension tjetër në kërkim duke evidentuar më shumë procesin e formave në lëvizje sesa aspektin figurativ. Ato të japin ndjeshmërinë e një arratisje volumesh pa adresë por që gjithmonë duhet thënë se na kthehen në destinacione kompozicionale të konceptuara qartë, do të referonin më poshtë kuratorët e tij.
Artisti në zemër të krijimtarisë ka siç përmendëm edhe më lart femrën në formë realiste dhe abstrakte. Dhe qysh në disa vizatime të hershme, që janë të ekspozuara sot në një cep të FAB ai na sjell shenjat e këtij abstraksionizmi të veçantë në skulpturë. Në këtë ekspozitë ai sjell një këndvështrim tjetër të femrës me prezantimin e këtyre punimeve.

Për artistin
Artisti Kristo Krisiko erdhi fizikisht me punën e tij gati 2 dekada e gjysmë më vonë në Shqipëri. Për komunitetin artistik të vendit ishte i njohur, kurse për një pjesë të vogël syresh, ishte edhe më i njohur për arritjet në shtetin fqinj ku ka ngritur jetën e tij të re.
Për fat të keq dhe për ironi të së tërës, ai u nda si shumë bashkatdhetarë për një jetë më të mirë dhe shenja e kësaj ikje na pret në ballinën e FAB me projektin skulpturor në qeramikë të Bankës së Shqipërisë, që daton në fund të viteve ’80-të, e cila edhe pse fitoi nuk mund të jetë atje, për shkak të paradokseve tona që nuk reshtin kurrë. Gjithsesi, një shikues e kundron në një formë shumë të këndshme, falë dhe shpjegimit në konceptin kuratorial të Ardian Isufit dhe Sadik Spahisë.
Krisiko mbetet i interesuar në transferimin e duhur të perceptimit që mund të ndodhë midis objekteve dhe shikuesve të saj. Pasi dihet që veprat tridimensionale i lejojnë njerëzit të kuptojnë mënyrat se si trupat e tyre fizikë janë të implikuar brenda narracioneve të ndryshme. Në një farë mënyre puna e tij i ndihmon njerëzit të kuptojnë sa thellë shkon perceptimi dhe abstragimi i qenies humane, sidomos drejt botës femërore dhe domosdoshmëria e njohjes së duhur në mënyrë që të fillojë realisht afrimi në konceptimin e tij.
Objektet e artistit, në një farë mënyre, janë diçka si mbetjet e njeriut, duke reflektuar personalitetet dhe gabimet – “dëshira jonë, grykësia, obsesioni me pushtetin”, siç thonë kritikët e sotëm. Për kuratorin Ardian Isufi, veprat, fillimisht duken si një arratisje volumesh pa adresë, por që gjithmonë kthehen në destinacione kompozicionale të mirë shënjuara. “Materia e formës tokësore ndërthuret me forma kozmogonike, sikur shkelin ‘njerëz të rinj në tokë të lashtë’ nëpërmjet një futurizmi më shumë mental sesa estetik”, shton Isufi, duke ofruar qasjet e duhura instinktive të psikologjisë sonë.
Kristo Krisiko, e ka nisur karrierën si piktor në fabrikën e porcelanit në Tiranë në vitet 1958-1968. Pesë vjet më vonë do të diplomohej me sukses në Institutin e Lartë të Arteve të Tiranës, në një drejtim që do të shënjonte të ardhmen e vet. Materiali i tij më i dashur ka qenë qeramika, duke zgjeruar punën e tij edhe me skulpturën. Puna e tij është e njohur për format e larmishme, që na u shfaqën dhe në këtë ekspozitë, por edhe në konceptet që ka ditur t’i përcjellë si duhet te figurat por edhe për ndërlikimin e modeleve gjeometrike.


Në të gjithë këtë ekspozim, kemi një narracion të ri në artin pamor fill pas rënies së komunizmit, që duket si një paqtim i artit mes dy kohëve dhe realiteteve. Nëse kolegë të tjerë të ngërthyer nga kanonet e komunizmit mbetën në format madhështore, ku kishim figura të ngrira, sa madhështore dhe po aq paradoksale, një art të blatuar nga megalomanitë e një sistemi paranojak dhe diktatorial, sipas Isufit kjo nuk ndodhi me Kristo Kristikon qoftë edhe në pasqyrimin e ‘Njeriut të tij të Ri Socialist’. Krisiko mundohet ta humanizojë sa më shumë punën e tij dhe këtë jo vetëm ana njerëzore por edhe deri te lëvizja e njeriut të thjeshtë, me brishtësinë e vet dhe intimitetin e madh të njeriut me artin, do saktësonin kuratorët, që i dhanë frymën e duhur perceptuese autorit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.