MILOSAO

Rruga e Fratit dhe kleriku Martin Gjonima

14:55 - 06.01.19 Gazeta Shqiptare

Ymer Hysa – Rruga e Fratit është një toponim treqind vjeçar në Gjorëm të Kurbinit. Është një rrugë që ka shumë vlera historike dhe kulturore jo vetëm në vendin ku quhet e tillë, por mbarëkombëtare. E them këtë pasi kjo rrugë e lashtë, që lidhte fshatin Gjonëm me Kalanë e Sebastes për shekuj me radhë është quajtur Rruga e Kalasë, por rreth viteve 1700 e në vazhdim, deri në ditët tona, kur në krye të kishës Françeskane Shqiptare ishte Frati i Madh Martin Gjonima si i pari i Provincës Françeskane Shqiptare, kjo rrugë mori emrin e tij duke mbetur për tre shekuj si Rruga e Fratit.



Përse dua ta trajtoj dhe ta bëj publike si shqetësim këtë rrugë. Arsyet janë sa historike po kaq bashkëkohore. Nëse do kthehemi pas në histori, padiskutim që duhet të shpjegojmë se cili ishte Frati i Madh Martin Gjonema. Siç e thashë dhe në krye të shkrimit ai është një trashëgimtar i familjes Gjonima, nga Gjormi I Kurbinit, një ndër familjet më të hershme fisnike, nga dera e të cilës kanë dalë shumë princër si Progoni, Gjini, Dhimitri si formues të shtetit të Arbrit dhe mjaftë klerikë si Pali, Marku, Gjoni dhe Martini. Me vdekjen e princit legjendar më 1409, vilajeti i tij kaloi fillimisht në zotërimet e Topiasve dhe pak vite më vonë në atë të Kastriotëve. Shumica e banorëve për shkak të qëndresës historike në shekuj ndaj pushtuesve barbarë u larguan nga trojet e tyre duke u zhvendosur në zona më të sigurta si në Parga, Labëri, Shkodër apo thellë në malësinë e Kurbinit etj., duke krijuar fshatra me të njëjtin emër.

Nëse pas viteve 1410 shkëlqimi qëndrestar që ishte shfaqur ndër shekuj nga kjo familje, pas vdekjes së Dhimiter Gjonimës nuk ishte si më parë, filloi të shkëlqente ai fetar. Nga kjo derë më me emër ishin klerikët Dom Mark Gjonima famullitar në fshatin e tij Gjonëm, Dom Pal Gjonima, famullitar në Stana të Dioqezës së Lezhës, si dhe Dom Gjon Gjonima famullitar në Vjerdha të Dioqezës së Sapës.

Në fillim shekullin e shtatëmbëdhjetë, kur identiteti kombëtar, fatet e kishës shqiptare dhe të gjuhës shqipe po rrezikoheshin rëndë nga pushtuesit osmane, kur në krye të kishës katolike ishte Papa Klementi me origjinë shqiptare, pikërisht në kohën kur u mbajtë në Lezhë Kuvendi Kishtar i Arbërit më 1703 nën drejtimin e Vinçenzo Zmajeviç, Martin Gjonima (Gjonmi) do ishte një ndër kryesorët e këtij Kuvendi. Prerasti në një letër shkruar më 10 nëntor të vitit 1705 dhe dërguar Kardinalit Saprikante në Romë do të shprehej: ” Frat Martin Gjonema ishte i vetmi rregulltar kombëtar që zotëronte një farë talenti dhe ma i mrami Provinçiali shqiptar”
Ky frat ndërroi jetë në vitin 1719 duke u prehur i qetë në Kishën Shna Ndoit në Kep të Rodonit, dhe duke mbetur i gjallë në kujtesën e gjormakëve dhe besimtarët e tij, të cilët rrugës që ai ecte çdo ditë, nga Kisha e Shën Kollit në lagjen Ciprali të Gjormit, deri te kisha e Shnandoit në Laç i vunë emrin e tij duke e shndërruar në një toponim historik që ruhet ndër breza.

Mund të thotë ndokush kjo rrugë e paska këtë emër, ç’kërkon të thuash. Pikërisht këtë dua të trajtoj. Ata që më së shumti duhej ta ruanin funksionin e kësaj rruge, pikërisht ata, në mënyrë të pavetëdijshme, për të mos thënë të qëllimshme, po ja humbin emrin. Po ta shohësh me kujdes, ajo dallohet nga larg, që nga rruga nacionale që përshkon fshatin Gjorëm. Dhe pse është rrugë malore me gjatësi mbi njëmijë meter, ka një pjerrësi të lehtë rreth pesëmbëdhjetë për qind, duke mos qenë aspak e lodhshme për besimtarët e shumtë që e përshkojnë.

E keqja e madhe është se kjo rrugë ndërpritet pikërisht atje ku duhet të jetë e hapur, pranë kishës së Shna Ndoit, dy herë e bllokuar me gardh me tela dhe një herë pranë kishës me një avlli të lartë, duke e bërë të pamundur përdorimin e saj si rrugë.
Duke mos qenë specialist i mirëfilltë për të shpjeguar si mund të bëhet e përdorshme dhe funksionale kjo rruge, si intelektual dhe studiues, sugjeroj që kjo që them, të merret në konsideratë dhe të krijohet mundësia e përdorimit të saj, ose të paktën organet kompetente religjioze nëse e kanë të vështirë të hapin një portë, apo të ndërtojnë shkallë, të paktën të vendosin një pllakat përballë kësaj rruge, ku të shkruhet Rruga e Fratit. Do të ishte në nderin e besimtarëve, në nderin e atyre që e mbajnë gjallë këtë toponim dhe në nderin e atij kleriku të shquar që i dha kaq shumë kishës dhe Atdheut.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *