Kulturë

Naum Prifti: Një jetë me personazhet e Roald Dahl

17:40 - 08.01.19 Gazeta Shqiptare

Naum Prifti – Miqësia ime mbi tridhjetëvjeçare me shkrimtarin me origjinë norvegjeze filloi kur Brikena Çabej, aso kohe Drejtuesja e Redaksisë së Jashtme sikurse quhej Redaksia e Përkthimeve në Tiranën e periudhës para ndërrimeve politike, më dha për recension romanin “THE BIG FRIENDLY GIANT”. E dija se Roald Dahl ishte shkrimtar norvegjez, i cili shkoi në Angli qysh kur ishte fëmijë dhe aty u rrit, edukua dhe shkollua. Romani më mahniti me fantazinë dhe humorin e derdhur natyrshëm. Ishte e qartë se përkthimi kërkonte më shumë se njohje të gjuhës angleze, për të mos humbur shpotinë e gjuhës dhe vlerat e përmbajtjes. “Gjuha fantastike” e gjigantit nuk më hiqej nga mendja dhe shpesh përsëritja me vete variante të tingëllimit të shprehjeve të tij në shqip. Kur Brikena më tha se nuk mund të gjente dikë që ishte edhe përkthyes edhe humorist, gjiganti dhe unë nisëm rrugën drejt hyrjes në panteonin e përkthimeve humoristike. Roald Dahl është mjeshtër i lojës me fjalë dhe togfjalësha, me kompozita, me parashtesa dhe prapashtesa. Sa për të dhënë një shembull, autori vë në gojën e gjigantit fjalë si HUMAN BEANS në vend të HUMAN BEING, që në shqip do të përkthehej nga QENIE NJERËZORE në NJERI FASULE duke humbur humorin e frazës. Natyrisht, shqipërimi shkonte më larg se përmbajtja gjuhësore. Për të ruajtur humorin dhe për të arritur efektet përkatëse komike të veprës origjinale, së pari m’u desh të mësoja teknikat e humorit anglez të përdorura nga Dahli në veprën e tij, sikurse transpozicionet e rrokjeve brenda fjalës, të cilat ia ndryshonin krejt kuptimin fjalës.



Për një vështrim krahasimor studiova përkthimin e GJMM në gjuhën italiane, ruse dhe franceze. Ndryshe nga dy të parat të shoqëruara me shënime shpjeguese për lojërat e fjalëve, përkthimi në frëngjisht kishte shmangur përkthimin ad verbatum dhe përkthyesi kishte gjetur adekuatet e sakta dhe efektive të gjuhës frënge. Unë vendosa të ndjek një metodë të ngjashme. Gjiganti bën “gabime” të hatashme kur flet, por justifikohet se nuk ka patur fatin të shkojë në shkollë. Kështu në vend të fjalës zarzavate, ai thotë zjarrzavate, në vend të fjalës rinoceront, gjiganti thotë rinoqeros, për misterioze, ai thotë mishorizore, për llafazan ai thotë llafefazan, në vend të gjepura ai thotë gjel-pula. Së dyti, unë krijova disa neologjizma ose modifikime fonetike e kuptimore për t’iu përshtatur morfema të Dahlit. Sa për ilustrim nga pasthirrma Puh, krijova foljen “puhas”, si edhe emrin “puhatje,” si një veprim që kryhet kur ai i fryn një tubi për të dërguar në dhomat ku flenë fëmijët ëndrrat që ka mbledhur në fushë dhe ata kësisoj shohin ëndrrat që ka përzgjedhur ai. Gjiganti del ndër fusha e kodra për të kapur ëndrrat dhe i kap ato si fluturat me një shtagë të gjatë që ka në krye një rrjetë teli, pastaj i përzien ato si do vetë, madje disa i bën të frikshme, fytangushtore, sikurse u thotë atyre që të kallin tmerrin duke të zënë fytin apo grykën. Një shembull tjetër: nga fjala trangull që është ushqimi i zakonshëm i gjigantëve krijova teleshtrangull për t’i dhënë një kuptim më modern me anë të parashtesës “tele” të përdorur në terma të teknikës si teletajp, teleks, televizor. Po ashtu shqipërova dhe emrat e disa gjigantëve si Lokma-llupësi, Plëncdaullja, Ripërtypës i Kockave.

Përkthimi u mirëprit nga lexuesit dhe kritika, e cila u shpreh me entuziazëm se Naum Prifti e bëri Gjigantin e Madh të Mirë të flasë shqip. Madje disa nga frazat e Gjigantit autodidakt si psh teleshtrangull u përhapën me shpejtësi duke hyrë në përdorimin e përditshëm si qyfyre.
Për mua, përkthimet janë po aq të vlefshme sa edhe krijimet e mirëfillta. Prandaj pas suksesit të Gjigantit, unë përktheva një nga titujt klasik të letërsisë botërore Çarli dhe Fabrika e Çokollatave nga i njëjti autor. Aventurat e z. Vili Vonka, Umpa-Lumpave dhe Çarlit i japin lexuesit kënaqësi si edhe disa mësime praktike të stilit Dahl-ian. Them se miqësinë e vjetër me krijuesin e personazheve të paharrueshme letrare dhe mjeshtrin e lojërave të fjalëve vazhdoj ta ruaj. Bashkëpunimi im i tretë me gjeniun e letërsisë është libri “Çarli dhe Ashensori i Madh prej Xhami” ku historitë e zotit Vonka dhe Çarlit arrijnë stratosferën në kuptimin e vërtetë dhe figurativ të fjalës. Në një shtrirje kohore mbi tri dekada i kam dhënë lexuesit shqiptar mundësinë të shijoj gamën e pasur të fantazisë dhe humorit të Roald Dahl-it në tri vepra klasike: “Gjiganti i Madh i Mirë”, “Çarli dhe Fabrika e Çokollatave” dhe “Çarli dhe Ashensori i Madh prej Xhami”.

Libri më i ri, një copëz nga vepra e sapobotuar

Roald Dahl ka ardhur në shqip në një format të madh krejt të ndryshëm nga më parë dhe plot ngjyra! Çfarë ndodhi me Çarli Buketin dhe Vili Vonkën pasi lanë pas Fabrikën e Çokollatave? Ashensori i madh prej xhami po vozit hijshëm lart në qiell, treqind metra mbi Fabrikën e Çokollatave! Vili Vonka, Çarli Buket dhe familja e tij mund ta shohin gjithë botën poshtë tyre. Mirëpo ata nuk e dinë që nuk janë vetëm atje lart! Në hotelin hapësinor SHBA, mrekullia e arritjeve të epokës kozmike, i cili sapo është lëshuar në orbitë, kanë hyrë vermicjet përbindëshe, qeniet më lebetitëse të krejt universit… Me shqipërimin mjeshtëror të Naum Priftit, “Çarli dhe ashensori i madh prej xhami” është prej dhjetorit në duart e lexuesve!

PJESË NGA LIBRI
Edhe brenda Ashensorit të Madh prej Xhami kishte tollovi. Çarli dhe Vili Vonka e gjithë të tjerët e shihnin qartë siluetën madhështore argjendore të Hotelit Hapësinor “SHBA” gati një milje përpara tyre.
Dhe natyrisht gjithkush, madje dhe gjyshja Xhozefinë, tani e dinte mirëfilli se ç’po ngjiste. Ata madje e dinin se tre astronautët që komandonin Kapsulën Ndërlidhëse quheshin Shakuorth, Shanks dhe Shauler. E gjithë bota i dinte këto gjëra. Gazetat dhe televizionet kishin gjashtë muaj që s’jepnin gjë tjetër. Operacioni Hoteli Hapësinor ishte ngjarja e shekullit…
– Po sikur ata të na vihen nga pas? – foli për herë të parë zoti Buket.
– Po sikur të na kapin? – tha zonja Buket.
– Po sikur të na qëllojnë? – tha gjyshja Xhorxhinë.
– Po sikur mjekra ime të jetë prej spinaqi jeshil? – bërtiti Vili Vonka. – Gjëgjeza dhe gromësira. Nuk arrihet asgjëkundi me posikure të tilla. A do ta kishte zbuluar Kolombi Amerikën nëse do thoshte: “Po sikur të mbytem rrugës? Po sikur të më zënë piratët? Po sikur të mos arrij të kthehem?” Mbase nuk do qe nisur fare! Nuk na duhen “posikuret” këtu, apo s’e kam mirë Çarli? Përpara pra!

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *