Intervista

Kandidon për deputete në Zyrih të Zvicrës, Arbela Statovci: Dua të jap kontributin tim

14:30 - 09.01.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pamela Aliaj –  Rrëfehet studentja sipërmarrëse shqiptare: Kam qenë dhe jam një personalitet që çohet dhe flet, nëse ka diku padrejtësi




“Të rinjtë duhet të marrin pjesë në jetë, sepse vetëm nëse bashkëpunojmë jemi të fortë”

 Çdo vit e më tepër dëgjojmë lajme të reja lidhur me shqiptarë, të cilët angazhohen në fusha të ndryshme nëpër botë, duke përfaqësuar veten e tyre, familjen si dhe vendin nga i cili vijnë. Por së fundmi janë shtuar edhe rastet kur të rinjtë me prejardhje shqiptare po triumfojnë në fushat politike të shteteve më të zhvilluara të botës. I tillë është edhe rasti i vajzës me prejardhje nga Prishtina. E rritur në Zvicër, edhe pse ende një studente, ajo ka një biznes të sajin si dhe kandidon për deputete në Zyrih të Zvicrës. Në një intervistë ekskluzive për “VIP Pages” të “Gazeta Shqiptare”, Arbela në një rrëfim frymëzues ka folur lidhur me rrugëtimin e saj si dhe angazhimet e shumta në fusha të ndryshme. “Kam qenë edhe jam një personalitet që çohet dhe flet nëse ka diku padrejtësi, ose edhe punë, të gjej ndonjë zgjidhje. Kështu që ka qenë vetëm një çështje kohe kur do mundesha të angazhohesha edhe në politikë”, ka thënë ndër të tjera Arbela. Ajo gjithashtu ka folur edhe për rrugën e vështirë që familja e saj ka kaluar para se të emigronte për në Zvicër, ku rrëfen edhe faktin e dënimit me burg të të atit në vitet ’80, duke u përpjekur të mbronte vendin e tij, traditat dhe gjuhën. Si përfundim, Arbela ka një mesazh edhe për të rinjtë: “Është shumë e rëndësishme të kontribuojmë në atë vend që jetojmë, që të jetë pjesë e diçkaje më të madhe. Që merr përgjegjësinë për veten, për fqinjin, për rininë, e cila është e ardhmja jonë. Sa më shumë që kontribuojnë, aq më shumë mundemi të arrijmë! Dhe mos harroni se ju shpërblehet, nga një vend, nga një shoqëri, nga një parti, si në rastin tim, në FDP. Edhe ajo që është më e rëndësishme: Mundi të bën dallimin për një person,  një familje, sidomos në Zvicër, që kemi demokracinë direkte dhe zëri ynë ka vlerë”.

 Për herë të parë një shqiptare konkurron në parlamentin e Zyrihut. Si ka qenë rrugëtimi juaj deri këtu?

Unë kam vite që jam përkrahëse e Partisë Liberale. Në moshën 20-vjeçare jam bërë pjesë e partisë, por nuk kam qenë shumë aktive. Ka qenë koha e gjimnazit, kështu që nuk kam pasur shumë kohë për angazhim në politikë. Gjatë studimeve për Bachelor në shkenca të komunikimit kam punuar në radio si gazetare për një vit. Gjatë kësaj kohe jam ballafaquar me tema të ndryshme politike dhe e kam kuptuar që jam pjesë e një shoqërie, e vendit ku jetoj dhe dua të jap kontributin tim për të ardhmen e përbashkët. Kështu kam vendosur që pasi t‘i përfundoj studimet, do të jem më aktive për komunën, për kantonin dhe për shtetin zviceran, me motivin më të madh si përfaqësuese e femrave, të cilat ende nuk përfaqësohen si duhet dhe e shqiptarëve, sidomos e gjeneratës sime. Jam pranuar në Bordin e FDP-së në komunë, e cila më ka motivuar edhe më ka propozuar të konkurroj për deputete në Parlamentin e Zurich-ut.  Kam gjetur veten në partinë e FDP, që i ndan vlerat e mia personale si vetëvendosjen, vetëpërgjegjësinë, lirinë personale dhe kolektive edhe angazhimin për bashkësinë. Në Zvicër kemi shumë persona të cilët janë në gjeneratën e 2-të edhe kanë hapur biznese të ndryshme, për cilat FDP-ja angazhohet që të zvogëlohen pengesat burokratike dhe të krijohen kushte optimale për kompani të reja, në mënyrë që kantoni i Zyrihut të mbetet tërheqës për ndërmarrësit dhe inovacionet. Si një ndërmarrëse, arsimi, shkenca dhe inovacioni janë shumë të rëndësishme për mua. Suksesi i Zvicrës bazohet kryesisht në një sistem të shkëlqyeshëm arsimor. Vendet e huaja na lakmojnë për arsimin tonë fleksibël dhe të orientuar drejt së ardhmes. Është e rëndësishme të vlerësojmë dhe të zhvillojmë këtë.

Si lindi dëshira për të qenë pjesë e politikës zvicerane?

Zvicra i ka sjellë mundësinë familjes dhe mua që të krijomë një jetë më të mirë, më të suksesshme. Është vendi ku jam rritur, jam shkolluar edhe ku kam krijuar shoqërinë private dhe biznesin dhe e kam kuptuar që jam pjesë e një shoqërie, e vendit ku jetoj dhe dua të jap kontributin tim për të ardhmen e përbashkët. Është edhe trashëgimia ime, jam e bindur. Katragyshi im, Mulla Emin Statovci, ka qenë shumë përparimtar kur e ka hapur shkollën e parë edhe e ka mbrojtur alfabetin shqip. Dr. Ejup Statovci ka qenë doktor shkence në fushën juridike ku ka dhënë ligjëratë në universitetin anglez, Cambridge. Ka qenë profesor edhe rektor i universitetit të Prishtinës. Janë disa shenja që janë trashëguar, ambiciet për të kontribuar dhe mënyrën arsimore, si dhe atë politike për një të ardhmen sa më të mirë. Babi im ka qenë i arrestuar në vitet ‘80 për atë që ka demonstruar të mbrojë vendin e tij, traditat dhe gjuhën. Nuk mundem ta kuptoj për atë që është dënuar, por kuptoj dëshirën e babit që ka pasur për të kontribuar me angazhim për vendin që do edhe që jeton. Është e tillë edhe tek unë. Unë e konsideroj veten si zvicerane dhe si shqiptare, kështu që kam detyrën si banore e këtij vendi, të angazhohem për më të mirën.

Kush ka ndikuar tek ju apo ju ka nxitur për të ndjekur këtë rrugëtim?

Vetvetja. Kam qenë edhe jam një personalitet që çohet edhe flet nëse ka diku padrejtësi, ose edhe punë, të gjej ndonjë zgjidhje. Kështu që ka qenë vetëm çështje kohe kur do mundesha të angazhohesha edhe në politikë. Ajo që nuk më pëlqen aspak është nëse ankohet dikush, por nuk do të gjejë një zgjidhje, por vetëm ankohet pa dëshirë të marrë përsipër përgjegjësinë. Është shumë e lehtë të ankohesh. Kështu që kam qëndruar tek partia FDP optimale, duke qenë se i përkrah të gjithë ata sipërmarrësit ose personat e angazhuar, nëse arrijnë diçka edhe marrin përgjegjësinë për vete edhe për të tjerë.

Ju jeni pronare e një biznesi në Zyrih të Zvicrës dhe përfaqësuese e zërit të të rinjve në fakultetin e HWZ, në Media e Komunikim. Na flisni pak më tepër me angazhimet dhe përfshirjen tuaj me të rinjtë.

Janë 2 përfshirje: e para është angazhimi im, i cili lidhet me një iniciativë për adoleshentë të moshës 15-16 vjeçare, të cilët mundohen të inkuadrohen në botën profesionale. Aty takohemi rregullisht me të rinjtë për të ushtuar intervista, vetëparaqitjen në mënyrë profesionale ose për të zbuluar se cili mund të jetë profesioni i duhur për një person. Ndihmoj që të organizohen mbledhje të nxënësve çdo vit, ku mund të njoftohen ish-studentët me studentë, ku mund të bëhen bashkë për të hapur një biznes, ose  diçka tjetër. Unë, për shembull, pasi kam hapur biznesin, kam pasur shumë sukses sepse kam qenë në mes të plot personave, të cilët ishin në vende punësh të mira gjithkund në Zyrih, të cilët më kanë përkrahur. ‘Network, network, network’. E dyta është angazhimi im në bordin e fakultetit, në të cilin ende jam duke studiuar shkenca ekonomike, ku marr rolin e një “ure” mes profesorëve edhe studentëve. Aty, sidomos në 5 vitet e fundit jam angazhuar duke kontribuar në njoftimin e studentëve mes njëri-tjetrit për të shfrytëzuar sugjerimet në botën profesionale, ose në mënyrë që të mësohen nga njëri-tjetri me dije, eksperiencë etj.

Prej sa kohësh jetoni në Zvicër? A ka qenë e vështirë jetesa aty për ju apo për familjen tuaj?

Po e vërtetë, prindërit kanë ardhur në Zvicër në vitet ‘90. Fillimi sigurisht nuk ka qenë i lehtë për familjen tonë, por çdo person ia gjen vetë vendin vetes. Babi në atë kohë ka pasur një mentor, i cili ka qenë student, që e ka ndihmuar të mësojë sistemin e arsimit në Zvicër, njësoj si unë sot, që angazhohem. Këtu e shikon se sa e rëndësishme është që t’i ndihmosh të tjerët. Mundesh absolutisht të bësh ndryshimin për një familje. Sot nuk kemi më aq probleme sa kemi pasur para një dekade. Për shembull: Ne jemi 4 fëmijë, 3 motra e një vëlla. 3 prej nesh kanë biznesin e tyre. Motra me një sallon, vëllai një dyqan ‘online’ për çanta unike edhe unë me ushqim. Motra e vogël ende është në shkollë. Këtu në Zvicër të presin mirë nëse je një pjesë e vendit, nëse je aktive, nëse punon edhe i rregullon vetes vendin dhe krijon vende pune. Dmth., krijon vlera të shtuara për bashkësinë.

Nëse bëheni deputete në parlamentin kantonit të Zyrihut, për çfarë do të angazhoheni më shumë?

Angazhimi im do të jetë kryesisht në rrethin Bylach me Partin e FDP-së. Do të angazhohem që të zvogëlohen pengesat burokratike dhe të krijohen kushte optimale për kompani të reja, në mënyrë që kantoni i Zyrihut të mbetet tërheqës për ndërmarrësit dhe inovacionet. Si një ndërmarrëse, arsimi, shkenca dhe inovacioni janë shumë të rëndësishme për mua. Suksesi i Zvicrës bazohet kryesisht në një sistem të shkëlqyeshëm arsimor. Vendet e huaja na lakmojnë për arsimin tonë fleksibël dhe të orientuar drejt së ardhmes. Është e rëndësishme të vlerësojmë dhe të zhvillojmë këtë. Barazia në punë, familje, barazia gjinore janë shqetësimet qendrore për ne. Çdo person duhet të jetë në gjendje të vendosë për veten dhe mënyrën se si ta e formojë jetën e vet, qoftë në punë, në familje apo në kohën e lirë. Kemi nevojë për më shumë modele fleksible në treg të punës dhe kuadro të lartë si gra ashtu edhe burra, si dhe paga të barabarta për performanca të barabarta.

A keni shqiptarë të tjerë të angazhuar në fushatën tuaj elektorale, apo edhe që punojnë në biznesin tuaj?

Po, ka. Unë ndihem shumë krenare sa herë që kuptoj që çdo herë e më shumë shqiptarët po angazhohen në fusha të ndryshme dhe inkuadrohen në shoqëri e kanë ndikim në tema të rëndësishme. Unë nuk jam e vetmja shqiptare femër e angazhuar në politikë. Ka edhe shumë zonja të tjera të suksesshme në fusha të ndryshme. Në partinë e FDP-së janë edhe 2 shqiptarë të tjerë, Përparim Avdijli dhe Ylli Doko.

Sa e vështirë ka qenë për Arbelën për të arritur këtu ku është dhe cila ka qenë shtysa juaj dhe ndihma më e madhe për të kaluar vështirësitë?

Prindërit e mi më kanë edukuar në mënyrë që të më nxisin të ecë përpara, të punoj më shumë se të gjithë të tjerët për të arritur një nivel që nuk do të jem e varur nga dikush tjetër. Tema e shkollimit ka qenë tema qendrore në shtëpi. Sot e dëgjon zërin e prindit që thotë “Mëso, mëso, mëso, sepse vetëm atëherë mundesh të arrish diçka”. Dituria është fuqi. Besomë kur të them, që gjatë shkollimit, studimit, edhe kohën që kam hapur biznesin, ka pasur 100 herë situata kur jam ndjerë e pasigurt ose keq, ose e paditur, por çdo herë në momente të tilla kam hipur në tren e kam shkuar në “shtëpi” tek familja… Sepse pa marrë parasysh, kudo që je, mbështetjen më të madhe e ke aty… Vitin e kaluar ka ndodhur që kam shkuar në Kosovë për relaksim që më ka ikur “stresi”.

Çfarë mesazhi mund të jepni për të rinjtë shqiptarë në Zvicër si edhe në trojet e tjera?

Që duhet të marrin pjesë në jetë, sepse vetëm nëse bashkëpunojmë jemi të fortë. Plot herë dëgjoj që njerëzit thonë “ah, me politikë nuk mund të arrish diçka, ose politika është e komplikuar” – OK, e kuptoj, por politika nuk është gjë tjetër veçse diskursi për të gjetur zgjidhje për bashkëjetesën e sotme dhe për të ardhmen. Në fusha të ndryshme jam e sigurt që secili ka mendimin e vet. Është shumë e rëndësishme të kontribuojmë në atë vend që jetojmë, që të jetë pjesë e diçkaje më të madhe. Që merr përgjegjësinë për veten, për fqinjin, për rininë, e cila është e ardhmja jonë. Sa më shumë që kontribuojnë, aq më shumë mundemi të arrijmë. Qoftë në parti politike apo shoqatë e çdo fushë, angazhimi mbetet angazhim. Dhe mos harroni se ju shpërblehet, nga një vend, nga një shoqëri, nga një parti, si në rastin tim, në FDP. Edhe ajo që është më e rëndësishme: Mundi të bën dallimin për një person,  një familje, sidomos në Zvicër, që kemi demokracinë direkte dhe zëri ynë ka vlerë. Është gjynah të mos marrim pjesë në vendimmarrje. As një shtet tjetër nuk i ka këto të drejta. Ka edhe shtet, ku zëri, sidomos i femrës nuk dëgjohet aspak. Ky rast duhet të na motivojë, sidomos të rinjtë që të inkuadrohet në jetën e tyre.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.