KULTURË

Kolec Topalli: Petro Marko në shtëpinë time dhe jeta në kampin e Tepelenës

14:00 - 09.01.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli  – Ishte 23 maji i 2018… Ai e priste prej meje parathënien e librit të fundit. Shkëmbyem mesazhe të një falënderimi për punën që kisha ndër duer dhe i shpjegova se: “…më duhesh edhe pak kohë me ia dhanë dorën e fundit…” Qe nji trishtim i madh, kur pikërisht të nesërmen mora lajmin e humbjes së tij. Edhe pse e dija se ishte mjaft i sëmunë, dhe pse shëndeti i tij kohët e fundit po i shkonte drejt shuemjes, s’doja kurrsesi me e besue kët gjà. Si zot i fatit të vet, ai i kishte mbyllë n’paqe llogaritë me jetën, edhe pse ajo ishte sjellë ashpër me të… Herën e fundit ndejtëm gjatë, e folëm mjaft për Fjalorin Etimologjik të Shqipes. Ndër tjera, më tha se “Botimi i kësaj vepre, asht kunorzim i krejt punës sime gjysmëshekullore… Jam i kënaqun! Munda me i realizue krejt projektet që i kisha vu vedit në jetë… Kjo ishte e fundit… Po shkoj përtej pa asnji peng…”. Rrëfimi i Jozef Radit për Kolec Topallin është i ndjerë. Në parathënien e librit me kujtime “Një jetë me brenga” botuar pas vdekjes së gjuhëtarit nga Instituti për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Radi ndalet gjatë te miku i tij. “Tragjedia e familjes Topalli asht nji prej ma të dhimbshmeve. Mbas ‘çlirimit’ ata nuk mbërritën kurrë me u ba të tanë bashkë, as ndër gëzimet e pakta, as ndër idhnimet e shumta, që jeta (falë njerzve të pushtetit të ri) s’prajti duke ua dhurue më shumicë.




Ishin vitet ’60, kur familja Topalli, sapo e kishte lanë kampin e internimit në Savër, kur familja ime, sapo ishte dërgue me qëndrue për 30 vite të tjera aty. Veçse jehona e vlerave e qëndrimeve t’asaj familje që kishin jetue në krejt kampet e deriat’hershe ishte e gjallë, e prekshme, lëvduese! Çka kishte pësue ajo familje, ishte në sinkron me shumë prej familjeve ma të randsishme, që në indeksin komunist të mbas ’44, ishin damkosë armiq të popullit; reaksionarët dhe ata që i pinin gjakun popullit!”, – thotë Radi në hyrjen e librit. Ai na përgatit se faqe pas faqeje të këtij libri biografik, autori është përpjekur të jetë sa ma lakonik e sa më i rezervuar. “Familja, që për Topallët ishte e shenjtë, qe shpërnda e kishte humbë e gjitha pikat e takimit mes vedi. Nji katastrofë humane që askush s’mundet ta besojë e as ta kuptojë pse e gjithë kjo urrejtje ndaj nji familje të papërzime, e nga ma të pasunit tregtarë të Shkodrës. Kjo pyetje mbetet e pa përgjigje, sepse çdo përgjigje s’do të mundet kurrsesi me u ba e plotë dhe e kuptueshme as prej vetë barbarëve që morën shtetin shqiptar, me e shndërrue në vendin ma tragjikomik të Europës…”, vëren Radi.

Ai shton se ndërsa ngjit të përpjetën e ashpër të librit autobiografik “Një jetë me brenga” të Kolec Topallit, shpesh duhet m’u ndalë, me marrë frymë thellë, e me thanë: “Asht e pamundun!”, mandej të duhet m’e ndjekë kët Sizif modern tek ngjitet i paepun në t’përpjetë të fatit, e me ba nji refleksion ndërgjegjeje; të duhet m’u marrë me absurdin e këtij pushteti që kishte në themele t’veta shkatërrimin e vlerave të njeriut, t’intelektualit e të familjes; duhet me besue se ajo kohë s’mundesh me qenë pafundsisht e gjatë… dhe t’i ndjek nji fëmijë që shëtit kampeve të internimit, dhe s’e kupton pse ai duhet t’ishte në Porto Palermo, në Turan, në Tepelenë; pse duhet familja e tij të kthehet me vuejtë në Savër… ndërkohë që njeriu lufton me qenë bashkë e me ndërtue nji jete të re… Po ç’jetë e re do t’ishte ajo ecje në teh të humnerës, ku herët a vonë njeriu i pafajmë do ta gjente vedin nën kthetrat e kriminale të regjimit.

Për Radin, nga bregu i së Keqes dhe nëntoka e Hadit, me filozofinë e pikës që grryen shkambin, Kolec Topalli mbrriti majën e asaj lavdie të përkorë e të pazhurmtë. Mbasi ndërtoi kët korpus veprash akademike dhe nji personalitet të njoftun shkencor si në fushën e gjuhës e albanologjisë shqipe, ai mbajti referate në universitetet ma të njoftuna të Ballkanit, Europës e ma gjanë. Kjo, falë e natyrës së tij të paqme e të paepur, falë vullnetit të tij të hekurt e kambëngulës, falë rregullsisë dhe skrupolozitetit në trajtimet shkencore, falë përkushtimit me çue përpara punën akademike, falë një mirësie të pazhurmët, ai mbetet ndër personalitetet ma të spikatuna të periudhës postdiktaturë. Drejtori i ISKK-së, Agron Tufa, si një prej atyre që e kanë nxitur Topallin të hidhte në letër kujtimet, ka thënë se “profesor Koleci nguronte t’i shkruante”, por tashmë që kemi humbur Topallin gjejmë jetën e një njeriu të thjeshtë në librin e tij “Një jetë me brenga”.

PARAFJALË E TOPALLIT
Gjatë gjithë jetës sime nuk kam menduar se ndonjë ditë do të ulesha të shkruaj kujtimet e një jete të kaluar plot brenga; madje, nuk kam mbajtur as ditar. Prandaj edhe këto kujtime janë shkruar në moshën 70vjeçare. Arsyeja që më shtyu të hedh në letër këto kujtime është dëshira që brezi i rritur në demokraci të njohë sa e vështirë ka qenë jeta e intelektualëve dhe e gjithë popullit shqiptar në regjimin totalitar komunist. Prandaj, në përputhje me këtë qëllim, në këto kujtime jam përqendruar vetëm në disa aspekte të jetës sime, që me fakte konkrete shtjellojnë ashpërsinë e luftës së klasave, e cila përbën absurditetin më të madh të atij regjimi, njëkohësisht edhe faqen më të dhimbshme të tij. Për këtë arsye kam lënë jashtë çdo gjë që lidhet me jetën personale e familjare, duke u përqendruar në marrëdhëniet e mia me pushtetin komunist dhe me botën shkencore, që ka qenë tej mase e politizuar. Sigurisht, të vërtetat e këtyre kujtimeve nuk janë asgjë para vrasjeve, burgosjeve, torturave çnjerëzore dhe sa e sa mizorive të tjera, që ka kryer diktatura komuniste për 50 vjet me radhë. Megjithëkëtë, ato plotësojnë kuadrin e përgjithshëm të mungesës së lirive, të përndjekjeve dhe nëpërkëmbjes së intelektualëve dhe të gjithë popullit.

NJOHJA ME PETRO MARKON
Mbaj mend gjithashtu se në periudhën e fundit të luftës, me porosi të Këshillit të qytetit, ka jetuar në shtëpinë tonë për disa muaj shkrimtari Petro Marko, aso kohe i ngarkuar i redaksisë “Bashkimi” për zonat e Veriut të Shqipërisë. Ai qëndroi në familjen tonë si një pjesëtar i shtëpisë. Megjithëse kishte dhomën e tij ku flinte e punonte, ulej gjithnjë në tryezë për të ngrënë me ne, ku bëheshim gjithsej 8 vetë. Ishte shumë i afërt me ne të vegjlit, me mua dhe me vëllain tim, që kishim afërsisht një moshë. Shpesh na recitonte ndonjë vjershë në frëngjisht, që e kujtoj edhe sot. Në kujtimet e tij të asaj periudhe, të botuara në librin “Intervistë me vetveten Retë dhe gurët”, ai shkruan: “Mua më mbajtën në Shkodër për të botuar Buletinin e Korparmatës së Tretë. Flija në shtëpinë e Nush Topallit, ku merrja lajmet me radio dhe përgatitja lëndën te “Jeta e re”… Familja e Nush Topallit më ka mbajtur si bir të saj, shumë familje bujare, patriote dhe fisnike. Mirëpo në Shkodër, siç duket me ndikimin e malazezëve, nisi ndjekja kundër katolikëve. Kishin ardhur shumë podgoriçanë dhe ata ishin thuajse shumica. Nisi rrëmbimi i mallrave, zbrazja e dyqaneve nga jugosllavët. Shkodranët ishin tmerruar dhe prisnin se ç’do të bënte qeveria shqiptare: a do t’ua ndalonte sllavëve rrëmbimin e mallrave, zbrazjen e dyqaneve? … Edhe Nush Topalli, një njeri me mend dhe i ndershëm, një mbrëmje, duke ngrënë bukë në shtëpinë e tij, më pyeti me druajtje:
Më falni, zoti Petro. Unë e di që ju jeni një patriot i ndershëm dhe dua t’ju bëj një pyetje. A më lejoni?
Unë ha bukën e një vëllai shqiptar, iu përgjigja, si të mos kem besim dhe respekt për të? Ç’doni të më thoni?

Ai më pyeti:
Pse, zoti Petro, po na zhveshin sllavët? Të paktën të marrin një pjesë e një pjesë ta mbajmë dhe ne, se ku t’i gjejmë tërë këto mallra të çdo kategorie: që nga lënda e ndërtimit, te manifaktura, te makineritë e te pijet… Më vjen keq, vërtet miku është mik, po duhet t’i japim ne atë që kërkon, dhe jo t’i hapë ai vetë depot, magazinat e dyqanet… dhe t’i zbrazë pa na thënë as faleminderës! Unë e kuptoj këtë zoti Petro. I shoh të gjitha dhe hesht, se, po hapa gojën, burgu më pret…
Nuk e kuptoja këtë veprim zhvatës pa skrupull nga ana e druzheve… Të gjithë katolikët shiheshin me sy të keq, madje nisi dhe arrestimi i tyre”.

SI NISI GJËMA
Më kujtohet ende dita kur u pushkatua daja. Ishte data 3 shkurt e vitit 1948. Që herët, pa u gdhirë ishin dëgjuar të shtëna armësh në Shkodër.
Viktimë e këtij terrori ishte edhe vëllai im. Duhej një edhe prej familjes Topalli. Dhe meqenëse babai ishte në burg për tatime dhe vëllai i madh “vullnetar” në hekurudhë, i erdhi radha vëllait tjetër, Gjenarinit, në atë kohë djalosh 20-vjeçar, që u burgos dhe pas një viti e më shumë qëndrimi pa gjyq e nën tortura për të pranuar akuzat e falsifikuara, u dënua me 2 vjet burg me akuzën qesharake “ke dalë e ke hapë derën e oborrit për ata që vinin në mbledhje dhe ke ndejë roje gjatë zhvillimit të mbledhjes”, në një kohë që në shtëpinë e Serreqve nuk ishte bërë asnjëherë ndonjë mbledhje e tillë, por ishte vetëm një sajim i Sigurimit të Shtetit për të dënuar njerëz të pafajshëm.
Pjesën e mbetur të dënimit vëllai e kaloi në kampin shfarosës të Bedenit të Kavajës, ku të burgosurit sfiliteshin në punë të rëndë dhe vuanin për bukë e për ujë, aq sa, kur u lirua, mezi njihej, aq shumë ishte dobësuar.

NË INTERNIM
Vëllai i madh, Hila, i mobilizuar për të punuar si arsimtar në fshatrat e thellë të Veriut, ishte emëruar në Palç të Tropojës, prej nga u arratis në prill të vitit 1949. Tri ditë pas kësaj ngjarjeje e tërë familja u internua. Ky qe një shkatërrim i vërtetë familjar. U ndamë në 4 pjesë: babai në burgun e Shkodrës, vëllai i madh jashtë shteti pa e ditur se ku, vëllai i dytë, Gjenarini, ushtar në Përmet, kurse nëna Marie, motra Suzana, vëllai tjetër Ferdinandi dhe unë morëm rrugën e internimit.
Atë vit, kur u internuam, unë isha 11 vjeç dhe ndiqja klasën e pestë të shkollës 7-vjeçare. Qenë ditët e para të prillit 1949 kur dy punonjës të Sigurimit erdhën në mëngjes herët dhe na njoftuan të bëheshim gati se do të na internonin. Nuk kishim fare dijeni për çka kishte ndodhur, sepse para pak ditësh kishim folur në telefon me vëllain. Gjithçka u bë pa asnjë njoftim dhe pa asnjë gjyq a vendim, madje, pa as edhe një shkresë. Në atë kohë asnjeri s’kërkonte gjëra të tilla. Na lanë vetëm një orë kohë për të përgatitur rrobat e për t’u nisur. Kështu, atë ditë, në vend që të shkoja në shkollë, bashkë me familjen na hipën në një makinë dhe na mbyllën në Degën e Punëve të Brendshme.

Na ngarkuan në karrocerinë e një kamioni të hapur. Rrugës heshtje e plotë. Asnjë nuk e dinte ku do të shkonim. Një polic me automatik që na shoqëronte, rrinte në krye të karrocerisë në këmbë, ngjitur me kabinën e shoferit dhe nuk fliste asnjë fjalë. Sigurisht që për të ne ishim armiq të rrezikshëm dhe ai ishte ngarkuar që të na ruante se mos largohej ndonjë. Kaluam Vorën, lamë Durrësin dhe vijuam udhëtimin edhe për disa orë. Më në fund, kamioni u fut në një qytet dhe u ndal para një porte. Aty do të zbrisnim. Kishim arritur në destinacion, në qytetin e Beratit. Ky qe stacioni i parë i internimit.

Ndërtesa ku u vendosëm ishte një han i braktisur në lagjen “Çelepijej”. Në një dhomë rrinim disa familje bashkë…
Por në Berat nuk qëndruam gjatë, më pak se një muaj, pasi aty ishte caktuar vetëm qendra e grumbullimit të familjeve që vinin nga të katër anët e Shqipërisë, shumica e të cilave ishte nga Veriu.

Pas tri javësh çdo gjë u bë gati për nisje. Të ngarkuar në karroceritë e makinave të hapura, përsëri me një polic që na shoqëronte, u nisëm, gjithsej 7 makina në kolonë, pa e ditur ku po shkonim. Si gjithnjë destinacioni ishte sekret. E njëjta skenë si ajo kur u nisëm nga Shkodra. Udhëtimi u bë përgjatë gjithë natës. Rrugës, që zgjati më shumë se 8 orë, njëra makinë u rrëzua dhe u rrokullis poshtë në një luginë të thellë. Pati 2 të vdekur e shumë të plagosur. Të gjitha këto i morëm vesh kur arritëm në mëngjesin e ditës së nesërme në disa kazerma ushtarake, ku ishte vendqëndrimi ynë. Kishim arritur në një repart ushtarak, në fshatin Turan të Tepelenës. U sistemuam në kazermën numër 3, që për fatin tonë ishte e mbyllur, ndërsa shumë të tjera ishin të hapura. Familjet brenda kazermës vendoseshin në radhë njëra pas tjetrës dhe formonin 3 rreshta. Mund të numëroheshin më shumë se 4050 familje në një kazermë, ku të gjithë flinin përdhe, në çimento. Ne shtruam dy rrogoza, por meqenëse nuk na takonte kaq vend, gjysmën e njërës rrogozë e zuri një e internuar tjetër, një grua e vetme nga Dibra, së cilës i ishte arratisur burri. Në një metër e gjysmë vend mund të flinim gjithsej 3 persona, unë nëna dhe vëllai, kurse motra, që ishte në moshë pune, punonte në një fshat tjetër rreth dy orë larg dhe vinte vetëm një herë në javë për të na parë. Atje, nga maja e një mali ngarkonin dru në kurriz dhe i sillnin poshtë në fushë. Ishte një punë shumë e rëndë. Shpeshherë gjatë rrugës rrëzoheshin nga pesha e ngarkesës. Kur nuk plotësonin normën, rrinin deri natën vonë për ta plotësuar.
Jeta në kamp qe shumë e vështirë. Çdo natë bëhej apeli për të kontrolluar se mos largohej ndonjë. Të vetmet çaste gëzimi ishin kur shpërndahej posta, sigurisht pasi ishte hapur e kontrolluar nga drejtoria e kampit. Atëherë mund të dëgjoje emrat e shumë familjeve që jetonin prej vitesh në kampe: Gjomarkajt, Kupi, Miraka, Dineja, Dosti, Mulleti, Repishti, Merlika, Dema, Bushati, Kazazi, Ndreu, Bajraktari, Kaloshi, Cenelezi, Previzi, Radi e shumë të tjerë. Të dukej sikur po shfletoheshin faqet e një libri historie.

Në fillim çdonjëra familje mundohej ta përballonte vetë jetesën me ato që mund t’i dërgonin njerëzit e farefisit; por kur filluan vdekjet në masë nga uria, drejtoria e kampit u detyrua të vërë kazanin e ushqimeve: një supë e një racion bukë, edhe kjo një herë në ditë. Ujin e pijshëm e merrnim në mal një gjysmë ore më këmbë, në një cisternë prej hekuri, që bashkë me ujin nxirrte edhe krimba të vegjël me ngjyrë të kuqe. Banja nuk kishte. Gjithçka në natyrë, nën qiellin e hapët. Edhe për të larë trupin, me një kusi me ujë që e ngrohnim me degë shkurresh, i ngjiteshim malit për të gjetur ndonjë skutë të fshehtë ndërmjet kaçubash. Më vonë, vetë të internuarit në afërsi të kampit hapën një gropë, që e rrethuan me degë dëllinjash. Banorët e fshatit, që ndodhej në majë të një kodre, mbanin qëndrim shumë të ftohtë ndaj nesh. Nuk donin kurrsesi të kishin kontakte me ne. Jo vetëm nuk na flisnin fare, por as nuk pranonin të na shisnin ndonjë gjë me para në dorë, kurse në dyqanin e vetëm të kooperativës së shitblerjes në Tepelenë, ku mund të shkonim vetëm me leje të komandës, kishte vetëm gorrica.
Pas 6 muajsh erdhi urdhri i transferimit. Lëvizëm përsëri, këtë radhë më afër, nga Turani në Bënçë, më pranë Tepelenës. Përsëri në kazerma ushtarake, me të vetmin ndryshim se, në vend të çimentos, kishim shtretër marinari prej dërrase në tërë gjatësinë e kazermës. Kështu numri i familjeve që strehoheshin brenda kazermës, ishte dyfishuar dhe kontrolli i njerëzve bëhej më lehtë, mbasi edhe rregullat e apelit u bënë më të rrepta, duke qenë se kampi ndodhej më afër qytetit të Tepelenës. Kishte raste kur atë e bënin në orët e vona të mbrëmjes, duke detyruar të mëdhenj e të vegjël të ngriheshin nga gjumi e të zbrisnin nga krevatet. Ja si i përshkruan vuajtjet e pafund në kampin e Bënçës një ish e internuar, Elena Merlika, e cila, pasi u end kampeve të internimit për 45 vjet me radhë, mundi të shihte dritën e lirisë e të riatdhesohej në vendlindjen e saj vetëm pas vitit ’91, atëherë kur u shemb njëherë e përgjithmonë diktatura komuniste, që mbante në këmbë kampe të tilla.

PORTO PALERMO
Në Bënçë nuk qëndruam gjatë, vetëm pak muaj, se përsëri erdhi urdhri i transferimit për në një vend tjetër.
Iu ngjitëm një kodre dhe na strehuan në një kështjellë me mure rreth dy metra të trashë, pa dyer e pa dritare. Jashtë kështjellës drurë e shkurre mbulonin kodrën, majë së cilës naltohej e vetmja ndërtesë, kështjella ku u strehuam. Më tej deti i pafund. Ishim në Porto-Palermo, vend ideal internimi e izolimi të plotë, ku vetëm një rrip toke na lidhte me pjesën tjetër të vendit. Por mua nuk më takoi të rrija gjatë aty, se, posa arrita në Porto-Palermo, u sëmura rëndë dhe më çuan në spitalin e Himarës. Për 3 javë isha në mes të jetës e të vdekjes. Por në këtë luftë kjo e fundit u mund e një ditë prej ditësh e lashë spitalin dhe i ndihmuar nga motra dhe një e internuar tjetër, shoqe e saj, i kapur përkrahësh në të dyja anët, iu ngjita kodrës për të shkuar në kështjellën që e kishte ndërtuar Ali Pashë Tepelena.

Jeta në kështjellë nuk ndryshonte nga ajo e kazermave. Në dhomat e mëdha brenda mureve të trasha banonin disa familje. Gjithçka ishte gur e beton. Nga frëngjitë që nuk kishin dritare dhe nga hyrja që s’kishte derë, fishkëllente era e ftohtë e dimrit, që vinte nga deti dhe rrihte pa pushim majën e kodrës ku ishte kështjella. Në mes të dhomës pa oxhak, një zjarr që nxirrte tym dhe të verbonte sytë, rrinte i ndezur gjatë gjithë natës.
Në një vizitë në Porto-Palermo, një surprizë e vërtetë e priste vajzën time, Joanën. Kur u ngjit sipër, në tarracën e sheshtë të kështjellës, të internuarit fatzinj kishin lënë si kujtim emrat e tyre, ashtu si të burgosurit në burgun e Burrelit, Spaçit e Qafë-Barit. E ndërmjet emrave të shumtë, kishte gjetur emrin e njërit prej pjesëtarëve të familjes sonë: Ferdinand Topalli (vëllai) dhe një datë: 10-XII-1949. Ishte mallëngjyer shumë. As rrebeshet e stuhitë e dimrit, as vapa përvëluese e verës nuk e kishin shlyer këtë simbol të pafajësisë së një djaloshi 12-vjeçar dhe të hakmarrjes së verbët të një regjimi totalitar, që dënonte pa dallim burra, gra, fëmijë e pleq të pafajshëm.

Pas Vitit të Ri për mua dhe vëllain erdhi falja. Nuk mund të mbaheshin më sidomos fëmijët, që vdisnin nga uria e sëmundjet.
Bashkë me disa të mitur të tjerë të kampit u larguam nga Porto-Palermoja dhe për tri ditë qëndruam në Degën e Punëve të Brendshme të Himarës, derisa u gjet një makinë që na çoi në Tiranë. Një mik i familjes, që na pa në oborrin e Policisë së Rajonit, na mori në shtëpinë e tij dhe na nisi për Shkodër, ku shkuam të banojmë te gjyshja.

U ndamë nga familja, se nëna, motra dhe babai që ishte liruar prej burgu, vijuan kalvarin e mundimeve edhe për 6 vjet të tjera, duke e kaluar më të shumtën në Savër të Lushnjës…


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.