KULTURË

Nikolin Pici/ Burri me aparat që fiksoi portretet e pilotëve e kapitenëve

15:30 - 10.01.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli  – Imazhet që shihen i ngjajnë sekuencave të filmave amerikanë në Vietnam. Gjendja që përcjellin, çasti i ndalur në kohë, tensioni dhe emocioni veçse të grishin për të parë më shumë se ç’ndodh përtej letrës bardhezi. Janë imazhe nga stërvitjet e strukturave të ndryshme të forcave ushtarake shqiptare, portrete pilotësh, tankistësh, artiljerësh a xhenierësh. Autori i këtyre fotove, u nda nga jeta dhe u përcoll për në banesën e fundit krejt në heshtje.




Është Ylli Drishti që përmes një e-maili njofton se mjeshtri i fotografisë Nikolin Pici, u shua dhe iku.
Emri i tij kërkon vëmendje edhe pse vinte nga Dinastia e Fotografëve Shkodranë “PICI”. Si i tillë, ai ishte rritur në “Odën e territ”, prej ku dilnin në dritë imazhet e fiksuara të personazheve e njerëzve të thjeshtë. Nëse fëmijët e tjerë luanin në atë moshë, Nikolini merrte leksionet e para të fotografisë bardh e zi pranë të atit.
Në ditët e para të një moti pa të, Ylli Drishti na kujton se Nikolin Pici ishte pjesë e grupit të fotografëve të Laboratorit Fotografik Qendror të Ushtrisë Shqiptare ku bën pjesë Petrit Ristani, Agron Kruti, Kosta Bej, Bujar dhe Alma Duka të drejtuar fillimisht nga nxënësi i Gegë Marubit të madh – Rrok Berisha. Detyra e tyre ishte dokumentimi i veprimtarisë (stërvitjeve dhe jetës) së reparteve të Ushtrisë Shqiptare të të gjitha llojeve të armëve. “Në një farë mënyre prej këtij stafi fotografësh dhe laborantësh si pjesë e atij që emërtohej Laboratori Qendror Fotografik i Ushtrisë në ato vite, kemi të plotë ‘DITARIN FOTOGRAFIK’ të ushtrisë shqiptare pas luftës së dytë botërore duke përfshirë edhe Paradat Ushtarake të kohës”, thotë Drishti. Kujton se Nikolini u bë pjesë e këtij stafi në moshën 18 vjeçare dhe pas 11 vjetësh (1959-1970) ai do të kalonte si fotograf i revistës së ilustruar ushtarake “10 Korriku” (1970 -1990). Gjatë viteve 1983-1990, Nikolini ishte koleg në të njëjtin laborator fotografik (në Ministrinë e Mbrojtjes) me mjeshtrin tjetër të fotografisë Alqi Golloshi, që mbulonte shërbimin fotografik për gazetën “Luftëtari”. Nikolin Pici i shërbeu për 31 vjet Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe Ministria e Mbrojtjes duhet të jetë krenare me emrin e tij dhe brezave të fotografëve që i shërbyen asaj. Me respekt duhet të kujtohet emri i tij edhe nga Ministria e Kulturës dhe Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë ku Nikolini punoi gjatë viteve 1990-2000. “Emrin e tij e mbajnë tashmë shumë botime të rëndësishme të ushtrisë shqiptare dhe të historisë së arteve pamore në Shqipëri”, thotë Drishti.

Mjeshtri i Fotografisë Nikolin Pici lindi në Shkodër më 24 tetor 1940. Ai përket brezit të fotografëve shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit XX, me traditë familjare. Nikolini ishte djali i fotografit të njohur shkodran Shan Pici dhe artin e fotografisë e mësoi nga i ati që në moshën 14 vjeç. “Oda e territ” si quhej në dialektin shkodran, dhoma e errët e laboratorit do të bënte pjesë në programin ditor të Nikolinit fëmijë, krahas lojërave të moshës. Ishin këto leksionet e para të fotografisë bardh e zi, që krahas kontakteve të përditshme me punën e të atit për të fotografuar qytetarët në studio apo dhe gjatë realizimit të peizazheve në natyrë, krijuan pasionin për fotografinë; pasion që Nikolini e ruajti gjithë jetën brenda koshiencës së tij si artist. Gjatë viteve 1959 – 1962, Pici ushtar – fotograf do të realizonte fotografitë e para dokumentare në Laboratorin Qendror Fotografik të Ministrisë së Mbrojtjes, ku dhe pas ushtrisë (1962 -1970) do të bëhej pjesë e stafit profesionist të këtij laboratori të rëndësishëm. Në arkivin gjigand të laboratorit emri i Nikolin Picit zë vend të rëndësishëm. Aty janë me mijëra fotot (negativa e diapozitiva) që kanë dokumentuar (nën syrin e një profesionisti dhe fotografi serioz), imazhe nga stërvitjet e strukturave të ndryshme të forcave ushtarake shqiptare, veprimtaritë kulturore – artistike dhe jeta ushtarake. Brenda kuadratit të një dokumentimi dhe orientimeve të sakta ushtarake, artisti Pici ka gjetur gjithmonë hapësira të këndvështrimeve emocionuese e realiste. Në mijëra e mijëra fotografi të këtyre viteve do mund të gjenden portrete pilotësh të porsa kthyer nga mijëra metra lartësi, tankistë, artiljerë, xhenierë, vullnetarë ushtarakë, paradat ushtarake të ushtrisë shqiptare, të cilët pasqyrojnë mjaft bukur në imazhet e tyre energjinë, burrërinë dhe bukurinë njerëzore.

Në vitet 1970 – 1990 Nikolin Pici ishte fotograf i botimeve të Ministrisë së Mbrojtjes Shqiptare (revista “10 Korriku”) por ai botonte edhe në gazetën “Luftëtari”. Fotografitë e tij, gjithashtu, do të ishin pjesë dhe e mediave të tjera të kohës (revista “Ylli”, “Shqiptarja e re”, “Shqipëria sot” etj.). Në vitin 1982, Pici çel dhe ekspozitën e tij vetjake me 130 vepra fotografike me temë nga ushtria shqiptare. Gjatë viteve 1990 – 2000, Pici ishte fotografi i Galerisë Kombëtare të Arteve, Tiranë, ku ai ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në dokumentimin e veprimtarive artistike të saj si dhe në botimet që Galeria ka realizuar (katalogët me titull: “Ikona Shqiptare” (2001), “Monografi”, “Thoma Thomai”, (1997), revista “Pamorart” etj).

Pici krahas një krijimtarie të fotografisë dokumentare të jashtëzakonshme për mbi 30 vjet që realizoi gjatë punës në sektorin e botimeve të Ministrisë së Mbrojtjes, ka realizuar dhe vepra të tjera fotografike në gjininë e peizazhit dhe portretit. Tradita familjare e lëvrimit të fotografisë bardh e zi nga i ati, ka lënë gjurmë dhe tek Nikolin Pici, i cili me mjaft kujdes kërkonte dhe gjente bukurinë e “lojës” së dritë – hijes në natyrë. Peizazhi në fotot e Nikolin Picit ka brenda tij magjinë e “gjetjes” fotografike, të bukurisë dhe delikatesës së imazhit të paraqitur. Duke ruajtur me mjaft kujdes “sharmin” e një fotografi klasik, ai kërkoi dhe solli me objektivin e tij edhe bukurinë e detajit, duke i dhënë fotografisë përsosmëri emocionale.

Gjatë udhëtimeve të shpeshta dhe në vendet nga më të bukurat e më të largëtat (atje ku ishin vendosur njësitë ushtarake shqiptare), Pici ka fiksuar përveç imazheve të ushtarakëve që ishin të veçanta e me gjetje kompozicionale nga më interesantet edhe magjinë e bukurisë së natyrës shqiptare. Në përgjithësi veprat fotografike të Nikolin Picit kanë brenda tyre qetësi dhe një dritë delikate që evidenton bukur imazhin e fiksuar.

Mjeshtri Nikolin Pici bën pjesë në grupin e fotografit klasik shqiptar i viteve 1960 – 1990.Ai u formua në studion e të atit dhe ruajti traditën e mjeshtërve të fotografisë shqiptare si: Marubi, Radovani, Ristani. Jakova, Nënshati, Golloshi, Kallfa, Veseli. Ai ishte mik dhe koleg me Alqi Golloshin, Petrit Kumin, RefikVeselin, Petrit Kumin, Besim Fushën dhe Leon. Çikën. Ylli Drishti, studjues & kurator arti thotë se Nikolin Pici ka qenë prezent me fotografitë e tij në albumet e botuara nga Ministria e Mbrojtjes deri në vitet 1990 dhe më tej në botime të tjera të veçanta për artit ikonografik. Ndër këto botime mund të kujtojmë: Albumet “25 vjet Ushtri Popullore”, “Marshon Shqipëria Socialiste”, “Ushtria Popullore në artet figurative”, “Ikona Shqiptare” (2001, Autor Y.Drishti, Botim i Galerisë Kombëtare të Arteve, Tiranë) dhe “Ikona bizantine dhe pasbizantine në Shqipëri” (2007, Autor Y.Drishti). “Artistët e fotografisë shqiptare, kolegët dhe familja do ta kujtojnë me respekt figurën e Nikolin Picit, Pasi vepra e tij që na la trashëgim është shumë planëshe. Fotografia shqiptare humbi një nga mjeshtrat e saj; familja burrin e urtë, babain e dashur dhe fjalëmbël, fotografin e pasionuar dhe qytetarin korrekt Nikolin Picin. Nikolin Pici, tashmë është pjesë e historisë së plejadës së mjeshtërve të fotografisë shqiptare të shekullit XX. Mirënjohje të thellë për mjeshtrin Nikolin Pici – respekt për krijimtarinë e tij dhe figurën shembullore të njeriut të kompletuar”, shprehet Drishti.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.