KULTURË

Akademia e Shkencave pa kryetar, u hapet rrugë zgjedhjeve

12:30 - 11.01.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli  – Asambleja e Akademisë së Shkencave ka marrë dje vendim për të ngritur një komision, i cili do të merret me zgjedhjet e kryesisë së Akademisë. Prej më shumë se një viti, Akademia e Shkencave nuk ka as kryetar, as nënkryetar, ndërsa funksionimi i saj i është lënë në duar (konform ligjit) sekretarit shkencor, Vasil Tole. Duke qenë se Toles i mbaron mandati në muajin shkurt, Akademia që është në proces reformimi, nis punët për zgjedhjet e reja, data e të cilave është në varësi të miratimit në parlament të ligjit që e reformon atë dhe të Kodit të Etikës, që do të kontrollojë punimet shkencore të akademikeve.




MBLEDHJA
Asambleja e Akademisë së Shkencave përmes vendimit të datës 10 janar pas arritjes së kuorumit “Për zgjedhjet e reja të kryesisë së Akademisë së Shkencave dhe ngritjen e komisionit të administrimit të këtyre zgjedhjeve” ka hapur procedurën e zgjedhjeve për kryesinë e re të ASH-së. Vendimi vjen duke qenë se edhe mandati i të vetmit anëtar të kryesisë dhe njëherësh të vetmit funksionar me fuqi juridike, sekretarit shkencor, përfundon në mbarim të muajit shkurt 2019. Asambleja vendosi të ngrejë komisionin e zgjedhjeve të përbërë nga 3 anëtarë të saj për të administruar procesin e zgjedhjeve që përfshin: kalendarin me datat, kriteret dhe procedurat e konkurrimit, pranimin e kandidaturave, të formularëve dhe të dokumentacionit përkatës, paraqitjen e vizionit të kandidatëve dhe votimin e fshehtë në asamblenë e ASH-së. Ky komision do të administrojë të gjithë procesin, deri në votimin e kryesisë së re. Komisioni përbëhet nga akademiku i asociuar Shaban Sinani, akademiku Neki Frashëri dhe akademiku Jani Vangjeli, që është edhe kryetar i komisionit. Asambleja vlerësoi që, meqë projektligji për reformimin e institucionit është në fazën përfundimtare të aprovimit nga Këshilli i Ministrave dhe Kuvendi i Shqipërisë, data e zgjedhjeve të përcaktohet nga komisioni në varësi të hyrjes në fuqi të ligjit të ri. Takimet dhe mbledhjet e komisionit do të zhvillohen në ambientet e Akademisë së Shkencave. Detyrën e sekretarisë së komisionit e kryen sekretarja e kryesisë së Akademisë së Shkencave, e cila do të dokumentojë të gjithë veprimtarinë e tij. Komisioni i zgjedhjeve informon rregullisht asamblenë e ASH-së për të gjitha çështjet që lidhen më mirë organizimin e këtyre zgjedhjeve. Akademia e Shkencave do e mbështesë në të gjitha format, veprimtarinë dhe nevojat e funksionimit të komisionit të zgjedhjeve dhe të anëtarëve të tij.
Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen komisioni i zgjedhjeve, seksionet gjegjëse shkencore të Akademisë së Shkencave dhe nënstrukturat e tjera të saj, përmendur në krye të këtij vendimi.

DEKLARATAT
Pas marrjes së vendimit, Skënder Gjinushi si kryetar i grupit të reformës, tha para mediave se Akademia tashmë ka fatin për të kryer zgjedhjet e kryesisë së re, meqenëse dy anëtarë të kryesisë kanë dhënë dorëheqjen, e tre që janë u mbaron mandati në shkurt. “Siç e dini, Akademia është në proces të një reforme tërësore, që ka filluar me hartimin e projektligjit të ri, që shoqërohet bashkë me projektligjin e pastrimit – dhe po e përdor këtë term meqë është bërë fjalë popullore – erdhe në radhët e doktoraturave të profesorëve me radhë, pra gjithkush që mund të ketë marrë tituj apo grada në mënyrë të pandershme, përmes plagjiaturave”. Sipas Gjinushit, meqë janë në këtë proces, janë në rakordim me Këshillin e Ministrave sepse projektet do t’i miratojë qeveria për t’i kaluar në parlament. “Pra, jemi në këtë fazë. Në fund të procesit të miratimit të ligjeve të reja. Gjithsesi, ligji aktual i Akademisë urdhëron bërjen e zgjedhjeve brenda shkurt ose mars. U mor vendim që të ngrihet një komision që të marrë atributet e organizimit të zgjedhjeve dhe çdo gjë pastaj do e përcaktojnë fazat pas hyrjes në fuqi të ligjit.

Data e zgjedhjeve është në varësi të hyrjes në fuqi të ligjit të ri. Vetë votimi dhe procesi i tij do të jetë në funksion të hartimit të ligjit të ri”, tha Gjinushi. Ai shtoi se nëse ligji i ri vonohet dhe ka një kompromis që ligji po vonohet, zgjedhjet të bëhen edhe pa ligjin. “Janë dhënë dy dorëheqje të karakterit moral – për t’u hapur rrugë moralisht zgjedhjeve në Akademinë e Shkencave dhe reformës së saj. Dorëheqjet u dhanë me dinjitet dhe iu hap rrugë procesit të reformimit të Akademisë para një viti dhe u hartuan dy projektligjet. Akademia bëri ligjin e reformimit dhe ligjin e pastrimit të vetes, kërkesë tashmë që e kanë edhe studentët për të gjithë trupin akademik. Përderisa këto janë në proces, Akademia nuk ka më asnjë pengesë për të vijuar reformën. Më e mira është që të konkludohet pas hyrjes së ligjit të ri në fuqi, por është zgjedhje mes palëve”, shtoi Gjinushi. Sa i takon oponencës së Fugës, Gjinushi tha se kjo është shenjë e mirë që reforma është në rrugën e duhur. “Kryeministri pati një qasje që të dëgjohet Fuga. Ai e tërhoqi platformën e ne nuk hyjmë dot më në labirinte. Ai thotë që e ka dorëzuar në Ministrinë e Arsimit, atje le ta kërkojë. Ne nuk jemi ministri. Ai e ka çuar deri te kryeministri. Ai e ka tërhequr dhe atë që ka propozuar më pas, nuk është asgjë më shumë se ç’ishte. Këtu janë 40 akademikë, që ndër vite kanë sjellë 15 platforma. Nuk ka asgjë të papërfshirë në ligjin aktual, nuk ka asgjë që nuk është në ligjin aktual. Nuk e kuptoni as ju, as personi jo e jo. E reja e platformës së tij është se na kthen në vitin 2008. Sa herë ka qeveri të re ‘rithemelohet’ Akademia, gjë që është e papajtueshme”, tha Gjinushi. Për të, ka shumë zëra, por zë nuk quhet ai që bërtet në rrugë, zë quhet ai që flet me mend. Nga ana tjetër, sekretari shkencor i Akademisë së Shkencave tha se gjatë këtij viti, asambleja ka punuar me qeverinë dhe Ministrinë e Arsimit për të përfunduar projektligjet e reformës. “Ka një prognozë që ky proces të mbyllet në muajin mars. Nëse ndodh kjo, komisioni do ta caktojë datën e zgjedhjeve kur ligji i ri të ketë hyrë në fuqi”. Sipas Toles, ai si sekretar shkencor nëse zgjedhjet nuk janë bërë kur t’i mbarojë mandati, quhet ushtrues në detyrë dhe mban funksionet minimale derisa të bëhen zgjedhjet. “Edhe nëse nuk jam unë, do jetë dikush tjetër që Akademisë të mos i krijohet boshllëk. Do bëhen zgjedhje për kryesinë. Nuk ka pse të ketë keqkuptim sepse janë disa detyrime: për të parë dokumentacionin, apo formularët që duhet të plotësohen, për dekriminalizimin apo pastërtinë e figurës. Komisioni do funksionojë në çdo rast”.

Tole nuk pati një përgjigje nëse vetë ai do të kandidojë. “Unë mund të vendos që kur të mbarojë mandati të iki apo të rri. Do ta shoh pozicionin tim, sepse ka qenë një vit i vështirë për mua në mungesë të kryesisë”. Sa u takon deklaratave të Fugës, Tole tha se e vlerëson mendimin e lirë. “Kemi firmosur në vitin 2016 një dokument që i hap rrugë reformimit. E kam ftuar edhe personalisht Fugën të kandidonte dhe atë vit patëm kandidaturat që patëm. Nëse duan të ndryshojnë punët, ndryshohen brenda, duke pasur funksione e kompetenca. Grupi i punës që drejtoi Gjinushi ka bërë punë të mrekullueshme, mjafton certifikimi që iu bë ligjit nga Akademia Gjermane dhe nga grupimi i akademive së Shkencave të Europës”. Sa i takon akuzës se ligji i ri është plagjiaturë, Tole tha se ligjet, udhëzimet e vendimet e qeverisë nuk konsiderohen plagjiaturë, sepse po marrim standardet më të mira dhe i paraprihet të kohës. “Ligji për etikën në ASHA përfshin edhe akademikët vetë dhe u kemi dalë para kërkesave të studentëve për trupën e profesorëve. Ne sot akademikë me të drejtë vote jemi 30, në mbledhje ishim 20, 6 janë jashtë”, tha Tole.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.