OPINION

BE dhe sfidat e marrëveshjes Brexit

07:20 - 11.01.19 Geron Kamberi
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Referendumi i datës 23 qershor 2016 që u zhvillua në Britani, u shndërrua në një dhimbje koke më shumë për BE dhe qeverinë angleze, pasi gati 52% e britanikëve vendosën që vendi duhet të largohej nga Bashkimi  Europian pas gati 45 vjetësh anëtarësim. Në këtë rast vlen aforizmi se ‘vezën e zier është e vështirë ta bësh të pazier’ dhe zbatimi i Nenit 50 të TFEU (Traktati për Funksionimin e Bashkimit Europian apo siç njihet Traktati i Lisbonës) që lidhet me largimin e një vendi anëtar nga Bashkimi Europian do të ishte eksperiencë jo e lehtë. Bashkimi Europian nuk e priti mirë këtë vendim të Britanisë, por parimi se në demokraci vendos shumica vulosi çdo diskutim të mëtejshëm.




Teksa Britania njoftoi zyrtarisht Komisionin Europian për t’u tërhequr më 29 mars 2017, sipas Nenit 50 kjo nënkuptonte fillimin e një periudhën 2-vjecare negociatash për marrëveshjen e largimit (angl.EU withdraw agreement) çka e shndërronte 29 marsin 2019, si afatin zyrtar të largimit të Britanisë nga BE, nëse nuk do të kishte një zgjatje përtej këtij afati. Qeveria britanike krijoi një ministri të re për këtë qëllim, Departamenti për Largimin nga BE (Department for Exiting of the European Union) dhe në tavolinën e negociatave mes BE e Britanisë u shtruan për diskutim një sërë çështjesh, që nuk do të rezultonin të lehta për t’u kapërcyer. Në to përfshiheshin të drejtat themelore të qytetarëve të BE-së në Angli e atyre të Anglisë në BE, detyrimet financiarë të Anglisë për BE në kuadër të 2014-2020, çështja e regjimit kufitar mes  Britanisë e Irlandës, duke pasur parasysh se pjesa e Irlandës së Veriut që i përket Britanisë ka kufirin e vetëm tokësor me Republikën e Irlandës, vend anëtar i BE.

Për këtë arsye ishte e natyrshme që David Davis, sekretari britanik për Brexit dhe Michel Branier, kryenegociatori i BE, i caktuar nga Komisioni Europian për këto negociata u shndërruan në pika referimi lidhur me çështjet e mësipërme. Nëpërmjet letrës së kryeministres britanike të 29 marsit 2017, drejtuar BE-së, ku njoftonte zyrtarisht për largimin e Britanisë nga BE si rezultat i referendumit, Britania përcaktoi edhe 7 parimet e negocimit, duke synuar një marrëveshje sa më lehtësuese. Por, negociatat u shtynë për shkak të zgjedhjeve Britanike të 8 qershorit 2017 me idenë se do të sillnin një qeveri të qëndrueshme negociatore në Angli. Në të vërtetë ato prodhuan një maxhorancë të brishtë për May, që do të varej nga votat e Partisë Demokratike Unioniste të Irlandës së Veriut, e cila si rrjedhojë do të merrte një rol përcaktues për aspekte të veçanta të marrëveshjes, që lidheshin veçanërisht me raportet e Irlandës së Veriut me Irlandën si vend anëtar i BE. Në këtë kuadër, BE ia bëri të qartë Britanisë se nuk iu la të zgjedhë në bazë të parimit të vjeljes së qershive–cherrypicking (të zgjedhë nga pema ato kokrra që do) pra, nëse do të vazhdonte të merrte pjesë në Tregun e Përbashkët Europian, do të merrte pjesë me të gjitha të drejtat e detyrimet. Ashtu siç parashikohej, BE dhe Britania u përfshinë në procesin negociatash me 3 faza gjatë periudhës 29 mars 2017-14 nëntor 2018, por draft-marrëveshja me 611 faqe, ku 585 faqe flasin për detyrimet ligjore të Britanisë në raport me BE-në sollën stuhi politike brenda Britanisë. Theresa May, që kishte parashikuar ta kalonte marrëveshjen për miratim në 11 dhjetor 2018 në Parlament u step dhe një sërë dorëheqjesh pasuan, duke përfshirë dy sekretarët për Brexit, David Davis dhe Dominic Raab dhe një sërë ministrash që e konsideruan këtë draft-marrëveshje të pafavorshme për Britaninë.

Kjo situatë solli si pasojë faktin se tashmë Britania është përballë skenarit të mosmiratimit të draft-marrëveshjes gjatë mesit të muajit janar 2019 në Parlamentin britanik, që është arritur pas një procesi të gjatë e të vështirë negociator, por që ka pasur shumë “viktima” politike nga ana e Britanisë për shkak të kundërshtimit mbi termat e saj. Mosmiratimi nga Parlamenti  britanik në mesin e muajit janar 2019 do të sillte si pasojë një dalje të Britanisë nga BE pa një marrëveshje (apo siç njihet, no deal scenario) çka do të rezultonte në pështjellime të mëdha pas datës 29 mars 2019. Ndonëse kjo situatë mund të krijonte iluzionin se Parlamenti anglez mund të kishte mundësi të ushtronte ndikim për ta ndryshuar atë, pasoja e vetme do të ishte një mocion mosbesimi dhe zgjedhje të parakohshme në Britani që nuk do të gëzonin as opozitën laburistë të Jeremy Corby-it. Për këtë arsye kryeministrja Tereza May u ka bërë të qartë deputetëve britanikë se mosmiratimi do ta vinte në pozitë akoma më të vështirë Britaninë. Ndërsa miratimi do t’i jepte kohë Britanisë në një periudhë tranzitore 2-vjetore të gëzonte sërish të drejtat e pjesëmarrjes në tregun e përbashkët apo lëvizjes së lirë, me përjashtim të humbjes së të drejtës së votës si shtet anëtar. Gjatë kësaj periudhe tranzitore 2-vjecare, 2019-2021, Britania do të kishte mundësi të negocionte një marrëveshje të tregtisë së lirë me BE, ku siç thotë negociatori i BE, Mishel Barnier ka rëndësi “të diskutohen sesi do të menaxhohen nga të dyja palët, veçanërisht ato elementë që do të jenë të ndryshëm  dhe jo ato që do të jenë të përbashkët” .

 

 

Tab 1

Nr Numri total votuesve Numri total i votuesve pjesëmarrës Votat pro(daljes-leave EU) Votat kundër(daljes-remain in EU)
I.Britania 46,500,001 33,577,342( 72.1 %) 17,410,741(51.89 %)

 

16,141,241(48 %)
I.1.Anglia 39,005,781 28,477,666(73.01 %) 15,188,406(53.38 %) 13,266,996(46.6 %)
I.2 ëellsi 2,270,272 1,628,054(71.71 %) 854,572(52.53 % 772,347(47.47 %)
I.3.Irlanda e Veriut 1,260,955 790,523(62.69 %) 349,442 (44.22 %) 440,707( 55.78 %)
I.4.skocia 3,987,112 2,681,179 (67.25 %) 1,018,322(38 %) 1,661,191 (62 %)

*Rezultatet e votimit të referendumit të Britanisë për daljen nga BE-UK ‘Electoral Commission’

Britania aktualisht kontribuon me 20 miliardë euro në buxhetin e përbashkët të BE-së, ka 71 deputetë në  Parlamentin Europian dhe bashkë me Gjermaninë, Francën, e Italinë është vendi që ka numrin më të lartë të votave (29) në Këshill, ku miratohen legjislacioni e shumë vendime të rëndësishme për funksionimin e BE. Largimi i Britanisë do të krijojë boshllëk në elementët e sipërpërmendur dhe BE do të përpiqet ta mbushë atë. Por, frika që mbizotëron është mungesa e ‘po’-së nga Parlamenti britanik, ç’ka do të linte pezull dhe të ngrirë një proces që do të kishte pasoja në mirëfunksionimin e marrëdhënieve mes Britanisë e BE. Deri tani Britania si anëtare e BE ka qenë pjesë e Tregut të Përbashkët Europian dhe Bashkimit Doganor duke përfituar nga hapësira unike për shkëmbimin e mallrave kundrejt zbatimit të katër lirive të lëvizjes, që është themeli bazë i saj.

Aktualisht Britania 44% të eksporteve dhe 53% të importeve i zhvillon me bllokun ekonomik prej 573 konsumatorësh të BE. Si pjesë e Bashkimit Doganor me BE, Britania ka qenë pjesë e sistemit CET- Tarifat e Jashtme të Përbashkëta – Common External Tarifs, sistem i taksave doganore për mallrat e importuara jashtë BE për 6,000 produkte të ndryshme. Këto tarifa vendosen nga BE dhe çdo vend anëtar është i detyruar t’i zbatojë për sa kohë është pjesë e tij. Tarifat më të larta që ka vendosur BE janë për produktet ushqimore që futen nga jashtë BE, me qëllim të mbrojë këto produkte  të vendeve anëtare si psh., pijet me 11% apo ato të  produkteve të tjera që janë më të larta si psh., vera 12% mishi i vicit 20%, sheqeri 24% gjalpi e djathi (40%) produkte që vinë vende të tilla si Argjentina, Australia. Ideja që Britania të dalë nga Tregu i Përbashkët Europian, por të qëndrojë brenda Bashkimit Doganor me BE sic janë disa vende joanëtare si psh., Turqia apo Andorra do t’ia lehtësonte administrimin e tregtisë ndërkufitare, por do ta përfshinte Britaninë tek sistemi i CET – Tarifat e Jashtme të Përbashkëta – Common External Tarifs, ç’ka do ta ndalonte atë të hartonte e negocionte marrëveshje tregtare me vende joanëtare të BE si psh., Kina, India, Australia etj.. Ndërsa, prania në Tregut të Përbashkët të BE që funksionon që prej Traktatit të Mastrihtit të vitit 1992 dhe është arritja më domethënëse ekonomike e BE nënkupton nga çdo vend anëtar zbatimin e katër lirive të lëvizjes së lirë brenda BE, ku përfshihen 1)mallrat 2)kapitalet 3) shërbimet 3) njerëzit. Zgjerimi i këtyre lirive është qartësuar përmes një sërë vendimesh të Gjykatës Europiane të Drejtësisë.

Nëse Britania do të synonte të rrinte brenda Tregut të Përbashkët, kjo nënkupton zbatimin e katër lirive, përfshirë parimin e lëvizjes së lirë së njerëzve në tregun e përbashkët të punës së BE. Por, zbatimi i këtij parimi solli në Britani pakënaqësinë e qytetarëve britanikë për valët e punëtorëve nga vendet e EQL, që tashmë ishin pjesë e BE. Mungesa e një marrëveshjeje për shkak të mosmiratimit nga Parlamenti britanik do të krijonte problem, pasi nënkupton largimin e Britanisë nga Tregu i Përbashkët dhe Bashkimi Doganor pa përcaktuar detajet e marrëdhënieve të mëtejshme BE- Britani, që parashikonte periudha tranzitore 2019-2021 nëse marrëveshja miratohej. Kjo situatë do të rikthente kontrollin kufitar e doganor mes Britanisë e BE për qarkullimin e mallrave e njerëzve. Rikthimi i kontrolleve doganore e kufitare për mallrat nga Britania që lëvizin drejt vendeve të BE do të ishte një problem parësor për ekonominë britanike ku ekspertë të ndryshëm kanë përllogaritur një kosto deri 4% të GDP  për Britaninë. Nga ana tjetër, duhet theksuar se 3.2 milionë shtetasit e BE që jetojnë në Britani e 1.3 milionë britanikë që jetojnë në vendet e BE janë në pritje të përcaktimit të statusit të tyre post Brexit, ku përfshihen të drejtat e pensioneve, sigurimet shëndetësore etj.

Britania tashmë kërkon që ata të regjistrohen për të përcaktuar statusin e tyre të mëtejshëm dhe do të synojë në të ardhmen drejt tërheqjes së individëve me aftësi të larta pune përkundër atyre me aftësi të ulëta duke përcaktuar afate qëndrimi. Një aspekt i veçantë dhe delikat i aspekteve që shtron mosmiratimi i kësaj marrëveshjeje nga ana e Parlamentit Britanik është çështja e marrëdhënieve mes Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës pasi Britania të largohet nga BE. Marrëveshja e kufirit me Irlandën është e rëndësishme, për shkak se shkëmbimet mes Irlandës së Veriut dhe Irlandës janë në bazë të Marrëveshjes së Premtes së Mirë, që u arrit në vitin 1998, ku BE pati rastin të dëshmojë epërsitë e saj të “fuqisë së butë” (soft power). Marrëveshja e së Premtes së Mirë (Good Friday Agreement) krijoi një program të veçantë financimi nga ana e BE si PEACE për të fuqizuar procesin e paqes dhe mbështetur projektet ndërkufitare dhe Këshillin Ndërministror Veri-Jug (North South Ministerial Council-NSMC), që lejonte qeveritë e  Dublinit e Belfastit të bashkëpunonin në fusha të ndryshme si bujqësia, arsimi dhe transporti. Qarkullimi i lirë në të dyja anët e kufirit si pjesë Common Travel Area–Zonës së Përbashkët të Udhëtimit mund të vihet në rrezik me daljen e Britanisë nga BE, pasi tashmë kufiri me Republikën e Irlandës do të jetë kufiri i jashtëm me një vend joanëtar të BE. Nga ana tjetër, vartësia e ekonomisë së Irlandës nga ajo britanike përbën një element shumë të rëndësishëm teksa shkëmbimet ndërkufitare mes Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës janë të shumta. Për këtë arsye, sipas ekspertëve e analistëve, largimi i Britanisë  nga Tregu i Përbashkët Europian dhe Bashkimi Doganor me BE  ndërkohë që nga ana tjetër premton një kufi pa pengesa me Irlandën duken të pamundura të qëndrojnë së bashku.

Një nga problemet e qeverisë irlandeze është se ekonomia e saj është e lidhur ngushtë me atë britanike. Aktualisht 80% e mallrave irlandeze që eksportohen transportohen për në Britani ose përmes Britanisë. Gjithashtu, Irlanda rreth 41% të importeve ushqimore dhe 55% të karburanteve i merr nga Britania. Nga ana tjetër, Republika e Irlandës dhe Irlanda e Veriut kanë  një treg dhe infrastrukturë të përbashkët energjie çka kërkon që Irlanda e Veriut të jetë në përputhje me rregullat e BE-së. Nëse Britania del pa një marrëveshje, edhe furnizimi me energji nga Irlanda për në Irlandën e Veriut mund të cenohet. Propozimi i BE për të krijuar një zonë mbrojtëse apo backstop – (një term i huazuar nga loja e bejsbollit) mes Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës ç’ka nënkupton  shmangien e kontrollit kufitar përgjatë kufirit tokësor mes Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës, por vendosjen e tij në portet e Detit të Irlandës dhe aeroportet mes dy vendeve, nuk është mirëpritur nga Britania.

Në kushtet ku BE e Britania mund të mos arrinin një marrëveshje të re të tregtisë së lirës mes tyre brenda 2020, ky propozim i BE nënkupton që Irlanda e Veriut të mbesë në bashkimin doganor të BE. Por pozicioni i privilegjuar i Irlandës së Veriut brenda territorit  britanik ngjalli shqetësim për Britaninë dhe liderja e Partisë Unioniste të Irlandës së Veriut, Arlene Foster  pohoi se nuk do të pranonte asnjë formë që ndante Irlandën e Veriut ekonomikisht apo politikisht nga pjesa tjetër e Britanisë. Ndonëse BE u tërhoq nga ky propozim, sërish është e paqartë sesi do të zgjidhet aspekti i marrëdhënieve të ardhshme të Irlandës së Veriut me Republikën e Irlandës, kur Britania nuk do të jetë më pjesë e BE. Në tërësi procesi i Brexit tashmë është në dorë të Parlamentit britanik, që me votën e 15 janarit pritet të vendosë për fatin e marrëveshjes mes Britanisë e BE. Pavarësisht sesi do të jetë votimi i tyre, data 29 mars 2019 do të hyjë në historinë e BE-së si data kur një vend i rëndësishëm anëtar do të largohet nga BE. Euroskeptikët arritën një fitore, ndërsa europtimistët shpresojnë që kjo datë të ngelet e vetme në kalendarin e historisë së BE.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.