Kryesore

Mbyllja e transmetimeve analoge, AMA jep njoftimin e rëndësishëm

14:45 - 11.01.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në një kohë që më 15 Janar do të duhej të mbylleshin transmetimet analoge, Autoriteti i Mediave Audiovizive ka bërë një njoftim të rëndësishëm.




AMA njofton se mbyllja e transmetimeve analoge televizive në qarqet Tiranë dhe Durrës parashikuar për në datën 15 janar 2019, shtyhet për në datën 1 Shtator 2019.

Në këto dy qarqe, aktualisht bashkë ekzistojnë të dyja teknologjitë e transmetimit, si ato analoge ashtu edhe ato numerike. Dhe sipas AMA-s, kjo metodë simultane transmetimi e cila garanton vazhdimësinë e marrjes së transmetimeve televizive edhe gjatë periudhës tranzitore, do të vijojë deri në datën 1 Shtator 2019.

“AMA mban në konsideratë se në qarqet Tiranë dhe Durrës është përqendruar numri më i madh i banorëve dhe evidentohet, bazuar në të dhënat e deritanishme nga operatorët ekonomikë tregtarë, se ende nuk është siguruar sasia e mjaftueshme e dekoderave të tipit DVB-T2. Gjithashtu, duke mbajtur parasysh vendimin nr. 547/2018 të Autoritetit të Konkurrencës, që rekomandon rritjen e sensibilizimit ndaj opinionit publik, për qarqet e Tiranës dhe Durrësit, por edhe në qarqet në vijim ku pritet të ndodhë digjitalizimi,  AMA vijon punën për përmirësimin e fushatës informuese për publikun, përfshirë edhe ndryshimin e përmbajtjes së spoteve informuese, njoftimeve, apo zgjerimin e kanaleve të komunikimit.” thuhet në njoftim

AMA u bën thirrje operatorëve të tregut që të sigurojnë sasinë e mjaftueshme të këtyre pajisjeve, me qëllim finalizimin e këtij objektivi në qarqet Tiranë dhe Durrës.

Ndërkohë, AMA po finalizon zbatimin e procesit të digjitalizimit të transmetimeve televizive edhe në qarkun e Vlorës, ku është i njëjti afat i mbylljes së sinjalit analog, 1 Shtator 2019. Edhe në këtë qark janë ndezur transmetimet numerike të operatorit publik dhe të disa prej atyre private kombëtare, prej të cilave ofrohet rreth dyfishi i kanaleve televizive pa pagesë, për ato familje që janë pajisur me dekoder DVB-T2.

Kujtojmë se, për familjet tashmë të pajisura me dekoder, vijojnë transmetimet digjitale tokësore të cilat sigurojnë cilësi të lartë në 36 kanale televizive pa pagesë.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.