Homo Albanicus

Si po e prodhojmë anti-vlerën?!

18:59 - 11.01.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Ben Andoni




Në një debat intelektual të pak viteve më parë, Nobelisti i njohur i letërsisë Vargas Llosa përballej me një estet të njohur francez. Qëllimi i debatit organizuar në Institutin “Servantes” ishte shumë i ndjeshëm dhe me shumë peshë për zhvillimet kulturore të sotme. Kultura klasike përballë kulturës së spektaklit. Për Vargas Llosën argumentimi kishte vetëm një drejtim: Nëse shoqëria jonë duhet të shkëputet nga realiteti i dhimbshëm, ku po jetojmë duhet t’i kthehet kulturës së Rëndë, asaj që kanë krijuar cilësisht brezat dhe trashëgimia e ka koleksionuar si klasike. Kurse esteti e kundërshtonte në faktin se kjo kulturë e ka të pamundur të vijë në format e saj tradicionale te publiku i sotëm, prej pluhurit të harresës, porse ishte kultura e spektaklit dhe njerëzit e saj që krahas edukimit të ri social ndihte që me shfaqjet e veta të ofronte edhe këtë kulturë. Shembulli i tij ishte i thjeshtë: Ka miliona e miliona lexues që nuk e kanë lexuar Homerin, por mjaftoi loja e Brad Pitt, që njerëzit të njihnin Akilin dhe fabulën e Trojës dhe kështu gjërat të shkonin në vend! Tundja e kokës në formë mohimi e shkrimtarit ishte e pamjaftë, paçka se arsyetimi i tij ishte i plotë: Kanonet mbesin kanone kurse vlerat janë vlera.

Për të ardhur keq ishte fakti se Vargas Llosa megjithë fuqinë e argumentit dhe drejtësinë e idesë nuk e bindte dot auditorin, që kënaqi një nga debatet më të njohura kulturore të viteve të fundit.

Ismail Kadaresë, pak muaj më parë, në Kosovë i duhej të përballej me një moderim trendi të një kolegut tonë, që bën opinione deri në nivelet më të larta qeverisëse dhe që me pyetje të stisura donte të vinte në dukje kulturën e tij, dukshëm të mangët, për temat e kulturës së sotme. Shkrimtari i njohur Kadare, që ka marrë pothuaj të gjithë Çmimet më të mëdha ndërkombëtare, thjesht i duhej ta këqyrte dhe t’i përgjigjej me takt (kishte pranuar ftesën), por pa mundur t’ia mbushë mendjen se pjesa klasike vjen para show të sotëm, ku moderatori mundohej ta përcillte. Befas, në një moment, ai i kujtoi si befas   por edhe si kundërsulm frazën e Barthes për ‘Vdekjen e autorit’. Shkrimtari iu përgjigj negativisht,  duke i shpjeguar konotacionin, por edhe pse autori nuk mund të vdesë kurrë. Gjithsesi, edhe në këtë moment, auditori (jo i zakonshëm)  ishte më i prirur drejt të zakonshmes, kurse Kadare (lexo: komunikuesi) i duhej të fliste për atë që ndikonte realisht në ngritjen e ‘lexuesit’ të sotëm që interpreton veprën duke e zhvendosur sipas interesit strukturën e tekstit të sotëm, ardhur nga qendrat e shumta të kulturës, që i përballen.

Realisht, shkrimtarët poststrukturalë argumentojnë se komunikatori nuk është më në kontroll të tekstit sesa mbetet vetë lexuesi.

Në fakt, i njëjti personazh, që realizonte këtë shoë përballë Kadaresë e sot bën opinionet në mjedisin mediatik dhe madje ka dhe tagrin që të thërrasë deri në emër të përveçëm zyrtarët e lartë të shtetit shqiptar, asesi nuk mundi ta fusë shkrimtarin në botën e show të zakonshëm.

Pak vite më parë, me tagrin e një njeriu që i ka falur dinjitet çdo shqiptari, Kadare i shkroi kreut të sotëm të opozitës shqiptare se do ishte më mirë dhe në dinjitetin e tij që tërhiqej nga këmbëngulja për Kryetar Bashkie. Ky i fundit jo vetëm nuk e mori parasysh, por në një letër i tregoi se…ai vendoste vetë, pasi vlerën e vërtetë e përcaktonte ai, mjedisi ku jetonte dhe aspak logjika e dinjitetit, që përkonte me kulturën, që i ofronte shkrimtari i madh.

Kjo duket fare e butë, kur kujton reagimin dhe mënyrën e komunikimit të kryeministrit të sotëm të vendit dhe mënyrën sesi i përflet institucionet më të larta të vendit. Dhe, kur kritikën-ofendim  nuk ia kursen Presidentit të vendit, atëherë llogarit vetë se çfarë mund të ndodhë me të tjerët.

Por vallë çfarë trendi komunikimi është ky? Çfarë kulture përcjellim sot? Cili e mbart kulturën dhe mënyrën e përcjelljes së saj? Fjalët e politikanëve! Diskursi i kryeministrit! Mbase ky mund të quhet i vetmi element pozitiv modernist në vend, pasi duket se edhe kryeministri diskuton në nivelin e kulturës masive, atë që dikton sot në botë e ku pjesën më të madhe e përmban hapësira shoqërore që ka pushtuar masa dhe ka arritur të deformojë çfarëdo shije, madje duke i artificializuar krejt ndjenjat. Ndaj, kjo na e ka bërë Totalitarizmin të duket krejt i zakonshëm kurse pranimin e saj fare natyral. Dhe, ndodh që ne e marrim këtë helm të bardhë që nga propaganda e frikshme politike, reklamat, sitet e internetit, zhvillimet politike, bestsellera-t, debatet e televizorit dhe të gjithë emisionet televizive, si të jetë një ushqim i zakonshëm, falë kulturës së sotme masive. E paçka se kultura masive është kritikuar dhe nga teoricieni që e përdori atë, McDonald, tashmë ky fenomen, bashkë me përzierjen e gjeneratave dhe mbushjen e qyteteve me pjesën më pak të urbanizuar, e kanë mbytur vlerën, atë që është kultivuar me aq vështirësi por edhe që po sjell ngado një “një rikolonizim të dytë” tashmë kulturor, referuar kulturologut francez Edgar Moren.

Për fat të keq, institucionet e vendit tonë, ku diskursi kulturor është gati si ai i masës, nuk e kryejnë dot detyrën që të ekuilibrohet kjo katrahurë që po sjell kultura e sotme e përfaqësuar me një propagandë, emisione të dobëta dhe sipërfaqësore, si edhe sidomos katapultimin e personazheve pa asnjë vlerë.

Sistemit tonë politik, që e ndih këtë situatë, i shërben edhe më shumë trullosja e publikut dhe këtë e shikon sot kur modelet e sotme janë krejt të shkëputur nga realiteti i vërtetë i Shqipërisë të varfër. Dhe, ndodh, që lëbyrja e këtyre personazheve që fitojnë lehtë është modeli mbizotërues tek të rinjtë apo ajo që po krijon anti-vlerën e zakonshme. Atë që ka kapluar shoqërinë dhe që nuk i bën më fare përshtypje kur politikanët më të njohur shahen me katalog, sikur të flasin normal për një debat kulturor, që zhvillohet në ndonjë nga qendrat kulturore të botës. (Homo Albanicus)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.