AKTUALITET

Vendimi/ Qeveria shpërblen komisionerët e Vettingut në drejtësi

17:00 - 11.01.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Njerëzit që kanë marrë përsipër të pastrojnë sistemin e drejtësisë nga të korruptuarit dhe të inkriminuarit janë vlerësuar financiarisht nga qeveria për punën e kryer prej tyre në vitin e parë të zbatimit të vetingut në Shqipëri. Në mbledhjen e fundit Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim të veçantë, që u jep një pagë shpërblim të gjithë komisionerëve të vetingut, në dy nivele, si dhe gjithë administratës mbështetëse të tyre. Vendimi është publikuar në faqen zyrtare dhe përcakton në detaje masën e shpërblimit për secilën kategori.




Kështu, përjashtimisht për vitin 2018, për institucionet e rivlerësimit jepet një shpërblim i ndarë në tri nivele, komisionerët, këshilltarët dhe administrata. Komisionerët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Komisionerët Publikë dhe gjyqtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit do të shpërblehen për punën e tyre të bërë gjatë 2018 në masën e një page mujore bruto, që përfshin pagën referuese bazë së bashku me shtesën për pagën në grup. Bëhet fjalë për një shpërblim që varion nga 400 mijë lekë të reja, që është paga bruto e kryetares së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në 372 mijë lekë, që është paga bruto e anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Ndërkohë që sipas këtij vendimi, këshilltarët ligjorë dhe ekonomikë, sipas përkatësisë të këtyre dy komisioneve shpërblehen në masën 80% të masës së shpërblimit që marrin komisionerët. Pra, këshilltarët marrin një shpërblim në nivelin e afro 300 mijë lekëve të reja secili.

Ndërsa nëpunësit e administratës shpërblehen përkatësisht në masën e vlerës së pagës për pozicion dhe punonjësit e tjerë të administratës shpërblehen përkatësisht në masën e vlerës së pagës për klasë. Për efekt të këtij vendimi, përfitues të shpërblimit në masën e një page mujore bruto janë punonjësit që kanë punuar jo më pak se 12 muaj në institucion. Për punonjësit që kanë punuar jo më pak se 3 muaj në institucion, shpërblimi do të jetë i barabartë më gjysmën e pagës mujore bruto. Ndërkohë që efekti financiar i këtij vendimi përballohet nga fondi i veçantë i papërdorur nga ministritë dhe institucionet qendrore për vitin 2018. Në fakt, kjo nuk është hera e parë që qeveria shpërblen komisionerët e vetingut, pasi një shpërblim, ndonëse në një masë më të vogël, e ka dhënë edhe në fillim të 2018 për vitin 2017.

Në atë kohë atyre iu akordua një shpërblim në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë, në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 821, datë 30.12.2017, për një shtesë në vendimin nr. 929, datë 17.11.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin dhe përdorimin e fondit të veçantë”, të ndryshuar. Pavarësisht vlerësimit që qeveria i ka bërë jo vetëm nëpërmjet një page të mirë, por edhe shpërblimeve dhe benefiteve të tjera, puna e komisionerëve të vetingut ka qenë objekt i kritikave të vazhdueshme të opozitës dhe një pjese të mirë të opinionit publik. Shpeshherë opozita ka kritikuar vendimmarrjet e vetingut, si të ndikuara politikisht dhe të njëanshme.

Gjithsesi deri më tani, këto dy komisione kanë marrë një sërë vendimesh të rëndësishme, duke nxjerrë jashtë sistemit të drejtësisë një numër të lartë gjyqtarësh dhe prokurorësh, si të papërshtatshëm për të dhënë drejtësi në vend. Rasti më i bujshëm ishte vendimi për të shkarkuar nga detyra kreun e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.