Aktualitet

Video-skandali, psikologia: Rasti tipik, perversiteti përdor korrupsionin

17:30 - 11.01.19 Gazeta Shqiptare

Voltiza Duro – Disa ditë më parë është transmetuar një video ku dëshmohej sesi gjyqtari i Fierit Roland Hysi dhe psikologia Elona Meçani ishin përfshirë në korrupsion dhe skandal seksual. Në një intervistë për ‘Gazeta Shqiptare’, psikologia klinike msc. Almeida Xhaferi tregon faktorët kryesorë që ndikojnë në zhvillimin e korrupsionit dhe kërkimit të favoreve seksuale. Ajo e konsideron si të pështirë ngjarjen në fjalë dhe më tej thekson se personat që kanë tipare të natyrës perverse e shfrytëzojnë pushtetin për përfitim ekonomik si dhe për favore seksuale.



Disa ditë më parë është publikuar video ku një psikologe dhe një gjyqtar ishin përfshirë në korrupsion si dhe në një skandal seksual. Si e komentoni ju këtë ngjarje që tronditi opinionin publik?
Së fundmi të gjithë ne të tronditur nga video-skandali i para dy ditëve ku u përfshinë në aferë korruptive një gjyqtar dhe një psikologe, do donim të kuptonim qartazi arsyet objektive që shtyjnë dy individë të bashkëpunojnë duke thyer jo vetëm ligjin, por mbi të gjitha normat morale. Po e nis nga kjo e fundit. Video skandali në fjalë kishte të gjitha ndjesitë pështirosëse brenda, duke filluar nga shfrytëzimi i detyrës për përfitime ekonomike. Përdorimi dhe shfrytëzimi i personave, të cilët të detyrohen për nderin që i bën pjesë në seancën gjyqësore, si profesionistë, pasi nuk zotërojnë aftësi profesionalizmi. Pasi gjyqtari ka në dorë bukën e gojës së psikologëve. A mendoni se gjyqtari në fjalë do pranonte të bashkëpunonte me profesionistë të vërtetë, ku ndërgjegjja profesionale është busulla orientuese në ushtrimin e profesionit? Personalisht dyshoj shumë për këtë. Në këtë moment kemi prekur tërthorazi funksionin e pulsioneve të brendshme si nxitës të akteve korruptive.

Cilët janë disa nga faktorët që ndikojnë në skandale të tilla dhe sa të dëmshme janë për shoqërinë tonë?
Duke patur parasysh tiparet e personalitetit të personave të cilët kanë pushtet dhe e shfrytëzojnë njëherazi për përfitim ekonomik, si dhe për përmbushje të dëshirave seksuale, pa vënë në konsideratë as limitin më të vogël etik, apo pa peshuar faktin se përmbushja e kënaqësisë së tyre seksuale është në kurriz të një dhimbje të madhe njerëzore, ashtu sikurse ishte rasti I nënës që kërkonte kujdestarinë e vajzës së saj, kuptojmë se motori që vë në lëvizje nuk është tjetër veçse një simptomë patologjike e natyrës perverse. Këtu nuk e kam fjalën për perversitetin seksual në kuptimin e parafilive, por dëshiroj të vë theksin te perversiteti i strukturës së personalitetit, ku mungon dukshëm funksioni frenues dhe rregullues i superegos, si kontenitor i rregullave të shoqërisë. Është e qartë se kemi të bëjmë me një perversitet të kësaj natyre, pasi nuk vërehet përjetim i ndjenjave të fajit apo ndjenjave të turpit.

Ju thatë se kjo është një simptomë patologjike e natyrës perverse. Cilat janë disa prej karakteristikave të këtyre personave?
Perversi i kësaj natyre jeton vetëm për të shijuar, nuk njeh forma frenuese të moralit. Morali është një autoritet i krijuar fiktivisht për personalitetin pervers. Sigurisht që këta njerëz zgjedhin të rrethohen nga persona vulnerabël me tipare neurotike të personalitetit, këtu duhet të kemi parasysh mungesën e besimit në vetvete. Janë njerëz që universi i tyre i brendshëm është i errët plot me objekte të ashpra, i rrethuar nga marrëdhënie relacionale të orientuar drejt konsumit të objektit dhe jo ndjesisë. Perversët zgjedhin pranë vetes të tillë njerëz, pasi vetëm kështu arrijnë qëllimin e tyre parësor të ndjerit të kënaqësisë përtej barrierave ligjore dhe morale.

Sa ndikon niveli i ulët ekonomik dhe formimi kulturor në zhvillimin e korrupsionit?
Jetojmë në kohë të vështira, ku korrupsioni konsiderohet si bashkëjetues ekzistencial i funksionimit të përditshëm të individit në shoqëri apo edhe në marrëdhëniet ndërvepruese të binomit individ Institucion. Nuk janë të pakta rastet kur kjo gjendje krijon mendësinë se ne, vendi ynë është shtet me nivel të lartë korrupsioni. Kur ne përballemi me skandale korrupsioni tronditëse të cilat, na kapin të papërgatitur, ne pyesim veten nëse jemi të ndërgjegjësuar sa duhet në lidhje me faktorët nxitës dhe ushqyes të fenomenit. Sa herë që diskutohet për këtë tematikë ne priremi ta korrelojmë korrupsionin me nivelin e ulët ekonomik, me nivelin minimal të pagës dhe ndodh rrallë të prekim në bisedat tona, faktorët kulturorë, apo pulsionet e brendshme të personave, apo shoqërizimi me persona të pushtetshëm dhe të korruptuar. Ne e dimë mirë se janë pikërisht ligjet që i lënë hapësira dinakërisë njerëzore, por cili është elementi që do na bënte t’i rezistonim tundimit?

Cilat janë arsyetimet dhe ndjesitë që motivojnë një individ të veproj në kundërshti me ligjet e shkruara dhe ato të pa shkruara?
Cili është roli i pushtetit në korrupsion dhe sa të frikësuar janë punonjësit përballë presionit për humbjen e vendit të punës?
Tani më dihet, se edhe pushteti në vetvete vepron si nxitës i sjelljes korruptive. Përvoja na ka treguar jo pak raste ku njerëzit kryejnë veprime korruptive, jo për përfitime ekonomike, por dhe vetëm për të mbajtur një pozicion/vend pune të caktuar. Frika e mospasjes së pozicionit/vendit të punës përbën një nxitës të madh. Me këtë nuk dua të justifikoj sjelljen jo etike dhe aspak profesionale të koleges time. Thjeshtë po përpiqem të analizoj elementët që prodhojnë dhe ushqejnë korrupsionin si fenomen dhe sjelljen korruptive si veprim.

Krijimi i marrëdhënieve shoqërore me persona që kanë pritshmëritë që ti të korruptohesh, apo të abuzosh me detyrën përbën një tjetër nxitës. Le ta shohim pak më të konkretizuar këtë qasje; dikush që na bënë një nder të madh (na punëson) pret që në një moment të caktuar ne t`ia kthejmë mbrapsht, duke i shërbyer nevojave të tij. Të diskutojmë nëse korrupsioni është faktor kulturor dhe si i tillë i nxitur nga mentaliteti kolektiv i një shoqërie të caktuar, sigurisht që kjo ndikon, por ne deri më sot nuk kemi njohur ende një periudhë historike në të cilën korrupsioni nuk ka egzistuar.

Si mund të veprojmë kolektivisht për të përmirësuar situatën?
Analistët theksojnë faktin se individë që kanë jetuar në vende me nivel të lartë korrupsioni, pasi zhvendosen në një vend ku niveli i korrupsionit është më i ulët, kanë prirjen të rregullojnë sjelljen e tyre. Në këtë kuptim, nëse të gjithë ne ankohemi dhe ndjehemi të pashpresë në këtë vend, pasi përballemi çdo ditë me një realitet të hidhur, ku takojmë të korruptuar dhe përballemi me sjellje korruptive pothuaj në shumicën e institucioneve, nuk duhet të harrojmë që institucionet i përbëjmë vetë ne. Le ta fillojmë ndryshimin nga përgjegjësia jonë personale, duke pranuar pjesën tonë të faji si qytetar të këtij vendi. Vetëm kështu mund të kryejmë katarsis në ndërgjegjen tonë kolektive.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *