SPORT

Gjici: Kukësi im del kampion, stadiumin po e pengon bashkia

09:57 - 12.01.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Jeton Selimi – Safet Gjici, në 360 gradë. Presidenti i skuadrës së Kukësit rrëfen sezonin e Kukësit të tij. Në një rrëfim për “RTSH Sport”, kreu i skuadrës verilindore komenton merkaton e bërë si dhe gjendjen e ekipit. Madje, rrëfen edhe vështirësitë për të luajtur jashtë, ndërsa tregon se punimet për stadiumin e ri ende nuk kanë nisur, pasi Bashkia Kukës po bëhet pengesë. Gjithashtu, Gjici deklaron se në fund të sezonit sheh kampion ekipin e tij, pavarësisht garës së fortë për titullin.




Ekipi
“Kemi bërë ca lëvizje, besoj se janë disa lëvizje që janë të rëndësishme për kampionatin shqiptar, por me përforcimet që kemi bërë realisht te Kukësi, skuadra e ka marrë formën dhe jemi në rrugën e duhur për objektivin e vendosur në fillim të sezonit, titullin kampion. Dy fazat e para kanë qenë të mira, por duhet të ishim në vend të parë, na kanë penalizuar të gjitha ndeshjet jashtë, por jemi të kënaqur me ato që kemi arritur. Nëse do të luanim brenda, do të ishim në vend të parë me diferencë pikësh madje”.

Merkato
“Kam besim shumë, sepse të dy lojtarët që kanë ardhur janë lojtarë të mirë dhe të njohur. Janë futbollistë që kanë bërë shumë mirë dhe shpresoj të ambientohen shpejt me ekipin. Faza përgatitore është koha e përshtatshme që ata të njihen me ekipin dhe besoj se do të ecin. Kam besim tek ata, pasi janë në kulmin e karrierës së tyre dhe nuk janë 20 vjeç dhe po iu jep kohë. Ju e dini se në futboll ndodh gjithçka, por ato kërkesa që ka pasur stafi teknik dhe trajneri, ne jemi munduar t’ia plotësojmë të gjitha. Tani i kanë kualitet për të arritur te titulli kampion. Menaxherët kanë disa lojtarë në mendje për të afruar dhe po diskutojnë me trajnerin. Po shqyrtojnë të gjitha alternativat dhe ndoshta do të vijë një mesfushor që do të bëjë diferencën, ose ndonjë mbrojtës që mund të mbulojë të gjithë repartin e prapavijës. Kështu që ndoshta 1-2 futbollistë mund t’i afrojmë, por vetëm nëse bëjnë diferencën.

Zgjedhjet
“Njëherë, ju e dini që qeveria ka miratuar fondin së bashku me federatën. Kuptohet që Bashkia e Kukësit jo vetëm që nuk e ka ndihmuar ekipin e Kukësit, por nuk paguan asnjë lekë, pavarësisht se ka aksione. Ky nuk është problemi më i madh, por krijon edhe pengesa. Atje shkojnë inxhinierët dhe bëjnë matjet dhe gjërat e duhura për të bërë stadiumin, por pengohen për arsye politike, thua t’i i ndalova unë ta bënin stadiumin kur ishte Berisha. Nëse unë do të bëhem kryetar bashkie, Kukësin do e marrë dikush tjetër. Por kjo nuk do të thotë që ne si bashki nuk do e mbështesim Kukësin, madje do të bëjmë të pamundurën që skuadra të shkojë minimalisht në fazën e grupeve në kompeticionet evropiane. Unë e dua Kukësin dhe e dua futbollin, pasi futbolli mban lart vlerat e kuksianëve”.

Stadiumi
“Kemi bërë një marrëveshje me Kamzën dhe shumicën e ndeshjeve do t’i luajmë aty, vetëm në ndonjë përplasje kalendari. Besoj se edhe fusha e Kamzës do të jetë optimale. Ne kemi bërë një marrëveshje, falënderoj Bashkinë e Kamzës që arritëm të gjejmë një marrëveshje”.

Titulli
“Janë shumë ekipe që duan titullin kampion dhe që do të ndeshen deri në fund. Partizani, Kukësi, Teuta dhe Skënderbeu, që nuk largohet asnjëherë nga lufta për titull. Favorit? Vetëm Kukësi. Kukësi, Kukësi dhe vetëm Kukësi. Po bëjmë investimet më të mëdha se të gjitha skuadrat tjera dhe ne e meritojmë të jemi kampionë. Unë nuk gëzohem asnjëherë kur dënohet një ekip kundërshtar dhe ato presidentë që i gëzohen këtij fakti, unë nuk i kam kolegë”.

Arbitrat
“Ka gjithmonë gabime, por dua të them se këtë sezon, gabimet kanë qenë më të pakta. Ka disa ekipe që duan të dalin kampionë me forma të tjera, por nuk mendoj se do të ketë favorizime. Besoj se kush del kampion, do e meritojë plotësisht. Çdo skuadër në këto 7 vitet e fundit ka marrë hakun që i takon”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.