AKTUALITET

“Luarasi”, fushatë për dhurimin e gjakut

10:24 - 12.01.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro  – Edhe këtë vit, studentët e Universitetit “Luarasi” janë solidarizuar dhe i janë bashkuar nismës së dhurimit të gjakut, në bashkëpunim me Kryqin e Kuq Shqiptar. Që prej themelimit në vitin 2003, ky institucion i arsimit të lartë ka treguar një sensibilizim maksimal për t’i ardhur në ndihmë personave që kanë nevojë për gjak. Prej dy ditësh, holli i “Luarasi-t” është shndërruar në një qendër dhurimi gjaku ku të rinjtë kanë shfaqur interes të lartë për të dhënë kontributin e tyre. Rektori i këtij universiteti, prof. dr. Et’hem Ruka, i bën thirrje të gjithë studentëve që t’i bashkohen fushatës së dhurimit të gjakut. “Dhurimi i gjakut në universitetin ‘Luarasi’ është kthyer në një traditë, që nga themelimi i ‘Luarasit’ e deri më sot nuk ka patur asnjë vit që studentët dhe pedagogët e këtij institucioni të arsimit të lartë të mos jenë përfshirë në këtë iniciativë. Të dhurosh gjak është një shenjë e lartë solidariteti njerëzor për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Pa dyshim ka më shumë nevojë për vullnetarë. Do t’u bëja thirrje të gjithë rinisë universitare, jo vetëm të ‘Luarasit’ që të përfshihen në këtë iniciativë”,-theksoi Ruka në fjalën e tij.




Stafi akademik
Nën sloganin “Dhuro gjak, shpëto një jetë”, radhëve të studentëve i është bashkuar edhe stafi akademik e administrativ i “Luarasi”. Pedagogu i Fakultetit të Drejtësisë në këtë universitet, Ernest Balili thekson se dhurimi i gjakut është një akt human për të ndihmuar sadopak njerëzit që kanë nevojë. “Në spital e në vende të tjera ka njerëz të cilët janë në nevojë dhe duhet t’i ndihmojmë ata. Kjo më shtyn që gjithmonë të jem i gatshëm të dhuroj gjak. Nuk është hera e parë. Dhurimi i gjakut është diçka humane në radhë të parë, por dhe diçka sensibilizuese për studentët, pedagogët e më gjerë”,-tha pedagogu.
Tradita 16-vjeçare
Universiteti “Luarasi” vazhdon të ndjekë traditën për nxitjen e vlerave humane te studentët. Nëpërmjet akteve të tilla, ky institucion dëshmon edhe njëherë se do të përgatisë jo vetëm profesionistë lider në tregun e punës, por edhe qytetarë model në shoqërinë shqiptare.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.