Kryesore

Spartak Ngjela/ “Hakmarrja e një gruaje”, përdhunimi i femrave në komunizëm

14:44 - 12.01.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Historia e një gruaje që kërkon të hakmerret. Kjo është fabula ku orvatet romani më i ri i avokat Spartak Ngjelës, i cili tashmë mund të gjendet në të gjitha libraritë. Kjo nuk është përvoja e parë e Spartak Ngjelës me shkrimin. “Të gjithë e njohin pasionin e avokatit për letërsinë, por ky pasion i ka rrënjët në një komunikim të hershëm që ai ka pasur me shkrimin. Jam njohur me disa dorëshkrime të shkruara gjatë kohës që burgut që sjellin profilin e një shkrimtari që shumë pak e njohim, dhe që vetë Ngjela kërkon ta tregojë shumë pak. Romani “Helena R” që ai shkroi pas viteve ’90-të apo “Shpella e vdekjes” janë dy proza që duhet ti rikthehen vëmendjes së kritikës”, thotë Alda Bardhyli, e cila është dhe redaktorja e librit më të ri. Sipas saj i gjithë libri tregon historinë e një gruaje që quhet Sofie Rasku.




“Sofie Rasku nuk është vetëm një grua e bukur, por dhe një grua aspak e zakonshme. Përmes saj Ngjela evokon historinë e një periudhe të errët siç ishte komunizmi në Shqipëri duke e treguar këtë periudhë përmes raporteve delikate njerëzore. Përmes letërsisë hidhet dritë për një nga krimet më të forta të bëra gjatë diktaturës, siç është përdhunimi i femrave nga njerëz të pushtetit. Shumë pak flitet për histori që të gjithë i kemi dëgjuar tryezave, por që përmes historisë së Sofie Raskut, Ngjela denoncon një nga krimet më të shëmtuara”, thotë Bardhyli. Sipas saj nuk është vetëm historia ajo që e bën këtë roman interesant, por dhe mënyra e shkrimit laborimi i thellë i psikikës së personazheve. Po ndaj kujt duhet të hakmerret kjo grua, Sofia? Ajo hakmerret ndaj përdhunuesit të saj. Pas vdekjes të së shoqit ajo mendon vetëm këtë gjë si të hakmerret. E për ta kryer vrasjen kërkon ndihmën e një burri që gjithnjë e kishte dashur nga larg. Libri ka disa linja që të tërheqin më mënyrën e rrëfimit, por dhe që na njohin me personazhe që nuk janë të larg në kohë. Nuk mungon as erosi pasi sipas Ngjelës dashuria dhe krimi ecin paralelisht. “Nuk ka letërsi të mirë pa një krim brenda dhe “Hakmarrja e një gruaje” vjen në tregun e botimeve si një libër që jo vetëm do të provokojë një debat që gjithnjë e kemi shmangur, por edhe e bën prozën shqipe të rikthejë vëmendjen ndaj historisë”,-thotë ajo.

PJESE NGA LIBRI
– Do ta vras!
Sofie Rasku ishte e bindur se duhet ta kryente vrasjen. Gjithë këtokohë kishte sjellë në mendje gjithçka kishte ndodhur. Mbrëmjeve ky mendim bëhej torturues, kur vështrimi i ndalej në portretin e të shoqit. Sytë e tij duken sikur e përndjekin, jo vetëm si një dashuri që do ta shoqërojë gjithë jetën, por edhe si një lutje që ajo përpiqej ta mendonte në mijëra mënyra, teksa orvatej nga salloni në shtrat. E ndjente se vështrimi i burrit që deshi nuk ishte thjesht një vështrim.
***
Menjëherë sapo mbylli telefonin, Sofia shkoi të shtrihej në shtrat, sepse deri atëherë ishte duke ndenjur në kolltukun e sallonit kryesor të suitës. U shtri mbi krevat dhe dridhej e gjitha. Gabrieli i kishte dhënë siguri që nesër mbyllej gjithçka, sepse ashtu e kishin lënë që, kur të përmendej “nënshkrimi i kontratës”, ajo çështje duhej të quhej e mbyllur dhe ai kishte shkuar te vendi. Prandaj ajo e kujtoi duke ndenjur aty në njërën nga dhomat e parukerisë dhe e përfytyroi të gjithë parukerinë ashtu siç e kishte lënë, por menjëherë edhe ditën kur Aura i kishte dhënë aty fletëthirrjen e librave dhe e ndjeu sikur gjithçka kishte ndodhur dje, kurse tani e nesërmja do të sillte përfundimin e hakmarrjes së saj. Pas pak nisi të qajë, por as vetë nuk e dinte pse qante, sepse ishte e gjitha në një ekstazë që e kapi papritur sapo dëgjoi lajmin. Asaj i dukej se tani ishte kryer akti dhe kujtoi rrëmbimthi të gjithë jetën e saj, por e dinte që Gabrieli do ta filmonte të nesërmen tërë episodin e vrasjes së Seferit, sepse e kish lajmëruar për instalimin e kamerave regjistruese në dhomën ku do të vritej vrasësi. Prandaj foli në ato çaste me aq zë të ulët kur kish ardhur Flora në tavolinë, sepse nuk donte që Flora ta dinte instalimin e kamerave në atë dhomë. Të dyja kamerat ai i instaloi vetë me shumë kujdes, një natë më parë. “Do ta shoh të shtrirë dhe të gjakosur, dhe do ta dëgjoj të gjithë dialogun e tij me Gabrielin”, mendonte ndërkaq e shtrirë në shtrat dhe menjëherë kujtoi fjalët që i kishte thënë Gabrieli: “Do ta kap në rrjetë njëlloj si një kafshë të egër dhe do t’ia them të gjitha para sesa ta vras”, prandaj ajo tani e mendoi me zë frazën e tij therëse me revole në dorë përmbi rrjetë, madje me zërin e tij dhe filloi të ndiejë një kënaqësi, si të kundërtën e vuajtjes së saj dhe qante e dridhej se kujtoi edhe Martinin, edhe Thomanë, por menjëherë edhe Gabrielin, të cilin e solli në shtrat duke fantazuar brenda një zjarrmie që e kishte pushtuar të gjithën kudo në trup. “Gabriel”, tha disa herë, dhe vijoi t’i përmendte vetëm emrin, dhe sa herë e përmendte, ndiente kënaqësinë e dashurisë me të, edhe pse nuk e kishte aty. “E dashuroj”, tha dhe e kujtoi edhe një herë, por e mendoi veten sesi do të rikthehej në atë kohë që kishte humbur, se e kishte përjetuar më se tri herë kur Gabrieli e mbante dhe e përkëdhelte në prehër me fjalët e tij: ishte ndier si një njëzetvjeçare; domethënë e ndiente se ishte kthyer atje ku i ishte ndërprerë e gjithë jeta e brendshme femërore.

“Do ta arrij”, mendoi, gjithë po duke bërë dashuri me Gabrielin në një fantazi gati të shthurur dhe po e ndiente se do të kthehej në kohë. Vetëm femra që përkëdhelet dhe ka arritur një qëllim të sajin, i cili e lumturon, vetëm ajo zbret befas në moshë, deri në një fëmijë, deri tek ajo kohë kur i kanë filluar ndjesitë e vërteta erotike dhe ajo po i ndiente të gjitha sikur të ishte një fëmijë në prehrin e babait të saj. “Pasi ta shoh të vrarë, do ta kap moshën time 22-vjeçare dhe do të filloj t’i bëj të gjitha”, mendoi duke i kaluar me radhë dridhmash orgazmat e saj, ashtu e shtrirë duke masturbuar në shtratin e vet, në suitën e madhe të Hotel de Crillon. Qëndroi dikur dhe iu kujtuan shumë qartë muajt e parë të pasdhunimit, sesi i zhvleftësohej vetja përditë e më shumë, pastaj vdekja e Martinit dhe mungesa e gjithçkaje që t’i jepte forcë. Por edhe biseda e përditshme me të atin, kur ai shpesh e më shpesh i thoshte se: për faktin që e ke goditur deri në prag të vdekjes me abazhurin tënd të shenjtë, ti e ke kaluar gjithçka”. Dhe kjo i jepte një energji të brendshme që e mbikalonte situatën e zhvleftësimit të vetvetes. Por pastaj, shumë vjet më vonë, vetëm para një viti, ajo e lexoi në ditarin e Thomait të plotë mendimin e tij për gjendjen e saj. Ai shkruante: “Për faktin që Sofia e ka goditur pas koke agresorin e saj përdhunues me një send të fortë, dhe e la atë pa ndjenja, dhe pa e kryer dot aktin përdhunues kundrejt saj unë e pashë vetë, sesi ajo shumë shpejt më pas, kaloi nga një viktimë te një e mbijetuar”. Gruaja e ka tmerr këtë dhe këtu në të vërtetë vjen e ngjizet më pas e gjithë revolta e saj hakmarrëse që nuk pushon dot kurrë. “Nuk mund ta harroj këtë”, nëpërdhëmbi ajo ashtu e shtrirë në shtrat dhe së brendshmi e ndjeu sërish valën e ngrohtë që e preku si një gëzim të pritshëm kur e mendoi e sigurt se harresa do t’i fillonte nesër me zhdukjen nga kjo jetë të njeriut që i kishte marrë njëzet vjet jetë: “plot njëzet vjet”, tha sërish e shtrirë dhe me sy të mbyllur, dhe me një frymëmarrje të plotë gruaje. Sakaq kujtoi mendimin e Thomait që i kish thënë: “Nuk mjafton vetëm mendimi se ke përballuar gjithçka nga dhunimi yt, por ti duhet ta harrosh”; ja, kjo ishte e gjitha dhe ajo tani po ndihej e sigurt se, pas vrasjes së Seferit, ajo do të harronte gjithçka, sepse nuk mbetej më asnjë gjë që ta bënte të kujtonte trishtimin e një vuajtjeje tmerruese. Ajo tani kishte dhe dashurinë për një burrë, dhe kjo e shtyu ta mendonte se gjithçka do të vinte e të ecte nga e para. “Ai është uomo”, tha për Gabrielin dhe qau sërish. Ndërkaq e kuptoi se kjo nuk ishte një qarje gruaje që vinte nga dhembja, por vetëm nga kënaqësia.

***
Kur Sofia lexoi mesazhin e shkurtër të Gabrielit, që ende ishte duke ndenjur në sallonin e suitës së saj, po priste lajme nga Tirana. Ishte zgjuar që herët dhe në orën tetë të atij mëngjesi doli në ballkonin e suitës dhe pa në Paris një diell të bukur të sapodalë që shndriste pjacën Konkord; qëndroi aty me mendimin se po shihte historinë. Pa dhe Obeliskun dhe sikur iu rrotullua nëpër vesh gjithë zhurma e Revolucionit Francez dhe kujtoi vetëm Dantonin, se atë pëlqente më shumë, ngaqë e kishte të formuar këtë mbështetje për të, me shpirt dhe me intelekt, nga Tomas Karlajli, historiani i madh anglez që ajo e lexonte vazhdimisht, njëlloj si edhe i ati.

Ndenji në ballkon duke menduar gjithçka se e adhuronte pjacën Konkord, por me mendje tek ajo që po priste të ndodhte në Tiranë. “Po sikur të më vrasë ai maskara dhe burrin e dytë?” Pyeti dikur dhe menjëherë ndjeu rrahje të forta e të shpejta zemre, kur me ankth pyeti sërish: “Pse dy burra rresht do të më vrasë mua krimi?”, dhe u ngrit nga karrigia ku ishte ulur e u fut nga ballkoni në sallonin e rehatshëm të suitës. Por ora ishte 11:17 kur i erdhi mesazhi i shkruar i gjithi me shkronja të mëdha: THE END.

Për çudinë e saj nuk ndjeu gëzim, por thjesht një çlirim të brendshëm që erdhi dhe i lehtësoi gjithçka, edhe shpirtin edhe trupin, por edhe mendjen. Si me një magji ajo kishte ndryshuar formë dhe trajtë njëherësh. Ishte në kolltukun e madh të sallonit e veshur me një palë pantallona të bardha që italianët i thonë bianco sporco, dhe me një bluzë të kaltër me mëngë të gjata, kur befas i la pantoflat poshtë mbi tapet, ngriti këmbët dhe u shtri e kumbisur në kolltuk. Po merrte frymë thellë dhe as vetë nuk e dinte se çfarë të bënte dhe çfarë duhet të mendonte. Nuk mendonte dot për asgjë, por e ndiente veten sikur sapo kishte dalë nga një masazh magjik. Donte të fliste me dikë, por e kishte të pamundur. Aurën e kishte telefonuar që një natë më parë dhe e kishin lënë që të takoheshin pas orës 12:00, po pa e lënë saktë se kur.

Po rrinte shtrirë dhe e mori në dorë edhe një herë telefonin dhe lexoi sërish mesazhin. Iu duk se e lexoi për herë të parë, sepse sa e lexoi, brenda vetes ndjeu një si afsh të ngrohtë që iu shpërhap menjëherë në të gjithë trupin dhe sikur i hoqi sërish të gjitha fuqitë. Sytë iu mbushën me lot, dhe menjëherë mendja filloi t’i punonte me shpejtësi duke shkarë teposhtë në kohën e shkuar. Kujtoi menjëherë të atin, e mandej menjëherë edhe Martinin, dhe sytë iu mbushën sërish me lot.
Nuk po e kuptonte dot se përse ishte gjithë ai mallëngjim që tani e kapi kaq befas, por shpejt i dha arsyen e vet: ishte vrarë njeriu që iu kishte nxirë jetën. “Ja”, tha ndërkaq, dhe ndenji pak se iu bë një komb në grykë, “po të mos ishte ai monstër, jeta jonë do të kishte qenë një këngë, por ai na i ktheu në një vaj”. I kish vrarë burrin pasi kishte dashur ta përdhunonte dhe ajo ka shkuar atëherë vërtetësisht mu në zgrip të vetëvrasjes. “Po”, tha pas pak, “nëse nuk do të ishte vrarë Martini, unë do të kisha vrarë veten”.

Por këtu ndenji pak, se kishte shumë kohë që s’e kishte kujtuar ndonjëherë këtë fakt dhe filloi ta mendonte si të vërtetë vetëvrasjen e saj, se me Martinin gjallë ajo nuk mund ta duronte atë që i kishte ndodhur. Madje, prandaj dhe ia kishte thënë ngjarjen e përdhunimit që, kur kjo të ikte nga kjo jetë me vetëvrasje, ai ta dinte realisht shtysën e vërtetë. Por kuptohet se edhe Martini në atë gjendje ishte ndodhur kur kishte shkuar për të vrarë Seferin: “Nëse nuk do ta vras, për mua nuk do të ketë më jetë”, i tha atë ditë Martini Sofisë, një orë para se të shkonte për të vrarë Seferin. Tani, me dorën te balli dhe e shtrirë me shpinë në kolltuk, e dëgjoi nëpër vesh të gjithë këtë shprehje, dhe lotët i zbritën lehtë mbi fytyrë.

Gjatë këtyre viteve pa të, ishte përpjekur mos ta sillte në kujtesë këtë shprehje ashtu si çdo gjë të trishtuar që ia bënte dhembjen më të fortë. Kishte dashur ta kujtonte gjithnjë bukur, me duart e tij nëpër flokë.. Por tashmë pas 20 vitesh, teksa mori lajmin e vrasjes së Seferit, portreti i tij bashkë me zërin në dhomën e tyre teksa fuste revolverin në brez, i orvateshin në mëndje.

Nuk ia kishte thënë kurrë vetes këtë episod, por sot, ashtu e shtrirë në kolltukun e sallonit, gjithë jeta e kaluar me të, i kalonte aq lehtë përpara e ajo ndjehej më e lirë. Ndoshta se tashmë kishte përmbushur qëllimin e kësaj jete: vrasja e Seferit erdhi pas 20 vjetësh, por sërish nga burri i saj.
Një fytyrë tjetër burri ishte shfaqur në këtë kolazh mirazhesh, duke pushtuar hapësirën përreth saj. Një burrë që ajo tashmë e ndjente nga larg. Ishte Gabrieli dhe ajo ndjeu se e dashuronte.

Madje tani edhe më shumë, sepse jeta e saj ishte pastruar befas nga një ujë i qelbur që e rrethonte. Asnjëherë nuk kishte pasur një mendim të qartë se ku ishte dhe çfarë po bënte. Të gjithë e dashuronin, burra e gra, por ajo rrinte kot, sepse kishte brenda vetes atë, pengun e saj, që vetëm ajo e dinte.

“Bukuria e femrës, nëse ajo nuk është e lirë, është torturë për të”, kujtoi ndërkaq një shprehje të Thomait, i cili e kishte shkruar pikërisht për të dhe për jetën e saj, kur kjo nuk kishte ca ditë që e kish redaktuar. Por ndërkaq, e kujtoi qartë edhe vdekjen e Thomait, “me plagë në zëmër edhe ai”, tha, dhe e mendoi qartë thënien e tij të fundit, dhjetë minuta para se të vdiste, “Të kam dashur më shumë se jetën time; tani po të lë vetëm”, dhe nga sytë i rrodhën lot, se e kujtoi që mandej, pas pak, ai vdiq, a thua se ra në një gjumë të rëndë, nga i cili nuk do të zgjohej më kurrë.

Me lotët që i rridhnin, i doli si në një pasqyrë e gjithë jeta e vajzës dhe u kujtua që, edhe qenia e saj e kishte mbajtur për ta larguar nga vetëvrasja. Iu kujtua pyetja që kishte bërë kur i sollën trupin e Martinit në shtëpi: “Po Silvana, Silvi i vogël, çfarë faji ka që të mbetet edhe pa baba, edhe pa nënë”, dhe e ndjeu që kjo pyetje sërish i dha forcë, por tani edhe më të madhe, se e ndiente që po fillonte një jetë të re. “Nesër vjen Gabrieli”, mendoi dikur dhe mblodhi këmbët dhe sërish e gjeti veten duke qarë, pa e ditur se përse i kishte ardhur gjithë ky mallëngjim.

Në fakt po qante dy të vdekur që nuk i kishte aty në këtë lajm: Thoma Dunin dhe Martin Raskun; babanë e saj dhe babanë e vajzës së saj. Por kujtoi dhe një herë Gabrielin që do të vinte të nesërmen nga Milanoja me Alitalia-n, dhe filloi të dremiste mbi kolltukun e bollshëm dhe të rehatshëm, duke sjellë në kujtesë esenë e saj “Shpirt gruaje”, dhe tha me vete duke folur me pak zë:

“Dashuria që ka mbushur një grua nuk është e njëllojtë me dashurinë që përcjell ajo. Dashuria që përcjell gruaja, s’është gjë tjetër veçse një shpirt gruaje. Janë të paktë ata burra që e kanë përjetuar këtë përcjellje, sepse janë të pakta edhe gratë që e përcjellin kështu. Por në Shqipëri kjo ende nuk kuptohet plotësisht”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.