MILOSAO

Përqasje e gjetur mrekullisht mes materialit qeramik dhe metalit

15:56 - 13.01.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Vlash Prifti* – T’i japësh një ide, ta jetosh një objekt të materializuar, do të thotë, ta kthesh atë (ta jetësosh) në krijim, që do të thotë; të ndërfutësh një objekt në një skenar të ri. Gjithashtu, bashkëngjitur saj, mund të shtoj se mungesa e dëshirës për tu përqendruar e për tu startuar me esencën, e cila përbën një problem për ditët e sotme, në të kundërt në krijimtarinë e krijuesit Kristo Krisiko, nuk gjen strehë. Përkundrazi ajo është bërë leitmotivi në krijimtarinë e këtij autori.
Një vepër arti, thotë artisti i njohur Henry Moore, duhet në fillim të ketë vitalitetin e vet. Unë nuk dua të them (thotë ai) një pasqyrim të vitalitetit të jetës, të lëvizjes, një veprim fizik por një vepër, një krijim që të ketë brenda saj, një energji të ndrydhur të brendshme, një jetë intense të vetën, indipendente nga objekti që ai paraqet. Kur vepra ka këtë vitalitet të sajën të fuqishëm, ne nuk e lidhim fjalën “e bukur” me të. Ky mendoj unë, ka qenë edhe qëllimi që objektet metalike të ekspozuara jashtë në hapësirën e volitshme përpara galerisë tashmë të njohur FAB, të na surprizojnë me thjeshtësinë e formës dhe forcën e ekspresionit.
Një tjetër kërkesë mjaft e rëndësishme për këtë krijues, është që vepra e tij, ashtu si ato të mjaft artistëve bashkohës, të japë kënaqësi, të prekë jo vetëm ndjenjat e shikuesit por të shkojë më thellë se sa ndjenjat. Këto figura skulpturore metalike, nëpërmjet “përdredhjes” së tyre me shumë elegancë, duke mos fshehur aspak konstruktin e metaltë, i bëjnë të perceptueshme nëpërmjet shqisave tona, konceptet e këtij skulptori.




“Një vepër e hapur” ndërvepruese që të fton të marrësh pjesë, thotë Philipe Parreno, i jep një farë koordinate marrësit, ajo i mundëson atij të reagojë ndaj shtysës fillestare të dhënë nga lëshuesi i kumtit. Pra qëllimi i skulptorit është të arrihet nëpërmjet forcës ndikuese të krijimit një kompromis i besueshëm mes këtyre formave dhe koncepteve të tij. Përjetohet pra ndjesia që krijuesi i këtyre formave na mundëson të shohim nëpërmjet ngjyrimit artistik, se ato kanë vitalitetin e vet, një energji të ndrydhur, të konservuar, të brendshme intense. Edhe pse nuk riprodhojnë paraqitjen natyrore, ato transmetojnë tek shikuesi një ekspresion të domethënies së jetës.
Jam plotësisht i bindur se autori i këtyre formave tepër provokuese (mbase i shtyrë nga fillesa Dionisiane), rrugëtoi drejt zgjidhjes dhe dhënies jetë të tyre, falë talentit, intuitës e këmbënguljes për të zbuluar forma të reja shprehjeje, eksperiencës dhe nga sugjestioni që i japin atij format dhe struktura e materialit.
Por ashtu si dhe krijues të tjerë pasionantë, përpara se të arrijë destinacionin, ai mbetet i mbërthyer nga vrulli krijues. Thënë ndryshe, antenat e ngritura lart, funksionojnë tek ai pandërprerje. Që do të thotë se duke gjetur (zbuluar) motivin nga natyra, nga jeta, apo duke i përjetuar ato nëpërmjet ëndrrave, ky krijues, ashtu si dhe të tjerë mbarsur me veti të tilla, zbulon atë që prej kohësh ai filozofon. Jo një ide të fiksuar pa jetë, por një ide plot me sugjestione. Dhe unë personalisht mendoj se kur ato janë më shumë abstrakte, janë më shumë vitale. Por kureshtja për veprën, për të shkuar më thellë brenda saj, nuk mbaron këtu.

Përveç subjektit të realizimit teknik në shërbim të qëllimit të formës, të një objekti të tillë me destinacion të caktuar estetik, për tu vendosur në një ambient të hapur për publikun, marrin pjesë subjekti, madhësia, materiali, gjetja e përshtatshme e vendit në raport me sipërfaqen, ngjyra e tjerë. Por unë desha të veçoj një element tepër të rëndësishëm të cilësuar nga ky krijues, atë të ritmit. Ai është element mjaft i rëndësishëm në këto vepra skulpturore me destinacion të tillë. Praktikisht atë e shohim të ekzekutuar mjeshtërisht nga krijuesi i tyre dhe ato presin të instalohen në ndonjë nga parqet e vendit. Personalisht e shoh të realizuar bukur, mjeshtërisht mes hapësirave të lëna, të konturuara shijshëm me linja harkore të formave plastike me madhësi të ndryshme, tonacioneve të krijuara enkas në sipërfaqen e tyre, duke e çuar shikuesin drejt një imazhi më të thellë, më të plotë e gjithëpërfshirës. E si rrjedhojë na bën thirrje për ta zbuluar, ta shijojmë por edhe ta perceptojmë të bukurën, forcën tërheqëse estetike që rritmi (si ndjesi e autorit, krijuesit të saj) si i domosdoshëm e si pjesë e estetikës, na ofron. Krijuesi i tyre, një artist i talentuar nëpërmjet këtyre marrëdhënieve harmonike të elementëve skulpturorë nën udhëheqësinë e ritmit, synon gjithashtu të lëndësojë në një formë ose në një tjetër, marrëdhëniet e tyre me hapësirën dhe kohën.
Për mendimin tim, vepra të një profili të tillë do të qendronin mjaft mirë si skulptura parku, duke u bërë pjesë e një ambienti me gjelbërim dhe me frekuentues (të rinj a të moshuar). Ka kohë që flitet një gjë e tillë në qytetin tonë. Ky është një rast i mirë për tu shfrytëzuar. Le të shpresojmë.

NJË ANALIZË E VEÇANTË PËR RELIEVIN E DESTINUAR TË
VENDOSET NË MURIN JUGOR TË BANKËS KOMBËTARE SHQIPTARE.
Ajo çfarë kamë vënë re gjatë takimeve dhe diskutimeve me krijuesin, për periudhën e nisjes së këtij angazhimi (flitet për vitet ’80-të), mund të them se ai qe i përfshirë seriozisht, me ego të epërme profesionale si dhe nga sensacione të veguara që me siguri buronin nga natyra, eksperienca dhe nga sugjestionet që i jepnin format dhe strukturat e materialit që ish bërë një me të në rrugëtimin e tij shumë vjeçar, që nga mësimet e para që mori në liceun artistik “Jordan Misja”, e pikërisht në atelienë e Kvieta Rafael, qeramistes së talentuar e ardhur nga Çekosllovakia, e cila me pasionin, dijen dhe eksperiencën e saj e pajisi këtë adoleshent të asaj periudhe me dashurinë për këtë material kaq të dashur e të çuditshëm për të, siç ishte ai i qeramik. Në vazhdim në periudhën 67-71 fati e ndoqi përsëri të merrte mësimet e të trashëgonte dhuntitë si mësim dhënës, që i dhuroi profesor Thoma Thomai (autor i disa relieveve), në atelienë e qeramikës. Talenti, dëshira, pasioni e këmbëngulja që e simbolizojnë autorin e relievit, për të cilin do flas dhe në vazhdim, si dhe mjaft e mjaft vepra të tjera tregojnë edhe për formimin e tij. Gjatë rrugëtimit për në finale, për realizimin e kësaj detyre, të cilën e fitoi me konkurs të shpallur, ai, siç e kam të dëshmuar prej tij, ka bërë mjaft kthesa të paparashikuara duke ngulur këmbë për t’u afruar destinacionit.

Gjatë këtij rrugëtimi duke eksperimentuar nëpërmjet boceteve, format e në veçanti figurat morën jetë dhe ndoqën një zhvillim logjik të cilin artisti, krijuesi i tyre, siç thotë Henry Moore, (një nga më të njohurit e fundshekullit të XX-të), “artisti, krijuesi apo kushdo qoftë ai, edhe po të donte, nuk do mund ta ndryshonte rrjedhën e tyre”. Kjo përforcon mendimin se ekziston jo vetëm forma e jetës, formë që buron nga natyra, por gjithashtu një jetë formash. Në zhvillimin e një artisti me atribute të veçanta, format tipike zhvillohen jashtë njëra-tjetrës dhe madje, siç e kemi përmendur më lart, janë më shumë abstrakte; ato janë më shumë vitale – thotë Henry Moore.

E kështu krijoj bindjen se këto forma (të realizuara, të jetësuara në relievin e krijuesit artist Kristo Krisiko, nuk do mund të gjenin zhvillim nga një artist me formim akademik, të cilët për kohën që flitet nuk mungonin. Ajo që unë do doja është të përforcoj atë çfarë thashë më sipër, se është talenti, intuita, këmbëngulja si dhe edukimi profesional i trashëguar nga mësimdhënësi (që pati fatin ti ketë). Aftësia e tij për të rrëmbyer prej tyre edhe të pathënat të cilat kalojnë në sistemin mendor të “nxënësit” fare pa e kuptuar. Dhe për mendimin tim, ato janë të dukshme në këtë reliev; plasticiteti, format që kanë marrë jetë në radhë të parë nëpërmjet gjetjes e përpunimit plastik të tyre, seleksionimi i elementëve të panevojshëm, si dhe mund të them me bindje të plotë se evidentimi i detajeve më të rëndësishëm, atyre sugjestive, balanca apo raporte të gjetura me shije mes ngarkesës plastike dhe sipërfaqeve të lëna, vijnë në harmoni por edhe si goditje mbresëlënëse, që vetëm një artist i aftë i alternon me gjithë dijen, ndjesinë, kulturën e trashëguar, temperamentin e në rastin konkret për krijuesin e relievit, zotërimin e veçorisë së materialit. E të gjitha këto për të theksuar forcën e ekspresionit që na e zbulojnë me kënaqësi si një aset të çmuar. Nuk do lija pa përmendur, se në këtë reliev ashtu si dhe në veprat e tjera që i morëm në analizë, duhet përmendur një element tepër i rëndësishëm, evident në krijimtarinë e këtij autori, atë intelektual që padyshim bëhet pjesë në gjetjen dhe saktësimin e idesë, për të shkuar së fundmi në një finale të qëndrueshme, bindëse në kontekstin e kohës apo të periudhës së realizimit. Si rrjedhojë mund të them se nuk ishte për të një kombinim thjeshtë i kënaqshëm, një dekorim i jetës, nuk ishte kjo zgjedhja e tij. Megjithëse në atë kohë ato diktoheshin. E përsëris, nga njohja që kam me të, kjo kërkesë sublime ishte arritja e një ekspresioni domethënës, një stimulim për përpjekje më të mëdha për të jetuar jetën, për të përfaqësuar idealet e tij humanisht të mundshme, që mund të jenë edhe qëllimi final në realizimin me plot shije dhe mjeshtri të këtij relievi.
DIÇKA PËR OBJEKTET E
EKSPOZUARA NË KATIN E
SIPËRM TË GALERISË FAB
Në katin e dytë të galerisë përballemi me tre figura femërore tepër elegante, në madhësi pak më të vogël se natyralja, e siç e kam përmendur dhe më lart, mjaft të ndjeshme e me qëndrimin elegant të tyre, disi të ndrojtur, të ftojnë të qëndrosh me to. Dukuri e veçantë kjo në përzgjedhje nga krijuesi i tyre. Kjo marrëdhënie e shprehur në mënyrë të vetëdijshme ndjehet dhe ne si shikues na pëlqen, por unë personalisht po mendoja që nëse do të ishte e mundur edhe për to të gjendej mundësia e financimit për derdhjen në bronx, e të bëheshin pjesë, apo banorë të përhershëm si figura parku, në parqet tona pothuaj boshe. Po për faj të kujt do thoni ju? Këtë nuk e di, por për një gjë jam i sigurt, se krijuesit po të stimuloheshin, e të angazhoheshin nga strukturat përkatëse, me siguri ata do ti përgjigjeshin. Nuk ka pse të mos jenë konkurse mbarë shqiptare. Kërkesat sigurisht duhet të shpallen nga entet përkatëse (mbase bashkitë e rretheve). Në komisionet e miratimit sigurisht duhet të jenë profesionistë e të pa anshëm në gjykim. Fryma, koncepti, përshtatshmëria e figurave apo objekteve, llojet e materialeve që do përdoren, kuptohet që duhet të jenë të kohës. Ndriçimi gjithashtu.
Figurat që pamë të ekspozuara ishin vetëm shkaku. Nga ana tjetër dua të sqaroj diçka, që në koncept këto figura femërore elegante me ndjeshmeri të madhe, janë në njëfarë mënyre, në koncept dhe frymë, të ndryshme nga ato prej metali të ekspozuara në hyrje të galerisë FAB, të cilat përcjellin ndjesi e filozofi Dionisiane. Në të kundërt figurat femërore me sensibilitet të madh (folëm dhe më lart), përcjellin shkëlqimin iluzor të së bukurës Apolloniane. Por kjo nuk do të thotë se nuk mund të arrihet gjetja apo përshtatja e frymës dhe kërkesave të kohës dhe ajo e mundësive të vendosjes në zona të caktuara. Përpjekjet duhet të jenë të pandërprera.
Uroj që kjo ekspozitë që më la mbresë të thellë, të mos jetë e vetmja si e tillë.
*Pedagog, Janar 2019.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.