MILOSAO

Pse nuk e bëjmë ende sot një monografi shkencore për “Atin e Pavarësisë”?!

16:20 - 13.01.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ben Andoni – Për Ismail Qemalin ka disa botime por ndërthurja e gjetjeve të tyre duket e pamjaftueshme për të ravijëzuar një përmasë reale të figurës së tij. Nuk është qëllimi i këtij shkrimi për të nxjerrë realisht bibliografinë sepse ajo është atribut i studiuesve. Qëllimi i shkrimit është që përmes vështrimeve të ndryshme të apelohet e të hidhet dritë mbi një personazh, që bëri shumë për vendin ose të paktën arriti të kuptoj dhe si askush tjetër të mbrujti idenë që të përjetësoj aktin më të madh të shqiptarëve, mëvetësinë e tyre. Ismail Qemalit i janë kushtuar disa studime, por të gjitha lënë shumë për të dëshiruar, sa i përket metodikave, të vërtetave dhe mbi të gjitha gjykimit të veprimtarisë së tij.
Që në të gjallë atë e sulmuan shumë, bashkëvendas dhe të huaj. E habitshme indiferenca për të nga qeveritë e viteve ’20 dhe ’30 dhe më shumë akoma e kohës së komunizmit. I vetëm, z. Rama, bëri një nga veprimet më të mençura simbolike, duke e vendosur foton e tij në çdo zyrë të shtetit shqiptar, duke hequr neverinë që kemi ne shqiptarët e sotëm për presidentët tanë dhe duke mbushur një vakuum institucional.





Dy vjet pas pavarësisë, kemi një gjykim shumë të ashpër ndaj tij, në kujtime që janë botuar shumë kohë më vonë. Autori, Wilhelm von Wied, është monarku gjerman, që merr përsipër pas Ismail Qemalit të fusë në udhë institucionale Shqipërinë. “Nëse Shqipëria do të ecë ndonjëherë duhet të heqë Ismail Qemalin dhe Esat Pashën!” Por kjo nuk mund të realizohet, pasi të dy personalitet jo vetëm e njohin vendin shumë më mirë sesa ai, por e përcjellin pas gjashtë muajsh këtë personazh interesant vetëm për përshtypjet e tij. E për fatin e tij të keq, Lufta e madhe Botërore ka dhënë mesazhet e para, duke mos pyetur për asnjë autoritet, ca më shumë të tijin, që nuk arriti të vendoset edhe në pak dhjetëra kilometra katror. Pas ikjes së tij, Shqipëria kthehet në një no man’s land. Forca të ndryshme të dy Blloqeve përplasen ashpërsisht në territorin tonë, kurse shqiptarët mbeten dekori. Zulma e Ismail Qemalit ka rënë me kohë dhe Sejfi Vllamasi në kujtimet e tij tregon skandalin e epistolarit, që do t’i kushtojë ikjen nga politika, pak muaj pas apogjeut të tij historik. Çuditërisht, figura e tij nuk vlerësohet më dhe Vllamasi e ka të përfshirë shumë pak në kujtimet e veta. Para tyre, Franc Nopça e shtyn neverinë e tij deri në përçmim kur flet për dërgatat shqiptare në Kongresin e Triestes, kurse për Ismail Qemalin ka fjalët më hidhura që mund të gjenden në fjalët politikë. E vërtetë është se Ismail Qemali do të mbijetojë vetëm si personazh ndër gjithë ato zëra konfuzë të kohës, ku të gjithë shqiptarët e Kongresit të Triestes në vitin 1913, janë kapo, teksa më e sikletshme është se Nopça kërkon të jetë monark i vendit, duke shkelur mbi këdo!!!

Shumë dekada më vonë, studiuesja franceze Nathalie Clayer me guxim parashtron një ide interesante duke konstatuar se figura e Ismail Qemalit u shndërrua në “baba i kombit” pas shpalljes së pavarësisë. Sipas saj, shqiptarizmi i tij ka marrë një ngjyrë krejt tjetër nga ai i shqiptaristëve të tjerë dhe madje shton edhe efektin se imazhi i tij si udhëheqës i lëvizjes shqiptare është mjaft i mitizuar.
Ajo që kemi nga studiuesit për Ismail Qemalin, më pas nuk na ndihmon, pasi sot e kësaj dite nuk njihet i gjithë korpusi i dokumentacionit të tij, kur ishte në administratën osmane por edhe dokumentacioni shqiptar.
Kaq të mëdha janë mungesat dhe honet në figurën e tij, sa paçka botimeve, deri vonë ka munguar një biografi e tij, kurse ishte e gabuar datëlindja dhe datëvdekja e tij, deri në vitet 2000 (!!) ndërsa qeveria komuniste ia sfumoi shumë figurën, pasi ai do mund t’i bënte shumë hije vendit të Enver Hoxhës në histori, “prijësit të vërtetë të Shqiptarëve”.
Por shqetësimi më i madh për studiuesit, në këtë vit kremtimor, duhet të jetë diçka tjetër: Për Ismail Qemalin mungon një monografi e një institucioni akademik me të gjithë aparatin shkencor, por edhe një metodikë për të zbuluar realisht të gjithë rolin e tij për pavarësinë dhe mbi të gjitha forcimin e staturës së tij që çoi deri në Shpalljen e Pavarësisë.
Punët që janë bërë më vonë duket se më shumë e kanë konfuzuar pamjen e figurës së tij por edhe një pjesë syresh, me mangësitë e mëdha të formimit, më thjesht e kanë bërë gati jo real atë si personazh. Po pse nuk iu dedikuan një monografi të tillë në socializëm? Arsyeja e parë që parashtrohet sot dhe duket se ka një lloj vërtetësie është se komunistët gjithçka e lidhnin me periudhën e tyre, kurse Ismail Qemali, për fat të keq, u nda nga jeta pikërisht në vitin 1919, kohë kur Shqipëria ende nuk kishte institucione. Ashtu, si pengesë teknike ishte edhe koha e Zogut, kur ishin gjallë shumë nga njerëzit që e kishin njohur e të cilët më shumë ishin kundërshtarë të tij sesa realisht vlerësuesit e vet.
Jo më kot, ky fat i dhimbshëm lidhet edhe me familjen e vet. Fati i keq i tij është se Sarajet e Vlorajve u prishën nga ish-kryetari i Bashkisë Qazim Kokoshi, që mbarte shumë pakënaqësi për bejlerët e familjes Vlora, ashtu si referenca të tjera e lidhin prishjen me Eqerem bej Vlorën, kushëririn e vet të dytë. Ky i fundit na ka lënë madje edhe disa kujtime shumë cinike për ditën e Pavarësisë, duke u munduar për ta sfumuar sa më shumë figurën e tij!

Me pak fjalë, nëse do të realizohet një monografi, puna e të cilës vështirësohet me largimin e kohëve, pasi kanë ikur dëshmitarët e brezit të dytë, që kishin ende lidhje me kujtime për këtë figurë, por edhe mungesa e duhur e dokumenteve do të kemi humbje edhe më të shumta për njeriun tonë të pavarësisë. E imazhi i tij na duhet, të ravijëzojmë historinë tonë të identitetit. Ndërkohë, sot e kësaj dite, ka mungesë shumë të madhe njohurish për të gjithë jetën e tij por mbi të gjitha krejt anëtarët e familjes, informacion, që është fituar falë kontributit të familjarëve në kohë të ndryshme dhe pak studiuesve që janë të pasionuar.
Ismail Qemali ka nevojë që t’i përshtatet një monografi cilësore me një aparat shkencor por mbi të gjitha të tregohet realisht kontributi i këtij njeriu, me të cilën do të lidhet shpallja e Pavarësisë së vendit. Nuk duhet të kemi frikë të themi të vërtetën, që edhe mund të na dhembin, pasi tek e fundit, rezultantja e tij, është pozitive: Shpalli pavarësinë. Është nevoja që e dikton, është koha që e kërkon si nderim në këtë 100 Vjetor, por pa panegjirizëm. “Milosao”


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.