MILOSAO

Tadeush Ruzheviç: Poeti që shkroi në prag të heshtjes

15:30 - 13.01.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dr. Silvana Leka – Tadeush Ruzeviç i përket dhe ishte pjesë rëndësishme e më të shquarve poetë-dëshmitarë të Europës, që u shfaqën pas Luftës së Dytë Botërore, pikërisht në gjysmën më pak me dritë të shekullit XX-të, por që shkruan për anën më tronditëse të asaj periudhe, përfshi këtu edhe produktin më makabër, që njeriu prodhoi gjatë atij shekulli.
Nuk ishte periudha në të cilën jetoi dhe as jetëgjatësia e tij aspekti kryesor që ky të bëhej një nga zërat më të fuqishëm të atij brezi të mashtruar dhe të zhgënjyer. Ishte talenti i jashtëzakonshëm, qëndresa dhe vetëpërmbajtja për të mos i zgjedhur me kujdes të veçantë manierist fjalët, për t’i mbajtur nën kontroll metaforat dhe për të qenë pro estetikës së ashpër të së vërtetës së hidhur.




Ai ishte nga poetët e fundit të atij brezit që njohu dhe shkroi për luftën dhe për Europën që në vend që të punonte më fort kundër humbjes së kujtesës, zgjodhi të ngulte gozhdën e fundit mbi kujtesën historike.

Tadeusz Ruzeciç, i cili u nda nga jeta më 2014-ën, i përket brezit të parë të shkrimtarëve polakë të lindur, pasi Polonia rifitoi pavarësinë, në vitin 1918. Ai mbetet një nga vijuesit më të rëndësishëm të poezisë madhështore polake të shekullit 20-të dhe ndjekës i denjë i rrjedhave letrare ndërkombëtare të avangardës.
Emri i tij përmendet shpesh si kandidat për Çmimin Nobel. E nisi krijimtarinë nga viti 1944, duke krijuar 15 vëllime shumë të njohura e të vlerësuara me poezi, të përkthyera në 50 gjuhë të botës. “Ai solli një formë të re poetike dhe ishte gjithashtu mjaft novator në dramaturgji, duke rindërtuar ndjenja e kuptime të tjera mbi jetën në përfundim të tragjedisë së Aushvicit.

Sipas Theodor Adorno-s, pas kësaj traume të kryer nga njeriu, zor se kishte më vend për ndjenja delikate, përmendjen vend e pavend të fjalës “humanizëm” dhe thuajse pamundësi për të shkruar ndonjë gjë autentike”.
Tadeusz Ruzeciç është lloji i poetit që nuk vajton dhe nuk derdh lot, por drithërohet si letër gazete, por jo njëtrajtësisht. Pjesë e kolazheve të tij në poezi dhe në dramat e mirënjohura, janë gjithçka intime dhe publike që ndodh, të parëndësishme në dukje, si kartolinat, një hartë, emra rrugësh e hotelesh, por që marrin rëndësi në penën e tij që gjen formën më shprehëse te poezitë mbi çnjerëzimin, që kulmon me holokaustin dhe përndjekjet.

Nuk duhet të ketë qenë e lehtë për një autor që njohu luftën e zjarrtë dhe luftën e Ftohtë, nënshkrimin e armëpushimit, paqen, superfuqitë, stalinizmin, ngritjen, shembjen e Murit të Berlinit dhe “rënien e lotëve në bursë”, siç e ndeshim në një nga poemat e vona të Ruzeciç-it.
Poezitë e këtij autori të shquar, mes të shquarve të tjerë të poezisë polake të shekullit XX, vijnë për herë të parë për lexuesin shqiptar nga “Botimet POETEKA” si fryt i bashkëpunimit me përkthyesit Astrit Beqiraj e Ben Andoni dhe me mbështetjen e Institutit Polak të Librit dhe të Ambasadës së Polonisë në Tiranë.
Përveç poezive, të qëmtuara me kujdes dhe që përfaqësojnë faza të ndryshme të krijimtarisë së këtij autori, botimi “Tadeusz Rozewicz – Përmbledhje poezish” shoqërohet edhe nga dy tekste që vihen në ndihmë të lexuesit për të komunikuar më mirë me krijimtarinë dhe për të pasur në duar disa çelësa, pa të cilët zor se mund të hysh brenda poezisë së njërit prej poetëve emblemë për shekullin e 20-të.
Jo rastësisht teksti poetik i Rozewicz-it është vendosur mes dy rekomandimesh në prozë. Teksti i parë, që shërben edhe si ftesë hyrëse universin plot vrima të zeza të këtoj autori, është eseja, “Fshehur në vetvete: poezia e R??ewicz-it”, me autor Tom Paulin.
Teksti i dytë, me autor John Osborne, përmes esesë me titull “Tadeusz Ruzeciç: Gërsheti”, përdor një poezi të vetme si pishtar për të ndqiçuar pak më shumë aktin vetmitar të leximit nëpër labirintin e krijimtarisë së R??ewicz-it dhe të autorëve të tjerë të së njëjtës qasje dhe të së njëjtin këndvështrim në poezi.
“Këta njerëz dhe unë, shkruan R??ewicz-i, e mësuam gjuhën nga mbishkrimet mbi mure.” Por ajo ç’ka kam krijuar, ngulmon të qartësojë ky autor, nuk është vetëm poezi, por edhe figura e poetit që shkruan për të humburit nga tmerri. “Për ata që janë shpënë në kasaphanë. Për ata që mbijetuan”, do të shkruante vetë Rozewicz kur u shpreh për poezinë e tij.

Në poezinë e Ruzeciç-it gjenden, mes të tjerash, edhe shumë detaje autobiografikë. Aty shfaqet nëna “aq e vockël sa mund ta mbaje ndër duar”, e qetë, ndoshta e lodhur, që e thërret nga dritarja të kthehet në shtëpi, babai, që “mbjell gështenja ballë shtëpisë” e që dremit ndanë sobës pas gjashtë ditësh punë dhe vëllai, të cilit i dërgon një kartolinë me ujvarë.
Por më dukshëm elementet biografikë shpalosen në formë rrëfimi te “Nëna niset”. Ky tekst ndërtohet si ditar, pjesë e të cilave janë kujtimet, copëza bisedash të kapura në ecje dhe diku edhe disa vargje nga ajo që quajmë poezi. Tekst shfaq para lexuesit pamjet e konvertimit. Një fëmijë me nënë thellësisht fetare, e lindur hebreje në besim, që bëhet pjesë e komunitetit katolik.
Mbi të gjitha këto rri figura e Zotit të plotfuqishëm, qe nuk qesh, që “përzien hidhësinë me ëmbëlsinë” dhe që “i pikturuar aq keq, rri varur pa shpresë mbi mur”, siç e shohim në poezinë “Gështenja.
Me fjalë të kursyera vijnë fakte që, përtej përgjithësimit, mund të trajtohen edhe si vargje autobiografike mbi jetën jashtë mjediseve urbane të familjes së poetit. Prej atyre ai mësoi se e Keqja ekziston njëlloj si e Mira dhe se individi jeton jo vetëm mes koncepteve religjioze, motivet e së cilave gjenden dendur në krijimtarinë e hershme të Rozewicz-it, por edhe midis humanes dhe çnjerëzores së krijuar nga vetë njeriu.
Si poet Rozewicz-i u rreshtua me ata që shpërfillnin atë çka pjesa më e madhe e njerëzve e mendonin si “poetike”. Ai zgjodhi gjuhë të thjeshtë dhe një teknikë të gjerë moderniste për të kërkuar imazhet e përfundimeve më të errëta.
Në këtë kontekst, poezia “tepër të thjeshtë”, e Tadeusz Ruzeciç-it ka stil prej asketi, me mënyra shprehjeje që mund ta kuptojë edhe fëmija. Tekstura e zërit nuk ishte fort ndryshe nga ato që gjejmë edhe tek poetë të tjerë të brezit të tij, Zbigniew Herbert , i njohur për të ashtuquajturën “disidencë estetike” apo dy qendrat e tjera të poezisë polake Czes?aw Mi?osz dhe Wis?awa Szymborska. Poezia e këtij brezi i kishte shpallur luftë retorikës patetike, duke artikuluar atë mënyrë ligjërimi që kuptohej mes rreshtash.
Ndërsa Herbert-i cilësohet si poet anti regjimit, por i sofistikuar, vargjet e të cilit, sidomos me Zotin Cogito, nuk dalin haptazi kundër dogmave e klisheve politike, te Ruzeciç-i gjuha poetike ështe publike, e pamëshirshme dhe e drejtperdrejtë, ndonëse vargjet e tij janë plot dhimbje. Gjuha e poezive të Tadeusz Ruzeciç-it përputhet me personalitetin e shpërbërë njerëzor, me gjendjen e njeriut të çliruar, por të humbur mes botës formale e të zvetënuar.
Këto tipare vihen re sidomos në poezitë ku ka një grua apo një fëmijë, “të vetmit banorë qiellorë mbi tokë”, siç quan poeti te “Regio” apo fëmijët e mëvonshëm, “lindur pa dhimbje në klinika, pjekur në diskoteka çjerrë nga drita artificiale dhe tingujt me gojët hapur para ekraneve TV, që nuk dinë të bisedojnë me pemët”, siç përshkruhen te Prerja e drurit.

Kulm i padyshimtë i krijimtarisë së tij është poezia “Gërsheti”:

Pasi të gjithë ngarkesës së grave
ia rruan kokat
katër të ngarkuar me fshesa degë mështeknash
pastrojnë
dhe mbledhin tok flokët
Pas xhamave të pastër
dergjen flokët e kufomave
të mbytur në dhomat e gazit
në këtë floknajë
plot gjilpëra me kokë dhe krehra
Floku nuk goditet përmes dritës
as nuk lëviz dot prej puhisë
s’mund ta prekë ndonjë dorë
as shiu apo buzët
Brenda gjokseve të mëdha
retë e flokëve të thatë
të atyre që u mbytën
qëndron një gërshet i venitur
me një fjongo
tërhequr mbase dikur në shkollë
nga djemtë çapkënë

Muzeu – Oshvjençim, 1948

Vlerësime ndaj kësaj poezie vijnë nga John Osborne, i cili poezinë e
Ruzeciç-it e sheh si gjurmë amebe mbi xhamin e mikroskopit. “Poetët polakë, mes të cilëve edhe Ruzeciç-i, shkruanin mu në prag të heshtjes, duke testuar çdo fjalë kundër një realiteti monstruoz. Si pasojë e kësaj kemi një poezi që nuk i beson fiksionit të vet, poezi që mëson gjuhën e respektit për të vdekurit dhe që zbulon etikën në kushtet e mungesës së estetikës”, shprehet Osborne duke marrë në shqyrtim poezisë “Gërsheti”.

Për kritikun Tom Paulin, poetë si Ruzeciç-i flasin së brendshmi për mungesë besimi në shumë doktrina të cilave, në Perëndim, “u përmbahemi gjysmë vetëdijshëm dhe verbazi”. Me paraqitjen e objekteve të rastësishme, të vdekura, indiferente, vetjake dhe publike, Ruzeciç-i i jep lexuesit mundësinë për reflektim. Ai vëren se dora e padukshme e pushtetit dhe padrejtësisë e vret përfytyrimin, gjuhën, ngrin të folmen dhe, në vend të shpirtit të gjallë, ofron skemë të vdekur të formës nga penda e Ruzeciç-it, përfundon Paulin.
Edhe për lexuesin e sotëm poezia e Ruzeciç-it tingëllon bashkëkohore. Kjo pasi përmes saj autori shpreh ankthet dhe trazimet e një brezi që tiparin kryesor ka luftën dhe rezistencën ndaj holokaustit dhe çdo regjimi që i kundërvihet njerëzores.
Shembull i kësaj bëhet poezia “I mbijetuari”, në të cilën poeti njëzet e katër vjeçar qe i mbijetoi thertores, shqetësohet se “e vërteta dhe gënjeshtra, e bukura dhe e shëmtuara, trimëria dhe frika, virtyti dhe vesi peshojnë njëlloj.” Një poet si ai i shfaq lexuesit një botë të vlerave relative, njeriun e kthyer në objekt dhe të sunduar nga biologjia apo teknologjia.
Por Ruzeciç-i mbetet poet modern, edhe pse krijimtaria e tij i rri larg eksperimentimeve formale. Në vend të tyre ai pëlqen të mbetet “i pagdhendur”. Ai vazhdon të shkruajë vargje ku “sinqeriteti nuk tingëllon fals”. Kjo pasi poeti e ka bërë të tijën moton e J. Keats, për të cilin ‘bukuria është vërtetësi / vërtetësia është bukuri’.
Ruzeciç-i u largua nga Polonia në vitin 1950, për t’i shpëtuar regjimit komunist. Rrëfimet e tij të hidhura në poezi dhe drama, mbeten gjithë përulësi kur i drejtohen “së kaluarës bashkëkohore”, që ilustrojnë gjithë sa ndodh edhe sotme.
Si një rekuiem apo përcjellje e denjë për të vijnë vargjet e poezisë “Ribashkimi”, shkruar më 22 Nëntor të vitit 1992. Mund të quhet edhe kthimi i vështrimit ndaj lirikës, së cilës poeti nuk i kushtoi vëmendje sa do të kishte dashur.

Në temën e tij të preferuar, kujtesën, Ruzeciç-i përpiqet të sjellë ndërmend mënyrat sesi mund të bëhesh poet. Ai rreket të kujtojë se kur kishte qenë poet për herë të fundit dhe e gjen përgjigjen duke shkruar se poet mbetesh edhe kur e ul penën poshtë, për të vështruar me sytë mbyllur pemët e zeza, stuhitë e reve, gjethet e verdha dhe ikjen e zogut, që largohet bashkë me poetin, që ka ikur.

“Por unë po qëndroj
dhe po shkruaj këto fjalë.”

Kështu përfundon kjo poezi.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.