EKONOMI

Pensionet/ Kompensim deri në 760 lekë për pensionistët, kategoritë përfituese

17:30 - 14.01.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Disa kategori specifike qytetarësh në vendin tonë mund të përfitojnë disa kompensime që merren për arsye të paracaktuara në ligj si dhe pensione të veçanta. “Gazeta Shqiptare” zbardh sot procedurën, kriteret dhe dokumentacionin që duhet të plotësojnë individët e interesuar për të marrë këtë pagesë. Masa e kësaj të fundit do të përllogaritet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Përkatësisht individët që plotësojnë kushtet mund të përfitojnë kompensime të llojeve të ndryshme, si ai i shpenzimeve nga ndryshimi i çmimit të energjisë elektrike e lëndëve djegëse, kompensimi i përfituar nga ndryshimi i çmimit të bukës, vajgurit apo gazit të lëngshëm, si dhe kompensim i të ardhurave mujore të pensionistëve. Por, këto kompensime mund të përfitohen edhe në rastet kur individët janë në ngarkim të pensionistëve apo kategorizohen si shtresa në nevojë. Gjithashtu, ata mund të marrin pensionin e posaçëm shtetëror, atë për merita të veçanta, pensionin e dhënë për invalidët e luftës e shpërblimin për veteranët.




Kompensimi deri në 190 lekë
Kompensimin e të ardhurave mujore të pensioneve të qytetit deri në masën prej 190 lekësh e përfitojnë të gjitha pensionet e pjesshme të pleqërisë, të invaliditetit dhe pensionet e pjesshme familjare të qytetit; të gjitha pensionet e plota minimale të pleqërisë, invaliditetit dhe familjare të qytetit si dhe të gjitha pensionet e pleqërisë dhe familjare të qytetit, pasi t’iu jenë llogaritur të gjitha kompensimet.

Kompensim deri në 200 lekë
Këtë lloj kompensimi mbi të ardhurat mujore të pensioneve të qytetit në masën deri në 200 lekë e përfitojnë të gjitha pensionet e pjesshme të pleqërisë, të invaliditetit dhe pensionet e pjesshme familjare të qytetit. Gjithashtu, këtë përfitim e marrin të gjitha pensionet e plota minimale të pleqërisë, invaliditetit dhe familjare të qytetit si dhe të gjitha pensionet e pleqërisë dhe familjare të qytetit, pasi t’u jenë llogaritur të gjitha kompensimet. Kjo e ardhur është pjesë përbërëse e të ardhurave nga pensioni dhe përfitohet së bashku me pensionin.

Kompensimi deri në 760 lekë
ISSH thekson se këtë lloj kompensimi e përfitojnë të gjitha pensionet e pleqërisë, të plota, të pjesshme, të reduktuara, pensionet e invaliditetit të plotë, të reduktuar, të pjesshëm dhe pensionet familjare të plota, të pjesshme të qytetit.

Kompensimi nga ndryshimi i çmimit të energjisë
ISSH bën me dije se kompensimin e shpenzimeve nga ndryshimi i çmimit të energjisë elektrike dhe lëndëve djegëse në masën 350 dhe 700 lekë e përfitojnë të gjitha kategoritë e pensioneve të pleqërisë, të invaliditetit dhe ato familjare të qytetit dhe në masën 200 lekë pensionet e pleqërisë, të invaliditetit dhe familjare, kur përfituesit banojnë në fshat. Pensionistët e fshatit, kur banojnë në qytet përfitojnë 350 lekë. Për të përfituar 350 lekë apo 200 lekë kompensim, kategoritë e sipërpërmendura duhet të dorëzojnë një deklaratë personale dhe një fotokopje të kontratës të energjisë elektrike nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Ndërsa, për të përfituar 700 lekë kompensim duhet dorëzuar gjithashtu edhe një certifikatë familjare, kur fëmijët në ngarkim janë deri në 18 vjeç e ata që vazhdojnë shkollën deri në 25.

Kompensimi nga ndryshimi i çmimit të bukës
Në buxhetin e shtetit është përllogaritur edhe një masë kompensuese për të gjithë ata që preken nga ndryshimi i çmimit të bukës, vajgurit dhe gazit të lëngshëm, në masën prej 150 lekësh. Respektivisht kjo masë pagese përfitohet nga pensionet e pleqërisë, të invaliditetit dhe pensionet familjare të qytetit.

Kompensimi deri në 500 lekë
Në bazë të ligjit “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve”, këtë lloj kompensimi deri në 500 lekë e përfitojnë të gjitha pensionet e pleqërisë, të plotë, të pjesshëm, të reduktuar dhe pensionet familjare të plota e të pjesshme të qytetit.

Kush mund të marrë deri në 690 lekë kompensim, llogaritja

Në buxhetin e shtetit parashikohet kompensimi deri në 690 lekë edhe për të ardhurat mujore të pensioneve të fshatit për të gjithë ata që marrin pension pleqërie, invaliditeti dhe familjar fshati. Përfitues nga ky kompensim mund të jenë të gjithë ata që marrin pensione të pleqërisë të plota dhe të pjesshme, ata që përfitojnë pension invaliditeti të plotë, të reduktuar apo të pjesshëm si dhe ata që marrin pension familjar të plotë ose të pjesshëm. “Përfitohet: a) Deri në 690 lekë në muaj, të gjitha pensionet e pjesshme të pleqërisë, të invaliditetit dhe familjar, që përfitojnë një masë pensioni më të vogël se pensioni bazë. Kjo llogaritet si raport i produktit të shumëzimit të pensionit të caktuar me 690 lekë dhe prodhimi që del pjesëtohet me pensionin bazë të miratuar. b) 690 lekë në muaj, të gjitha pensionet e plota minimale të pleqërisë, të invaliditetit dhe familjare. c) Deri në 690 lekë në muaj, për të gjitha pensionet e pleqërisë, të invaliditetit dhe familjar, që e kanë kufirin deri tek shuma e pensionit të plotë bazë minimal plus 690 lekë dhe nga kjo shumë zbresim pensionin e caktuar brenda këtij kufiri. d) Kjo e ardhur është pjesë përbërëse e pensionit dhe përfitohet së bashku me pensionin”, – thekson ISSH. Ndërkohë, shpërblimi i luftës apo i njohur si shpërblim veterani është një shtesë që u jepet veteranëve dhe invalidëve të luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar. Këtë lloj shpërblimi kanë të drejtë ta përfitojnë të gjithë shtetasit shqiptarë dhe të huaj që luftuan kundër pushtuesve nazifashistë nga 7 prilli i vitit 1939 deri në ditën e çlirimit të Shqipërisë; luftëtarët e inkuadruar në ato njësi të ushtrisë, që luftuan jashtë kufijve të atdheut deri më 09.05.1945. Por, këtë pagesë mund ta marrin edhe të gjithë ata persona që kanë zhvilluar veprimtari të organizuar në ilegalitet, në prapavijë të armikut e në zona të çliruara; kryefamiljarët e atëhershëm të shtëpive të njohura si baza të luftës kundër pushtuesve nazifashistë; të burgosurit dhe të internuarit në burgjet dhe kampet nazifashiste, brenda dhe jashtë vendit si dhe shtetasit shqiptarë që kanë marrë pjesë aktive në luftën kundër nazifashistëve në vende të tjera.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.