DOSSIER

Uran Butka: Ju tregoj sagën e familjes Butka nga gjyshi Saliu, te babai Safeti

17:20 - 14.01.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dashnor Kaloçi – Historian, studiues, publicist, shkrimtar, piktor, politikan dhe ish-deputet, Uran Butka, një nga personazhet publike mjaft të njohur pas viteve ’90-të, edhe pse mban plot tetë dekada mbi supet e jetës së tij, vazhdon përsëri të punojë, madje me energji të jashtëzakonshme sikur kërkon t’i bëjë sfidë jo vetëm moshës, por edhe gjithë asaj periudhe kohe të errët për të, të para viteve ’90-të, kur regjimi komunist ia kishte privuar të drejtën e shkrimeve, studimeve dhe librave, prej të cilave ai thotë se do jenë bashkudhëtar të tij të pandarë deri në fund të jetës, sa të ketë frymën gjallë. I zhytur mes librave në studion e tij të punës, diku në qendër të kryeqytetit pranë Institutit “Lumo Skëndo”, që ai drejton prej pak vitesh, duket se ende nuk e ka marrë veten nga një punë tejet e çmuar për të, madje do të thoshim pa e tepruar edhe një ëndërr e tij, ajo e sjelljes në atdhe të eshtrave të Mit’had Frashërit, idhullit të tij dhe njëkohësisht kreut të nacionalizmës shqiptare. Autor i shumë librave, si atyre me studime të karakterit historik, por edhe lëvrues i letërsisë me romane dhe libra me tregime, Uran Butka pothuaj nuk ka folur dhe shkruar kurrë për jetën e tij. Kjo është edhe një nga arsyet që na shtynë të takohemi dhe të realizojmë këtë intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare”, (në tre numra radhazi) por jeta me historitë e tij personale, nuk mund të shkëputet kurrsesi nga saga e familjes Butka, të cilët janë quajtur me të drejtë si gurë të fortë e të çmuar në themelet e historisë shqiptare. Kështu, në këtë kontekst, po e fillojmë nga rrënjët e kësaj familje?




Zoti Uran, cila është familja Butka?
Sipas Sami Frashërit, kur të parët e Frashërllinjve u vendosën në Frashër të Dangëllisë, rreth vitit 1650, gjetën atje Aliçkasit autoktonë. Kur Frashëri ra ekonomikisht, atëherë familja Aliçka u zhvendos në fshatrat Butkë dhe Orgockë të Kolonjës, më vonë edhe në Kosovë. Ndërsa familja Frashëri u shpërngul në Janinë e më pas në Stamboll. Gjyshi im, Sali Butka, fillimisht është quajtur Sali Tahir Aliçka, mandej, kur u bë i njohur në Kolonjë e më gjerë, u mbiquajt Sali Butka.

Për çfarë u bë i njohur Sali Butka?
Ai ishte një rilindës i ushqyer me veprat e Samiut, Naimit, Jani Vretos e të tjerë dhe u bë një përhapës i kulturës së Rilindjes, librave, shtypit dhe shkollave shqipe në Kolonjë e Korçë, bashkë me Petro Nini Luarasin dhe Jani Cico Kosturin. Në vitet 1893-1895 ata hapën 5 shkolla shqipe në Kolonjë. I mbronte nga qeveria turke dhe patrikana greke pushka e Sali Butkës, ndërkohë që Sali Butka sillte fshehur nga Manastiri libra shqip për shkollat e para shqipe. Kështu e filloi ai aktivitetin rilindas, qysh në fund të shekullit të 19-të.

Cili është roli i Sali Butkës në Komitetin e fshehtë të Manastirit?
Sali Butka u bë anëtar i Komitetit të fshehtë të Manastirit, që u themelua në vitin 1905 me në krye patriotin Bajo Topulli. Vendimi i këtij komiteti ishte krijimi i çetave të para kryengritëse. Bajo Topulli shkoi në dhjetor 1905 në shtëpinë e Sali Butkës dhe në janar të vitin 1906 në Butkë u themelua çeta e parë kombëtare. Në vitin 1907 shkoi atje edhe çeta e Çerçiz Topullit e Mihal Gramenos, që i dhanë lëvizjes për liri, zhvillim të rëndësishëm dhe përgatitën thirrjen e Kongresit të Manastirit në 1908, me në krye Mid’hat Frashërin, kongres që përcaktoi edhe alfabetin latin dhe hapjen e shkollave shqipe. Sali Butka menjëherë e përvetësoi këtë alfabet edhe vjershat e shkrimet e botuara tek “Kalendari Kombiar”, gazeta “Liria e Shqipërisë” etj., i botonte me këtë ABECE të njësuar.

Kur xhonturqit nisën të mbyllnin shkollat dhe klubet shqiptare dhe kërkonin të përdorej alfabeti arabo-turk, Sali Butka me 2500 kolonjarë marshuan për në Korçë, ku u bë “Mitingu i shkronjave shqipe” prej 10.000 vetash, që kundërshtuan alfabetin e huaj dhe mbrojtën alfabetin e Manastirit. Saliu u përndoq dhe u burgos disa herë nga qeveria turke, por nuk hoqi dorë. Në vitin 1911 ai e zgjeroi çetën e tij çlirimtare. Në maj të vitit 1912 mori pjesë më 50 kolonjarë në Kuvendin e Junikut, afër Pejës në Kosovë, që mori vendimin për nisjen e kryengritjes së përgjithshme. Aty u njoh me Hasan Prishtinën, Isa Boletinin, Bajram Currin, me të cilët e vazhdoi bashkëpunimin kombëtar. Në qershor të vitit 1912 u organizua në Frashër komiteti kryengritës i Shqipërisë Juglindore me komandant Sali Butkën.

A ka qenë Sali Butka në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë, në nëntorin e 1912-ës?
Para se të ndalem te kjo pyetje, desha t’ju them pak për një ngjarje tjetër. Gjatë rrugëtimit për në Frashër, u vra në pritë nga komandot turke djali i madh i Sali Butkës, Iljazi, për të cilin nuk vajtoi, po shkroi një këngë: “Na u vra mëmëdhetari, që ish nga shokët m’i pari, shqipëtar bir shqipëtari, i ndrittë shpirti dhe varri”. Në krye të çetës së Kolonjës Sali Butka çliroi Ersekën dhe Korçën, në gusht 1912. Në Gazetën “Koha” të 11 gushtit 1912, Mihal Grameno shkruante: “I dëgjuari patriot Sali Butka, burrë i thjeshtë shqiptar dhe me zemër mëmëdhetari; shokët e tij ishin të veshur me rroba kombëtare dhe të armatosur me malierka”. Më muajin nëntor 1912 u nis me çetën e tij për në Vlorë, për shpalljen e pavarësisë, por arriti me pak vonesë, si Isa Boletini. Në Vlorë ai u prit nga Ismail Qemali dhe qeveria e Vlorës dhe u caktua tek ura e Mifolit për të mbrojtur shtetin e ri shqiptar nga sulmi i ushtrisë turke të Xhavit Pashës, që vinte nga Fieri, të cilën e theu dhe e ktheu mbrapsht. Ndërkohë, Shqipëria u pushtua në pjesën më të madhe nga ushtritë serbe dhe greke. Në ballë të luftës kundër pushtuesve grekë u vu Sali Butka me çetën e tij, me të birin, Gani Butkën dhe vëllanë, Myftar Butkën. U zhvilluan mjaft beteja në Kolonjë, Skrapar, Korçë, siç janë luftërat e Shtikës, Butkës, Qarrit, Luarasit, Qesarakës, Backës, Qafë-Martës, Panaritit, që mbronin gjithë vijën e frontit shqiptar. Në betejën e Nikolicës, 24 prill 1914, ushtria e Sali Butkës e mbrojti Korçën nga mësymja e ushtrisë greke.

Kjo është beteja ku Sali Butka u plagos në sy?
Po, pikërisht në këtë betejë Sali Butka u plagos në syrin e majtë, por nuk u tërhoq nga beteja dhe e shpëtoi Korçën e qarkun e saj nga pushtimi grek. Familja Butka kontribuoi edhe në luftën kundër rebelimit haxhiqamilist të vitit 1914-1915. Komandanti i ri, Gani Butka, djali i dytë i Sali Butkës, u vra bashkë me 60 kolonjarë në Pogradec për të mbrojtur Korçën dhe Pogradecin prej këtij rebelimi antikombëtar. Dëshmor tjetër i familjes. Saliu ndjeu dhimbje të madhe për humbjen e Ganiut dhe shkroi për të një elegji, që u kthye në këngë: “Malet e Gramozit qajnë”.

Cili është roli i Sali Butkës në periudhën 1914-1918, në vitet e Luftës së Parë Botërore?
Kur nisi Lufta e Parë Botërore, Sali Butka me çetat e tij me përkrahjen e austro-hungarezëve nisi luftën për çlirim nga pushtuesit e huaj që kishin shkelur Shqipërinë. Kulmi i kësaj lufte ishte kur çetat e tij, që arritën deri në 30.000 veta, nisën të çlironin me radhë krahinat e Skraparit, Panaritit, Gorës, Oparit, për të arritur në Korçë, ku ndodheshin francezët. Në Voskopojë ishin disa komando grekë, që i penguan forcat kombëtare. Sali Butka i dërgoi një letër pleqësisë, ku shkruante: “Sipas vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve të Londrës, Gjirokastra dhe Korça i mbetet Shqipërisë. Pra, edhe Voskopoja duke bërë pjesë të pandarë në qarkun e Korçës, i mbetet Shqipërisë, prandaj si kryetar i çetave shqiptare po vij ta marr në dorëzim me shpresë se ju do të mirëprisni ardhjen tonë”. Mirëpo mori këtë përgjigje fyese: “Zoti Butka, morëm letrën tuaj dhe mësuam se kishit vendosur të vinit në Voskopojë, po ju lajmëroj që duhet ta dini se nuk do të lejojmë kurrë, sepse është gjynah që me këmbët e ndyra të shqiptarëve të shkelet edhe një pëllëmbë tokë nga Voskopoja antike greke. Nuk do të pranojmë kurrë të tjetër flamur përveç atij grek, do ta mbrojmë deri në pikën e fundit të gjakut tonë”. Filloi lufta e nisur nga ushtarët grekë. Ndërkohë një hajdut, që donte të përfitonte, i vuri zjarrin një kasolleje me kashtë dhe zjarri mori gjithë fshatin. Sali Butka hapi një shteg dhe i ndihmoi të gjithë banorët voskpopojarë të kalonin për në Korçë. Asnjë voskopojar nuk u vra apo u dogj. Saliu e ndoqi zjarrvënësin edhe e pushkatoi me gjyq. Mandej me ushtrinë e tij rrethoi Korçën, bashkë më forcat e Themistokli Gërmenjit dhe i bënë presion autoritetit francez, gjeneralit Dekoen, që të shpallte bashkimin e Korçës me Shqipërinë.

Ç’ndodhi më pas?
Francezët i ftuan dy komandantët në Korçë për të biseduar. Themistokliu në marrëveshje me Saliun shkoi në Korçë, ndërsa Saliu e mbajti të rrethuar. Gjeneralët francezë Dekoen, Sarai etj. theksojnë se ishte ky presion ushtarak i Sali Butkës dhe diplomacia e Themistokli Gërmenjit që i detyroi francezët të shpallnin vetëqeverimin shqiptar të kazasë së Korçës më 10 dhjetor 1916 dhe më pas bashkimin e saj me Shqipërinë. Kjo ishte një arritje e madhe historike.

Cili është roli i Sali Butkës në Kongresin e Lushnjës?
Sali Butka mori pjesë në Kongresin e Lushnjës si delegati i Kolonjës dhe i Korçës në vitin 1920. Ky kongres e ribëri realisht pavarësinë e shtetit shqiptar dhe e futi në zhvillimet demokratike. Sali Butka mbajti një fjalim në ballkonin e bashkisë në Lushnjë dhe u reshtua në radhën e forcave demokratike. Në këtë kohë, Saliut iu duk sikur e kishte përmbushur qëllimin e jetës së tij. Në Korçë botoi librin me poezi “Ndjenja për atdhenë”, “Janë vjersha historike, të thëna pikë pas pike, pa drojtje prej asnjë frike/, as prej pushke as prej thike”, shkruan ai. Megjithatë, zhvillimi i ngjarjeve dhe rreziku që i kanosej Shqipërisë e bënë Sali Butkën të ishte i paplotësuar. Lidhur me këtë, midis të tjerash, ai shkruan: “Në kohë të pleqërisë/ më erdhën plagë të rënda,/ për shkakun e Shqipërisë /që s’u bë siç ma kish ënda”. Saliu ndërroi jetë më 20 tetor të vitit 1938, varri i tij është në Ersekë. Është nderuar me “Urdhrin e Skënderbeut dhe me “Urdhrin e Lirisë”.

Do të ndalemi tani tek babai juaj, Safet Butka, një figurë tjetër e shquar e familjes Butka?
Po, Safet Butka vazhdoi rrugën e të atit, por e çoi edhe më tej. Punoi dhe u shqua në fushën e arsimit e të kulturës kombëtare, mandej edhe në luftën për liri. Frymëzimet e para i mori nga i ati dhe traditat e Kolonjës. Studimet e mesme i kreu në Graz të Austrisë dhe më pas edhe në universitetin për filozofi. Atje, bashkë me Lazgush Poradecin, Krist Malokun etj., formuan shoqërinë studentore dhe botuan përmbledhjen e parë poetike të Naim Frashërit, ku vendin kryesor e zinte studimi i Safet Butkës për jetën dhe veprën e poetit kombëtar. Po atë vit, (1925) këtë studim ai e botoi si libër më vete. Gjithashtu, mori pjesë edhe në lëvizjen studentore të Vjenës, që nxirrte revistat “Djalëria” dhe “Minerva”, ku Safet Butka botoi edhe shkrimet e tij të para. Në Austri mori me vete dhe djalin e vogël të xhaxhait, Qemal Butkën, i cili atje kreu shkollën fillore, të mesmen dhe universitetin për arkitekturë dhe u bë një nga arkitektët më të shquar të kohës në Shqipëri dhe në SHBA.

Kur u kthye në Shqipëri, ku u emërua babai juaj, Safeti?
Safeti u kthye në Shqipëri dhe u emërua profesor në Liceun francez të Korçës, ku jepte gjermanisht dhe gjuhën shqipe. Mandej u emërua mësues në shkollën tregtare të Vlorës. Petro Marko, nxënësi i tij, shkruan tek “Intervistë me vetveten”: “Mësuesi i historisë ka qenë Safet Butka nga Kolonja. E deshëm se ishte i biri i Sali Butkës. Ai kishte studiuar në Austri dhe na vinte në klasë me libra të trashë dhe me enciklopedi të tjera. Nuk shoqërohej me profesorët italianë, madje i përbuzte ata”.

Babai juaj ka qenë edhe në qytetin e Gjirokastrës?
Po, në vitet 1934-’35, babai u emërua drejtor i shkollës Normale të Gjirokastrës, ku u dallua si një reformator i arsimit. Atje themeloi edhe të parën shoqatë të arsimtarëve në Shqipëri, me të cilën zhvilloi mjaft veprimtari kulturore, si ekskursione për të njohur vendin, vendosjen e pllakës përkujtimore te rrapi i Mashkullorës, ku luftoi çeta e Çerçiz Topullit, përkujtimin e figurave patriotike si Koto Hoxhi, Hasan Tahsini etj. Pastaj u transferua në Ministrinë e Arsimit dhe bashkë me ministrin Mirash Ivanaj realizuan reformën e njohur arsimore. Është quajtur “Pestaloci i Shqipërisë” dhe “Kalorës i arsimit shqiptar”. Në një inspektim në shkollat e Matit, inspektori Safet Butka i bëri disa vërejtje kryetarit të bashkisë për mangësitë në shkollat. Në raportin që kryetari i bashkisë, O. Hosha, i bënte Ministrisë së Brendshme, thuhet: “Desha t’i jap me kuptue inspektorit Safet Butka se me pasjen e Naltmadhnisë së Tij Zog I në fron, gjithë interesat e shtetit janë plotsue dhe do plotsohen. Por ai m’u përgjigj jashtë edukatës si nëpunës i naltë që ishte, tue thanë kundra fronit mbretnuer: A veç mbreti të rrojë, por ma parë duhet të rrojë shteti!”. Kjo gjë është e dokumentuar edhe në Arkivin Qendror të Shtetit, f.252, d.83, viti 1936.

Po në gjimnazin e Tiranës, në ç’periudhë ka shërbyer babai juaj, Safeti?
Po, vitet e fundit në arsim, babai ishte drejtor i Gjimnazit Shtetnuer të Tiranës, pra në periudhën 1938-’39, që asokohe ishte edhe shkolla më e rëndësishme e vendit. Në kohën para pushtimit italian, ai udhëhoqi demonstratat e studenteve dhe të qytetarëve të Tiranës, nga 3 deri 6 prill 1939 kundër pushtimit fashist me thirrjet “Poshtë fashizmi!”, “Duam armë!” dhe nuk pranoi të nderonte allafashiste, si edhe u bëri thirrje studentëve të mos nderonin pushtuesit. Edhe kjo gjë është e dokumentuar, në AQSH, f. 295 d.565 viti 1939. Po kështu, Mirash Ivanaj ka mbajtur një ditar që e ka titulluar, “Na, që e gjetëm shpëtimin në t’ikun”, ku shkruan: “Na e martë, 4 prill 1939. Edhe sot e të tanë ditën, edhe natën deri pas mesnatës shfaqjet e popullit ndoqën njëna tjetrën, me nxënësit e shkollave të mesme të prirur prej Safet Butkës, gjakut trimosh dhe dëshmorësh që pasqyrohet Shqipëria dhe populli shqiptar”. Safeti ishte një atdhetar dhe antifashist i orëve të para. Italianët e pushuan si drejtor të Gjimnazit të Tiranës dhe e dërguan përkohësisht gjimnazin e Shkodrës.

Po në Shkodër, cili ishte aktiviteti antifashist i Safet Butkës?
Edhe në Shkodër pati një aktivitet mjaft të gjerë si antifashist. Kur ai vajti në Shkodër, fillimisht pati një takim me Fishtën, i cili i dhuroi “Lahutën e Malcis” me dedikimin “Me përvujtni, Safet Butkës”. Me 28 nëntor 1939, Safeti u priu përsëri demonstratave të studentëve dhe të qytetarëve në Shkodër, gjë që e përsëriti edhe në janar të 1940. U arrestua nga italianët dhe u burgos në Ventotene, një ishull ku internonin antifashistët. Theksoj që në Ventotene ai vazhdoi të mbante po atë qëndrim, të mos nderonte allafashiste, sepse “ne s’mund të nderojmë pushtuesit”, thoshte ai dhe të bashkëpunonte me antifashistët evropianë. Në Ventotene u hartua “Manifesti i Ventotenes”, projekti i Evropës së Bashkuar dhe demokratike, në të cilin kanë kontribuar Spineli, Pertini, si edhe shqiptarët Llazar Fundo, Safet Butka etj., themelues të Bashkimit Evropian, ku ne rropatemi sot të shkojmë.

Gjatë kësaj kohe, a kishte informacion Safeti se ç’ndodhte me familjen e tij në Shqipëri?
Po, patjetër, kishte informacion me anë të korrespodencës me letra, që mbante rregullisht me familjen. E shoqja, Hatixheja, i shkruante në një letër se, ndërsa shokët e tij po liroheshin, ai mbetej në burg. Safeti ia kthente se “ishte kokëdhë”. Madje, i shkruante që ajo t’i shiste Kolë Kamsit enciklopeditë dhe librat e tij, që kishte blerë në Austri, që ajo të shlyente kredinë e bankës, që kishin marrë për të ndërtuar shtëpinë në Tiranë. Ai si qytetar kishte merakun e larjes së kredisë, ndonëse i burgosur në Itali, kur s’kishte as bankë shqiptare, as Shqipëri. Por nëna shiti gjerdanin e florinjtë e martesës tek një argjendar, në vend të shiste librat dhe ato libra janë në bibliotekën time.

Kur u kthye në Shqipëri nga internimi?
U kthye në Shqipëri në fund të vitit 1942 dhe u takua në Tiranë me Mid’hat Frashërin. Natyrisht, në Shqipërinë e pushtuar, ai zgjodhi alternativën nacionaliste, sepse atëherë ishin dy alternativa politike, nacionaliste dhe komuniste. Nacionalistët i kanë shërbyer Shqipërisë qysh nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, ndoshta edhe më herët, për të mbrojtur identitetin dhe trojet kombëtare, më vonë në lëvizjen për liri, pavarësi e shtet shqiptar, në Kongresin e Lushnjës e luftën e Vlorës, në lëvizjen për demokraci e drejtim perëndimor e kështu me radhë. Ishte edhe alternativa komuniste, e cila vinte nga jashtë, drejtohej nga Internacionalja komuniste në Rusi, ku stalinizmi kishte shkaktuar 20 milionë viktima etj.
(vijoj nesër)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.