BOTA

Kandidati i Trump për Prokuror përballë pyetjeve të vështira

19:29 - 15.01.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kandidati i Presidentit Trump për prokuror të përgjithshëm, William Barr, u zotua të martën se do të mbrojë nga presionet politike hetimet që po zhvillon prokurori i posaçëm për Rusinë.




Ai e quajti problem faktin që Presidenti Trump e ka etiketuar si “gjueti shtrigash” hetimin e kontakteve të rrethit të tij të brendshëm me Moskën.

“Unë nuk besoj se prokurori Mueller do të përfshihej në një gjueti shtrigash,” tha zoti Barr përpara Komisionit Juridik të Senatit në seancën e konfirmimit të tij për t’u bërë zyrtari më i lartë ligjzbatues i vendit.

Ai shtoi se ka ndërmend të lejojë që hetimi të vazhdojë dhe se rezultatet duhet të bëhen të njohura për publikun dhe Kongresin.

Zoti Barr tha se prokurori i posaçëm mund të shkarkohet vetëm për shkaqe të forta dhe se “është e paimagjinueshme” që zoti Mueller të “ndërmerrte ndonjë gjë që të përbënte shkak të fortë”.

“Mund t’ju siguroj se nëse do të duhet të merren vendime, do t’i marr ato bazuar vetëm në ligjin dhe nuk do të lejoj që interesi personal politik ose interesa të tjera të papërshtatshme të ndikojnë në vendimin tim”, tha zoti Barr.

Demokratja më e lartë e Komisionit, Dianne Feinstein e Kalifornisë, theksoi rëndësinë e pavarësisë së rolit të prokurorit btë posaçëm.

“Besoj se është e rëndësishme që prokurori tjetër i përgjithshëm të jetë në gjendje t’i rezistojë me forcë presionit, qoftë nga administrata apo Kongresi për të kryer hetime për qëllime politike. Ai duhet të ketë integritetin dhe forcën për t’i thënë presidentit ‘jo’, pavarësisht pasojave,” tha zonja Feinstein.

Zoti Barr, i cili ka qenë prokuror i përgjithshëm nën presidentin George H. W. Bush, ka tërhequr mjaft vemendje për një shkresë të hartuar vitin e kaluar ku kritikonte zotin Mueller për faktin që po shqyrtonte çështjen nëse Presidenti Trump ishte përpjekur të pengonte hetimin duke shkarkuar drejtorin e FBI-së James Comey në vitin 2017.

Në shkresën për Zëvendës Prokurorin e Përgjithshëm Rod Rosenstein, i cili mbikëqyr hetimin mbi Rusinë, zoti Barr linte të kuptohej se hetimi i prokurorit Mueller për veprimin e zotit Trump ndaj ish shefit të FBI-së Comey ishte “fatalisht i gabuar” dhe “shumë i papërgjegjshëm”.

Të alarmuar se zoti Barr, një jurist konservator republikan, mund t’i vërë kufij hetimit për Rusinë, demokratët u zotuan se do ta bënin shkresën në fjalë një element kyç të seancës për emërimin e tij.

Ata kërkuan sigurime se zoti Barr do të mbrojë hetimin e prokurorit të posaçëm nga sulmet politike.

Për të zbutur këto shqetësime, zoti Barr argumentoi në komentet e tij për Komisionin Juridik të Senatit se shkresa në fjalë ishte “e ngushtë në kuptimin e saj dhe nuk kishte të bënte me hetimet rreth ndërhyrjes ruse në zgjedhjet e vitit 2016.”

Zoti Barr tha gjithashtu se ai do ta lejojë prokurorin e posaçëm Mueller që ta çojë deri në fund hetimin e tij pa asnjë ndërhyrje.

“Unë besoj se është në interesin e të gjithëve, të Presidentit, Kongresit dhe, më e rëndësishmja, të popullit amerikan – që kjo çështje të zgjidhet duke lejuar prokurorin e posaçëm të përfundojë punën e tij,” tha zoti Barr. “Vendi ka nevojë për një zgjidhje të besueshme të këtyre çështjeve,” tha ai.

Pavarësisht nga toni i qetësues i deklaratave, demokratët kanë sinjalizuar se do të t’i bëjnë pyetje të vështira kandidatit për prokuror të përgjithshëm, i cili në SHBA është titullari që drejton Departamentin e Drejtësisë.

Edhe republikanët kërkuan sigurime nga i emëruari i Presidentit Trump. Kryetari i ri i Komisionit të Senatit, Lindsey Graham i Karolinës së Jugut, shprehu zemërim lidhur me komunikimet e gjera midis dy agjentëve të FBI-së gjatë fushatës presidenciale të 2016-ës, ku tregohej anshmëri dhe paragjykim ekstreme ndaj zotit Trump.

“Po mbështetemi te ju që ta pastroni këtë institucion,” tha senatori Graham duke iu referuar Departamentit të Drejtësisë.

Nëse konfirmohet, zoti Barr do të marrë mbikëqyrjen e hetimit për Rusinë nga zoti Rosenstein, i cili javët e fundit u ka thënë bashkëpunëtorëve se do të largohet nga Departamenti i Drejtësisë pasi të konfirmohet një prokuror i ri i përgjithshëm.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.